Berisha: Irena me 5 mbiemra nuk duhej të ishte më gjyqtare sipas tre ligjeve me tre të pestat! Çdo vendim i saj është i pavlefshëm, por ajo mbrohet nga Altin Troplini dhe jo vetëm ai

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA TEK SPAK

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë një deklaratë për mediat pas daljes nga zyrat e SPAK. “Irena me pesë mbiemra nuk duhej të ishte më gjyqtare sipas tre ligjeve me tre të pestat! Por ajo mbrohet nga Altin Troplini dhe jo vetëm ai”, tha kreu demokrat.

Gjatë fjalës së tij, përpara gazetarëve që e prisnin jashtë ambienteve të SPAK-ut, kryedemokrati Sali Berisha, deklaroi se “çdo vendim i Irena Gjokës, që nga dita që ka mashtruar në formularët e dekriminalizimit, është i pavlefshëm”. Sipas tij, gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka, duhej të ishte në burg për shkak të mosdeklarimit të dënimit në formularin e dekriminalizimit. Berisha akuzoi prokurorët e Posaçëm se po përpiqen me çdo mënyrë ta parashkruajnë veprën penale të saj, me qëllim që të shmangin ndjekjen penale.

Lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha u shpreh se, e gjithë “loja” e SPAK me gjyqtaren Gjoka lidhet me faktin se, sipas tij, ajo “u ka ngrohur xhepat hetuesve të Prokurorisë së Posaçme me shuma të majme”.  

Kreu i PD-së ka bërë gjithashtu publike një mesazh që, sipas tij, ia ka lënë kreut të SPAK, Altin Dumanit. Gjatë paraqitjes së tij në Strukturën e Posaçme, Berisha deklaroi se në këtë mesazh i ka kujtuar Dumanit rolin e “avokatit që luan ndaj çështjes McGonigal”, si dhe “krimeve kushtetuese që ai kryen si armik i përbetuar i pluralizmit në Shqipëri”.

“Altin Troplinit, avokatit të McGonigal, të krimeve kushtetuese dhe armikut të betuar të pluralizmit, skllavit të pasurive të tij të paligjshme, apartamenteve dhe të tjerë”, thuhet në mesazhin e Berishës për drejtuesin e SPAK, Altin Dumani.

Kreu i Partisë Demokratike deklaroi gjithashtu se, sipas Kushtetutës dhe ligjeve shqiptare, “Irena me pesë mbiemra” nuk mund të ishte gjyqtare, duke theksuar shkeljen e tri ligjeve që mbrojnë integritetin e institucioneve. Berisha kritikoi ashpër SPAK-un, duke akuzuar se “dosja e Taulant Begoyarisit po hahet nga minjtë” dhe se proceset po manipulohen për të mbrojtur persona të përfshirë në krime. Sipas tij, vendimet e dhëna nga gjyqtarë të tillë janë të pavlefshme dhe sistemi aktual favorizon individë të caktuar, duke cenuar drejtësinë dhe Kushtetutën e vendit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha paralajmëroi se “çështja nuk mund të mbyllet kurrë”, duke iu referuar Gjykatës së Strasburgut si instanca e drejtësisë që do të shqyrtojë këto shkelje.

I pyetur në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ti ndërprerë mandatin anëtares, Sonila Bejtja, lideri i opozitës shqiptare, Sali  Berisha deklaroi se veprimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e Sonila Bejtjas janë plotësisht antikushtetuese. Ai theksoi se Gjykata ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe ligjin e saj, duke krijuar një konflikt të hapur interesi dhe duke anashkaluar procedurat ligjore.  Sipas tij, mandati i Bejtjas, i nisur në vitin 2020, është i parashikuar të zgjasë 8 vjet dhe vendimet e Gjykatës për rotacionin dhe ndërhyrjet e tjera janë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.

Lideri i opozitës shtoi se mënyra se si presidenti është përfshirë në këtë çështje nuk është e drejtë, duke nënvizuar mungesën e sistemit dhe transparencës në vendimmarrjet e institucioneve kushtetuese.

Kryedemokrati Sali Berisha hodhi akuza të forta në adresë të gjyqtarëve të GJKKO-së dhe Apelit të Posaçëm, sikurse dhe prokurorëve të SPAK, të cilët sipas tij, përdorin mantelin e gjykatësit e të prokurorit në mbrojtje dhe fshehjes së krimeve të tyre. Ai tha se, sulmet e tij ndaj GJKKO dhe SPAK, nuk janë të pa bazuara në fakte dhe ligje.  ‘Unë po mbroj sistemin e drejtësisë nga delinkuentë, nga kriminelë që shkelmojnë Kushtetutën për interesa të tyre’, u shpreh Berisha në deklaratën e tij për mediat, pas paraqitjes në SPAK.

Në fund, i pyetur nga gazetarët, për arrestimin e dhunshëm të ish-presidentit Ilir Meta, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se “Altin Dumani është bashkëfajtor! Pse nuk hapi proces penal për shkelje ligji?”.

FJALA E PLOTE:

Të dashur qytetarë dhe qytetare, sot unë kam këtë deklaratë para jush, me të cilën faktohet se narkoshteti është shteti i Irenës me 5 mbiemra, i Troplinit dhe Troplinëve të tjerë.

Ndaj dhe ju lutem, sipas dëshirës, të ndiqni këtë deklaratë sot.

Pra, ky është shteti i Irenës me 5 mbiemra që vazhdon detyrën në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Për sa më sipër deklaroj se:

Ne kemi bërë kërkesë pranë KLGJ-së për konstatimin e mbarimit të mandatit të Irena Gjokës pasi kur ka marrë mandatin nuk ka pasur kriteret e përcaktuara në ligj për të qenë gjykatëse pasi kishte një vendim penal që kishte marrë formë të prerë.

Konkretisht, Kushtetuta në nenin 6/1, parashikon se një person, integriteti publik i të cilit është cenuar, nuk mund të vijojë funksionet në organet kushtetuese.

Ndalohet, thotë neni, zgjedhja, emërimi apo ushtrimi i një funksioni publik në një nga organet e parashikuara në këtë Kushtetutë, ose të krijuara me ligj, pavarësisht përcaktimeve të bëra në dispozita të tjera.

Nëse verifikohen rrethana që cenojnë integritetin publik të funksionarit publik, sipas kushteve të miratuara me ligj, të miratuara me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Ky pra është përcaktimi i Kushtetutës, ligji i miratuar me tre të pestat në vitin 2016, ligji 96 i vitit 2016, parashikon në nenin 28/D për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve parashikon se nuk mund të ketë statusin e magjistratit një shtetase që është dënuar me vendim penal të formës së prerë, në rastin konkret pra, Irena Gjoka.

Po ky ligj parashikon në nenin 66/3, detyrimin e çdo magjistrati për të njoftuar KLGJ-në menjëherë për ekzistencën e një kushti që çon në mandatin e mandatit.

Po ky ligj parashikon se gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku ishte gjykatëse Irena Gjoka, do vazhdonin të qëndronin në pozicionin e tyre me përjashtim të rastit kur kishte shkaqe përmbarimin e statusit të magjistratit.

A e kuptoni pra miqtë e mi se kjo delinkuente që fshihet nga Altin Troplini, nga prokurori i përgjithshëm, nga kryeinspektori i përgjithshëm që thotë se nuk na kanë njoftuar, por duket se punonjësit e tij ia kanë fshehur dokumentet, pra kjo qëndron në detyrë duke shkelmuar Kushtetutën e vendit, duke shkelmuar ligjet me tre të pestat, që i diktojnë asaj largimin e menjëhershëm.

Sipas ligjit të dekriminalizimit, të miratuar me tre të pestat, fshehja, refuzimi për të deklaruar dënimet qoftë edhe jo të formës së prerë- Irena me 5 mbiemra e ka të formës së prerë- shkakton ndërprerjen e menjëhershme të funksionit të gjyqtarit dhe Irena Gjoka nuk ka deklaruar një gjykim, një dënim dhe dy dëbime, por mbrohet në mënyrë antikushtetuese, antiligjore nga një bashkëpunëtor krimi që quhet Altin Troplini.

Dhe jo vetëm ai, mbrohet nga KLGJ-ja, mbrohet nga prokurori i përgjithshëm, paçka se gjithçka e akuzon këtë kriminele për fshehje të veprave të saj penale.

Sipas ligjit 95 të vitit 2016, ligj për strukturat e posaçme, gjykatë, prokurori, BKH, të gjithë ata që duhet të punonin në këto struktura, duhet të deklaronin nëse kishin dënime brenda ose jashtë vendit të formës së prerë ose jo për çfarëdo lloj shkelje ligjore.

Dhe Irena me 5 mbiemra përsëri nuk ka deklaruar dënimin e saj në Greqi.

Refuzimi për të deklaruar përbën shkak për shkarkimin e saj të menjëhershëm.

Pra, sipas tre ligjeve të miratuara me tre të pestat, Irena Gjoka nuk duhej të ishte magjistrate të paktën që në hyrje në fuqi të ligjit për dekriminalizimin.

Faktet u bënë publike si fillim nga gazetat greke dhe më pas nga dokumente zyrtare me vulë apostile të sjella dhe dorëzuara në organet kompetente shqiptare që në shkurt të vitit 2024.

Por kur faktet u bënë publike, kur dokumentet u dorëzuan në institucionet zyrtare shqiptare, këto të fundit kishin detyrimin të vendosnin vetë për konstatimin e mbarimit të mandatit për Irena Gjokën që në momentin kur ligji ia ndalon asaj të ishte gjykatëse dhe ndjekjen e saj penale.

Por ajo mbrohet nga Altin Troplini kundrejt një ryshfeti të majmë apo një urdhri antiligjor.

Sidoqoftë Altin Troplini bëhet bashkautor në një krim të shëmtuar ku është shkelur Kushtetuta dhe ligjet e vendit.

Por sigurisht që drejtësia e Soros-reformës, marionetat e Ramës, Troplini e kompani nuk mund të lëshojnë një mashë qorre si Irena Gjoka që u përdor në të gjitha proceset e montuara ndaj opozitës pa asnjë fakt penal, të ndërmarra direkt ngha armiku i egër i pluralizmit, shërbëtori mjeran i Edi Ramës, Altin Troplini.

Dy. KLGJ nuk iu përgjigj kërkesës tonë për të konstatuar përfundimin e mandatit të Irena Gjokës, por ia drejtoi Prokurorisë së Përgjithshme për të nisur hetimet nëse ekzistonte vendimin penal kundër Irena Gjokës dhe nëse ajo e kishte deklaruar atë në formularin e dekriminalizimit, pavarësisht se për këtë kishin vendimin penal të drejtësisë greke të sjellë me vulë apostile.

Prokuroria e Përgjithshme, për të dëshmuar veten se është një institucion tërësisht i kontrolluar, është një institucion që shkelmon Kushtetutë dhe ligje, nuk ka ndërmarrë asnjë masë deri sot.

Tre. Qëllimi i këtij devijimi është i qartë.

Së pari, në mënyrë të paligjshme vonon vendimmarrjen për konstatimin e mbarimit të mandatit meqenëse Irena Gjoka nuk mund të ishte gjykatëse kur ligji ia pengonte një personi të dënuar penalisht të mbante një funksion të tillë.

Së dyti, KLGJ, Uluzi Faqja e Zezë, Altin Troplini dhe marioneta të tjera të pushtetit, zvarritën me qëllim hetimin edhe mbi çështjen e shkeljes së ligjit të dekriminalizimit nga Irena Gjoka, e cila ka fshehur dhe nuk ka deklaruar në formular as dënimin penal dhe as dy ekspulset nga Greqia me qëllim të qartë kalimin e afateve të ndjekjes penale, pra parashkrimin e veprës penale.

Pra kjo është arsyeja që këta shërbëtorë të Edi Ramës apo të korruptuar të Irena Gjokës, nuk ndërmarrin veprime vetëm e vetëm që delinkuentja Irena Gjoka, që mban detyrën në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjet e vendit, të mos japë llogari para drejtësië për këto fshehje dhe shkelje të rënda.

Katër. Për sa i përket pikës së parë, pra mbarimit të mandatit sepse Irena Gjoka nuk ka pasur kriteret për të qenë gjykatëse, kjo e bën çdo procedurë gjyqësore të drejtuar prej saj, pas zgjedhjes gjykatëse në kundërshtim me ligj, procedurë të kryer nga një gjykatë jo e caktuar me ligj.

Pra, çdo vendim i Irena Gjokës, që nga dita që ka mashtruar në formularët e dekriminalizimit, është i pavlefshëm, është nul sepse është marrë nga një person që nuk mund të ishte gjykatës. 

Kjo, sipas Kushtetutës, por edhe sipas Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Sipas precedentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Cani kundër Shqipërisë, Irena Gjoka nuk mund të jetë gjykatëse dhe proceset e ndjekura prej saj janë nul.

Rikujtoj këtu se ajo mbahet në detyrë sepse ajo mban dosjen e Ilir Metës, dosje që nuk ka asnjë fakt penal, përveç vendimit hakmarrës primitiv të Edi Ramës ndaj tij.

Pesë.

Për sa i përket mosdeklarimit të vendimit penal dhe dy ekspulseve në formularin e dekriminalizimit, kjo është çështje më vete e cila sjell dy pasoja.

E para është ndjekja penale kundrejt Irena Gjokës. Mosdeklarimi në formularin e dekriminalizimit është një vepër penale për të cilën ajo duhet të ishte në burg.

Këta duan të thonë se vepra është parashkruar dhe Irena e tyre me 5 mbiemra, e cila u ka ngrohur xhepat mirë e mirë, nuk mund të ndiqet penalisht.

Kjo në fak është e pavërtetë sepse Irena ka marrë detyra të reja pas krijimit të Gjykatës Speciale, si psh ajo e kryetares së gjykatës, për të cilat kërkohet të plotësojë përsëri formularin e dekriminalizimit.

Ajo ka kaluar procesin e vetingut pas caktimit si kryetare gjykate. Edhe aty me siguri i është kërkuar të bëjë deklarime për fakte të tilla dhe ajo nuk i ka bërë.

Kështu që të gjitha paratë që i kanë marrë Irenës, apo urdhrat e Edi Ramës që kanë zbatuar hidhen në kosh të plehrave dhe dëshmojnë Altin Troplinin, Uluzi Faqeziun dhe KLGJ-në thjesht si skllevër të ryshfeteve apo urdhrave politikë.

Për më tepër, Irena ka ekspozuar veprimet e saj aktive për të mbuluar ekzistencën e vendimit penal në Greqi, të ekspulseve dhe mosdeklarimin e tyre në formularin e dekriminalizimit.

Ju kujtohej se pak kohë më parë ajo i deklaroi BIRN, se nuk kishte vendim penal dhe as ekspuls, ndërkohë që kishte lëshuar prokurorë me firmën e saj dhe kishte angazhuar avokat për të kundërshtuar këto procedura, gjë që është evidente edhe nga drejtësia greke.

Pra, jo vetëm ka bërë veprime aktive për mbulimin e veprës penale, pra e ka vazhduar atë. Pra, jemi para krimit vazhdues në terminologjinë juridike sepse ajo çdo ditë fsheh dënimet, dëbimet dhe veprat penale të saj.

E dyta, mosdeklarimi e vendimit penal në formularin e dekriminalizimit sjell përsëri përfundim të mandatit që në momentin kur është kryer shkelja. Kjo është një procedurë administrative, pra jo penale, për të cilat nuk vlen asnjë afat parashkrimi i kodit penal. Nuk ka nevojë për veprim verifikues kaq kompleks. Mjafton mosplotësimi i një rubrike të formularit për ta larguar nga pozicion i gjyqtarit.

Gjashtë.

Pra, pavarësisht përpjekjeve të turpshme të KLGJ-së, Altin Troplinit, Prokurorisë së Përgjithshme për të mbajtur në detyrë një njeri që nuk mund të jetë gjykatëse sipas Kushtetutës, sipas ligjit.

Një njeri që sipas tre ligjeve të miratuara nga kjo mazhorancë duhet të jetë në burg, ajo është e pambrojtshme dhe tashmë e vërteta ka dalë në dritën e diellit.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Pyetje: Ju besoj se i jen idrejtuar Gjykatës së Strasburgut pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. A është përdorur ky argument nga ana juaj në Strasburg. Pra, gjykimi nga një gjykatë jo e formuar nga ligji.

Sali Berisha: Do ta pyes avokatin tim. Nuk kam një përgjigje. Unë besoj se po, por një përgjigje përfundimtare do ta merrni pasi unë të jem konsultuar me avoketërit, pasi siç keni konstatuar, në profesionin e tyre ata kanë një hapësirë të gjerë dhe unë nuk është se i ndjek ata me lupë.

Por ky akt është i shëmtuar, i turpshëm. Është shkelmuar Kushtetuta që në mënyrë eksplicite kërkon që personat e institucioneve Kushtetuese siç është gjykata, nuk mund të jenë në këto detyra nëse kanë integritetin e cënuar.

Janë cënuar 3 ligje që i çojnë në burg ata që i shkelnin, dhe kjo ka shkelur këto 3 ligje në mënyrë ekzemplare. Natyrisht ju garantoj se, me këtë çështje Gjykata e Strasburgut, sigurisht jo vetëm në rastin tim, se këtu janë me qindra procese dhe këta përpiqen ta mbyllin këtë gjë, pikërisht me këto procedura, por nuk e mbyllin dot kurrë, sepse është shumë e qartë. Një vendim i dhënë nga gjykatës që nuk mund të ishte gjykatës, nuk ka asnjë vlerë.

Kjo nuk mund të ishte gjykatëse.

Besoj se jemi në kushtet kur në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe 3 ligjeve me 3/5, Irena me 5 mbiemra që ka për avokat Altin Troplinin, nuk mund të ishte gjykatëse.

Por Irena peng e cila është taman ikona e zezë e këtij sistemi të Xhorxh Sorosit, ajo vazhdon mbahet në të ashtuquajturin hetim paraprak pa emër të Altin Troplinit, formë hetimi që ky bashkëpunëtor në krime e përdor për të mbrojtur kriminelë.

Dua të ju informoj këtu se, dosja 26 ‘Toyota Yaris’ që ka shkuar në gjykatë, ka shkuar pa fashikullin e Taulant Begoyaris, i cili është person kryesor siç e dini, jo vetëm në deklaratat në parlament, por është person kryesor në përgjimet që i janë bërë Erion Daupajt, ku ajo në mënyrë të përsëritur flet për Taon që bën gjithçka, ministër tani më, që bën gjithçka për të tërhequr edhe njëherë të gjitha pasuritë e konfiskuara në polici, në mënyrë që ti votojë e të mos i japë.

Pra, këtë Altin Troplini nuk e ka dërguar në gjykatë. Çfarë ka bërë? Ka krijuar gjoja aty një fashikull 26/1, dhe asgjë, po e hanë minjtë në raftet e tij.

Ky është një shembull.

A mund të lexoj pak mesazhin që i lashë Altin Troplinit.

Altin Troplinit, avokatit të McGonigal, të krimeve kushtetuese dhe armikut të betuar të pluralizmit, skllavit të pasurive të tij të paligjshme, apartamenteve dhe të tjerë.

Ky është mesazhi.

Pyetje: Gjuha juaj e ashpër, a mendoni se ka ndikuar në injektimin e një bindje se gjyqësori nuk funksionon, nuk jep drejtësi.

Sali Berisha: Ti duhet dish një gjë, nëse unë u jap fakte këtu, unë jap fakte dhe ti si gazetare, mendoj unë, duhet të përkulesh para fakteve, para ligjeve. Nuk bëj asnjë sulm, asnjë deklaratë në mënyrë absolute, pa fakte dhe ligje. Por kur unë demaskoj këtu si bashkëpunëtor në krim ata që; fshehin krimet; ata që shkelmojnë ligje, ata që shkelmojnë kushtetutën, unë mbroj interesat e çdo qytetari shqiptar, demokrat, socialist, pa parti, çfarëdo që të jetë ai, edhe tuajat përfshirë, edhe interesat tuaja përfshirë, sepse interesi i tyre është një ligj, funksionimi i ligjit dhe i Kushtetutës.

Pra këto mënyre avokatie për delinkuentë dhe shkelës ligji, janë të gabuara.

Pyetje: Nuk po bëj avokatin e askujt, zoti Berisha…

Sali Berisha: Përkundrazi, unë po mbroj sistemin e drejtësisë nga delinkuentë, nga kriminelë që shkelmojnë Kushtetutën për interesa të tyre.

Pyetje: Po ka institucione për ti drejtuar të gjitha këto shkresa…

Sali Berisha:  Besoj se këtu fola që të gjitha institucione që jemi drejtuar. Ato që numërova unë, janë që të gjitha institucione që jam drejtuar. Por ato institucione, ose Irena me 5 mbiemra i ka blerë me 500 mijëshe euro, nuk kam fakte se do ti sillja këtu, ose Edi Rama i urdhëron si skllevër që i ka të kapur peng, për pasuritë e paligjshme që kanë nga Troplini dhe me radhë dhe këta heshtin.

Por nëqoftëse brenda drejtësisë, në një sistem drejtësie ndodh që ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja nxirret nga sistemi dhe ky Troplin këtu e çon në ndjekje penale dhe kërkon dënimin e tij me burg. Nxirret nga sistemi sepse sipas tij ka fshehur një apartament. Sipas atij dhe avoketërve apartamenti ka qenë i vëllait dhe ka paguar qeranë në emër të vëllait. Por ky vetë ka 4 apartamente, ka 3 të vetat dhe një tjetër ku thotë se, unë jam i strehuar tek vjehrri me qira. E kuptoni apo jo, paçka se çon badigardët për të rrafë qytetarët, atje se shiten nga dy herë apartamentet e vjehrrit.

Jemi në këto kushte në të cilat, shqiptarët duhet ti dinë këto të vërteta, duhet ti dinë.

A mund të imagjinosh ti se çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë, se çfarë drejtësie merr qytetari i thjeshtë kur këta në mënyrë flagrante, ky hap çështje pa emër për Irena Gjokën e cila ka gjithë këto gjëra, të shkelmuara dhe çështja hapet pa emër vetëm që ajo të tejkalojë afatet e parashkrimit.

A nuk është ky, një bashkëpunëtor në krim.

A nuk është ky bashkëpunëtor në krim, kur lexon njëlloj si unë transkrimet e bisedave të Elona Daupajt, ku Taulant Balla nga fillimi në fund del disa herë si bashkëpunëtor me bandën e Elbasanit, dhe ky dënon roje dhe shoferë dhe Taos ja heq fashikullin. A janë këto kështu apo jo, a duhet ti dimë këto.

Çfarë drejtësie është kjo? Kjo është anti-drejtësi, ky është shkelmim mbi punën, mundin, djersën e qindra hetuesve, gjykatësve, prokurorëve që duan të punojnë në përputhje me ligjin. Por kjo mafie e poshtër që ka ngërthyer në këtë mënyrë sistemin, po e shkatërron këtë sistem.

Jo, përkundrazi kjo është një ndihmë e madhe që unë jap. Sepse e di si është puna? E morët vesh çfarë ndodhi pardje.

Që nga koha e diktaturës, unë nuk kam dëgjuar as në diktaturë, por mund të ketë ndodhur, se atëherë ndodhte çdo gjë, atëherë nuk kishte avokatë, por në kohën kur ka pasur avokatë, avoketërit armiq konsideroheshin, pak kishte.

Arrestojnë avokatin në Elbasan. Pse? Sepse guxoi ti thotë prokurorit, unë do të të bëj padi penale. Çfarë fyerje dhe çfarë kërcënimi është ky? Kur një njeri në sallën e gjyqit që mbronte një klient, i thotë prokurorit po shpif dhe ky bandit me Prodën që është anëtar i bandës dhe të tjerë, thërret avokatin dhe e arreston të nesërmen.

Tani më thuaj pak mua, të arrestosh avokatin në këtë mënyrë, ky është një terror mbi 10-tëra e qindra avoketër që të mbyllin gojën në sallën e gjyqit. Çfarë drejtësie është kjo?

Kur dëgjova fillimisht  të them të vërtetën, mendova se mos avokati ka humbur nervat dhe ka agresuar prokurorin dhe thashë kjo është e papranueshme. Por kur pashë me regjistrime se çfarë ka ndodhur, ky është turpi, kjo vetëm drejtësi nuk është. Nuk ndodh kund.

Këta që përpiqen të shndërrojnë krimet e tyre të shëmtuara në mburojë për drejtësinë, këta janë dy herë kriminelë.

Këta që përpiqen të përdorin mantelin e gjykatësit apo prokurorit për të mbrojtur apo fshehur krimet e tyre, këta janë dy herë kriminel.

Pyetje: Ditët e fundit keni folur për një tentativë për të kapur Gjykatën Kushtetuese. A mund të na thoni me emra, se kush janë personazhet e drejtësinë që kanë interes për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe për të cilat arsye?

Sali Berisha: Tani, ai ishte një akt antikushtetues. Absolutisht antikushtetues.

Citova Kushtetutën, citova ligjin e Gjykatës Kushtetuese, të cilin e shkeli në mënyrë flagrante vetë Gjykata Kushtetuese.

Nuk ndodh kurrë që hajde të mblidhemi të gjykojmë se si na takon ne. Po ky është konflikti më flagrant i interesit.

Nuk ndodh kund kjo përveçse në Shqipëri ku ndodh çdo gjë. Ku nuk ka sistem.

Që në këtë moment, që ata bënë gjyqin se cilin të përzëmë, ky ishte turpi i tyre.

Se ata, akti i parë, duhej t’i thonin Bajram Begajt, se ne jemi në konflikt interesi, ne nuk mund ta gjykojmë këtë problem.

E dyta, Sonila Bejtja kishte marrë mandatin në vitin 2020 dhe Kushtetuta dhe ligji i parashikojnë asaj mandatin 8-vjeçar.

Së treti, nuk është kurrë presidenti që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me shkresë ‘më zgjidh këtë problem’.

Tani, unë e kuptoj, nëse presidenti donte ta zgjidhte, i thoshte parlamentit: parlament, keni bërë një ligj, ligjin e Gjykatës Kushtetuese, ku keni shkruar se forma e rotacionit aplikohet gjer në vitin 2022. Prandaj hiqeni këtë afat, në mënyrë që të vazhdojë forma e rotacionit gjer në vitin 2032.

Pra, gjithçka është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.

Pyetje: Pak ditë më parë, Altin Dumani në komision deklaroi se, mënyra se si u arrestuar Ilir Meta linte për të dëshiruar dhe se arrestimet i kryen policia dhe jo SPAK. Cili është komenti juaj?

Sali Berisha: Komenti im është ky.

Sa herë, po të ketë prokurorë të vërtetë, prokurori hap procesin penal kundër atij që shkel ligjin.

Ky lan duart si Ponc Pilati se është absolutisht vepër e rakorduar me SPAK-un, BKH-në dhe Policinë e Shtetit me urdhër të Edi Ramës.

Ky, vetëm sa faktoi që nuk është një prokuror.

Se në qoftë se ndodh… se procesi ishte i tij, nuk ishte i ndonjë prokurorie tjetër.

Dhe në rast se një person, me proces në SPAK, shikoni se çfarë burri është.

Ky dëshmoi se është komplicit edhe në këtë akt.

Ju falënderoj!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale