Berisha: Integrimi i Shqipërisë në BE është ylli polar i PD dhe kjo do bëhet bazuar mbi merita. Me Edi Ramën shkohet drejt të shkuarës dhe jo në BE

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të premte një konferencë për shtyp me gazetarët, ku që në nisje të fjalës së tij, theksoi rëndësinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian si objektivin madhor të partisë së tij. Ai akuzoi qeverinë e Edi Ramës për vonesa dhe pengesa në këtë proces, duke argumentuar se integrimi duhet të bazohet në meritë dhe në përmbushjen e kritereve evropiane.

Berisha nënvizoi se shteti ligjor dhe një ekonomi tregu funksionale janë shtyllat kryesore për këtë rrugëtim, ndërsa kritikoi qasjen e qeverisë aktuale si një pengesë që e çon vendin drejt së shkuarës, e jo drejt BE-së. Ai deklaroi se ‘interesi më i mirë i shqiptarëve nuk është të shkohet drejt BE-së si narkodiktatura e parë dhe e vetme në Europë.’

Në konferencën me gazetarët, Berisha reagoi ndaj situatës mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, duke e krahasuar atë me një skenar të serialit të famshëm ‘Narcos.’ Ai cilësoi emërimin e Anuela Ristanit në krye të bashkisë si antikushtetues dhe një akt të drejtuar nga kryeministri Rama. Sipas tij, ky vendim bie ndesh me Kushtetutën, pasi vetëm Këshilli Bashkiak ka të drejtën për të përcaktuar drejtuesin e institucionit.

Krydemokrati Sali Berisha e konsideroi këtë përplasje institucionale si një skenar të paparë, ku Veliaj, ndonëse i ndaluar, ka vijuar të ushtrojë detyrën e tij në mënyrë të pazakontë, duke deleguar firmën te një punonjëse e besuar e bashkisë, ndërkohë që qeveria ka caktuar një drejtues tjetër, duke thelluar përplasjen mes palëve.

Kryetari i opozitës shqiptare ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për ushtrim presioni dhe kërcënime ndaj punonjësve të Bashkisë së Tiranës. Sipas Berishës, këto veprime përbëjnë një shkelje të rëndë të ligjit dhe kërkojnë një hetim të menjëhershëm nga Avokati i Popullit.

Në fjalën e tij, Berisha e krahasoi situatën me një skenar mafioz, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën sesi një i burgosur ka mundur të firmosë dokumente zyrtare pa praninë e avokatit. Ai gjithashtu bëri thirrje që OSBE-ja të mbikëqyrë këto zhvillime, të cilat i cilësoi si të paprecedenta. Sipas tij, ekzekutivi nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punët e pushtetit lokal, ndërsa sjelljen e Ramës e cilësoi si një akt presioni të papranueshëm.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, lideri i demokratëve Sali Berisha komentoi gjithashtu edhe një video mes Ramës dhe Bashës, duke thënë se kryeministri i përdor këto shkëmbime për të mbuluar skandalet.  ‘Kanë një idil tani me Lulzim Bashën, Zoti ua shtoftë, ai do të ndihmojë Bashën, e ka idil tani. E di çbën apo jo. Maniak, merr studio të ndryshme në telefon dhe u thotë, mos ma harroni atë komunikimin që kam me Bashën, se do të mbulojë këto të gjitha do ti mbulojë me fasadën Basha’, theksoi lideri i demokratëve, Sali Berisha.

I pyetur nga gazetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi se nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me ish-ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim, dhe ka ftuar sërish FBI-në, Departamentin e Shtetit dhe Kongresin amerikan të hetojnë mbi akuzat për korrupsion. ‘Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i njëjtë,’ u shpreh ai.

Krydemokrati Berisha theksoi se nuk ka asnjë komunikim apo sugjerim për kryebashkiakun Erion Veliaj në lidhje me çështjet që e përfshijnë atë. Ai theksoi se beson në drejtësinë ligjore dhe jo në procese mafioze, duke dënuar kërcënimet dhe presionet ndaj institucioneve të drejtësisë, dhe duke kërkuar një proces të drejtë dhe transparent.

FJALA E PLOTE:

Së pari, duhet të garantoj qytetarët shqiptarë se PD si lokomotiva e vërtetë e proceseve integruese e Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare, në Këshillin e Europës, në NATO, institucione të tjera, si partia që mori nga Komisioni Europian për statusin e Kandidatit, ka qëllimin më madhor, integrimin e Shqipërisë në BE.

Por theksoj edhe njëherë, kjo parti e konsideron këtë proces fund e krye të bazuar në meritë, ç’ka do të thotë, të bazuar në dy shtylla kryesor.

Në shtetin ligjor funksional, që parakupton liri dhe të drejta të shqiptarëve të garantuara.

Parakupton sistem gjyqësor të pavaruar nga politika.

Parakupton luftë me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit.

Parakupton procese gjyqësore të drejta dhe në kohë.

Shtylla tjetër ekonomia e tregut, funksionale, çka nënkupton para së gjithash garën e ndershme për kompanitë shqiptare e ndërkombëtare. Çka nënkupton prerjen me gërshërët e ligjit të çdo ndikimi të klaneve mafioze, në veprimtarinë ekonomike të Shqipërisë.

Çka nënkupton prerjen me gërshërët e ligjit të lidhjeve të politikës me krimin.

Çka nënkupton pastrimin e shtëpisë tonë me shtetin ligjor. Bandat dhe të lidhurit me bandat, politikanët e lidhur me bandat të vendosen para ligjit.

Ne garantojmë se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, do të jetë i pandalshëm. Falenderoj këshillin e ambasadorëve që i dha një goditje fatale mashtrimit dhe fushatës së mashtrimit të Edi Ramës për anëtarësimin e Shqipërisë në vitin 2030 apo 2027.

Në mbledhjen e fundit këshilli i përgjithshëm i BE-së në Bruksel, i nxorri karton të kuq mashtruesit. Harroje i tha se, hapen kapitujt.

Vendosi të mos hapë asnjë kapitull tjetër për Shqipërinë, vendosi të mos caktojë as datë për hapjen e kapitujve. Vendosi t’i infomojë shqiptarët se nuk ka asnjë datë të caktuar nga Brukseli për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, dhe se Brukseli nuk pranon proces tjetër veç se të bazuar në plotësimin e kritereve dhe standardeve të BE-së.

Një kusht nxorën të parën mbi të parët, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Ndaj dhe Edi Rama qarkullon si kreu i organizatës kriminale nga një sallë në tjetër me një pasaportë shqiptare sikur do të jetë kjo pasaporta Europiane. Mori përgjigje përfundimtare në Bruksel.

Një sharlatan mashtrues i papërgjegjshëm që kërkon të mbulojë vonesën 12 vjeçare, ngadalësimin dhe pothuajse ndalimin e procesit të integrimit për pothuajse 12 vite me radhë.

Nuk harrojë shqiptarët fishekzjarret, shampanjën dhe dekoratat e korrikut 2017, sikur gjoja u hapën negociatata, të cilat u hapën këtë vit.

Edi Rama po heq çdo lloj filtri dhe është lëshuar nga mëngjesi në darkë në një mashtrim për qytetarët shqiptarë.

Duke i garantuar ata se ylli polar i programit të PD do të jetë interesi kombëtar dhe ai qëndron në integrimin e Shqipërisë në BE.

Me Edi Ramën shkohet drejt të shkuarës dhe jo në BE.

Dhe e falenderoj edhe njëherë për Këshillin e përgjithshëm të BE-së për vendimin e drejtë në interesin më të mirë të shqiptarëve.

Interesi më i mirë i shqiptarëve nuk është të shkohet drejt BE-së si narkodiktatura e parë dhe e vetme në Europë.

Interesi i shqiptarëve nuk është të shkohet drejt BE-së me një padrino, me një Toto Rina, apo El Chiapo në zyrën e kryeminsitrit.

Interesi i shqiptarëve nuk është që Shqipëria të eksportojë lirshëm kriminalitet drejt vendeve të BE-së. Jo e jo.

Interesi i BE-së është që Shqipëria të jetë vend i shtetit ligjor, i zgjedhjeve të lira, i luftës me zero tolerancë ndaj krimit, i ndëshkimit të politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar gjer në palcë.

Interesi i BE-së është që tregu shqiptar në përputhje me rregullat të jetë i hapur për shqiptarët dhe për investitorët dhe sipërmarrësit e vendeve të BE-së, ashtu siç ka firmosur Shqipëria në marrëveshjen e stabilizim asoociimit.

Ndaj dhe rikthesova edhe njëherë para shqiptarëve zotimin tim solemn.

Unë e kuptoj se mendjen e keni tek çështja e ditës, por nuk mund të dal para jush pa paraqitur shqiptarëve kapituj të programeve të PD-së që kanë rëndësi jetike për të sotmen dhe të ardhmen e tyre.

Rikthehemi tek çështja e ditës.

Çështja e ditës është seria e fundit e Narcosit, që zhvillohet në godinën e qeverisë, bashkisë Tiranës dhe qelitë e burgut qeveritar në Durrës.

Zhvillohet një skenar që as në filma nuk do mund të ishte i tillë.

Një skenar me habira, me çudira, të denja për çdo puntatë të Narcosit.

Në puntatën e fundit pra, çfarë ndodh? Ndodh që Erion Veliaj ka shndërruar qelinë në zyrën e bashkisë. Erion Veliaj aty firmos dhe vulos sikur të ishte në zyrën e bashkisë. Se si mund të ndodhë kjo e di vetëm regjizori.

Sikur të jetë në ‘susam hapu’ apo në urdhër të peshkut.

Por kjo nuk është esenciale. Esenciale është se ai për arsyet e veta paraqet para shqiptarëve një dokument me firmë ku i delegon firmën një punonjëse të besuar të bashkisë që quhet Sara Goxhaj.

Në një kohë kur 5 ditë më parë Edi Rama i kishet besuar firmën e Erion Veliajt një Anduela Ristanit.

Zonja Ristani doli dje në një media dhe u betua e stërbetua se ajo nuk është njeriu i Edi Ramës.

Unë nuk mund të them asgjë, por pyetje do ti shtroj zonjës Ristani: Nëqoftëse ti, nuk je njeri konfidente e Edi Ramës, si pranon ti urdhërin antikushtetues të Edi Ramës.

Se kush do të drejtojë bashkinë ka tagër të plotë të përcaktojë këshilli bashkiak me Kushtetutë. Dhe në një mënyrë apo një tjetër, kjo e delegimit të firmës është e drejtë personale e atij që beson firmën, se firma nuk i jepet kujtdo.

Pra rezulton se zonja Ristani e cila betohet se nuk është konfidente e Edi Ramës, dhe mund të mos jetë se nuk e njoh, por zonja Ristani pranon emërimin e saj antikushtetues në krye të bashkisë nga Edi Rama. Ajo këtë emërim duhet ta kërkonte sipas kushtetutës nga Këshilli Bashkiak.

Tani vijmë tek saltoja mortale e Erion Veliajt.

Merrni vesh a është apo nuk është, kush e merr vesh? Vetëm në film Narcosi. Erion Veliaj ndalon edhe sekretarin e përgjithshëm me policë. Nga qelia e mbyllur urdhëron policinë. Se si mund të urdhërojë ai policinë bashkiake që mos e lejoni atë Halilin të mos futet në bashki bashkë me sekretarin e Përgjithshëm, atë e di Edi Rama ose Altin Dumani që janë në këtë skenar.

Por marrim pak momentin tjetër.

Pasi Veliaj vendos të shkarkojë Ristanin dhe emëroj Sara Goxhaj për firmën e tij, delegon firmën, ai bën një saltro mortale të papritur. Thotë se kjo ishte një keqkuptim dhe këtë e bëri nga një kërcënim alla mafioz i Edi Ramës që vendosi shkarkimin e Erion Veliajt.

Dhe me tu marrë vesh shkarkimi i Erion Veliajt, Erion Veliaj sikur të ishte në zyrën e bashkisë së Tiranës dhe jo në Durrës. E kuptoni se çfarë kontrolli i tmerrshëm i bëhet atij njeriu. Si e mori vesh dhe ku e mori vesh ai që u shkarkua dje në ora 2 të ditës. Si e mori vesh me thoni ju mua.

Pra këtu bëhet një lojë mafioze, psikologjike e paimagjinueshme. Kush ja tha atij, që vendosi shkarkimin Edi Rama. Thojani shqiptarëve.

Dhe Erion Veliaj merr kthesën e menjëhershme ku thotë ishte një keqkuptim se rikthehet, mbetet në fuqi emërimi i Ramës, antikushtetues i tij, për Anduela Ristanin, por nuk asnjë konfirmim nga këshilli bashkiak dhe Erion Veliaj.

Defakto firma mbetet gjer tani, pavarësisht se ç’thotë nga statuset. Dhe ju e keni parë e morët vesh. Informatori dixhital raporton se statuset shkruhen nga Edi Rama dhe zyra e tij.

Unë nuk marr përsipër të bëjë ekspertiza, por u them qytetarëve, cilido që e dyshon këtë dhe me të drejtë mund ta dyshojë, të marrë pak statuset e Erion Veliajt dhe disa shkrime që shkruante Rama me emrat e gazetarëve të ndryshëm, i shkruante kur atij i shpërthenin ujërat e zeza dhe nuk përmbahej me gojën e shthurur, shkruante çdo gjë identike me statuset e shkruara për Erion Veliajn.

Është i njohur stili i Edi Ramës aty. Merrni shkrimet që publikonte dikur Blendi Mane, që është faktuar se i vinte emrin e tij, me dashjen apo pa dashjen e këtij të fundit. Po se Edi Rama ka nevojë të shpërthejë dhe të nxjerrë të zezat dhe kishte një kohë që i nxirrte me anonimat.

Thuhej se përdorte dhe Mero Bazen për këto, por mos e pyesni se tani dalë ka, të dhanë të tjera nga regjistrimet shumë interesante. Do i merrni vesh ju, se çfarë thoshte Veliaj për Mjeron.

Veliaj për Mjeron këtej i kërkon të zbatojë këtë e këtë, e këtej i vë një epitet, ai që qelb erë. Po në Narcos, Anisa ndodhen të gjithë elementët.

Vetëm në Narcos gjen gjëra të tilla, këtej e porosit, këtej i thotë se ka probleme me higjenën personale.

Pra, dhe këto janë vetëm një pjesë, është maja e ajsbergut.

Tani të jem i hapur.

Nuk kam në mënyrë absolute asnjë lloj sentimenti, dihet se cilat janë sentimentet e mia për Erion Veliajn. Por sentimentet e mia për Veliajn dhe për ligjin janë të ndryshme dhe do të jenë gjithmonë të ndryshme.

Ndaj dhe unë i kërkoj me urgjencë Avokatit të Popullit të ndërmarrë një hetim të plotë mbi qëndrimet e Edi Ramës, Erion Veliajt, si personazhe kryesore në këtë puntatë të serialit Narcos.

Çfarë ndodh, si mundet që një i burgosur të nxjerrë shkresa me firmë dhe vulë.

Përveç të tjerash, ai zotimi i fundit, i djeshëm i tij është marrë pa praninë e avokatit. Avokati nuk është thirrur i pranishëm në takimin e bërë, nëse është bërë fare takimi me Erion Veliajn ku mohon emërimin e Sara Goxhajt, atëherë ata të hetojnë se është absolutisht e ndaluar të takohesh me një të burgusor zyrtarisht pa praninë e avokatit.

I çuan atij përpara një plumb në zarf, apo e droguan, apo çfarë i bënë, këto nuk i di unë asnjë. Por këto pikëpyetje po shtrohen mbarë kudo.

Pra është i domosdoshëm një hetim nga Avokati i Popullit.

I bëj thirrje dhe zyrës së OSBE-së të mbikëqyrë këto zhvillime që nuk ekzistojnë, që pasurojën shumë serinë e Narcosit.

Edi Rama thërret në zyrë dhe kërcënon egërsisht punonjës të bashkisë, në një kohë kur ata me kushtetutë janë të pavarur ndaj tij. Nuk kanë asnjë tagër për të thirrur punonjës të bashkisë, për çështje të bashkisë, për tu ngarkuar detyra.

Bashkia është e pavaruar nga ekzekutivi, i thërret dhe i kërcënon. Ua mbyll dyert dhe i nxjerr jashtë. Janë zhvillime dramatike kockash mafioze, por skenarit i prin Don Edvini, padrinoja. Siç e shifni.

Thashë të informoj shqiptarët për të gjitha këto në mënyrë që të dinë, dhe kur shifni ju që gjithë këtë skenar përpiqet ta mbulojë me shkëmbime idilike me Lul Bravën dhe Uni Katilin. Jo kënga thotë këtë, jo kënga thotë ato.


Po mund të mashtrohet një komb i tërë me gjëra të tilla.

Mos u çudit për këtë që them unë. Shko e pyet nëpër redaksi se si mirren në telefon redaksitë dhe u thuhet mos ma harroni këtë idilin e ri me Bravën. Po është e vërtetë ajo, sepse mendon se në këtë mënyrë po i mbulon këto akte.

Gjakëftohtësia ekstreme e një mafiozi, e padrinos, e një kryetari të organizatës kriminale, siç është Edi Rama.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Andon Kello, AbcNews: Z. Berisha kam dy pyetje, ish-ambasadorja Amerikane Yuri Kim ka marrë një post të rëndësishëm në departamentin Amerikan të shtetit nësë do të kishit mundësi do të ja uronit detyrën e re?

Sali Berisha: Nuk kam ndryshuar asnjë qëndrim nga deklaratat e mia, për të cilat unë kam ftuar dhe ftoj përsëri, FBI-në, inspektorin e Përgjithshëm në Departamentin e Shtetit, Kongresin të hetojë mbi akuzat e bëra për korrupsion.

Nuk kam ndryshuar asgjë për atë.

Thashë edhe herën e parë, para jush, thashë; mediat thonë. Nuk kisha burime dhe për këtë nuk kam burim të saktë dhe e besoj se mediat njëherë thonë këtë, e njëherë atë.

Ndërsa qëndrimi im ndaj saj është ky që e shpreha sot, e kam shprehur çdo ditë, e kam shprehur me qindra herë. Nuk ndryshohet se nuk e kam të pabazuar atë.

Andon Kello, AbcNews: Në listën e hapur të Partisë Demokratike në Tiranë është një kandidat me emrin Elton Roshi i cili rezulton të jëtë kushëriri, djali i xhaxhait të ish kryebashkiakut socialist Elvis Roshi. A e lidh diçka këtë të fundit me Partinë Demokratike?

Sali Berisha: Tani kushëriri unë e kuptoj, nuk është mëkatar për kushëririn. Nëqoftëse ky Elton Rroshi, nuk ka patuar aktivitet me Elvisin, pse ka lidhje gjaku kjo absolutisht nuk mund të jetë një argument. Duhet të jetë në listë, ka shumë mundësi nga një prej partive aleate, por kjo nuk mund të jetë një kriter.

Edi Rama ka dy kushërinj, njërit ja ka rrëmbyer pronën, tjetrin e bën prefekt për të rrmëbyer prona të tjera. Nuk ke çfarë u bën njerëzve, janë të ndryshëm

Mariglen Kume, MCN: Të paktën në tre konferencat e fundit është vërejtur një qëndrim i juaj direkt apo indirekt është një lloj avokature ndaj Veliaj. A është bërë Veliaj pentito tek ju apo po tentoni ta joshni të bëhët pentito tek ju meqë tek prokuroria nuk është bërë deri tani?

Sali Berisha: Të siguroj se në mënyrë absolute nuk kam asnjë komunikim me të, se nuk kam asnjë sygjerim për të, të bëhet pentito apo të mos bëhet pentito, se jam i bindur se afera për të cilën është akuzuar, është thjeshtë ¼ apo 1/5 e atyre që duhej të akuzohej.

Por një gjë do e them këtu.

Si njeri që beson në mënyrën më të palëkundur në liritë dhe të drejtat e njeriut, unë qëndroj se cilido qoftë, çdo kundërshtar i imi apo kushto qoftë ai, meriton trajtimin ligjor në përputhje me kodet dhe kushtetutën e vendit. Çdo devijim nga ky, është një banditizëm i turpshëm.

Tani, unë nuk bëj avokatin e tij, kurrë e kurrës. Por për cilindo shqiptar që i dhunohen të drejtat nga sistemi i drejtësisë, se çfarë u bë ky procesi i Veliajt, u bë një proces qeveri-bashki.

Ky e nisi duke sulmuar prokurorin, unë e dënova. I dënova sulmet ndaj prokurorit, aq më tepër kur mora vesh se ka kërcënuar dhe djalin e tij, unë prap e dënova. Megjithëse djali i këtij Olsit, që qenka pro nesh gjoja, qënka kandidat për deputet i PS-së në Durrës. Nuk e kam verifikuar, por kështu më thanë të paktën.

Unë nuk mund ta pranoj ti kërcënosh fëmijët tjetrit, nuk mund të pranoj as të përdorësh atë gjuhë, nuk mund të pranoj kurrë skena, si ato të Medelinit në Kolumbi të 1983. Jo.

Të gjitha këto ndodhën para zyve tanë. Të gjitha rezultojnë se, kur fajëson ti mund ti hedhësh çdo baltë atij që është në pozicion, por ajo nuk është llogjikë, sepse siç e di ti, ai ishte në qeli, por policia që varet nga Edi Rama nuk bëri asnjë akt për të mbrojtur gjykatësit dhe prokurorët në atë proces gjyqësor. Nuk varet nga Erion Veliaj policia. Të them unë që e urdhëroi Erioni policinë, nuk e them dot unë atë, dhe duhet të jemi korrekt me qytetarin se kemi raporte me qytetarin.

Të them tani, unë ju kam njoftuar, unë jam i lirë sepse u kam njoftuar ju këtu për çdo akt. Çfarë donte Ulzi Manja, a është proces me prokurorë e gjykatës, apo me ministra e kryeministra. A e ka mohuar Ulzi Manja që i ka shkuar në takim, nuk e ka mohuar.

Çfarë donte Xhevdet Troplini në takim me të? A e ka mohuar Xhevdet Troplini se ka qenë me të? Nuk e ka mohuar.

Tani më thuaj ti mua, e mbroj unë atë kur denoncoj? Jo, unë mbroj ligjin dhe kushtetutën. Po Erion Veliaj të jesh i sigurtë, unë mbroj ligjin dhe kushtetutën. Se ligji dhe kushtetuta nuk i lejojnë këto.

E kanë regjistruar. Mu duk, por nuk bëri një komunikatë zyrtare se, edhe Skapi përdor ca gazetarë dhe dizinformon me ta. Skapi, kur unë thashë se, ka marrë autorizim nga gjykata për ta regjistruar, po tha kemi marrë, por nuk nxorri asnjë dokument, nuk nxori as zëdhënësin, por rrjedh tek spiunët e vet në media. Mirë paskan marrë, se nuk them unë se, normale është gjykata jep atë autorizim.

Ja lajmi i fundit.

Anduela Ristani shkarkon nënkryetaren Sara Goxhaj dhe sekretarin e përgjithshëm, Alban Dokushi.

Urdhëro, një njeri pa asnjë autoritet, pa asnjë lloj autoriteti nga këshilli bashkiak, i emëruar në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën nga Edi Rama merr në dorë bashkinë për llogari të Edi Ramës. Unë nuk jam dakord për këtë. A mund të biem dakord që të mos respektojmë ligjet?

A mund të pranoj unë që statuset të shkruhen nga Endri Fuga, vetëm e vetëm se, Edi Ramës i shpërthejnë ujërat e zeza në gojë, për të sulmuar Sali Berishën etj. Nuk mund ta pranoj një gjë të tillë, të themi atë që është.

Prandaj çfarë po kërkoj në fund të fundit. Unë po kërkoj që Avokati i Popullit të shkojë e të hetojë, se normalisht këtë duhet ta hetonte në mënyrë të paanshme prokuroria.

Çfarë deshte Ulzi Manja atje? Si mund të shkojë. Çfarë deshte Xhevdet Troplini atje, si mund të shkojë. Si komunikuan dhe me Erion Veliajn që e njoftuan se, je shkarkuar prandaj ndrysho vendimin.

Unë e kuptoj dhe kanë shumë të drejtë ta hetojnë Erion Veliaj për ato kërcënime që ka bërë dhe përpjekjet e tij, shpifjet.

2 milionë euro, thotë i ka dhënë Belinda në Greqi Olsi Dados. Trillim komplet dhe ai meriton të dënohet për këto. Ose kërcënime që thotë për Maznikun. Mazniku dhe Ulziu se ato të dy janë marrë. Sepse ai e di që Mazniku është gjer te veshët në çështjen e ‘5D’ dhe nuk e hetojnë.

A tregon ky rast një gjë, një proces mafioz. Unë nuk jam për procese mafioze, jam për procese gjyqësore të bazuar në ligj dhe norma. Këtu e kam të gjithë problemin.

Edhe Lefterin kur e kanë kërcënuar, e kam denoncuar, pse ta kërcënon atë aty, lejeni.

Tani mua më vijnë mesazhe, jo e kanë droguar. Ku ta di unë e kanë droguar apo jo. Pra japin shumë variante sepse njerëzit e kanë shumë të vështirë të imagjinojnë, se çfarë ndodhi me këtë që mori kthesë të plotë. Hajde gjeje.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Një pyetje në lidhje me çështjen e Veliajt, duke parë situatën në bashki ashtu siç e denonconi dhe ju, po pret Edi Rama 12 majin për ta shkarkuar Veliajn apo mund ta shkarkojë para 12 majit nëse ka tensione midis tyre?

Sali Berisha: Edi Rama në fakt e ka shkarkuar Erion Veliajn. Dje ka firmosur vendimin, por kompromisi ishte që Erion Veliaj të bënte ‘mea culpa’ ta shpallte keqkuptim firmën dhe vendimin ç’ka tregon se, o ja çuan atë xhebrailin në qeli, se çfarë ndodhi me të, kush e merr vesh, por Edi Rama vendimin e ka. Nuk e kam deduksion. Qytetarët dixhitalë flasin, tani sa, 100 për qind, ndonjëherë edhe devijojnë pak, por të paktën kështu më thonë.

Anisa Kadesha, RTSH: Kryeministri Rama dje me strukturat e tij e ka quajtur PD-në aktuale më të dobët sesa kur drejtohej nga Lulzim Basha, madje sipas projeksioneve të tij në 11 maj, PD do të këtë rezultate më të dobëta sesa në 2021?

Sali Berisha: Kanë një idil tani me Lulzim Bashën, Zoti ua shtoftë, ai do të ndihmojë Bashën, e ka idil tani. E di çbën apo jo. Maniak, merr studio të ndryshme në telefon dhe u thotë, mos ma harroni atë komunikimin që kam me Bashën, se do të mbulojë këto të gjitha do ti mbulojë me fasadën Basha.

Do të mbulojë faktin se nuk paraqet asnjë program, askërkund vetëm nxjerr një pasaportë nga xhepi që ja kripën në Bruksel.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Po punon Edi Rama për të nxjerrë deputet në Tiranë, Lulzim Bashën, po thoni?

Sali Berisha: Po e përdor, po e keqpërdor sepse i pllakosur nga ato superskandale, i zhveshur nga mundësia për të paraqitur një program, i deskridituar, tani kujton se si hokatar. Jo e ke dëgjuar këngën Uni Katilit, se ke dëgjuar këngën, jo kështu e ashtu dhe mendon se në këtë mënyrë tërheq vëmendjen e qytetarëve nga mungesa e alternativës, nga seriali Narcos që po zhvillohet, etj., por këto janë të kota.

Natyrisht edhe e keqpërdor, por puna e tyre ajo, nuk është punë e imja.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale