Berisha i bën thirrje Kryemadhit: Informo shqiptarët me ç’rast i dorëzove Edi Ramës 460 mijë euro! Trego gjithçka di për këtë kryehajdut

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, denoncoi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, se po përpiqet të largojë përgjegjësinë e tij direkte penale te vartësit e tij hajdutë të faktuar me dosjen 5D. ‘Lali Vjedhësi po përpiqet të lajë fytyrën e tij të nxirë duke larguar nga vetja hajdutët me të cilët vodhi’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, Berisha i bëri thirrje Monika Kryemadhit, të tregojë të gjitha informacionet që ajo di për Edi Ramën. “Kur prokuroria është shndërruar në organ kriminal, është shndërruar në organizatë kriminale, atëherë është detyrë që ajo të zëvendësohet me prokurorinë publike, me denoncimin publik, me gjyqin publik ndaj shqiptarëve”, shprehet Berisha.

Lideri i opozitës, i ka bërë thirrje edhe ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, që të tregojë të vërtetat e arrestimit të tij në lidhje me skandalin e inceneratorëve, për të cilët është duke vuajtur dënimin me burg. ‘Ngrihu në lartësinë e guximit njerëzor dhe përplasua në fytyrë këtyre hajdutëve që të keqpërdorën’, u shpreh Berisha në tubimin në mbështetje të tij që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryedemokrati u ka bërë u ka bërë thirrje qytetarëve që në datë 29 tetor t’i bashkohen protestës së radhës të opozitës. ‘Miqtë e mi, data 29 shënon betejën tjetër tmerruese të opozitës. Është rradha jonë!’, theksoi gjatë fjalës së tij, kreu  i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më miqësore për ju misionarët e pamposhtur të kauzës së drejtë të çdo shqiptari patriot, të çdo shqiptari që i thotë vetes shqiptar, dinjitetit njerëzor, dinjitet, votës së lirë si zemra e një sistemi demokratik.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj tribune të fjalës së lirë, që shpërndajnë çdo natë mesazhet frymëzuese të betejës, të fitores dhe të ndryshimit.

Përshëndetje të përzemërt të gjithë atyre që sot e ndrynë në vrimën e miut Lali Vjedhësin, këtë tip të shpërfytyruar të qenieve njerëzore, i cili pasi ka vjedhur dhjetëra e qindra milionë, përpiqet të lajë fytyrën e tij të nxirë duke larguar nga vetja hajdutët me të cilët vodhi.

Erion Veliaj, betimi ynë është solemn, do varesh në shtyllën e turpit të historisë.

Nuk të shpëton dot asnjë nga drejtorët që sakrifikon ti.

Nuk të shpëton dot as mercenari Altin Dumani apo ish-xhelati i Sigurimit, Arben Kraja.

Nuk të shpëton dot nga vjedhjet, nga ndëshkimi as kryehajduti i kombit, Edi Rama sepse vetë ai vrimë miu nuk do gjejë për të futur kokën e tij për krimet monstruoze që ka kryer ndaj shqiptarëve.

Nxirr sa të duash fotografi me Aleksis Soros, se të jap fjalën e nderit se ti do të shkosh aty ku e ke vendin, kurse ai do të shpallet non-grata, non-grata, non-grata.

Në Shqipërinë e shtetit ligjor, e rendit kushtetues, Erion Veliaj, Edi Rama, anëtarët e organizatave tuaja kriminale do marrin ndëshkimet më shembullore.

Pasuritë tuaja do gjurmohen në të katër anët e botës, do u rikthehen shqiptarëve.

Do u merren hajdutëve!

Të dashur miq, sot personi të cilin e kemi quajtur gjithnjë ‘ladro utile’, hajdut i dobishëm, Lefter Kokës i erdhën dy pare mend.

Iu rikthye edhe guximi.

Sot, në sallën e gjyqit, ai deklaroi se nuk jam unë autori i djegësve, se ‘peshku i madh’ është në telefonin e zonjës Kryemadhi.

Miq, Lefter Koka deklaroi me përgjegjësi para gjyqit se ‘peshku i madh’ është vetëm një dhe e ka emrin Edi Rama.

Ndaj dhe këtu para jush, i bëj thirrje zonjës Kryemadhi, e cila deklaroi se Edi Rama ka urdhëruar Dumanin të fshijë të gjthë komunikimet e saj me Edi Ramën, t’ju bëjë të ditur shqiptarëve, të informojë shqiptarët për ‘peshkun e madh’, të informojë shqiptarët me ç’rast i dorëzove Edi Ramës 460 mijë euro.

Të informojë shqiptarët gjithçka di për këtë kryehajdut të të gjitha kohërave.

Unë e kuptoj se çdo deklaratë që bëni, e bllokon mercenar Altin Dumani, që është shndërruar në galloshen e Edi Ramës.

Por, çdo politikan dhe çdo qytetar ka detyrim madhor t’u rrëfejë të vërtetën qytetarëve të tyre.

Dhe kur prokuroria është shndërruar në organ kriminal, është shndërruar në organizatë kriminale, atëherë është detyrë që ajo të zëvendësohet me prokurorinë publike, me denoncimin publik, me gjyqin publik ndaj shqiptarëve.

Ne politikanët u detyrohemi me çdo gjë qytetarëve që kanë vendosur besimin tek ne.

U detyrohemi atyre pas Zotit më shumë se kujtdo tjetër.

Ndaj dhe cilido që disponon dëshmira, fakte, dokumente për krimet monstruoze të Edi Ramës, Erion Veliajt dhe organizatave të tyre kriminale, duhet t’i bëjnë me guxim publike.

Të dashur miq, sundimi i krimit është forma më e shëmtuar e diktaturave.

Por si çdo diktaturë tjetër, të ardhme nuk ka.

E ardhmja është e guximtarëve, e ardhmja është e qytetarëve që mbrojnë parimet që besojnë,

që mbrojnë idealet që ndajnë me njëri-tjetrin.

Unë prapë i bëj thirrje Lefter Kokës: Lefter, katër vjet më parë, jo më kot je ftuar nga opozita që të bësh të pandehurin e drejtësisë.

Koha të dha të drejtë.

Për mercenarët e Skapit çdo gjë që t’u thoshe, do varrosje më thellë akuzat tua.

Kurse tani të takon t’i bësh publike, të ngrihesh në lartësinë e guximit njerëzor dhe t’ua përplasësh në fytyrë këtyre hajdutëve që të keqpërdorën, që të kërcënuan, që të mashtruan.

E di ti vetë, i di vetë të gjitha këto, mos më bëj t’i them haptas.

Të dashur miq, po i vjen fundi diktaturës së sundimit të krimit.

Nga të katër anët po kundërmon krim dhe qelbësirë.

Përgëzoj në emër tuaj opozitarët shqiptarë në Nju Jork që janë betuar ta demaskojnë me protesta të fuqishme kryehajdutin e kombit, armikun e egër të qenies së shqiptarëve, njeriun që i futi thikë pas thike pas shpine 2 milionë shqiptarëve në Kosovë.

Njeriun që zbrazi Shqipërinë më shumë se çdo pushtues tjetër në histori.

Qytetarë shqiptarë në diasporë, i dilni zot vendit tuaj, kombit tuaj, duke i dhënë duart Pashiqit shqipfolës të Tiranës si kryetradhtari i kombit në histori.

Miqtë e mi, data 29 shënon betejën tjetër tmerruese të opozitës.

Ndaj dhe thirrja ime është për çdo demokrate e demokrat, për çdo opozitare dhe opozitar, me 29 tetor, Shqipëria e opozitës, Shqipëria e fitores, Shqipëria e tmerrit të sundimit diktatorial të Enver Hoxhës, e tmerrit të hajdutëve.

Është radha jonë.

Është radha jonë.

Është radha jonë.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale