EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend, i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të ndjekë dhe hetojë çdo qindarkë që sjell në Shqipëri për investime. Sipas Berishës ‘çdo qindarkë që disbursohet për këta qeveritarë hajdutë’, duhet të ndiqet.
Teksa përmendi dhe vendimin e sotëm të Gjykatës për inceneratorin e Elbasanit, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se, ‘Alqi Bllako u lirua për shkak të Erion Veliajt’.
FJALA E PLOTE
Marrëveshja që votohet përbën një grant të Komisionit Europian, dhuratë bujare në totalin e miliarda eurove që ky institucion i dhanë Shqipërisë dhe shqiptarëve nga paratë e taksapaguesve të BE.
Në këtë kontekst, është një rast për të shprehur mirënjohje si ndaj Komisionit, është një rast për të shprehur mirënjohje ndaj taksapaguesve të BE.
Por është një rast për t’i bërë thirrje KE dhe institucioneve evropiane, të qëndrojnë, të ndjekin çdo qindarkë që disbursohet në këtë vend, mbasi hajdutë si këta qeveritarë, nuk gjendet në Europë, ndoshta edhe në botë.
Meqenëse këtu u bë një debat, u fol për rrugë, ura, tani unë jam këtu për t’u thënë shqiptarëve: gjatë 9 viteve, janë investuar në punëra të ndryshme dhe shpenzime, 1.1 trilion lekë. Në kursin e sotëm, 10.1 miliardë euro.
10.1 miliardë euro janë vjedhur në masën nga 50 gjer në 90 përqind.
Tani unë do jap disa fakte zyrtare për vjedhjet.
Nëse Rruga e Arbrit, gjer tani shkon 11 milionë euro kilometri, në Kroaci autostrada 27 metër e gjerë, e standardit evropian, u ndërtua me 1.1 milionë euro.
Nëse Unaza e Tiranës, gjithsej 17 kilometra, 7.5 kilometrat e para, me gjithë veprat e shumta të artit që kishte, u ndërtuan me 2.5 milionë euro, ju keni ndërtuar zgjerimin te Sheshi Shqiponja me 24 milionë euro.
Po a ka në botë hajni si këto mo?
Po marrim rrugën Kardhiq-Delvinë. Ndërtuam, sipas të dhënave tuaja, 16.6 kilometra në dy drejtimet, me kosto 680 mijë euro kilometri. Keni rritur koston nga 30 milionë që ishte, bile më pak, në 145 milionë.
Po, është ndërtuar një tunel 800 metra. Janë vjedhur 100 milionë euro.
Çfarë bëtë me tunelin e Llogarasë? Ku e keni? Në mënyrën me kriminale, shpuat me gjerësi 7 kilometra në një kohë kur, pak metra më poshtë mund të shpohej me 3 kilometra tuneli dhe mund të ndërtohej me ato para, e gjithë Unaza e Karaburunit.
Nuk ka hajdutë në botë si ju. Nuk mund të ketë.
Ku e keni rrugën Korçë- Qafë Pllocë? Ka 12 vjet që mbeti dhe rruga u del me disnivel 30-40 metra.
4 kilometra të rrugës Korçë-Kolonjë, nga 4 milionë euro në çmimin maksimal po kushtojnë 40 milionë euro, sipas të dhënave tuaja.
Hajdutë si ju nuk ka toka mo!
Kjo nuk ndodh në asnjë komb, në asnjë vend.
Po shkoni në Korçë, ku ndërtohet 40 milionë euro katër kilometra, 10 milionë euro kilometri.
Rruga e Kombit, Hani i Hotit dhe Muriqani, sjellin në Shqipëri 55-60 përqind të të gjithë atyre që vijnë vizitorë në këtë vend.
I keni ndëshkuar 10 vite me grykën e shishes Thumanë-Fushë Krujë.
E keni bërë udhëtimin nga Tirana në Shkodër infernal.
Rruga e parë që duhej zgjeruar mbi të gjitha është Lezhë-Shkodër.
Përkundrazi! Çfarë keni bërë në Rrugën e Kombit. As edhe një metër linear në segmentin Milot-Rrëshen. Përveç taksës.
Po si mund të recitoni këtu? Ju sikur pini drogë.
Unë nuk mund të perceptoj njerëz me arsye që mund të flasin në këtë platformë në këtë mënyrë.
Të gjitha këto janë të vërteta.
Po djegësat? Institucionet ndërkombëtare thonë se 90 përqind janë zhdukur paratë. Ku janë 200 milionë euro të taksapaguesve? Ku janë?
A e morët vesh që Alqi Bllakon e liruan? E liruan për shkak të Erion Hajdutit. E liruan për shkak të Erion Veliajt. Sepse ka zbatuar skemën më kriminale 1-miliardëshe.
Dhe mirë ia bënë Lefterit, shumë mirë ia bënë, që nuk i nxjerr të gjitha.
Para së të përfundoj dua të dënoj me forcën më të madhe qëndrimin e Edi Ramës ndaj Kosovës edhe në Spanjë.
Edi Rama, në Spanjë foli si zëdhënës i Vuçiçit.
Kemi bërë çdo gjë për Kosovën, për njohje. Një gënjeshtar i paparë.
Asnjë njohje, përkundrazi ka dekurajuar njohjet, jo një por disa.