FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN PARA KRYEMINISTRISË
EKSTRAKT
Duke i përmendur emër për emër, kryetari i PD-së Sali Berisha, duke folur në ‘Foltoren’ para kryeministrisë u shpreh se, heronjtë e kryengritjes paqësore të 17 prillit, u lanë në burg pa prova, por nga militantë të verbër të PS-së. ‘Përshëndetje shumë të përzemërt për heronjtë e kryengritjes paqësore të 17 prillit, Klement Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvet Toçilla, Sem Bici, të cilët qëndruan si luanë ndaj torturave çnjerëzore shtazarake që kriminelë me uniformë kryen ndaj tyre në qelitë e komisariateve dhe u mbajtën sot në burg pa asnjë provë, pa asnjë fakt nga prokurorë dhe gjykatës Kapo dhe Peza, militantë të verbër partiakë’, tha Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën, ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e policisë, për sulmet ndaj qytetarëve paqësor në protestën e 17 prillit në Tiranë. ’Një sulm shtazor i urdhëruar nga kreu i narkoshtetit, biri i bllokmenit xhelat, Edvin Kristaq Rama dhe i ekzekutuar nga ushtarët e tij të verbër, Besfor Kimiku, Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, të cilët morën përsipër të helmojnë qytetarët kryengritës paqësorë me lëndë nga më të rrezikshmet helmuese’, tha Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ para kryeministrit, lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se, qytetarët nuk dorëzohen përballë dhunës shtetërore. Sipas tij, në protestën e radhës përgjigja e qytetarëve do të jetë proporcionale me dhunën e pajustifikuar të policisë dhe shtetit ndaj protestuesve. ‘Ne nuk dorëzohemi. Dita e premte ishte një fitore për ne sepse ekspozuam frikën dhe tmerrin, ligësinë e pafundme që ka kapur Edi Ramën nga kryengritja jonë. Ne nuk dorëzohemi. Protestën e ardhshme përgjigja jonë në kryengritjen tonë paqësore do të jetë proporcionale, banditë dëgjojeni, me dhunën e pajustifikuar që na u bë.’, theksoi Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi para qytetarëve të mbledhur në ‘Foltoren’ para kryeministrisë, u shpreh se, Lubi Balluku dhe Edi Rama e kanë vendin në burg dhe askush nuk do të mund ta ndalë këtë gjë. Lubi Balluku dhe Edi Rama e kanë vendin në burg dhe vetëm në burg dhe aty do të shkojnë. Asgjë në botë nuk na ndal ne pa u dhënë atyre atë që meritojnë.
Fitorja i takon të duruarit. Fitorja i takon atij që lufton. Fitorja i takon gjithnjë guximtarit.’, tha Berisha.

FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohje të pakufishme për të gjithë ju miq që çdo javë, çdo të hënë mblidheni në këtë shesh, mblidheni në kuvendin e vërtetë të qytetarëve shqiptarë guximtarë.
Por një mirënjohje të pakufishme le t’u shprehim ne atyre dhjetëra e mijëra qytetarëve që me uraganin e fuqishëm të lirisë, dridhen themelet e regjimit të organizatës kriminale të Edi Ramës të premten që shkoi, dhe shndërruan zërin e shqiptarëve guximtarë në jehonën më të fuqishme botërore.
Mirënjohje të madhe medieve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare për mbështetjen e jashtëzakonshme të kauzës tonë, pasqyrimin fantastik të kryengritjes tonë paqësore.
Sonte unë kam një mirënjohje dhe përshëndetje shumë të përzemërt për heronjtë e kryengritjes paqësore të 17 prillit, Klement Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvet Toçilla, Sem Bici, të cilët qëndruan si luanë ndaj torturave çnjerëzore shtazarake që kriminelë me uniformë kryen ndaj tyre në qelitë e komisariateve dhe u mbajtën sot në burg pa asnjë provë, pa asnjë fakt nga prokurorë dhe gjykatës Kapo dhe Peza, militantë të verbër partiakë.
Ata janë ndërgjegja jonë, janë frymëzimi ynë.
Lirimi i tyre urgjent nga burgu është beteja jonë.
Një përshëndetje të përzemërt edhe për guximtarët e pamposhtur Ikball Domi, Gentian Tuga, Ernest Kapo, Preng Lala, Edison Shyti, Bardhyl Ndou, Sokol Bajraktari,etj, të cilët u torturuan në komisariate nga banditë me uniformë, por qëndruan të pamposhtur.
Të dashur miq, ditën e premte Shqipëria dhe Europa panë madhështinë e kryengritjes paqësore të opozitës më të pamposhtur në Europë kundër Edi Ramës, kreut të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në kontinent.
Kryeministrit të vetëm që bën ligje për të mbrojtur vjedhjet e tij.
Qeveritarit kampion në botë në përdorimin nga mëngjesi në darkë të togfjalëshit me të cilin ka lindur në gojë, gjiriz dhe hale, hale dhe gjiriz, kurrë të mos i dalin nga goja.
Por ditën e premte, shqiptarët dhe miqtë e tyre kudo në botë u përballën me pamjet më të shëmtuara, me pamje që të kujtonin sulmet e Asadit mbi popullin e tij.
Me pamje që të rikujtonin sulmet kimike të Sadam Hyseinit dhe gjenocidin ndaj kurdëve.
Me pamje të qytetarëve të mbytur nga helmi, me pamje deputetësh që dergjeshin përtokë të asfiksuar me spraj toksik ariu të hedhur nga kriminelë të pafytyrë.
Mirëpo këto pamje, që qarkulluan të premten në Shqipëri dhe në mbarë botën, nuk ishin as nga Siria, as nga Iraku, por nga Shqipëria në zemër të Europës.
Një sulm shtazor i urdhëruar nga kreu i narkoshtetit, biri i bllokmenit xhelat, Edvin Kristaq Rama dhe i ekzekutuar nga ushtarët e tij të verbër, Besfor Kimiku, Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, të cilët morën përsipër të helmojnë qytetarët kryengritës paqësorë me lëndë nga më të rrezikshmet helmuese.
Ndodh që në Europë të bëhen protesta.
Ndodh në Francë, Bruksel dhe kudo.
Ndodh ndonjëherë që këto protesta të jenë të dhunshme.
Kemi parë pamjet dhe institucionet e dëmtuara, dyqane private që digjen, madje dhe grabiten.
Por kurrë nuk janë parë në Europë pamje ku protestuesit të dhunohen ashtu siç u dhunuan qytetarët shqiptarë ditën e premte.
Dhe sikur të mos mjaftojë kjo, protesta e të premtes, ashtu si dhe të tjerat, nuk pati asnjë përdorim dhune, asnjë ushtrim dhune nga protestuesit paqësorë.
Në momentin që unë përfundova fjalimin, narkokriminelë, policë me uniformë janë lëshuar si kafshë, si shtazë kundër protestuesve, jo sikur të ishin shqiptarë apo njerëz në fund të fundit, por sikur të ishin hasmi më i rrezikshëm i këtij vendi.
Po pse kjo dhunë e narkopolicisë dhe banditëve të saj?
Sepse Edi Rama, Besfor Kimiku, Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, etj, me vetëdije të plotë helmuan qytetarët të kapur nga një frikë e tmerrshme në shpirtin e tyre të zi.
Ne ishim në protestë dhe po protestonim.
Çfarë kërkonim ne?
Natyrisht ne kërkonim largimin e Edi Ramës si armiku më i egër në historinë e kombit pas Enver Hoxhës.
Ne protestonim kundër rritjes së çmimit të naftës, protestonim kundër farsës elektorale.
Protestonim kundër rritjes së çmimeve, varfërimit të shqiptarëve.
Protestonim kundër bllokimit të drejtësisë nga Edi Rama me 83 mandate krimi për të mbrojtur vjedhjet e tij dhe të Lubi Ballukut.
Ne ishim në protestë kundër pengesave të mëdha të integrimit në BE.
E para herë që kjo ëndërr shekullore e shqiptarëve është vënë në rrezik nga vjedhjet e Ramës dhe Ballukut që nga viti 1991.
Miq, ne ishim në protestë për pagat e ulëta, për pensionet më të ulëta në rajon dhe më qesharake.
Për apartamentet mollë e ndaluar që asnjë çift nuk mund t’i blejë për të ndërtuar familjen dhe të ardhmen e tyre në këtë vend.
Ne ishim në protestë kundër shpopullimit.
Pra ne ishim në protestë për çdo shqiptar.
Për ata shqiptarë që kanë guximin të dalin në protestë, por edhe për ata që nuk kanë guximin dhe nuk pajtohen me situatën e tmerrshme.
Ne ishim në protestë për të gjithë ata të cilëve u kërcënohet kafshata e gojës.
Ne ishim në protestë si zëri i ndërgjegjes së shqiptarëve, që sot më shumë se kurrë po kushtron për ndihmë sepse kombi është në situatë të rrezikshme.
Shqipëria po përballet me një katastrofë demografike që nuk e ka njohur për shekuj me radhë.
Shqipëria përballet me një krizë ekzistenciale për shkak të zbatimit të politikave të Vaso Çubrilloviçit në Shqipëri.
Për herë të parë në historinë e vendit po shtrohet pyetja për Shqipërinë, do jetë apo nuk do jetë.
Dhe për këto arsye, për arsye se protestuam, për arsye se ngritëm zërin, për arsye se refuzuam frikën, ne u sulmuam shtazërisht me granata e plumba gome, me helme me spraj ariu, u goditëm, u tërhoqëm zvarrë sikur të ishim populli i shtypur i Iranit, i Sirisë apo i Irakut.
Po kjo të dashur miq na thotë një të vërtetë të madhe.


Ne u dhunuam ditën e premte për të njëjtën arsye pse Asadi, ajatollahët dhunojnë popullin e tyre.
Sepse ata kanë frikë dhe e bëjnë vetëm nga frika.
Frika e Edi Ramës është arsyeja e sulmit që na u bë ne të premten.
Kjo frikë, ky alarm, që nxit dikë të helmojë popullin e tij është veçse karburant për zjarrin e misionit tonë në shpëtimin e Shqipërisë.
Por njëkohësisht kjo frikë, ashtu si me të gjithë diktatorët që përmenda, është shenja dalluese e kapitullimit të tyre.
Ne nuk dorëzohemi.
Dita e premte ishte një fitore për ne sepse ekspozuam frikën dhe tmerrin, ligësinë e pafundme që ka kapur Edi Ramën nga kryengritja jonë.
Ne nuk dorëzohemi. Protestën e ardhshme përgjigja jonë në kryengritjen tonë paqësore do të jetë proporcionale, banditë dëgjojeni, me dhunën e pajustifikuar që na u bë.
Përgjigja jonë do jetë proporcionale me një kryeministër, kryetar të një organizate banditësh që urdhëron helmimin e popullit të tij vetëm e vetëm se ata kërkojnë të drejtat e tyre.
Vetëm e vetëm se ata kërkojnë përgjegjësi për vjedhjet dhe varfërimin e tyre.
Vetëm se ata kërkojnë të mos bllokohet integrimi në BE.
Ne nuk dorëzohemi dhe i kemi dhënë provat jo një herë, por disa herë, se duke mos u dorëzuar, ne fitojmë dhe fitojmë çdo betejë.
Ne kalojmë çdo vështirësi.
44 protesta me sakrifica dhe dhimbje realizuam tek bashkia e Tiranës.
Ne nuk u dorëzuam dhe pas 44 protestash ne arritëm rezultatin që kërkuam.
333 fjalime kemi mbajtur në Rrugën e Shpresës kur lideri i opozitës u arrestua, siç po del çdo ditë, për arsye politike.
Dhe ia dolëm të zbërthejmë piramidën e mashtrimit.
Po pse?
Sepse nuk u dorëzuam.
Ne nuk dorëzohemi.
Lubi Balluku dhe Edi Rama e kanë vendin në burg dhe vetëm në burg dhe aty do të shkojnë.
Asgjë në botë nuk na ndal ne pa u dhënë atyre atë që meritojnë.
Fitorja i takon të duruarit.
Fitorja i takon atij që lufton.
Fitorja i takon gjithnjë guximtarit.
Por mbi të gjitha fitoren e merr ai që nuk dorëzohet.
Dhe ne nuk dorëzohemi.
Edi Rama e mirë këtë ndaj dhe urdhëron Besfor Kimikun, Skënder Ballukun, Sokol Besëprerin dhe banditë të tjerë të na sulmojnë me gaz, me shkopa, granata dhe plumba gome.
Por ja ku jemi këtu përsëri, të sigurt drejt përmbylljes së kilometrit të fundit në betejën tonë shumëvjeçare, ashtu siç fituam edhe betejat e mëparshme kur na thoshin se nuk kishin shpresë, kur na thoshin se janë të pamundura, ashtu do fitojmë edhe këtë betejë.
Jo për veten tonë, jo për politikë, por për Shqipërinë, për shqiptarët, për dinjitetin e shqiptarëve, për të ardhmen e tyre.
Në një krah kemi degradimin e Shqipërisë së Edi Ramës, nga ana tjetër jemi ne, shpresa e vetme me misionin e shpëtimit të Shqipërisë.
Prandaj ne do fitojmë.
Rrofshi ju.
Rroftë opozita shqiptare.
Rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!


