DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Sali Berisha ka dhënë ditën e sotme një deklaratë për media ku është shprehur se vota e krimit dhe e oligarkisë dhunuan si kurrë më parë në historinë e Shqipërisë votën e shqiptarëve.
Lideri i opozitës u shpreh se kjo është një ditë e vështirë për liritë dhe të drejtat e njeriut, sepse vlerat demokratike u asgjësuan nga krimi shtetëror elektoral.
Berisha u shpreh gjatë deklaratës së tij se e dënon me forcën më të madhe këtë farsë elektorale, dhe se PD do të bëjë gjithçka për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve.
DEKLARATA E PLOTË
Makineria elektorale e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë. Industria e tmerrshme e blerjes së votës. Vota e krimit dhe e oligarkisë, dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi votën e shqiptarëve.
Janë të panumërta aktet, veprimet të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës të blerjes së saj dhe terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë.
Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Është një moment agonie për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale, e karakterizuar nga alfa, tek omega krimin shtetëror elektoral, dhe krimi ordiner.
Jam këtu gjithashtu për t’i bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve të opozitës në komisionet e numërimit, të vazhdojnë me përkushtim detyrën e tyre, pasi është në parimin dhe qëndrimin tonë të bëjmë gjithçka për të mbrojtur votën e qytetarëve shqiptarë.
Së fundmi, dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisionari për faktin e vetëm se duan me çdo kusht të diktojnë, të ndryshojnë rezultatin në këtë bashki siç kanë bërë në shumicën e bashkive të vendit.
Shpreh solidaritetin tim me komisionerin, Ismail Ismaili dhe të gjithë komisionerët e tjerë që në kushte terrori, po përmbushin detyrimet e tyre.
Faleminderit!