Takimi i Delegacionit të PDSH dhe PR me Presidentin e IDU, Stephen Harper
Zagreb, 30.04.2026
Gjatë ditëve të Forumit të International Democrat Union (IDU) në Zagreb, një delegacion i Partisë Demokratike të Shqipërisë, i kryesuar nga z. Sali Berisha, dhe PR, e kryesuar nga Fatmir Mediu, zhvilloi një takim me Presidentin e IDU, z. Stephen Harper.
Në takim, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që IDU i ka dhënë PD-së në periudhat më të vështira politike në Shqipëri.
Z. Berisha ngriti shqetësimin për regresin demokratik në vend, duke iu referuar vlerësimeve ndërkombëtare që e klasifikojnë Shqipërinë si “autokraci elektorale”. Ai u ndal në:
• mbrojtjen politike të korrupsionit në nivele të larta, përfshirë rastin e Belinda Balluku, refuzimin e shumicës socialiste për t’i hequr imunitetin, duke penguar arrestimin e saj;
• ndikimin e karteleve të drogës dhe të krimit të organizuar në proceset politike dhe ekonomike në Shqipëri;
• shndërrimin e ekonomisë në një “narco-ekonomi”, me ndikim në të gjithë sektorët e ekonomisë, si dhe shndërrimin e Shqipërisë në një parajsë fiskale për pastrimin e parave të trafikut të drogës dhe krimit të organizuar;
• persekutimin e opozitës, duke u ndalur në keqtrajtimin e papranueshëm të ish Presidentit Ilir Meta.
Nga ana e tij, Presidenti Stephen Harper theksoi si zhvillim pozitiv faktin që qytetarët shqiptarë mbeten fuqimisht pro-evropianë, pro-SHBA dhe pro-NATO, pavarësisht politikave të qeverisë.
Z. Berisha nënvizoi se një nga plagët më të mëdha të Shqipërisë është emigrimi masiv, ku mbi 1.1 milion qytetarë – kryesisht të rinj – janë larguar drejt vendeve të Bashkimit Europian. Ai theksoi se Shqipëria aktualisht përmbush kryesisht vetëm kriteret gjeostrategjike, ndërsa procesi i integrimit duhet të bazohet në meritë dhe në përmbushjen reale të standardeve demokratike.
Sipas tij, procesi i integrimit europian mbetet i bllokuar për shkak të kapjes së shtetit dhe qeverisjes aktuale.
Në përfundim, Stephen Harper rikonfirmoi mbështetjen e International Democrat Union për Partinë Demokratike dhe forcat opozitare në Shqipëri, si dhe për procesin e integrimit europian të vendit.





