KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencë e sotme me mediat, mbajti një qëndrim të ashpër ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe Edi Ramës, duke e cilësuar situatën aktuale si degradimin më të thellë institucional që ka njohur vendi. Berisha e akuzoi Gjykatën Kushtetuese se ka humbur çdo rol kushtetues dhe moral, duke vepruar, sipas tij, si instrument politik i kryeministrit.
‘Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është strofulla e fundit e hajdutëve tuaj.’ Ai theksoi se me vendimet e fundit, kjo gjykatë ka kryer një akt të hapur vetëposhtërimi institucional: ‘Në një akt ekstrem vetëposhtërimi, ata që Kushtetuta i ka vendosur në piedestalin më të lartë të pushtetit gjyqësor, po faktojnë se janë strofulla e fundit e hajdutëve të narkoshtetit.’
Në fjalën e tij, kryedemokrati Sali Berisha e vendosi veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese në kontrast të drejtpërdrejtë me interesin e qytetarëve dhe krizën sociale në vend. ‘Para interesit të qindra mijëra fëmijëve që nuk ushqehen dot si duhet, para mijëra të sëmurëve që nuk marrin dot ilaçet e tyre, këta janë turpi i vendit, turpi i kombit. Këta e bëjnë Shqipërinë një shtet hor, zuzar, që nuk ka as ligj dhe as Kushtetutë.’, theksoi Berisha
Lideri i opozitës Sali Berisha u shpreh se, Gjykata Kushtetuese nuk ka qenë gjithmonë pa probleme, por theksoi se kurrë më parë nuk ka arritur këtë nivel degradimi. ‘Edhe atëherë kur ka dhënë 37 vendime kundër qeverisë time, nuk ka qenë e tillë’, tha ai, dhe nënvizoi se edhe në periudha kur gjykata kishte anëtarë të lidhur me Partinë Socialiste, ajo nuk kishte humbur dinjitetin institucional si sot. ‘Sot ajo është në gjendjen më të turpshme, më të mjeruar.’
Një tjetër mesazh që dha kreu i demokratëve ishte dhe ai, drejtuar qytetarëve duke i cilësuar si forca dhe shpresa e vetme përballë këtij realiteti. ‘Ju jeni shpresa e fundit dhe e vetme e këtij vendi’, ndërsa i ftoi qytetarët të vazhdojnë rezistencën politike dhe morale deri në ‘triumfin e të drejtës dhe dinjitetit’.
I pyetur për protestën e 10 shkurtit dhe mundësinë e një proteste të pandërprerë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se kjo kërkesë po vjen gjithnjë e më shumë nga vetë qytetarët. ‘Kërkesën e tyre e konsideroj shumë të drejtë dhe në rastin më të parë të mundshëm do të zbatohet, – ndërsa shtoi se – vetëm fjala e qytetarëve ka ngelë këtu dhe unë kam bindje se këtë betejë qytetarët do ta fitojnë.’
‘Tani kemi një objektiv, largimin e këtij armiku të egër të qenies së shqiptarëve.’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarëve në selinë e PD.

FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetare dhe qytetarë, dita e djeshme faktoi para secilit prej jush, para të gjithë shqiptarëve, para komunitetit ndërkombëtar dhe mbarë botës se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është strofulla e fundit e hajdutëve tuaj.
Në një akt ekstrem vetëposhtërimi, ata të cilët Kushtetuta i përcakton si garantë të saj dhe i ka vendosur në piedestalin më të lartë të piramidës së pushtetit gjyqësor, ata po faktojnë para syve tuaj se janë strofulla e fundit e hajdutëve të narkoshtetit.
Ata zotërinj dhe zonja, natyrisht jo të gjithë, se këtu nuk mund të mos vlerësoj qëndrime korrekte të ndonjërit prej tyre, dëshmojnë se janë të gatshëm jo të mbrojnë ligjin, Kushtetutën dhe interesat tuaja, por të shkelmojnë mbi ligjin, Kushtetutën dhe dinjitetin, moralin e vet.
Vetëm e vetëm për të zbatuar përulësisht, për të zbatuar në mënyrën më kriminale urdhrat e Edi Ramës.
Kësaj here nuk kam pyetur se cili apo cila kërkoi zgjatjen. Jo. Kjo ishte e treta herë.
Tre herë me radhë ajo gjykatë firmosi turpin e saj.
Ajo gjykatë dëshmoi se para ligjit, para interesit të një populli të tërë, para interesit të qindra mijëra fëmijëve shqiptarë, që sipas të gjitha statistikave nuk ushqehen dot si duhet, para interesit të miliona shqiptarëve që braktisin vendin e tyre sepse u shkatërrohen vendet e punës, para interesit të mijëra të sëmurëve që nuk marrin dot ilaçet e tyre sepse u vidhen paratë e ilaçeve nga zyrtarët që këta mbrojnë, por edhe para dinjitetit të vendit, këta janë turpi i vendit, turpi i kombit.
Këta e bëjnë Shqipërinë hore para gjithë botës me gjithë këto qëndrime.
Këta e bëjnë Shqipërinë një shtet hor, zuzar, që nuk ka as ligj dhe as Kushtetutë, dhe e bëjnë vetëm për interesa personale.
Kemi të bëjmë me një degradim të shkallës më të thellë që mund të ekzistojë.
Me ambiguitetin e tyre tregojnë se sa të pakarakter dhe të pafytyrë janë.
Se çfarë turp njerëzish përfaqësojnë.
Është tjetër kur ti haptas merr anë dhe i del përpara të të shohin fytyrën.
Kurse këta të pafytyrë marrin peng institucionin kryesor të drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese.
Tjetri ngrihet si mi, një degjeneratë njerëzor si ai, nuk ka tjetër, dhe ikën nga takimi.
Po ka turpe të tilla më të mëdha, sepse i nxirret dosja e Oltion Bistrit.
Ky është shteti që ndërtoi Edi Rrama.
Kjo është drejtësia që ndërtoi Edi Rama.
Unë i them këto fjalë me një keqardhje shumë të thellë, por nuk mund të mos i them para jush qytetarë, kur shoh se si nëpërkëmbeni ju nga ata të cilët për ju dhe në emër tuaj duan të bëjnë të drejtën, ligjin, Kushtetutën.
Ju garantoj se standard i tillë në botë nuk ekziston.
Unë nuk them se nuk ka qenë pa të meta Gjykata Kushtetuese, por kurrë nuk ka qenë e tillë.
Edhe atëherë kur ka dhënë 37 vendime kundër qeverisë time, nuk ka qenë e tillë.
Edhe atëherë kur në gjykatë ishin anëtarë të kryesisë së PS, nuk ka qenë e tillë.
Sot ajo është në gjendjen më të turpshme, më të mjeruar.
Me njerëzit më pa dinjitet që mund të bëhen.
Unë mund t’i marr një nga një dhe të analizoj shkaqet konkrete të qëndrimeve të djeshme.
Por nuk do e bëj sepse më shumë se çdo shkak flet qëndrimi i tyre, flet paturpësia e tyre e zvarritjes tre herë.
Njerëz më të turpshëm për një detyrë se ata nuk.
Por ky është një fenomen.
Të dashur qytetarë e qytetare, kjo është krijesa e narkoshtetit.
Ju e patë se si një javë më parë, qeveria e drejtësisë dhe kryeministri i drejtësisë shkelmoi mbi dokumente zyrtare edhe të institucionit të tij, edhe të vendit fqinj, mbi ligjin dhe Kushtetutën, në një akt pafytyrësie ekstreme.
Po pse kështu? Se i tillë është kryeministri i vendit.
Ndaj dhe ata sillen në këtë mënyrë ndaj jush qytetarë.
Ata janë me shkollë, këta mender-gjykatës një pjesë e tyre, turp-gjykatës një pjesë e tyre.
Këta janë me shkollë. Ose kanë fakultet juridik ose kanë fakultete të tjera.
Pra nuk janë njerëz të palexuar.
Por janë njerëz të zhveshur nga çdo moral njerëzor, nga çdo moral zyrtari.
Janë njerëz që shkelmojnë mbi ju si larva qytetarë, janë njerëz që shkelmojnë mbi interesat tuaja.
I them të gjitha këto me një qëllim, se ju jeni shpresa e fundit dhe e vetme e këtij vendi.
Shikoni se ku ka arritur.
Ju jeni shpresa e fundit dhe e vetme e këtij vendi, prandaj të vazhdojmë me vendosmërinë më absolute gjer në triumfin e moralit, e të drejtës, e legjitimitetit, e dinjitetit të qytetarëve, interesit të tyre dhe të Shqipërisë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Marsi Korreshi, SYRI TV: Me 10 shkurt do mbani protestën e radhës kombëtare. A do jetë kjo një protestë e pandërprerë, duke cituar dhe atë çfarë keni thënë ju në daljet publike, që qytetarët dhe demokratët kanë kërkuar që të zënë sheshin dhe të mos e lëshojnë më.
Sali Berisha: Gjithnjë e më i madh është numri i qytetarëve që kërkojnë një gjë të tillë. Unë i siguroj ata se kërkesën e tyre e konsideroj shumë të drejtë dhe se ajo në rastin më të parë të mundshëm do të zbatohet.
Pra, ata janë qytetarë të përgjegjshëm, që duan të përballen me këtë shtet të degraduar, të degjeneruar në shkallë ekstreme. Po si mundet një gjykatës Kushtetues të mos ndjenjë përgjegjësinë ligjore. Të mos ndjejë përgjegjësi para qytetarëve, por të bëhet strofulla e fundit e hajdutit të tij.
Vetëm fjala e qytetarëve ka ngelë këtu dhe unë kam bindje se këtë betejë qytetarët do ta fitojnë.
Nuk janë të paktë ata që po shkelmojnë mbi dinjitetin e tyre, ata që si shushunja po u thithin gjakun çdo ditë. Por prap guximi qytetar, ndershmëria dhe morali qytetar është qindra herë më i fuqishëm se ata.
Kështu që e kam deklaruar dhe e deklaroj, tani kemi një objektiv, largimin e këtij armiku të egër të qenies së shqiptarëve.
Andon Kello, ABC News: Zoti Berisha,ndërsa ju kritikoni gjyqtarët nga këtu, kryeministri Edi Rama po kritikon gjyqtarët për pagat, madje u ka sugjeruar të bëhen edhe parti politike meqenëse duan t’i marrin 37 milionë euro buxhetit të shtetit përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rast se sipas jush, gjyqtarët janë të Edi Ramës, pse po vazhdon kjo përplasje mes Edi Ramës dhe gjyqtarëve, dhe tanie dhe prokurorëve?
Sali Berisha: Tani, që janë të Edi Ramës, lexoji, që të gjithë janë të emëruar prej tij. Të gjitha pa përjashtim. Një që ishte nga Ilir Meta, e përzunë.
Çështja e pagave, unë e kam sqaruar, pagat dhe piramida e pagave janë e drejtë absolute ekskluzive për të gjithë shtetin dhe institucionet e tij e ekzekutivit, përveç ndërmarrjeve publike, që funksionojnë me mekanizëm tjetër.
Ndërtimi i piramidës së pagave është një detyrë me shumë përgjegjësi dhe jashtëzakonisht e rëndësishme. Ndërtuesi i saj, në piramidën e pagave pasqyron përparësitë që ka kombi në rrugën e zhvillimit.
Të jap një shembull, për qeverinë 2005-2013, meqenëse ishte në fund të shkallares së pagave, u përparësuan arsimi dhe shëndetësia dhe u nxorën në një të tretën e sipërme të shkallares. Sot janë në fund prapë, shih si janë sektorët, copë, copë, të shkatërruar.
Vijmë tek gjyqësori. Gjyqësori ka pasur në ligj të përcaktuar normat dhe mënyrën e rritjes së pagave. Ligji i impononte qeverisë, pasi e kishte votuar atë ligj, që të respektonte ligjin. Për hir të së vërtetës.
Në atë shkallare pagash, një prokuror i antikorrupsionit që në statistikë reale ka qenë tre herë më eficent se sa Troplini i sotëm, merrte gjithsej pothuajse pesë herë më pak se sa Altin Troplini sot. Merrte rreth 1400-1600 euro.
Po kështu gjykatësit dhe asnjëherë nuk kishin shfaqur, ja ku janë të gjitha, asnjë pretendim. Pse? Sepse ata kishin në ligj të sanksionuar se si u rriteshin rrogat atyre.
Kam dashur të bëj njëherë ndërhyrje në favor se kishte mundësi. Jo, thanë, se ne e kemi të mirë ligjin. Sepse ligjin e kishin ndërtuar mbi bazën e eksperiencës, meritës. Ishte një ligj shumë i mirë dhe e rriste pagën çdo vit.
Atyre u amortizoheshin çdo vit pasojat e inflacionit.
Tani erdhi ky me Vllahicë dhe stër-Vllahicë, përmbysi piramidën e pagave. Ky shakaxhi shkarravitës që ka zero ide për shtetin, nuk e kuptoi se po i vinte kazmën në themel piramidës së pagave, duke caktuar rrogat që i thoshte Vllahica, që raportet që dërgonte në Komision, i merrte nga zyra e tij.
Çdo gjykatës sot ka 100 përqind të drejtë të mos pranojë piramidën ekzistuese. Nuk është këtu çështja e niveleve. Është çështja sepse ky një prokurori në prokurorinë speciale i jep një rrogë dy herë më të madhe se gjykatësit kushtetues.
Ju më dëgjuat se çfarë thashë për ta, por këtë nuk mund ta bëjë shteti.
Shteti është i detyruar t’i qëndrojë hierarkisë.
Dhe kjo hierarki përcakton rrogën më të lartë në republikën e Shqipërisë, presidenti i Republikës.
Pastaj tjetri e tjetri me radhë.
Kurse ky vetë ka votuar piramidën, vetë ka votuar në Kushtetutë ligjin.
Ç’po kërkojnë Gjykata e Gjyqtarëve? Të zbatojnë ligjin.
Prandaj dhe unë nuk do isha kurrë në mbështetje të tyre po të mos ishte kjo.
Ky e ka përmbysur piramidën. Ky është përgjegjësi kryesor.
Hajde zgjidhe tani.
Nuk luhet me piramidën e rrogave.
Urdhëro çfarë ndodh tani. Të na thotë pak si do ta zgjidhë?
Ata kanë të drejtën e Zotit, kanë të drejtën e Kushtetutës, kanë të drejtën e ligjit në pretendimin e tyre.
Ndaj dhe ato të zeza që i bëri vendit Edi Rama, ato duhet t’i paguajë një minutë e më parë, të largohet.
Nuk do mbështesja unë kurrë, por unë mbështes të drejtën.
E drejta është që piramida është përmbysur dhe është përmbysur vetëm e vetëm për të paguar një grup mercenarësh për qëllime politike.
Hajde zgjidhe tani.
Hajde zgjidhe.
Prokurori i përgjithshëm merr gjysmën e rrogës së një prokurori në Skap. Shtet është ky?
Leckë është ky, nuk është shtet.
Kur u bëra unë president që ta dish ti. Këshilltari im, meqenëse ishte ushtarak merrte një rrogë 60 përqind më të lartë se unë.
Po, ekzakt.
Kështu që këto janë.


