Berisha fton qytetarët në protestë më 24 janar: Të krijojmë një front të vërtetë opozitar për të përmbysur narko-diktaturën

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN PARA KRYEMINISTRISË

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në Foltoren e mbajtur para Kryeministrisë mbrëmjen e sotme deklaroi se viti 2026 do të jetë “viti i përmbysjes së diktaturave”, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si një regjim autokratik dhe kleptokratik. Berisha u shpreh se asgjë nuk mund të ndalë një popull të vendosur për liri dhe se edhe në Shqipëri po vjen momenti i ndryshimit.

Berisha akuzoi Edi Ramën për përpjekje për grusht shteti dhe për bllokim të sistemit të drejtësisë, duke theksuar se qeveria mbahet në këmbë nga mashtrimi, propaganda dhe korrupsioni. Sipas kryedemokratit, qytetarët janë të vendosur t’i japin ndëshkimin që meriton ky regjim.

Kryetari i PD u bëri thirrje për protestë më 24 janar qyetarëve, intelektualëve dhe të rinjve që të bashkohen në një front të vërtetë opozitar për përmbysjen e asaj që ai e quajti “narko-diktaturë”. Ai theksoi se protestat do të jenë paqësore, por të vendosura, dhe se opozita do të bëjë gjithçka për një kryengritje qytetare kundër korrupsionit, varfërisë dhe kapjes së shtetit.

Berisha e mbylli fjalën me thirrje për unitet, guxim dhe angazhim qytetar, duke deklaruar se ka ardhur koha që qeveria të përballet me zemërimin e shqiptarëve dhe me kërkesën për ndryshim rrënjësor.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, demokrateve dhe demokratëve, qytetareve dhe qytetarëve të pamposhtur në këtë shesh, që përcillni nga ky shesh, nga ky bulevard mesazhin e shpresës, mesazhin e fitores në të katër anët e Shqipërisë.
Të dashur miq, viti 2026 do shkruhet me germa të arta në muret e kohës si viti i anti-diktaturave.
Si viti kur popujt e autokracive arritën t’i përmbytin njëra pas tjetrës ato.
Prej dy javësh, rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera të Iranit janë të mbushur me opozitarë të guximshëm, trima, të cilët pavarësisht nga masakrat, breshëritë e ajatollahëve obskuranistë, ecin të sigurtë drejt fitores.
Asgjë nuk mund të ndalë një popull të vendosur për të mbrojtur idealet e tij të lirisë.
Asgjë nuk mund të ndalë vrullin e tyre, guximin e tyre, hovin e tyre, pa triumfuar.
Dhe ne këtu vijmë sepse kemi këtë besim.
Sepse besojmë në idealet tona të drejta.
Dhe se besojmë se këto ideale do triumfojnë së shpejti.
Ne kemi përballë sot regjimin më karikaturial, më të turpshëm, më të dekompozuar në Europë dhe në botë.
Regjimin, që kudo që ta prekësh, rrjedh vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje të shqiptarëve.
Regjimin, i cili mbahet në këmbë me mashtrime, me propagandë, me trillime.
Regjimin që pret nga ne qytetarët t’i japim ndëshkimin që meriton.
Miqtë e mi, Edi Rama ndërkohë që shqiptarët janë të vendosur t’i japin ndëshkimin e merituar, po ecën drejt grushtit të shtetit.
Po ecën drejt bllokimit të sistemit të drejtësisë.
Ai, një një akt të papërgjegjshëm, sfidon dhe poshtëron shqiptarët çdo ditë, duke u nxjerrë maskën e tij, Lubi Ballukun, për t’u thënë atyre që ne as që pyesim për ju.
Po ja ku do i themi ne në emër tuaj, edhe ne në mënyrë absolute nuk do pyesim për ju, dhe do kesh fatin që meriton.

Të dashur miq, opozita shqiptare ka vendosur të thërrasë një protestë me datën 24 janar, në të cilën të japim mesazhet e qarta, përfundimtare Edi Ramës.
Hiq dorë nga grushti i shtetit, prano ligji dhe Kushtetutën, përndryshe do të nxjerrim ne jashtë ligjit, jashtë Kushtetutës.
Ndaj dhe me 24, të gjithë në këtë shesh për të treguar fuqinë e bashkimit të shqiptarëve, fuqinë e guximit të shqiptarëve, vizionin ne tyre, shpirtin e pamposhtur të popullit opozitar.
Të dashur miq, këto ditë që na ndajnë është jetike që secili prej nesh të ulet rrafsh, të bisedojë me çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij politike.
Të bashkohemi, të bisedojmë me çdo intelektual, pavarësisht nga qëndrimet e tij, të dalë nga konformizmi, të harrojë se konformizmi është sëmundja më e tmerrshme e një intelektuali.
Se konformizmi nuk i lejon atij të përmbushë misionin e madh para qytetarëve, para popullit të tij.
Të bëjmë gjithçka për një front të vërtetë opozitar, i cili të përmbysë diktaturën e autokratit, e kleptokratit, Edi Rama, narkodiktatorit të parë dhe të vetëm në Europë.
I bëj thirrje të rinjve të ngrihen në lartësinë e misionit të shenjtë, hyjnor.
Gjenerata e tyre është gjenerata e misioneve të mëdha.
Gjenerata e tyre po përbys diktatura dhe epoka.
Ndaj dhe ftoj çdo të ri të këtij vendi të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij dhe me guximin, energjinë të bëjë çdo gjë për largimin e këtij regjimi armiqësor ndaj shqiptarëve.

Çdo ditë mediat njoftojnë për skandale e superskandale.
Çdo ditë njoftohen se vendimet në Shqipëri i marrin kartelet e drogës.
Se qeveria punon për pasurimin e saj, punon për pasurimin e karteleve, varfërinë dhe mjerimin e qytetarëve.
Ka ardhur koha që qeveria të përballet me zemërimin e qytetarëve.
Ka ardhur koha që qeveria të ndëshkohet me zemërimin e qytetarëve.
Ndaj dhe u ftoj të bëjmë gjithçka për një kryengritje paqësore, për një revolucion të ri, i cili do të fshijë nga harta e Shqipërisë narkodiktaturën, do shndërrojë në vendin e bekuar të qytetarëve të ndershëm, punëtorë, të aftë.
Në vendin e qytetarëve që e duan dhe e ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Rroftë Shqipëria.
Rrofshi ju.
Rrofshin shqiptarët.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale