Berisha: Ftoj shqiptarët që të bashkohemi me 11 korrik në protestën më të fuqishme që ka njohur historia e këtij vendi. Qeveria vodhi 930 mln euro në 9 muaj. Më këtë shifër, rrogat e shqiptarëve do ishin rritur me 130 përqind

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, ka ftuar qytetarët shqiptarë që të bashkohen në protestën e 11 korrikut ora 20:00, në protestën më të madhe e më të fuqishme që ka njohur historia e Shqipërisë.

Gjatë fjalës në tubimin qytetar, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se me qeverinë e tij ka vjedhur 930 milionë euro në vetëm 9 muaj. ‘Më këtë shifër, rrogat e shqiptarëve do ishin rritur me 130 përqind’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka hedhur akuza sërish ndaj Edi Ramës, për ndërtimin e kushtueshëm të tunelit të Llogarasë. ‘Asnjë qeveri nuk e mori përsipër tunelin e Llogarasë, Rama shpenzoi 180 milionë euro për 3-4 mijë banorë’, tha kryedemokrati gjatë fjalës së tij.

Në fjalën e mbajtur për qytetarët në rrugën e Shpresës, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka akuzuar mediat se, vetëm në muajin korrik kanë marrë nga qeveria dhe bashkia 120 mijë euro tele-tuneli dhe Bolino, 45 mijë euro. ‘Vetëm në korrik, Tele-Tuneli ka marrë nga Veliaj dhe Gonxhja 120 mijë euro. Kurse qendra Ura e Bolinos, 45 mijë euro’, tha lideri i opozitës, Sali Berisha në fjalën e tij.

FJALA E PLOTE

Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të kauzës së drejtë të dinjitetit, të fitores së forcave opozitare.

Të dashur miq!

Në emër tuaj dua të ftoj sonte mbarë qytetarët e Shqipërisë, por edhe shqiptarët kudo që janë të bashkohemi me 11 korrik në protestën më të fuqishme që ka njohur historia e këtij vendi.

Të bashkohemi në mosbindjen civile, në protestën tonë kundër një regjimi.

Kundër Edi Ramës dhe regjimit të tij, që po përvetëson, po vjedh ditën dhe natën, në çdo orë dhe në çdo kohë, fondet publike dhe pasuritë publike të shqiptarëve.

Po i shndërron ato në pasuri private.

Po i shndërron ato në vila, pallate, kulla, hotele në të katër anët e Shqipërisë.

Po i fsheh ato në llogaritë bankare offshore dhe shqiptarët po varfërohen dhe mjerohen çdo ditë në vendin e tyre.

Ftoj shqiptarët me 11 korrik të bashkohemi kundër këtij regjimi që ka shndërruar pasuritë përrallore të Shqipërisë në një mallkim për shqiptarët.

Kundër këtij regjimi që potencialin e jashtëzakonshëm turistik e ka shndërruar në një potencial për të ushqyer qeveritarët, klanet e drogës, klanet e krimit.

Ftoj shqiptarët të mos harrojnë dhe të protestojnë më 11 korrik sepse në Shqipëri si në asnjë vend tjetër të planetit, qytetarët paguajnë 130 milionë euro për djegësin e Tiranës.

Ato para zhduken dhe djegësi nuk ka as nam as nishan.

Ato para vidhen nga Edi Rama, Erion Veliaj, suita e tyre dhe këtë vjedhje shekulli e amniston Altin Zamani, ky mercenar në krye të grupit të strukturuar kriminal Skrapi i partisë.

Ftoj shqiptarët të bashkohemi dhe të mos qëndrojmë skllevër të vjedhjes qeveritare, e cila vetëm në fonde publike në 9 muaj arrin në 930 milionë euro sipas KLSH-së.

930 milionë euro është rroga e shqiptarëve e rritur me 130 përqind.

Të ngrihemi, të mos qëndrojmë skllevër të këtij regjimi që në një anë nga paratë e taksave vjedh 930 milionë euro, nga ana tjetër 18 përqind e fëmijëve mbeten me një apo dy vakte në ditë ushqim.

Nga një anë vjedh 930 milionë euro, nga ana tjetër 47 përqind e fëmijëve mbeten në gjendje urie.

Të përmbysim këtë regjim që nga një anë vjedh në 9 muaj 930 milionë euro, nga ana tjetër largon pasivisht shqiptarët si në asnjë vend tjetër të planetit nga Shqipëria.

Si në asnjë vend që nuk është në luftë civile nga Shqipëria.

Largon në 8 vite 40 përqind të shqiptarëve sipas statistikave të BE, Britanisë së Madhe dhe SHBA.

Miqtë e mi!

O sot o kurrë shqiptarët duhet të bashkohen kundër këtij regjimi që ka vendosur modelin e vjedhjes 100 përqind të fondeve publike, cili është rasti i Erion Veliajt.

Nga ana tjetër, qindra e mijëra shqiptarë ndërrojnë jetë të pamjekuar nga sëmundjet e pamëshira, nga sëmundjet e egra, sepse ilaçet i merr korrupsioni, sepse ilaçet nuk sillen për 6 muaj dhe 1 vit, sepse aparaturat mbeten stoqe ose të papërdorura për vite e vite.

Të bashkohemi o sot o kurrë sepse Shqipëria e këtyre hajdutëve të pashpirt është vendi i vetëm në botë që për xhepat dhe interesat personale të Edi Ramës, ndërton tunel me investim 45 mijë euro për banor.

45 mijë euro për një banor iu ka kushtuar shqiptarëve tuneli i Llogarasë, i cili është nga Alfa te Omega, vepër e zezë e korrupsionit më të madh.

Edhe njëherë, rikujtoj shqiptarët se tuneli i Elbasanit ka kushtuar gjithsej 30 euro për banor.

Edhe njëherë, rikujtoj shqiptarët se tuneli i Kalimashit ka kushtuar gjithsej 59 euro për udhëtar.

Kurse tuneli i Llogarasë, i të pangopurit, i kryekorruptorit të Shqipërisë, që u ndërtua për valixhet me euro dhe interesat personale të Edi Ramës, iu ka kushtuar shqiptarëve, për ata që thonë turizmi, turizmi, 22 mijë euro për një shtrat turistik të asaj zone.

Ky është një krim i shëmtuar, që pas djegësave përbën gjobën e dytë më të rëndë mbi shqiptarët.

Të bashkohemi, t’i japim dërrmën këtij regjimi të pamëshirë, këtij regjimi mizor që trajton shqiptarët si skllevër.

Edi Rama, duke e ditur se çdo ditë po nxjerrim lakuriq vjedhjen e tij të tmerrshme të fundit në Llogara, mërmërin dhe thotë se shumë qeveri e kishin premtuar këtë tunel.

Përveç Baba Pilos së tij, Spiro Kolekës, mendja e mbrapshtë njerëzore nuk kishte menduar kurrë se për 3-4 mijë banorë mund të shpenzohen 180 milionë euro për të shkurtuar 23-25 minuta distancën me Vlorën të këtyre banorëve.

Miqtë e mi!

Asnjë qeveri nuk mori përsipër një hajni të tillë, një gjobë të tmerrshme për shqiptarët, të cilët sot nga Vlora në Ksamil, në kulmin e sezonit, nuk kanë ujë për të pirë, vuajnë për ujë të pijshëm.

Ndaj 11 korriku është dita e kombit, dita e shqiptarëve për t’i dhënë dërrmën këtij regjimi barbar, mizor.

Me 11 korrik, çdo shqiptar proteston për dinjitetin e tij.

Proteston për të rinjtë e këtij vendi që perspektivë të vetme kanë largimin nga Shqipëria.

Proteston për të sëmurët e këtij vendi që perspektivë të vetme kanë fatin që shkruan sëmundja e tyre për ta.

Proteston për pensionistët e këtij vendi, të cilët marrin sot një pension mizerabël në kohën që vetëm me ato që vjedh në një ditë kjo qeveri, pensionet e tyre mund të dyfishoheshin. Dhe ata e meritojnë plotësisht.

Miqtë e mi!

Me 11 korrik shqiptarët në këmbë sepse këta hajdutë po ndajnë njëri me tjetrin pasuritë tuaja, po ndajnë buxhetin tuaj.

Vetëm në këto muaj, Olsi Rama ka marrë me firmën e vëllait të vet, Edi hajdutit, 38 mijë metër katror tokë.

Vetëm në këto muaj, kompania e Qefalisë ka marrë vetëm nga Bashkia e Tiranës, 5 milionë euro.

Vetëm në korrik, Tele-Tuneli ka marrë nga Veliaj dhe Gonxhja 120 mijë euro.

Fëmijët rrinë pa ilaçe, të sëmurë me sëmundje të rënda vdesin pa ilaçe, kurse këta banditë bëjnë tualetin e fytyrës së tyre të zezë me mediat që paguajnë.

Vetëm këtë muaj i paguan qendrës Ura të famozit Bolino 45 mijë euro për t’u mashtruar ju.

Studio Rebus e vajzës së zonjës Bozo përfiton nga Veliaj 720 mijë euro.

Nuk kanë ligj mo, këta janë të pashpirt, këta janë hajdutë që nuk ndalen me asgjë.

Këta janë raca më e fëlliqur që ka patur Shqipëria në tërë historinë e vet.

Historia e tyre është vjedhje, vjedhje, drogë, krim, krim dhe drogë.

Në këmbë shqiptarë, më 11 korrik, të gjithë në Tiranë, të gjithë drejt fitores.

Rrofshi ju, rroftë fitorja.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale