FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA BANESA E TIJ
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha tha gjatë fjalës së tij para protestuesve tek “Rruga e Shpresës”se, nuk ka krim më të shëmtuar njerëzor, ekologjik, historik se sa të ndërtosh Skavicën duke varrosur Dibrën.
Berisha ftoi shqiptarët të mbrojnë Skavicën për të mbrojtur historinë, për të mbrojtur Dibrën.
Kryetari i PD, Sali Berisha iu drejtua kryetares së Gjykatës Kushtetuese se, më e paimagjinueshme se çdo gjë tjetër janë vendimet e saj të turpshme dhe kriminale. Berisha iu drejtua asaj duke i thënë se është e blerë nga regjimi i Edi Ramës.
Berisha tha gjatë fjalës së tij para protestuesve të shumtë se, ftesa e tij është për çdo qytetar shqiptar në 20 shkurt, në ditën e provës së madhe në Tiranë, në orën e fitores në Tiranë. Berisha tha se, askush përveç nesh nuk do mund të shpëtojë Shqipërinë dhe shqiptarët sot.
Kryetari i PD, Sali Berisha, në mbyllje të fjalës së tij nga dritarja e banesës tha se, Aben Ahmetaj e pranoi se Edi Rama drejton një organizatë kriminale që quhet qeveri.
Berisha tha se, 20 shkurti është dita e revoltës.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, ju këtu luftëtarëve të shpresës, të guximit, qendrestarëve të pamposhtur që mbajtët të ndezur dritën e shpresës, dritën e fitores.
Sonte në emrin tuaj dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë ata mijëra dhe mijëra qytetarë që mbushën dje sheshin para parlamentit. Erdhën nga të katërta anët e vendit dhe i dhanë mesazhin Edi Ramës se parlamentin kurrë nuk e dorëzojmë.
Një përshëndetje të veçantë përfaqësuesve të komunitetit dibran, në Dibër dhe Tiranë, për kauzën e drejtë që ata mbrojnë.
Të dashur miq!
Në rast se ndalesh tek zhvillimet në këtë vend, ato janë të zeza, janë dramatike, por të gjitha mund të mblidhen me dy fjalë; një regjim që injoron tërësisht interesat, aspiratat jetike të qytetarëve të këtij vendi, një regjim që injoron vullnetin e tyre, një regjim që injoron, shkelmon të drejtat e tyre, një regjim që krijon kushte negative për largimin e tyre nga vendi i tyre.
Pra, një regjim që rrënon qytetarin, rrënon shoqërinë, shkreton Shqipërinë.
Përfaqësuesit e Dibrës, drejtues të PD, përfaqësues të komunitetit dibran në Tiranë me artistin e madh, të shquarin Bujar Kapexhiun, sollën sot në këtë platformë të njerëzve të lirë, problemin e madh, problemin ekzistencial të Dibrës së poshtme, të Dibrës në tërësi. Zhdukjen e saj nga korrupsioni qeveritar me ndërtimin e një dige të projektuar 60 vite më parë nga diktatori Hoxha dhe sot do ta jetësojë një bastard i denjë i tyre, Edi Rama.
Miqtë e mi!
Në vitin 2005 kur erdhëm në pushtet, jeni dëshmitar se vendi anë e kënd, të paktën 7 gjer10 orë nuk kishte drita. Gumëzhinin gjeneratorët, dhe sundonte errësira.
Qeveria e mëparshme kishte firmosur, e vërteta është, me dy kompani shumë serioze, njëra ishte ndërtuesi kryesor i HEC-eve në Itali, tjetra ishte një grup i madh financiar, kontratën për Skavicën. I prita në zyrë dhe u them, unë këtë kontratë nuk e pranoj. Pse më thanë? Për dy arsye themelore.
E para, mbyt Dibrën dhe unë nuk jam kurrë, ai që pranojë të varrosë nën ujë, qoftë edhe një fshat të vetëm të këtij vendi. Varrosja e fshatrave ka ndodhur gjatë diktaturës, por në demokraci kjo nuk ndodh, sepse qeveria është e detyruar të marrë miratimin e banorëve dhe nuk ka fshat që të firmosë për varrosjen e tij.
Së dyti, ju jeni kompani shumë serioze, se unë kam lexuar për ju, por problemi është se e keni marrë pa garë, dhe unë absolutisht nuk pranoj kurrë.
Këta sipërmarrës ishin burra fisnik. Më thanë për të parën edhe ne e kemi menduar dhe ke shumë të drejtë, nuk mundet që të ndërtohet kjo digë dhe të përmbysë rreth 40 fshatra. Ne të japim të drejtë. U them se nëse më jepni të drejtë për të parën, atëherë, urdhëroni, gjeni mënyra të ndërtoni Skavicën pa përmbytje. Dhe gjetën, një tunel nga Skavica në Bicaj.
Ky ishte të dashur miq, HEC-i pa digë i Skavicës, pa përmbytje asnjë fshat. Natyrisht i ulej kapaciteti, por nuk përmbyste asnjë zonë të banuar. Merrej ujë në Skavicë me tunel, rrifeshin turbinat në Bicaj.
Si përfundim, qeveria përfundoi me idenë se Skavica nuk duhej ndërtuar kurrë, në asnjë lloj forme, sepse evuloi me shpejtësi prodhimi i energjisë nga era, prodhimi i energjisë nga dielli. Vetëm me një shpat të pabanuar të asaj zone, ma penele diellore mund të nxjerrësh po atë energji nxjerr duke përmbysur 40 fshatra.
Ndaj dhe, nuk ka krim më të shëmtuar njerëzor, ekologjik, historik se sa të ndërtosh Skavicën për të varrosur Dibrën.
Të dashur miq!
Skavica në rast se lejojmë varroset vetëm nga korrupsioni.
Kam kundërshtuar që në fillim ndërtimin e saj nga Bechtel, një kompani gjigante amerikane, për të cilën kam respektin më të madh. Ndërtoi Rrugën e Kombit, por miqtë e mi, Rrugën e Kombit Bechtel e mori me një tender ndërkombëtar të shpallur në Londër, në të cilin morën pjesë 5 gjigantë ndërtimi në Europë. E vlerësoi një juri ndërkombëtare dhe nuk pati asnjë ankesë. Kurse Skavica u dha pa garë.
Dibra pra, u vendos të varroset me firmën korruptive të Edi Ramës dhe kjo nuk pranohet kurrë. Cilido që njeh atë luginë, nuk mund të imagjinojë që dora e njeriut, që firma e një qeveritari, që vendimi i një gjykatëse, të jetë për varrosjen e saj. Ajo është një nga luginat më pjellore të tokës shqiptare.
Ajo zonë është djepi i historisë dhe qëndresës kombëtare. Është zona e fushëbetejave më të shumta të Skënderbeut. Është zona e fushëbetejave më të mëdha kundër serbëve dhe pushtuesve të tjerë. Është zona e qendresës së pamposhtur e burrave që u varrosën të gjallë kundër komunizmit.
Ndaj dhe ftoj dibranët dhe dibranet, ftoj komunitetin dibran në Tiranë, dibranët në mbarë botën, ftoj shqiptarët të mbrojmë Skavicën për të mbrojtur historinë, për të mbrojtur të sotmen, për të mbrojtur Dibrën, për të mbrojtur të ardhmen e saj. Edhe njëherë dua t’u rikujtoj miqtë e mi se Edi Rama, për të rrëmbyer liritë tuaja, për të vendosur të gjitha pushtetet në duart e tij të krimit, së pari rrëmbeu votën, së dyti rrëmbeu drejtësinë.
Para dy ditësh, ajo që është kryetare e Gjykatës Kushtetuese, u tha shqiptarëve se është e paimagjinueshme të mos zbatohet vendimi për Ndrikull Xhaçkën, për Olta Xhaçkën, vendimi i gjykatës. Në emër tuaj, nuk më vjen mirë të merrem me një zonjë, por kur tejkalon çdo lloj limiti, nuk ke rrugë tjetër. Asaj zonje i them, më e paimagjinueshme se çdo gjë tjetër janë vendimet e tua të turpshme dhe kriminale.
Zonjë, që nga paratë e këtyre qytetarëve, edhe të papunë, taksat e tyre, merr sot një rrogë 20 përqind më të lartë se kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë, një vend me të ardhura pesë herë më të larta se Shqipëria, atë që nuk mund ta imagjinojë një njeri është të shkruash në zyrën tënde të turpit, Kushtetutën e vendit.
T’i hiqesh të drejtën opozitës për ankesë të pakushtëzuar që i ka njohur Kushtetuta. Të shpallësh entitet parlamentin, që nuk e njeh Kushtetuta si të tillë. Ku ke ti moral të flasësh për imagjinatë, kur ti nuk njeh as të drejtën kushtetuese të vendit tënd, as të drejtën ndërkombëtare.
A e di ti zonjë se në të drejtën ndërkombëtare, në konventat që ka firmosur ky shtet, ti kurrë nuk mund të votoje për ndërtimin e Skavicës, se ajo që ti bëhesh këshilltare e narkoshtetit, që është turpi i dheut, e di çfarë do të thotë ajo këshillohu, do të thotë se ke shkelur ligjin ndërkombëtar, do të thotë ke vendosur pa pyetur komunitetin, do të thotë se vendimi nuk ka vlerë, do të thotë se ligji nuk ka vlerë.
Por ti nuk ke guxim, se ti je e blerë, e blerë, e blerë!
Dhe do të bësh moral ti, do të bësh edhe moral. Si mund të bësh moral ti, kur në konventat ndërkombëtare që ka firmosur ky shtet, kjo qeveri nuk mund të vendoste kurrë pa marrë miratimin e banorëve, se shkelte këtë të drejtë ndërkombëtare. Kur në Kushtetutën e vendit ai ligj nuk ka asnje vlerë, sepse ka shkelur të drejtën ndërkombëtare por edhe të drejtat kushtetuese. Kurse ti bëhesh këshilltare e Edi Ramës, turpi i dheut, turpi i ligjit, turpi i të drejtës.
Qytetare dhe qytetarë, të marrim fatin tonë në dorë, të marrim fatin e Dibrës në dorë, të marrim fatin e Shqipërisë në dorë. Askush përveç nesh s’do mund të shpëtojë Shqipërinë dhe shqiptarët sot. Ndaj dhe ne, të bëjmë gjithçka për të zgjuar luanin edhe te ata indiferentë që tha Agimi.
Të bashkohemi, natyrisht jo me tradhtarët. Ata meritojnë banesën e turpit të historisë. Por ne duhet të bëjmë gjithçka, të bashkohemi në betejën tonë pa kthim. Të bashkohemi në betejën tonë për rivendosjen e pluralizmit, për mbrojtjen e të drejtave tona.
20 shkurti ka një simbol të madh për një gjeneratë të tërë, domethënia është thjesht në fushën e erudicionit, por për gjeneratën para tyre, përmbysja e shtatorit të diktatorit më gjakatar, ishte në të vërtetë momenti magjik, momenti hyjnor kur opozita shqiptare u bë opozitë e vërtetë.
Ndaj dhe u zgjodh 20 shkurti për ditën e protestës së madhe. Zvarritja e diktatorit pa diskutim ishte një hakmarrje e njerëzve të shtypur për kasaphanën e luftës së klasave, për gjëmën që i kishte bërë shqiptarëve.
Përmbysja e këtij regjimi është kushti i të gjitha kushteve për të ardhmen e shqiptarëve, për të ardhmen e dibranëve, për të ardhmen e qytetarëve shqiptarë dhe të mbarë kombit. Ndaj dhe ftesa ime për çdo qytetar shqiptar: më 20 shkurt, në ditën e provës së madhe në Tiranë, në orën e fitores në Tiranë.
Thirrja ime për të gjithë shqiptarët kudo që janë, kudo që janë, në Europë, Amerikë dhe kudo, 20 shkurti ju fton në ditën e betejës së madhe, ditën e lirisë.
O sot, o kurrë, të shpëtojmë Shqipërinë!
Shqipërinë, liritë tona, të drejtat tona, do t’i mbrojmë vetë, do i meritojmë vetëm në rast se i mbrojmë. Askush nuk ka pse të luftojë për ne!
Ndaj dhe ne me besim të palëkundur te e vërteta, me besim të palëkundur në të drejtat dhe liritë tona, në idealet tona më të larta dhe fisnike, duhet të ecim krenarë dhe të pamposhtur drejt përmbysjes së këtij regjimi. Të shndërrojmë Shqipërinë përsëri në vendin e pluralizmit dhe demokracisë, në vendin e të drejtave të qytetarëve.
Folëm për drejtësinë. A e dini ju miq që Shqipëria është sot i vetmi vend në botë, në të cilin 60 përqind e të arrestuarve janë në paraburgim pa dënim?
Se nuk ka prokurorë, se nuk ka gjykatës për të shqyrtuar dosjet e tyre. Se policët i arrestojnë me të padrejtë. Se gjykatësit japin vendime partiake. Janë pra 60 përqind e atyre që sot vuajnë sot në qeli, të padënuar. Me Kushtetutë, janë të pafajshëm.
Dhe megjithatë, mbahen aty sepse kryebanditi në krye të rendit, Taulant Bego, kërkon të paraqitet si i suksesshëm, paçka se arreston të rinj për 1 apo 2 gramë kanabis, ndërkohë që kamionët, kontejnerët, vijnë dhe shkarkohen me kokainë. Ato i lenë të lira, sepse ka porosi nga Edi Rama.
A e dëgjuat miq të dashur, Arben Ahmetajn në rrëfimin e tij rrëqethës për çdo shqiptar? Kanabizimi i vendit, velloja e tmerrshme e krimit që mbuloi Shqipërinë, ka një autor, ka një arkitekt, dhe ky është Edi Rama.
A e dëgjuat miqtë e mi, kur tha se po të hetohen djegësat, përfshihen nivelet maksimalisht më të larta, dmth Edi Rama, dhe shqiptarët do llahtarisen.
Pra, atë që kemi thënë me dhjetëra e qindra herë që Edi Rama drejton një organizatë kriminale që quhet qeveri, dhe që nuk mund ta thonim kurrë me dhjetëra e qindra po të mos ishte e vërtetë, atë e tha numri dy i qeverisë, e tha Arben Ahmetaj.
Të dashur miq, në qoftë se më pyesni mua, pse e ke thënë këtë, pse je shprehur në këtë mënyrë, nga e dije ti Sali se kjo funksiononte si organizatë kriminale? Po mor miq, sepse në qoftë se një kryeministër vendos për t’i dhënë 8 pikë një kompanie që nuk ekziston, dhe që një ministër i ka thënë se kompania nuk ekziston zoti kryeministër, nuk mund të jepet, një ministër tjetër i ka thënë me shkrim se kjo nuk është tagër i qeverisë, dhe ai e firmos dhe bashkë me të firmosin edhe ministrat e tij, a nuk është ky një krim i përbashkët, a nuk është kjo një organizatë kriminale që nuk ndalet?
Më keni dëgjuar t’i them Dumanit drejton organizatë kriminale, po mo po, kriminale, shumë të rrezikshme, sepse vjedhjen e shekullit, vjedhje në të cilën Edi Rama, Engjëll Agaçi, Artur Metani, Erion Veliaj, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Lefter Koka, etj, kanë vepruar si një organizatë kriminale duke dëmtuar vendin në 30 vite 1 miliardë, në 6 vite 460 milionë euro. Duke zhdukur gjer sot 200 milionë euro për tre djegësa që nuk ekziston asnjëri. Asnjëri! Të gjitha këto i mbulon Dumani, i mbulon Kraja.
A e dini se çfarë ndodh në Skapin e partisë miq? Ua them unë. Zihen si çakej njëri me tjetrin, pse nuk arreston ti këtë, nuk arrestoj unë atë, pse mbron ti këtë, unë do të mbroj atë.
Ky është sot SKAP-i dhe vërsulet si hiena kundër opozitës.
Por, 20 shkurti është dita e revoltës, është dita e qytetarëve, dita e fitores.
Rrofshi ju, rroftë fitorja, rroftë Shqipëria, rroftë Dibra!
Fitore, fitore, fitore!