Berisha: Fox News kllaposi Edi Ramën si Ramaduro i Europës!  Teza e PD është kjo, vota vdiq pa hyrë në kuti! Rinumërimin nuk është kërkesë e partisë, por e kandidatëve të saj

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur një konference për mediat gjatë ditës së sotme. Në deklaratën e tij nga selia blu, Berisha ka reaguar në lidhje me artikullin e medias botërore Fox News, ku kryeministri Edi Rama cilësohej si ‘RamaDuro’.

‘Në një kohë kur mediat më të mëdha të botës, pikërisht në kulmin e atij konflikti, damkosin Edi Ramën si Ramaduro, televizione private kombëtare të kontrolluara nga Edi Rama publikojnë editoriale në të cilat përpiqen dhe këtë ta mbrojnë. Nuk ndodh kurrë që një media botërore siç është Fox apo të tjera, të pranojnë tituj të cilët nuk qëndrojnë. Ndaj dhe më duhet t’i them zonjës Vjollca Hoxha që merret me këto editoriale, para se të sulmosh Fox-in dhe autorët, kontrollo më mirë rregullat që ato përshtatin në publikimet e tyre. Është e vërtetë që çdo shkrim ka një autor, por titulli nuk i imponohet kurrë një media botërore në qoftë se ai nuk qëndron’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në konferencën me gazetarët në selinë blu.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp me gazetarët u shpreh se teza e Partisë Demokratike është se “vota vdiq pa hyrë në kuti”. Ai sqaroi se rinumërimi i votave nuk është një kërkesë e PD-së si subjekt politik, por një e drejtë legjitime e kandidatëve të saj, të cilëve nuk mund t’u mohohet kjo kërkesë në asnjë rrethanë. Berisha kritikoi ashpër ata që, sipas tij, përpiqen të mbrojnë “farsën e 11 majit”, duke i cilësuar si pjesë e një “propagande kriminale antivotë”.  Ai shtoi se opozita nuk do të ndalet së denoncuari dhunimin e votës dhe se nuk do të jetë kurrë pjesë e heshtjes apo e turpit.

Kryedemokrati Sali Berisha ka publikuar ditën e sotme të tjera pamje tronditëse nga farsa zgjedhore e 11 majit në qendrat e votimit, ku komisionerët kontrollojnë dhe votojnë bashkë me zgjedhësit. ‘Komisionerët kontrollojnë çdo votë, hedhin votat bashkë me zgjedhësit’, u shpreh Berisha pasi komentoi pamjet skandaloze nga qendrat e votimit.

Në deklaratën e tij për mediat, lideri i demokratëve Sali Berisha theksoi se beteja politike e Partisë Demokratike është e gjithanshme dhe shumëplanëshe. Ai tha se çdo veprim i opozitës vjen si një detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë dhe komunitetit ndërkombëtar, por me bindjen se zgjidhja do të vijë nga vetë shqiptarët dhe opozita. Sipas Berishës, kjo është një betejë e gjerë dhe komplekse, por e domosdoshme për rikthimin e demokracisë. “Qeveri teknike, zgjedhje të lira, kjo është motoja jonë,” u shpreh ai.

Kryetari i PD-së Sali Berisha, ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama dhe Altin Troplinin, si përgjegjësit kryesorë të asaj që e cilësoi “farsë zgjedhore”. Në një konferencë  me gazetarët, Berisha tha se qendrat e votimit ishin nën presionin e “hanxharëve të krimit” dhe se qytetarët janë detyruar të mbyllin sytë përballë kërcënimeve.  “Këto janë, ka dhe të tjera, por këto janë njëherë. Këtu po të marrësh qendrën e votimit del Sara Mila,” deklaroi Berisha, duke theksuar se nuk ka nisur asnjë hetim serioz për parregullsitë zgjedhore. Sipas tij, “pas kreut të organizatës kriminale Edi Rama që është përgjegjësi numër 1, autori i dytë është Altin Troplini, i cili amnistoi dosjet 184 dhe 339, duke dhënë mesazhin se krimi elektoral nuk ndëshkohet.”  Berisha i cilësoi Ramën dhe Troplinin si “dy baljozët më të zinj të krimit elektoral”.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me reagimet e ndërkombëtarëve për farsën elektorale të 11 majit, kryedemokrati, Sali Berisha, theksoi se reagimet e tyre ndaj situatës politike në Shqipëri janë shumë të qarta dhe të rëndësishme. Ai përmendi tre hapa të mëdhenj që janë bërë në këtë drejtim, përfshirë takimet në Bruksel, Strasburg dhe reagimet paszgjedhore. Berisha tha se ndarja e shtetit nga partia është thelbi i gjithë raportit të fundit ndërkombëtar për Shqipërinë. Sipas tij, ekzistenca e një partie-shtet përbën asgjësimin e zgjedhjeve dhe shndërrimin e tyre në farsë elektorale. Ai shtoi se ndërkombëtarët nuk kanë për detyrë të rrëzojnë qeveri, por mbështetja e tyre është e domosdoshme për të legjitimuar veprimet e opozitës. “Zgjedhjet janë njëkohësisht kombëtare dhe ndërkombëtare”, u shpreh Berisha.

Berisha u ka dhënë një përgjigje edhe fjalëve në lidhje me statutin e Partisë Demokratike, që sipas tij, flet qartë për zgjedhje dhe jo për farsë elektorale. Ai kërkoi të mos keqinterpretohet kuptimi i statutit dhe shtoi se ka dokumente origjinale që vërtetojnë manipulimet zgjedhore ndër vite. “Po të kisha shkruar ‘farsë’, do isha dakord me ty. Por kam shkruar ‘zgjedhje’, jo ‘farsë’. Farsa është çështja kryesore,” u shpreh Berisha, duke theksuar se nocioni i farsës ka qenë gjithmonë pjesë e fjalorit të tij politik dhe se ai nuk mund të mungojë në analizën e zhvillimeve të fundit.

Lideri i demokratëve Sali Berisha është pyetur edhe për zgjedhjet e pjesshme lokale, që do të zhvillohen në disa bashki të vendit, pasi nuk kanë kryetar. Nga selia blu gjatë konferencës me gazetarët, Berisha i quajti ‘farsa e radhës’, pasi me Edi Ramën ka vetëm farsa.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka sqaruar edhe njëherë opinioni në lidhje me artikullin e Fox News ku e damkoste Edi Ramën si ‘Ramduro’. ‘Fox News nuk mund të lajthisë dhe të kalojë tituj kaq damkosës për një kryeministër siç ishte ai për Ramaduron’, theksoi Berisha në fund të fjalës së tij me gazetarët në selinë blu.

FJALA E PLOTE:

Armiku më i egër i individit, i njeriut, është ai që i dhunon votën dhe fjalën e lirë.

Ndaj dhe përpjekja jonë për të ndriçuar në çdo aspekt veprimtarinë kriminale, armiqësore, poshtëruese të narkoregjimit të Edi Ramës dhe personalisht të atij, nuk do ketë të reshtur.

Nuk ka armik më të egër për njeriun se sa ai që nuk të lejon të votosh, të kontrollon vullnetin dhe të kontrollon fjalën e lirë.

Në këtë kuadër, vazhdon dhe do vazhdojë përpjekja dhe beteja jonë gjer ditën e rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve.

Gjithnjë e më shumë po ndriçohen të vërtetat e farsës elektorale të 11 Majit.

Përsëri mediat e kontrolluara nga qeveria përpiqen me të gjitha mënyrat që të sfumojnë, që të errësojnë këtë zhvillim dramatik në historinë e Shqipërisë.

Nuk lanë tezë pa nxjerrë, secila më bajate se tjetra.

Shkojnë gjer në absurditete të atilla sa zgjedhjet i vodhi qeveria, po tani lufta në Lindjen e Mesme do të shpërqendrojë vëmendjen dhe interesin për këto zgjedhje.

Shkohet gjer aty sa në një kohë kur mediat më të mëdha të botës, pikërisht në kulmin e atij konflikti, damkosin Edi Ramën si Ramaduro, televizione private kombëtare të kontrolluara nga Edi Rama publikojnë editoriale në të cilat përpiqen dhe këtë ta mbrojnë.

Nuk ndodh kurrë që një media botërore siç është Fox apo të tjera, të pranojnë tituj të cilët nuk qëndrojnë.

Ndaj dhe më duhet t’i them zonjës Vjollca Hoxha që merret me këto editoriale, para se të sulmosh Fox-in dhe autorët, kontrollo më mirë rregullat që ato përshtatin në publikimet e tyre.

Është e vërtetë që çdo shkrim ka një autor, por titulli nuk i imponohet kurrë një media botërore në qoftë se ai nuk qëndron.

Dhe unë më këtë rast, e konsideroj një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm pas denoncimit të karteleve të drogës nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA, vjen radha tani, një media e pavarur, Fox News, e kllapos Edi Ramën si Ramaduro i Europës.

Por e vërteta është se Edi Rama me Nikola Maduron janë në garë dhe në disa aspekte, Rama i ka edhe më të zeza.

Ndaj dhe vazhdon beteja jonë.

Sikundër edhe njëherë duhet të sqaroj sepse dëgjoj jo po numërimi, jo po stërnumërimi.

Dhe njëherë, e kam theksuar dhe e theksoj, rinumërimi i votave nuk është një kërkesë e PD-së.

Rinumërimi i votave është kërkesë e kandidatëve të saj, të cilëve ne kurrë, në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mund t’u mohojmë një të drejtë të tillë.

Ndaj dhe të nderuar zotërinj, që flisni për numërimin, përpiquni të jeni të saktë në ato që thoni.

Teza e PD është: vota vdiq pa hyrë në kuti.

Rinumërimi ka të bëjë me përshtypjen që kandidatët kanë se votat e njërit kandidat mund të jenë spostuar tek votat e një kandidati tjetër po të PD.

Kërkesa e cila nga PD ka përgëzime në çdo rast për shkak të transparencës.

Unë e them këtu, nuk ka gjë më të drejtë se sa të kërkosh të rinumërohen votat në qoftë se ke dyshime se nuk të janë numëruar apo të janë devijuar votat.

Dhe këta kanë bërë një detyrë qytetare.

Kurse për të tjerët, të paguar çdo ditë nga qeveria, përpiqen të mbrojnë farsën, unë u them se janë pjesë e një propagande kriminale antivotë, një propagande që synon të përligjë shkelmimin e të drejtës më themelore të njeriut pas fjalës, që është vota e lirë.

Me asgjë, nuk mund të fshehin më farsën e turpshme, me asnjë Duman, me asnjë Troplin dhe me asgjë tjetër nuk mund të fshehin farsën e turpshme të 11 Majit.

Ju e patë se si u shokua Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, kur mësoi për ndërhyrjet brutale të kriminelëve Xhabaftë, të ndërsyer nga ministri Gonxhja kundër një zone që po bënte detyrën, kundër një deputeteje.

Iku koha kur Edi Rama me metoda nga më të ndryshmet shiste në Europë një realitet që në Shqipëri nuk ekzistonte. Kjo nuk ndodh më.

Dhe ata që kritikojnë opozitën se po turpëron Shqipërinë, ata janë turpi i turpit të njeriut, turpi i turpit të Shqipërisë.

Ata që pretendojnë se qenka e turpshme të denoncosh dhunimin e votës, të denoncosh kartelet e drogës, ata janë turpi i turpit të njeriut dhe turpi i turpit të Shqipërisë dhe kjo opozitë nuk do jetë kurrë e tillë.

Do bëjë detyrën e saj.

Tani këtu vazhdojmë.

Ja, shiheni këtë vajzën, kriminele elektorale, komisionere në detyrë.

Shikoni se çfarë bën, një nga një shkon dhe voton me zgjedhësit.

Urdhëro!

Pra, komisionerja kontrollon çdo votë.

Edhe ky komisioner kontrollon çdo votë.

Pra, votojnë komisionerët.

Vazhdojnë kontrollin… voton për të.

Tani fut edhe ndonjë tjetër vetë ky. Tani komisioneri.

Dy fletë…

Pra, këto ishin vetëm disa momente nga aktet kriminale të votimit në datën 11 Maj.

Kurrë këto zgjedhje nuk përligjen dhe jam i bindur se shqiptarët do i japin Edi Ramës, si armiku më i egër i lirive të tyre, atë që meriton, sa më shpejt.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Marsi Korreshi, SYRI TV: Pas ezaurimit të të gjitha hallkave ligjore, që nga Komisioni i Ankesave dhe Kolegji Zgjedhor, që mesa duket nga vendimmarrja e deritanishme kanë rrëzuar çdo kërkesë tuajën, cila do të jetë beteja e radhës, ligjore dhe politike e juaja dhe opozitës kundër asaj që e cilësoni farsë zgjedhore. A do ta gjejë vjeshta opozitën në mosbindje civile.

Sali Berisha: Beteja është e gjithanshme. Ne këto që bëjmë, i bëjmë për dy arsye, për të hedhur dritë, së pari si detyrim ndaj shqiptarëve, së dyti ndaj komunitetit ndërkombëtar me bindjen më të thellë se, problemin do ta zgjidhin vetë shqiptarët dhe opozita.

Natyrisht beteja do të jetë shumëplanëshe, komplekse. Është një betejë shumë e gjerë, shumë komplekse, por me bindjen tonë më të thellë që do fitohet.

Qeveri teknike, zgjedhje të lira, kjo është motoja jonë.

Osman Stafa, News24: Ditën e djeshme deklaruat se sot do të publikoni prova për deputeten socialiste të zgjedhur në Elbasan, Sara Mila. A bëhet fjalë për këto, apo ka dhe të tjera?

Sali Berisha: Këto janë, ka dhe të tjera, këto janë njëherë. Këtu po të marrësh qendrën e votimit del Sara Mila, sepse aty ku hanxharët e krimit kanë kërcënuar njerëzit, i kanë detyruar të mbyllin sytë. Hetim nuk ka, se këtu duhet të jemi realist.

Pas kreut të organizatës kriminale Edi Rama që është përgjegjësi numër 1 për këtë farsë zgjedhore, me të gjithë kompleksitetin e saj, autori i saj është Altin Troplini, i cili amnistroi dosjet 184 dhe 339, duke u thënë shqiptarëve se krimi elektoral nuk ndëshkohet dhe se Edi Rama ka licencë për të vazhduar krime monstruoze të tjera.

Pra kjo është. Janë dy këta baljozët më të zi të krimit elektoral, njëri është Edi Rama, i dyti është Altin Troplini.

Osman Stafa, News24: Nëse nuk do të vijë reagimi i pritshëm nga ndërkombëtarët sa i takon denoncimeve që keni bërë dhe asaj që keni ndërmarrë për ti njohur ata me çfarë ka ndodhur në 11 maj apo para kësaj date. Nëse PD nuk do të marrë reagimin e pritshëm, çfarë ndodh?

Sali Berisha: Jo, ne konstatojmë reagime shumë të qarta nga ndërkombëtarët.

Ne u jemi shumë mirënjohës.

Mund të them se janë 3 hapa të mëdhenj që janë bërë.

Së pari në takimet që u zhvilluan në Bruksel në Asamblenë Politike të PPE dhe Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.

Së dyti në takimin e zhvilluar në Strasburg në Komitetin e Stabilizim të Shqipërisë me BE.

Dhe së treti, po them pas zgjedhjeve, dita e djeshme, përsëri ishte dita e Shqipërisë…

…Unë mund të them këtë, se çfarë ndryshon në Shqipëri dhe do ndryshojë, ajo varet nga shqiptarët, por këto janë të domosdoshme për të përligjur qëndrimin dhe veprimin e tyre.

Këto janë të domosdoshme.

Nuk vjen kush as për të krijuar qeverinë teknike, as për të rrëzuar qeverinë. Ato të gjitha duhet të jenë vullnet i popullit opozitar.

Por kjo që po bëhet ka një vlerë shumë të madhe sepse zgjedhjet janë sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare.

Aq sa ka rëndësi kodi yt zgjedhor, aq kanë rëndësi edhe dokumentet ndërkombëtare mbi të cilat bazohen parimet e kodit zgjedhor.

E kam thënë dhe e them, zgjedhjet janë edhe kombëtare, edhe ndërkombëtare.

Gjer tani kanë dështuar të gjitha përpjekjet e Edi Ramës, mobilizimi i tij dhe regjimit të tij dhe çdo lloj përpjekje për të modifikuar dhe ndryshuar raportin.

Po të lexoni edhe raportin e djeshëm, thirrje Shqipërisë të ndajë shtetin nga partia. Kaq.

Nuk ka damkosje…

Ideja e partisë shtet është de-facto asgjësim i zgjedhjeve.

Ata që kanë ABC-në më elementare të politikës, në qoftë se bëhet fjalë për parti shtet, do të thotë nuk ka zgjedhje. Ka farsë.

Ka zgjedhje se procesi ndodh, por është farsë elektorale.

Dhe dje në rekomandimin që mori Shqipëria është të ndajë shtetin nga partia.

Ekzistenca e partisë shtet në Shqipëri është tashmë botërisht e konfirmuar.

Kur thua të ndash shtetin nga partia, nuk ka kërkesë më asgjësuese se kjo.

Ata nuk mund të thonë, ju bëjmë thirrje shqiptarëve që të ngrihen për të përmbysur shtetin njëpartiak, këtë nuk e thonë se nuk është në detyrën e tyre, por ata e thonë me gjuhën e tyre, të ndahet partia nga shteti.

Vetëm kjo frazë është i gjithë raporti.

Osman Stafa, News24: A mund të konsiderohet tashmë një kapitull i mbyllur i respektimit të statutit të PD. Pra nuk do të ketë asnjë lloj reagimi nga Sali Berisha, sa i takon statutit që ju keni miratuar.

Sali Berisha: Edhe njëherë. Statuti bën fjalë për zgjedhje, jo për farsë. Të lutem mos e keqinterpreto statutin.

Nëqoftëse statuti do shkruante për farsë dhe unë mund të jap dokumente origjinale që dëshmojnë se vetëdijen e Sali Berishës për farsën, pra nëse unë do kisha shkrojtur farsë, unë jam dakord me ty, por nuk kam shkruar farsë, por zgjedhje.

Jo farsë, farsa është kryesorja. Farsa.

Sepse unë mund të nxjerr dokumente në të cilat me qartësi të madhe kam folur për farsa gjatë këtyre viteve. Pra nuk është se i mungonte fjalorit tim politik nocioni farsë. Nuk mund të më mungonte, kurrsesi.

Anisa Kadesha, RTSH: Në vjeshtë pritet të zhvillohen zgjedhje të pjesshme në disa bashki, ku pritet edhe Tirana. Cila do të jenë masat që ju do të merrni për të ruajtur institucionin e votës së lirë.

Sali Berisha: Do të zhvillohet farsa e radhës. Ne themi që do të zhvillohet farsa e radhës. Me Edi Ramën ka vetëm farsë, kjo është e vërteta.

Olta Blaceri, Vizion+: Ju sot cituat FoxNews, por ju në 2008 New York Times, e keni cilësuar ‘letër higjenike’. Pse keni dy standarde për mediat ndërkombëtare.

Sali Berisha: Në vitin 2008, ‘New York Times’, një gazetë e respektuar nga unë, publikoi një shkrim, në të cilin absolutisht publikoi një trillim të faktuar mbrapa si trillim.

Dhe unë mora në telefon një mik timin, i them ‘New York Times’ ka publikuar këtë trillim.

Çfarë më thotë? Më thotë i bëj një letër, ishte një zonjë ajo, mos gabohem zëvendëskryeredaktore.

Dhe unë i bëj një letër dhe i them se këto që keni shkruar ju nuk janë të vërteta dhe unë mund t’ua faktoj një, dy, tre.

Dhe ‘New York Times’ ra aq poshtë, dhe nuk kishte të bënte me titull, kishte të bënte me fakte të shkruara brenda në artikull, saqë nuk botoi letrën.

Dhe unë atëherë thashë atë që thoni ju.

Po unë nuk thashë që titulli apo siç u tha këtu, që titulli është opinion.

Është e vërtetë që është opinion, por nuk e vë kurrë as gazeta, as televizioni, një titull që nuk qëndron.

Jo!

Pra, Ramaduro… prandaj ta heqim nga zonja Hoxha dhe të kalojmë tek kush është aty kryesori në Top News, që një media si Fox nuk mund të lajthisë dhe të kalojë tituj kaq të rëndë, kaq damkosës për një kryeministër siç ishte ai.

Pse?

Sepse e di se do përballet me të.

Por ajo media bën një check-up dhe i del një El Çapo aty, i del Luftim Hysi në zyrën e Edi Ramës. I del Gys Agasi, koordinatori. I del Olsi Rama me ‘Hakmarrjen për drejtësi’ dhe Xibrakën. I del klani Troplini.

Prandaj u lutem se nuk e bënte Fox-i kurrë.

Prandaj dhe Top News ka marrë përsipër një detyrë… unë thashë se ishte Top Channel, se e pashë Top Channel, paska qenë Top News. Mirë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale