Berisha: Fitore e madhe për opozitën, jehona botërore e lajmit për aksionin e saj pa kthim. Gjykatësja Irena Gjoka fshihet pas mbiemrit, kjo ndodh vetëm në shtetin e dordolecit

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë konferencës së mbajtur ditën e sotme me gazetarët tha se,  për opozitën ishte një fitore e madhe jehona botërore e aksionit të saj pa kthim, e cila i çorri maskën Edi Ramës. Berisha tha se, diktaturat nuk shemben duke ndaluar një votim, por duke treguar të vërtetën njerëzve dhe opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar.

Berisha tha se, beteja pa kthim e opozitës në Kuvend synon të zgjojë luanët që janë në zemrat dhe shpirtrat e çdo shqiptari.

Kryetari i PD, Sali Berisha  tha se, Millonai bëri një deklaratë skandaloze në gjyq, ku tha se korrupsioni konsumohet edhe me zbatim ligji. Berisha tha se, Arben Kraja ka dalë prej sistemit të drejtësisë për shkak të ligjit të lustracionit nga vetë Sali Berisha. Berisha gjatë konferencës me gazetarë se, gjykatësja Irena Gjoka po fshihet pas mbiemrit dhe kjo ndodh vetëm në shtetin e dordolecit.

Berisha tha se, SKAP-i është banda më e rrezikshme në një institucion. Berisha shtoi më tej se, Ilir Beqaj u amnistua sërish nga skapistët. Ilir Beqaj është përgjegjës për vjedhjen e dytë të shekullit në emër të Edi Ramës, se me firmën e tij i ka dhënë kompanisë Investal, megasterilizatorin ultramodern, të blerë me paratë publike dhe i ka dhënë pa tarifë, ujin dhe energjinë elektrike.

FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA

Mirëdita!

Të dashur qytetarë dhe qytetare! Dy arsye bënë mbrëmë që Shqipëria të jehojë në titujt më kryesorë të mediave ndërkombëtare.

E para, ishte ndeshja e kombëtares në eliminatoret e Euro2024. E dyta, ishte qëndresa e opozitës shqiptare në parlament kundër mobo-diktaturës, apo narko-diktaturës së Edi Ramës.

Për të parën le t’i shprehim ne urimin më të përzemërt, mbështetjen më të fuqishme kuq e zinjve, ekipit, kapitenit dhe trajnerit të saj fantastik.

Për të dytën, dua të theksoj se mediat më serioze të planetit BBC, Fox News, Sky, Uashington Post, The Independent, The Guardian dhe Telegraph dhe dhjetëra e dhjetëra media në të pesta kontinentet kishin në titujt më kryesor aksionin opozitar pa kthim të opozitës të PD në parlament dhe opozitës shqiptare.

Analistët e qeverisë, për të sfumuar aksionin, për të dezinformuar apo për të hedhur baltë mbi të u shprehën se: ‘Nuk ishte kjo një fitore, pasi buxheti u votua gjithsesi.’

Mjerimi nuk ka kufij në mendim, përveçse këtë. Beteja e opozitës është për një qëllim madhor. Misioni ynë është shembja e diktaturës. Diktaturat nuk shemben duke ndaluar një votim, por duke treguar të vërtetën njerëzve dhe opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar.

Dhe e vërteta mbrëmë u tregua pa asnjë filtër nga mediat më të fuqishme të botës. Opozita i tregoi mbrëmë botës se kryeministri shqiptar që herë vishet me atlete për modern, dhe herë tjera me çitjane për oriental, votoi dje në 4 minuta, në rekordin më të turpshëm botëror buxhetin. Dhe kjo, sepse ai nuk pranon në përputhje me Kushtetutën krijimin e komisioneve hetimore parlamentare për vete, familjen soj e sorollopin e tij dhe ministrat e zyrtarët e tij.

Opozita i tregoi botës se Edi Rama në fakt është një kryeministër, por pasi voton buxhetin i ndalon opozitës të paraqesë ligje, duke i mohuar asaj 31 të tilla pa proces të duhur parlamentar.

Opozita i tregoi botës të vërtetën se Shqipëria de fakto nuk është më një demokraci, sepse Edi Rama kërkon t’i përcaktojë opozitës përfaqësuesit e saj. Sepse Edi Rama e blindoi njëlloj si një narko-diktator në romanet e Markezit parlamentin. Për çfarë? Që opozita të mos kërkojë të drejtat e saj.

Të drejtat kushtetuese që kërkojnë deputetët e opozitës në parlament nuk janë të drejta personale të tyre. Janë të drejta të 600 mijë votuesve që kanë votuar kundër qeverisë së Edi Ramës.

Pra, një fitore e madhe për opozitën kjo jehonë botërore e aksionit të saj pa kthim, e cila i çorri maskën Edi Ramës, dhe hap pas hapi do vijojë në këtë betejë pa kthim deri në çmontimin e diktaturës në Shqipëri, deri në shpëtimin e Shqipërisë.

Dje deputetët e opozitës me guximin e tyre ishin më përfaqësues se kurrë të popullit opzitar. Ata me aktet e tyre të mosbindjes civile përcollën në mbarë botën zërin qytetar të opozitës se në parlamentin shqiptar po vdes pluralizmi politik, dhe se deputetët e opozitës me mosbindjen e tyre civile janë të vendosur ta mbrojnë atë me çdo çmim.

Të dashur qytetarë dhe qytetare!

Beteja pa kthim e mbi 40 deputetëve të opozitës në parlament është një lëvizje simbolike, që ka për qëllim madhor t’i paraqesë botës të vërtetën e diktaturës së bandave në Shqipëri.

Por njëkohësisht ka një qëllim të dytë madhor, të zgjojë luanët që janë në zemrat dhe shpirtrat e çdo shqiptari. Pasi zgjimi i luanit të fjetur është fitorja përfundimtare e demokracisë dhe përmbysja përfundimtare e diktaturës në Shqipëri.

Ndaj dhe me këtë rast, duke shprehur vlerësimin tim më të madh për betejën pa kthim në parlament të deputetëve të opozitës, ftoj çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetare dhe qytetar, kudo që ndodhen, në Shqipëri, emigracion dhe diasporë, t’i bashkohet kësaj beteje për shpëtimin e Shqipërisë.

Faleminderit!

PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET

Osman Stafa, News24: Ditën e sotme është marrë vendimi i Apelit në lidhje me apelimin e avokatëve dhe apeli ka vendosur që ndaj dhëndërrit tuaj të marrë masën, ‘arrest shtëpie’, ndërsa është lënë në fuqi vendimi i marrë ndaj jush, ‘detyrim paraqitje’. A do ta respektoni ju këtë vendim?

Sali Berisha: Së pari, më duhet të them se nuk ka asnjë risi në vendimet, të cilat dëshmojnë kontrollin e plotë dhe total të sistemit të drejtësisë, shndërrimin e saj në degë ekzekutivi nga narkodiktatura dhe Edi Rama. Unë dua t’u informoj ju se dje në sallën e gjyqit, famozja për lidhjet obskure me Taulant Ballën, ka deklaruar sa vijon: Sipas saj, korrupsioni konsumohet edhe duke zbatuar ligjin. Nuk ka standard më amoral sesa ky. Dhe është e regjistruar kjo. Kur një njeri i ligjit, deklaron se mosshkelja e ligjit, pra korrupsioni konsumohet duke zbatuar ligjin, ajo fshin çdo kufi midis moralit dhe amoralitetit, midis ndershmërisë dhe vjedhjes, midis zyrtares dhe banditizmit. Ajo bëhet në sallën e gjyqit ashtu siç është. Njeri që nuk njeh normë, ligj apo moral, përveç lidhjeve të saj obskure me një kriminel me kravatë, siç është Taulant Balla. Një deklaratë të tillë nuk e gjeni dot të bërë as në gjyqet më të egra të diktaturave. Pse? Sepse diktatura kishte bërë ligje mizore, të egra. Në emër të atyre ligjeve, njerëzit pushkatoheshin, vriteshin. Kurse për Millonain e lidhjeve obskure me Taulant Ballën, konsumohet korrupsioni duke respektuar ligjet. Ka deklaratë më perverse, më të turpshme, më kriminale se kjo? Nuk kisha dëgjuar kurrë. Nëse ka një garanci transparenca, një garanci mosabuzimi, një garanci mbrojtja, është zbatimi i ligjit. Kurse ajo që ka kaluar në fushën e Taulant Bego Yaris dhe moralti të tij, shumëzon me zero ligjin. Ajo e ka shqipëruar dje dhe është në audio në Gjykatën e Apelit kjo. Por atë e ka shkruar Edi Rama me larot e tij, ish-oficerin e Sigurimit famëzi të Shtetit, Arben Kraja. I cili qëndron në detyrë në kundërshtim me ligjin aktual të prokurorisë. Dhe mendon se do zgjasë nën sqetullat e Edi Ramës, duke u përdorur si zagar i tij. Sepse ligji aktual i prokurorisë nuk lejon që oficerët e sigurimit të jenë në prokurori më. Ligji aktual i prokurorisë. Arben Kraja ka dalë prej sistemit të drejtësisë për shkak të ligjit të lustracionit nga Sali Berisha. Dhe tani nuk mund të jetë sepse edhe në ligjin e ri, në përputhje me nenin 6 të Kushtetutës, nuk mund të jetë. E kuptoni se këtë që ka shprehur Millonai, i lidhjeve më obskure e një kriminel që është dëshmuar i implikuar në vrasje, Taulant Balla, e shpreh në sallën e gjyqit me guxim, se korrupsioni konsumohet edhe me zbatimin e ligjit?  E morët vesh ju?  Gjykatësja që fshihet prapa emrit të burrit, jam Gjoka, nuk jam Maneku. Po, u gjet dhe data. U gjet se ajo është ndëshkuar nga Këshilli i Drejtësisë. Ditën e shtunë e paraqita shkresën. Ministria e Drejtësisë e ka pranuar se ndaj saj në vitin 1996 është marrë masë disiplinore shkarkimi. E ka thirrur Ministria e Drejtësisë, ajo ka thënë nuk jam unë, se unë jam Gjoka, nuk jam Maneku. E kuptoni se mbrapa kujt fshihet Edi Rama? Po kjo është e paimagjinueshme. Pra, është gjetur, është marrë masa, e ka kryer krimin sepse nuk duhej të gjykonte, duhej të shkruante se nuk mund të gjykoj këtë çështje sepse jam e shkarkuar direkt prej tij në vitin 1996. Dhe tani që e gjeti Ministria e Drejtësisë dhe ia dha avokatit, më thonë se i ka thënë Ministrisë së Drejtësisë se unë jam Gjoka. Imagjinoni tani nëse një burrë ndërron mbiemrin sipas gruas, po mori dy gra, merr tre mbiemra dhe hajde gjeje kush është ai. Po kjo ndodh vetëm në shtetin e dordolecit, nuk ndodh në një shtet tjetër. Ja, ky është procesi. Ndaj dhe nuk kam asnjë lidhje me vendimet që shkelin Kushtetutën e vendit. Po, e kam thënë të dërgojë kërkesën në parlament dhe unë e votoj. Unë e votoj, vota ime është që Sali Berisha, në përputhje me kërkesën e bërë, të shkojë të paraqitet për t’u marrë në pyetje.

-Pak ditë më parë ishte Ilir Beqaj ai që u njoh nga gjykata me vendimin për ‘detyrim paraqitje’ deri në përfundim të hetimeve. Nga ana tjetër është nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ramës. Më pas është Arben Ahmetaj, Saimir Tahiri, Lefter Koka, Vangjush Dako, Safet Gjici, bashkëpunëtorë të Ramës, ose kanë kryer dënimin, ose janë në burg, ose nën hetim. Tashmë deklaratës tuaj që thoni se pas SPAK ndodhet Rama, dhe këtë e keni thënë vazhdimit, sa kohë që SKAP ka ngritur akuza ndaj jush. A i ka sakrifikuar Edi Rama miqtë e tij, apo Sali Berisha e përdor gjithë këtë që deklaron publikisht, për arsye dhe mbrojtje politike.

Sali Berisha: Së pari të falënderoj për pyetje. Nëse ka një njeri në Shqipëri, që ka deklaruar qindra herë se SKAP është organizatë kriminale, ai është Sali Berisha. Dhe e ka bërë këtë prej tre vitesh me radhë dhe është i pari që nga SPAK, e ka quajtur SKAP. E kam bërë këtë në mënyrë absolute vetëm për të mbrojtur interesin publik të qytetarëve. Sepse konstatova se aty po mblidheshin njerëz të lidhur si mishi me thoin me krimin, po mblidheshin ryshfetxhinj të tmerrshëm, po mblidheshin bashkëpunëtorë të bandave dhe kjo ishte një gjëmë, një mynxyrë e vërtetë për institucionin e akuzës në Shqipëri. Jam ish-president, jam ish-kryeministër dhe nuk do i lejoja vetes kurrë të etiketoja njerëz që zbatojnë me ndershmëri ligjin ndryshe veçse heronj të vërtetë. Por këta janë njerëz që janë bashkuar aty si banda më e rrezikshme në një institucion, pas hetuesisë së Sigurimit të Shtetit. Të mendosh se kjo para tre javësh, nuk është e ndershme sepse nuk ka lidhje me të. Unë jam dhe do mbetem avokat, zë i interesit publik, ashtu siç e konceptoj unë. Unë e kam konstatuar që në fillim se aty po rekrutoheshin jo mbi bazën e integritetit, por mbi bazën e lidhjeve të dokumentuara të krimit. Ju besoj e dini, pikërisht për shkak të interesit publik dhe për asnjë arsye tjetër, kam qenë i detyruar të bëhem denoncues kryesor i bandave dhe lidhjeve të tyre me politikën. E kam bërë këtë për t’i hapur rrugën medieve, për t’i hapur rrugën të gjithë të tjerëve që mund të flasin kundër tyre.

Tani vijmë te çështja. Cilido që analizon Beqën, e vërteta e padiskutueshme është se ajo që ndodhi të shtunën ishte amnistia e dytë reale e Ilir Beqës nga Edi Rama dhe skapistët e tij. Pse? Sepse pas katër muajsh formulohej një aktakuzë, e cila për çdo njeri që ka nocionin më elementar të ligjit, për çdo gjykatës dhe çdo njeri tjetër, është e barabartë me zero. Për çfarë akuzohet Ilir Beqaj? Pse u vunë masat? Ilir Beqaj akuzohet se nuk ka diktuar konfliktin e interesit mes Rrjepajt dhe Rrapajt.  Në ligj, Ilir Beqaj nuk ka asnjë detyrim të diktojë konfliktin e interesit mes dy personave. Si e ka zgjidhur ligji këtë në Shqipëri dhe mbarë botën? Ligji e ka të zgjidhur me detyrimin e personit për vetëdeklarim. Prandaj është bërë kjo amnisti e dytë e turpshme dhe këtë e dinë mirë ata prokurorë që e kanë shkruar. Por ata janë po ata të cilët nuk e dërguan fare për hetim para 4 muajsh me urdhër të Edi Ramës. Dhe tani pas katër muajsh, gjetën një akuzë për ta nxjerrë të pafajshëm totalisht. Ilir Beqaj është përgjegjës absolut direkt për aferën e sterilizimit. Sepse është ai që ka vendosur që nga sterilizim publik të kalohej në koncesion privat. Sepse është ai që ka emëruar Byrazerin, kushëririn e tij të parë, për të bërë fizibilitetin, me të cilin mashtrohet se çmimi do ulet me 3 herë, kur ai rritet me 83 herë. Është Ilir Beqaj, që në kundërshtim me ligjet, ka pikëzuar kompaninë Investal të përzgjedhur nga Edi Rama. Ilir Beqaj është direkt përgjegjës për vjedhjen e dytë të shekullit në emër të Edi Ramës, se me firmën e tij i ka dhënë kompanisë Investal, megasterilizatorin ultramodern, të blerë me paratë publike. Dhe i ka dhënë pa tarifë, ujin dhe energjinë elektrike. Janë këto të gjitha që Edi Rama dhe prokurorët e tij, turpi dhe krimi i drejtësisë, duan t’i mbulojnë me fajin e Beqës që nuk zbuloi konfliktin e interesit për Rrjepajn dhe Rrapajn. Ndërsa sa i përket rasteve të tjera, që të gjitha janë programim i Edi Ramës. Edi Rama ka një gjë Osman, kur tjetri thotë diçka dhe dikush e harron apo nuk e besoj, nuk është faji i atij, por faji i këtij që harron dhe beson. Ai ka thënë publikisht, unë nuk kam mirënjohje. Çfarë do të thotë kjo. Ai është i aftë të shesë cilindo për interesat e tij. Po marrim Arben Ahmetaj. Është shumë më pak përgjegjës se vetë Edi Rama për 17 firma të mbledhura në 18 orë, që nuk mund ta bëjë kurrë një ministër, për procedurën e negociatave të mbyllura pas paralajmërimit të drejtorit të prokurimeve  publike që është antiligjore, që është bërë me firmën e zv/kryeministrit Niko Peleshi me porosi të Ramës. Për 8 pikë dhënë një kompanie që nuk ekziston, paralajmëruar nga Ermonela Felaj, për ndryshimin e strategjisë, nga landfille-seleksionim, në djegie e bërë në vitin 2014. Pra për të gjitha këto janë një zinxhiri i tërë përgjegjës. Por kurbani i tyre është Arben Ahmetaj, i cili ka përgjegjësi. Kur Linda Rama dorëzon faturat e Zotos, të hoteleve, në një akt armiqësor ndaj Ahmetaj dhe anturazhit të tij, atë pastaj unë nuk kam moral që ta pranoj. Por marr Ahmetaj dhe Gjiknurin. Në procedurë të cilën skapi i partisë e injoron. Nëse më pyet mua, cili është më direkt, Gjiknuri ka një aferë të tmerrshme, direkte me termocentralin. Afera e termocentralit të djegësit të Elbasanit është aferë direkte Rama-Gjiknuri, të cilën ata i ndërtuar me para shteti, ja dhanë për 30 vite kompanisë së tyre private. Nuk mund të pranoj kurrë se këta po bëjnë drejtësi. Këta po bëjnë atë që po e thonë rëndom mediat, drejtësi me regji. Këta janë tërësisht skllevër të Edi Ramës. Këta janë deri më sot, institucioni më i inkrimuar pas hetuesisë së Sigurimit të Shtetit. Një jurist i njohur, me eksperiencë do ti thoshte Altin Dumanit, në debatin në parlament për heqjen e imunitetit. Dhe ai ka qenë një jurist i vjetër. I thotë se kjo që keni shkruar këtu shëmbëllen me ato të Gestapos. Në fakt aty gaboi, ajo shëmbëllente me atë të Sigurimit të Shtetit. Këta funksionojnë tërësisht mbi bazën e parimeve të Sigurimit dhe jo të ligjit. Në fund të fundit, këta po faktojnë të gjitha tezat e mira për reformën në drejtësi. Por e konstatoj këtë. Sigurisht është një dramë për shoqërinë shqiptare, sepse janë shndërruar në hanxhar të Edi Ramës dhe do të kenë fatin e Edi Ramës.

-Me këtë logjikë që ju përdorni, i bie që dhëndërrin tuaj nga burgu e ka nxjerrë Edi Rama?

Sali Berisha: Dhëndri im ishte i burgosur politik dhe është i burgosur politik. Dhëndri im ka marrë 410 metër katrorë si i 64-ti që ishte në atë fis, nga 1 miliard e 577 milionë metër katrorë të rikthyer pronarëve nga koha e diktaturës. E marrë e gjitha, në përputhje me dokumentet. Por për t’u marrë aty, duhet që dikush të përsërisë atë që thotë Edi Rama, se zbatimi i ligjit nuk përjashton konsumin e korrupsionit. E kuptoni se çfarë rreziku përbëjnë këta jo për Sali Berishën, as për familjen e tij, por për çdo qytetar dhe shoqërinë shqiptare. Kështu që nuk është e vërtetë që ka dhënë urdhër apo nuk ka dhënë urdhër. Ajo do shkonte në Strasburg menjëherë. E kam thënë dhe herën e parë këtu, që fatmirësisht Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës. Malltezi nuk u nxor nga burgu, ai u la në arrest shtëpie. Kjo nuk përbën asgjë. Ai nuk ka asnjë, ka zero, zero… ata vetëm nuk e kanë fajësuar. Vetë nuk kanë arritur ta fajësojnë. Pas tre vite hetime, nuk kanë arritur të gjejnë një provë, një fakt, një dokument për të ngritur padi ndaj tij, por e kanë marrë nën hetim. Pra, ai duhej të ishte në shtëpi. Kjo, përkundrazi që nuk gjendej asgjë mbi to, u bë kjo. Ajo çështje do zgjidhet në Strasburg.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Ju thatë më herët që opozita nuk do të tërhiqet nga aksioni i saj në parlament, por nga ana tjetër edhe mazhoranca nuk po tërhiqet duke miratuar ligje. A mendoni se ka ardhur koha për ta përshkallëzuar këtë aksion. Çfarë duhet të bëjë më tepër mazhoranca që ju të shkoni drejt atyre që ju vetë i cilësoni si akte ekstreme, dhe a do të ketë një plan konkret në Kuvendin e 2 dhjetorit.

Sali Berisha: Absolutisht sot dhe gjer ditën e fitores do të ketë vetëm përqendrim total kundër diktaturës së bandave dhe Edi Ramës. Sot jemi më të vendosur se kurrë në këtë betejë. Natyrisht nuk e marrim as me ekzaltim, as parealizëm, sepse sigurisht ka vështirësitë e veta. Por kjo betejë nuk ndalet gjer në realizimin e qëllimeve të saj. Po e them, ajo që ndodh në parlament, ka lidhje me të drejtat kushtetuese të deputetëve. Ju po e shihni, nuk po e bojkotojmë, po luftojmë në parlamentn, po bëjmë një betejë. Prap atij tymi që shikoni aty, është drita e shpresës së shqiptarëve. Tymi në fytyrën e Edi Ramës është drita e shpresës së popullit opozitar për përmbysjen e tij.

-Tavolina e Lulzim Bashës u dogj?

Sali Berisha: E ka hymni, ka një përgjigje himni ynë; nga lufta veç ai largohet, që është i lindur tradhëtor. Kaq. E thotë himni ynë, nuk ka gjë më frymëzuese në botë se ky rresht i tij.

Isa Myzyraj, OraNews: Meqenëse e përmendët privatizimin të kthehemi pak të ligji i privatizimit të kompleksit ‘Partizani’. Që nga viti 2005 kur hyri në fuqi ligji për sportin, për të ardhur në vitin 2008 kur është rikthyer privatizimi i cili ishte anuluar në vitin 2007. Në vitin 2008, a keni ju informacion se sa familje përveç Jamarbër Malltezit dhe familjeve të tjera, kanë përfituar prona me qëllim ndryshimin e destinacionit tek klubet sportive.

Sali Berisha: Destinacionet për klubet sportive, nuk ka vendim qeverie, ka ligj. Do të ua paraqesim me dokumente. Nuk ka asnjë vendim qeverie. Vendim qeverie ka vetëm për letrat me vlerë. Ndryshimi i ligjit ka qenë ky; terrenet sportive, privatizohen nga pronari kur ka të tillë, ose jepen me koncesion me kushtin që të mos ndryshojë destinacioni. Tani unë po të them se vetëm në Tiranë kanë qenë 105 terrene sportive. Në Shqipëri, nuk mund ta them shifrën e saktë, mbi 1 mijë po, por në mes gaboj kanë qenë 1500 sepse ka patur inventarë. Tani, sa janë kthyer këto? Aq sa ka pasur pronarë, me kusht që pronari të merrte përsipër se nuk do ti ndryshojë destinacionin. Nëse pronari thoshte nuk e marr, se do ti ndryshoj destinacionin, atëherë ajo i jepej dikujt tjetër me koncensoion, pronari kompensohej. Janë mbi 570 mln metër katrorë tokë të kompensuar. Kur nuk i jepej dot se ishte e zënë, kompensohej me para, ose truall diku tjetër. Ndaj dhe në këtë kontekst, nga viti 2006 në vitin 2012, janë 53.475 vendime, me të cilat në total janë dhënë mbi 119 mln metër katror truall dhe në total mbi 1 miliardë e 577 milionë metër katrorë tokë, përfshirë dhe truallin këtu. Vendimet gjenden sipas vitit. Ja ku është fusha ‘Ali Demi’, bëja mitingje dikur atje. Shumë më e madhe ka qenë tek stadiumi ‘Dinamo’, që përfundonte në Lanë fusha dhe ishte krejt terrene sportive. Të gjitha janë rikthyer, ose i ka zënë Edi Rama forcërisht i ka shndërruar në troje ndërtimit. I zhduku.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale