Berisha firmos para banorëve të njësisë 8: Nuk do të ketë urbanizim përpara legalizimit! Brenda 3 muajve të parë, PD do të nxjerrë shqiptarët nga varfëria ekstreme

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME BANORËT E NJESISË NR. 8

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka firmosur një dokument për banorët e njësisë 8, duke u angazhuar për zgjidhjen e problemeve të legalizimit dhe urbanizimit.

Berisha garantoi se pronarët e tokës do të dëmshpërblehen me vlerë tregu nga qeveria. Ai gjithashtu tha se bonuset për qiratë do të eliminohen dhe qiratë do të paguhen në çmimin e tregut.

Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi se do të zgjidhë problemin e legalizimit brenda 90 ditëve të para të mandatit të tij. Ai theksoi se nuk mund të vendoset rregull pa adresuar këtë çështje dhe do të punojë për thyerjen e burokracisë. Berisha vlerësoi urbanizimin si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë dhe e konsideroi migrimin dhe krijimin e qyteteve si tregues të përparimit.

Lideri historik i PD, Sali Berisha e shpalli projektin e “Shqipërisë Madhështore”, duke u fokusuar te pensionistët si fillim i këtij plani. Berisha akuzoi qeverinë aktuale për trajtimin e pensionistëve, duke theksuar se rritja e çmimeve ka bërë që pensioni real të ulet me 20%. Berisha krahasoi pensionet në Shqipëri me ato në Malin e Zi, ku janë trefishuar, duke shpjeguar se shtetet e tjera ndajnë më shumë fonde për pensionet. Ai premtoi që do të shpërndajë ndryshe të ardhurat, duke rritur pensionet, rrogat dhe investuar më shumë në infrastrukturë dhe shërbime publike.

Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi qeverinë për keqshpërndarje dhe korrupsion, duke thënë se lekët ekzistojnë, por vidhen. Ai kritikoi ndarjen e kontratave për ndërtimin e rrugëve dhe investimet e tepërta si ndërtimi i tunelit të Llogarasë, që sipas tij, ka sjellë shpenzime të panevojshme. Berisha premtoi se, nëse PD vjen në pushtet, do të përdorë paratë për të nxjerrë shqiptarët nga varfëria ekstreme brenda tre muajve të parë.

Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi uljen e taksave për bizneset dhe ka theksuar rëndësinë e prodhimit shqiptar për pasurinë dhe zhvillimin e Shqipërisë. Berisha premtoi se paratë e taksave do të përdoren për rroga, pensione dhe krijimin e vendeve të punës, ndërsa prodhimi shqiptar do të jetë një burim i pasurimi për vendin. Ai gjithashtu tha se do të ofrohen lehtësi për investitorët, veçanërisht diasporën, dhe do të krijohen kushte për rritjen e prodhimit në Shqipëri.

Lideri i PD, Sali Berisha premtoi gjithashtu ulje të çmimeve të ujit dhe energjisë, duke propozuar përgjysmimin e çmimit të ujit dhe një çmim prej 7 lekësh për konsumatorët dhe 6 lekësh për bizneset për energjinë elektrike. Ai theksoi rëndësinë e energjisë solare, duke ofruar instalimin e paneleve fotovoltaikë për shtëpitë, duke u mundësuar qytetarëve të paguajnë vetëm për 3 vitet e para dhe pastaj të marrin energji falas. Berisha foli për zhvillimin e teknologjive moderne në Shqipëri, përfshirë internetin 3, blockchain dhe inteligjencën artificiale, duke u zotuar se do të transformojë vendin në një epiqendër të këtyre teknologjive.

Së fundmi, Kryetari i PD, Sali Berisha shprehu entuziazmin e tij për mbështetjen e diasporës, duke theksuar se klima është jashtëzakonisht e fuqishme dhe frymëzuese. Ai e krahasoi energjinë e tanishme me atë të vitit 1991 dhe ka përmendur takimet e tij të fundit në qytete të ndryshme si Romë, Athinë, Milano dhe Parma, të cilat e kanë mbushur me optimizëm. Berisha theksoi se kjo është një periudhë e rëndësishme, ku opozita ka krijuar një front të gjerë dhe ka marrë mbështetje nga Chris LaCivita, një ekspert në fushatat elektorale. Berisah bëri thirrje që të punohet fort dhe pa u lodhur për të arritur fitoren që është në prag.

FJALA E PLOTË

Të dashur miq, të dashur drejtues dhe kandidatë të PD.

Së pari u përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë që u takoj sot për të diskutuar me ju çështje thelbësore të programit tonë për qytetarët shqiptarë.

Xhonatani erdhi dje në zyrë dhe më paraqiti këtë dokument të hartuar bashkë me ju për t’i dhënë përgjigje një prej problemeve më të rëndësishme që ju keni dhe zvarritet në kalendar për shkak të burokracisë, korrupsionit dhe faktorëve të tjerë.

E lexova, i thashë që unë e firmos që tani këtë.

I thashë do shkojmë ne atje dhe do i takojmë dhe do e firmosim në prani të tillë.

E kam shprehur edhe në takime të tjera, të gjithë ata që kanë marrë dokumentet me të cilat kjo qeveri e mban peng dokumentin përfundimtar të legalizimit dhe legalizimi do shpallet pa asnjë akt, pa asnjë pagesë.

Së pari.

Së dyti, garantoj pronarët e tokës së zënë se ata do dëmshpërblehen me vlerë tregu nga qeveria.

Po, ne do bëjmë të drejtën siç është për t’u bërë.

Së treti, nuk do ketë urbanizim para legalizimit. Do ketë legalizim para urbanizimit.

Se këta me këtë punë e bllokuan procesin. Ne do e legalizojmë dhe pastaj askush nuk e pengon rrugën aty ku duhet të kalojë.

Ne ndërtuam 11.300 kilometra rrugë dhe në mënyrë absolute kemi pasur vetëm një protestë te Shkolla Teknologjike.

I thashë ministrit që do shpronësohen me tarifa tregu. U ul me ta dhe protesta u ndërpre.

E treta, qesharake bonuset për qiratë. I prish shtëpinë, e vendos në një ndërtesë dhe u jep gjysmën e qirasë. Do e paguash të plotë qiranë me çmim tregu.

Në qoftë se veprohet në këtë mënyrë qytetarët kanë besim tek qeveria dhe ligji. Në radhë të parë kanë besim tek e drejta që këta nuk dhunohen në mënyrë të padrejtë.

Unë u garantoj ju se këto pika të përcaktuara bashkërisht, këto firmosen këtu para jush nga Sali Berisha dhe do të jetë një nga aktet e para të qeverisë.

Pra, merr dokument një zotim solemn që do shndërrohet në ligj dhe vendim qeverie në 90 ditët e para.

Dhe garantoj shqiptarët që kanë probleme me legalizimet që ky rregull do jetë kudo në Shqipëri.

Nuk mund të vendosësh rregull në qoftë se nuk përligj, nuk zgjidh problemin e legalizimit.

Zgjidhja e problemit të legalizimit duke këputur Nyjen Gordiane, sepse kur gjërat janë të komplikuara, nyja pritet dhe ne i japim përgjigjen më të mirë këtij problemi të krijuar.

I cili, e vërteta është se ka sigurisht ndonjë problem të caktuar, që duhet zgjidhur, por ka anë të jashtëzakonshme pozitive.

Sepse në këtë proces janë krijuar qytete të tëra dhe ata, të cilët flasin si me përçmim, atyre u them se në rrugën e zhvillimit dhe të qytetërimit të kombeve, urbanizimi, dmth kalimi nga zonat rurale në qytete, është një nga treguesit më themelorë të një shoqërie.

Ndaj nuk kanë pse e shohin me kaq dhimbje koke problemin e të ardhurve, që vijnë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët dhe kontribuojnë shumë në zhvillimin e komuniteteve aty ku shkojnë.

Të dashur miq, ne kemi shpallur para jush dhe mbarë shqiptarëve projektin e Shqipërisë Madhështore.

Pse ku epitet për këtë projekt?

Nuk përdoret pa baza, përdoret me shumë baza.

Ky projekt fillon te pensionisti kësaj here.

Sepse pensionistin kjo qeveri e ka diskredituar në mënyrën më armiqësore.

Dmth ka punuar zonja e nderuar apo zotëria i nderuar gjithë jetën dhe nga viti 2013 gjer në vitin 2025, çmimet e ushqimeve me statistika zyrtare, janë rritur 40 përqind, pensioni është indeksuar vetëm me 20 përqind.

Dmth, pensioni që ai merr sot, është 20 përqind më i ulët se merrte në vitin 2013. Dhe pensioni që merr bashkëmoshatari i tij në Mal të Zi është tre herë më i lartë. Malazezët në vitin 2013 merrnin pensione më të ulëta se në Shqipëri. Malazezi e ka pensionin mesatar 450 euro, shqiptarët e kanë pensionin mesatar 170 euro.

Po çfarë ndodhi? Shumë e thjeshtë mo miq, qeveria çdo vit, të ardhurat që mbledh, që janë taksa që paguajnë qytetarët në çdo gjë, i shpërndan.

Një pjesë i lë për rrogëtarët, një pjesë për pensionistët, një pjesë i çon për shëndetësinë, poër shkollimin e fëmijëve, etj.

Ky thotë, se në qoftë se unë rris pensionet, shembet ekonomia dhe Shqipëria.

Gënjeshtër e ligë dhe banale.

Sigurisht që fondi i pensioneve nuk është një barrë, por është një barrë që duhet ta përballosh se ata kanë shkrirë jetën.

Pse Mali i Zi, Serbia e Maqedonia e trefishuan pensionin në një kohë kur tonat u indeksuan 20 përqind? Çfarë ndodhi? Fare thjeshtë, ata paratë që marrin nga buxheti i ndajnë një pjesë dhe i çojnë në fondin e pensioneve. Prandaj shkon pensioni atje 450 euro, kurse këtu mbetet 160 euro. Dëgjoja një ministre që thoshte se me 140 euro nuk je i varfër. Duhet të jesh i luajtur nga mendja që të flasësh në këtë mënyrë.

Në një kohë kur paguan korentin 85 lekë për kilovat, është dyfishuar çmimi i ujit, i ilaçeve që nuk japin as efekt.

Prandaj ne, Shqipërinë Madhështore do e fillojmë me ato të ardhura që i marrim, do i shpërndajmë krejt ndryshe.

Do i çojmë për rroga, për pensione, dhe u garantoj ju se ne do ndërtojmë më shumë rrugë, më shumë shkolla, më shumë infrastrukturë. Të pakrahasueshëm me ta.

Merrni për një moment vetëm një gjë. 2005-2013, ne dyfishuam rrogat. Nuk ka mësues që të thotë nuk m’u dyfishua rroga. Nuk ka infermier që thotë nuk m’u dyfishua rroga. Nuk ka mjek që thotë nuk m’u mbidyfishua rroga, që të gjitha. Pensionet minimale ishin të turpshe, ishin 37 euro. U rrit minimalja u bë 82 euro në fshat, pensioni në qytet u rrit në 100 e sa euro, pensioni mesatar arriti në 146 mijë lekë.

Sigurisht, këto u bënë duke marrë para buxheti, duke fut te rrogat dhe tek pensionet, ato nuk erdhët vetvetiu dhe nuk ra Shqipëria, as nuk u shemb, po u ndërrtuan 11.300 km rrugë. Po pse u ndërtuan 11.300 km rrugë?

Sepse, rrugët ndërtoheshin me çmimet që ndërtoheshin në Europë. Rruga Lushnjë-Fier është ndërtuar 1 milionë euro kilometri. Bajpasi i Fierit që është më i gjerë, është ndërtur me 2.8 milionë euro kilometri.

Autostrada Levan-Vlorë, më e gjera në Shqipëri dhe dy ura shumë të mëdha në Vjosë është ndërtuar me 2.8 milionë euro kilometri.

Kurse ky, rrugën 20 milionë euro kilometrin. Unazën e Tiranës, e merr dhe e ndan. Unaza e Tiranës, 13 kilometra ndahet në 14 copa, 14 kontrata, 14 kontraktime. Po pse? Për të vjedhur 14 herë.

Pra, a janë lekët? Lekët janë absolutisht, por lekët vidhen.

Shkojnë në Turqi, se duhet t’i dinë njerëzit. Shkojnë në Turqi për tunelin e Llogarasë, një tunel që kurrë nuk duhet të ndërtohej, sepse ai tunel është gjobë e tmerrshme për shqiptarët. A mund të them unë të mos ndërtohej një tunel? Nuk e them kurrë. Po aty në breg jetojnë 3-4 mijë banorë, njerëz të nderuar, dhe sigurisht atyre u lehtëson, por në botë nuk ndodh të investosh 60 mijë euro për një vepër publike për banor, sepse aty i takon 60 mijë euro për banor kosto e tunelit.

Dhe tjetra. Pse ndërtohet tuneli? A ndërtohet për qëllime turistike? Po. Po Qafa e Llogarasë është një nga pamjet turistike më mahnitëse në Shqipëri dhe më gjerë.

Dhe sa shkurton tuneli? Tuneli shkurton 13 minuta, me orë. Po atëherë, si u ndërtua tuneli thoni ju. Tuneli u ndërtua për të vjedhur 50 milionë euro. Kompania që ofroi ndërtimin e tunelit ofroi ndërtimin e 130 milionë. Iu dha një kompanie turke në Ankara nga Belinda Balluku 180 milionë, 50 milionë më tepër.

Ja pra, ku janë paratë. Ku do i gjejmë para ne. Paratë janë këtu. Janë paratë dhe teprojnë.

Sigurisht, kryeministri nuk mund të fluturojë me avion, të shpenzojë 21 milionë euro për 2 vite. Jo. Do udhëtojë kryeminsitri me linja ajrore tregtare si të gjithë qytetarët dhe do harxhojë as 1/50 e këtij harxhimi.

Nuk mund të vendosen në oborrin e Kryeministrisë, nuk e ka asnjë kryeministri në botë atë. Vetëm po ta ketë Sulltani i Bruneit, po këto qeveritë e demokracisë, të vendoset Kopshti i Edenit 5 milionë euro se do dalë ai të zbresë dhe të hypë shkallët midis vazove të luleve.

A bëhen këto? Ja ku janë të gjitha.

Kështu që, paratë janë. Dhe këto para do i përdorim para së gjithash për të nxjerrë shqiptarët nga varfëria ekstreme. Dhe kjo do ndodhë absolutisht në 3 muajt e parë me vendimet dhe ligjet që do miratojmë.

Nuk mjafton kjo. Njerëzit duan punë, Shqipëria duhet të prodhojë. Shqipëria nuk është hotel. Unë nuk kam asgjë kundër turizmit. Gjatë periudhës 2005-2013 nga 300 mijë turistë, u arritën 4.7 milionë turistë. Por unë nuk mund të them se vendi im është hotel. Vendi im ka pasuri përrallore, ka pasuri të jashtëzakonshme, ka rezerva minerare botërore për kromin, për hekurin, për nikelin, për bakrin, për shumë të tjera.

Ky vend ka potenciale ujore të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër në rajon.

Ky vend ka ditë diell më shumë se sa të gjitha vendet e rajonit.

Ky vend është pjellor kudo, edhe në majë të Dajtit ka lisa. Kam qenë atje.

Pra, ky vend mund të prodhojë kudo. Por, ky vend mund të presë turistë. Por, a e dini çfarë ndodh me turistët sot?

A e dini ju?

Ju paguani secili nga taksat tuaja, paguan për një turist 230 euro në vit. Dhe sa fitoni nga një turist? Sigurisht, ata që i strehojnë fitojnë, por ju të tjerët që nuk i strehoni, nuk keni hotele, apartamente, ju fitoni 4 euro për turist. Paguani 230 dhe fitoni 4. Kjo është e vërteta.

Pse kjo?

Sepse nga 11 milionë turistë që thotë Edi Rama, dalin gjithësej  7 milionë netë fjetjeje. Dalin sikur flenë gjysmë nate ata. E kuptoni çfarë informaliteti i tmerrshëm. Dhe si harxhoni?

Harxhoni, sepse investitorëve strategjikë të Ramës, Olta Xhaçka, është investitore strategjike. Ish ministrja e Jashtme, burri i saj shkon dhe merr 10 mijë m2 tokë publike në Dhërmi. Dhe tani, ju duhet t’i çoni atij atje nga taksat tuaja edhe rrugën e makinës, edhe ujësjellësin, edhe kanalizimet, edhe dritat, dhe të gjitha. Dhe harxhohen në vit për këto komplekse, çdo vit 430 milionë euro.

Merr fund kjo punë. Nuk mund të përdoren paratë tuaja në këtë formë. Kurrën e kurrës!

Paratë do përdoren ëpr rroga, pensione, do iu kthehen shqiptarëve, do iu khehen në vende pune. Këto para do iu kthehen në vende pune.

Do ulim taksat bizneseve. Do i ulim taksat në mënyrën që atyre t’u tepruar paratë që të investojnë për të krijuar vende pune.

Ku e bazojmë ne këtë? Made in Albania, prodhimi shqiptar. Krenari kombëtare ne do bëjmë prodhimin shqiptar.Se prodhimi shqiptar do na pasurojë ne, do na begatojë ne, do na punësojë ne, do na zhvillojë ne.

Ndaj dhe, vit diaspore ky. Absolutisht, do krijohet çdo lehtësi. 5 vite, çd vajzë, djalë, çdo burrë, grua shqiptare që do të vijë të investojë në Shqipëri, 5 vite do jetë pa taksa.

Po, janë bërë sipërmarrës të hatashëm shqiptarët në Itali, Greqi, Gjermani dhe kudo. Do i ftojmë ata. Do vijnë dhe ata edhe si patriotë. Do vijnë t’i japin një krah vendit të tyre.

Do ftojmë edhe të huaj.

Pra, ne do të ndezim motorrët e konomisë në shkallën më të lartë. Shqipëria mund të prodhojë kudo, mund të prodhojë çdo gjë.

A mundet ne të mos përfitojmë nga këto dhurata që i kemi nga Zoti.

Ne jemi vendi me ditë më të shumta dielli në rajon.

Çfarë do bëjmë ne?

Së bashku me bankat do instalojmë në çatitë e të gjithë shtëpive të shqiptarëve që duan, jo me detyrim, do t’u instalojmë panelet fotovoltaikë. Tani nuk kushtojnë më siç kushtonin. Dikur ishin të paprekshëm. Sot janë krejtësisht tjeter. Do instalohen që 3 vite të paguani qiranë, pas 3 viteve e keni falas.. Ta marrësh energjinë falas.

Do të përgjysmojmë çmimin e ujit. Nuk ka fatkeqësi, saqë të mos mundet Shqipëria ta japë ujin falas. Pse? Se ka ujë plot. Austria e jep ujin falas. Kemi ujë plot.

Dhe ne, absolutisht kemi ujë sa Austria, padyshim, por kemi problemet e menaxhimit. Por, të paktën taksa e ujit do përgjysmohet.

Energjia. Çmimi do jetë 7 lekë për konsumatorin, 6 lek për biznesin. Taksa 10%. Është taksa e Kuranit, është taksa e Biblës, është taksa e drejtësisë së vërtetë.

Po. Në qoftë se është transmetuar nga gjenerata në gjeneratë si taksë e pranueshme nga njeriu dhe taksë e drejtë. Ne kthehemi tek 10%, mos e pak më e ulët.

Do bëjmë çdo gjë që Shqipërinë ta shndërrojmë në një epiqendër të teknologjive më të larta.

Po pse zotohemine? Po ne zotohemi.

Se ne gjer në vitin 2008, Shqipëria në shekuj kishte qenë në grupin e vendeve me të ardhurat më të ulëta dhe doli në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Në vitin 2005 ne e kishim Shqipërinë me një penetrim interneti në popullatë 4.9%. Arritëm në 63%. Nuk jemi ne të paaftë e të pazotë, përkundrazi.

Ndaj dhe, ju siguroj se Shqipëria do të bëhet epiqendra e dataqendrave, e internetit 3, e inteligjencës artificiale, e blockchain dhe kriptomonedhave.

Këto janë ëndrrat e të rinjve tanë. Ata ëndërrojnë një Shqipëri të tillë dhe ata do ta kenë një Shqipëri të tillë.

Pra, duhet të bëjmë gjithçka, të ndahemi nga kjo e keqe që i ka rënë vendit, që ka larguar shqiptarët në 10 vjet më shumë se çdo pushtues dhe çdo regjim.

Kreu i organizatës, Edi Rama, është kryetari i një organizate të rrezikshme kriminale për qënien e shqiptarëve.

Ju, po të merrni vetëm ç’ndodh sot, 3 ditët e fundit.

Përleshja e tyre në Bashkinë e Tiranës është përleshje nga më mafiozet dhe nga më kriminalet.

Nuk ka unë asnjë sentiment se është një hajdut Erion Veliaj që, meriton të dënohet për 1 milionë pemë që ka mashtruar dhe ka vjedhur paratë e fidanëve dhe nuk i ka mbjellë. Ai meriton të dënohet për djegësine Tiranës, 130 milionë euro, që nuk ekziston.

Ai meriton të dënohet me 5D, se ata janë, ata 5D prishin si barbarë shtëpitë e qytetarëve dhe nuk i kompensonin.

Por, janë rregullat rregulla.

Erion Veliaj dënohet për ato gjëra që s’i ka bërë bashkë me Edi Ramën. Dhe ato që ka bërë, djegësin që ka bërë me urdhër të Edi Ramës nuk dënohet. Nuk dënohet për 5D, për hotelin, se u tha që është Olsi Rama aksioner. Nuk dënohet për ato.

Dhe tani, beteja mafioze. Njëri shkon dhe emëron Anuela Ristanin, Veliaj e shkarkon dhe emëron një tjetër aty kryetare. Ato janë funksione të këshillit bashkiak kudo, as të Ramës dhe as të Veliajt. Duhet të mblidhet Këshilli Bashkiak i qytetit dhe të emërojë se kush do të kryejë funksionet.

Por, betejë mafiozësh.

Rama shkon dhe emëron Sekretare të Përgjithshme një tjetër. Ky i thotë Policisë Bashkiake ndaloje hyrjen nga burgu.

E merrni vesh se ku është Tirana dhe Bashkia, në duart e çfarë mafieje të rrezikshme është.

Belind Këlliçi ka një meritë të jashtëzakonshme që nuk iu nda. Dhe qytetarët e Tiranës kanë një meritë të jashtëzakonshme që në 44 javë nuk iu ndanë atij hajduti.

Por tani, kjo është vetëm pjesa e parë e filmit Narcos. Ta keni të qartë që keni parë vetëm serinë e parë të atij filmi. Se çfarë do të shohim në seritë e tjera, do çuditet ju dhe bota.

Por ne, të lemë kreun e organizatës kriminale të kacafytet me mafien. Ne të bëjmë punë me çdo qytetar, pavarësisht çfarë bindjesh ka, në mënyrë që të bashkohet me ne.

Ju, shihni një klimë të jashtëzakonshme në diasporë. Unë kam ngel me ato takime në Romë, Athinë, Milano, Parma, kam ngel i frymëzuar, njëlloj si në vitin 1991.

Pardje, Shkodra ishte më e zjarrtë se kurrë. Ça do të thotë, çdo qytetar, çdo demokrat, çdo mbështetës i opozitës në këto kushte kur ne kemi krijuar frontin më të gjerë opozitar, në këto kushte kur ne kemi mbështetje nga kryemagjistari i fushatave elektorale në botë, Chris LaCivita, njeriu që së bashku me Suzan Uillis menaxhuan fushatën ëm të rëndësishme të kohërave, atë të fitores së Donald Trump.

Jemi në prag të një fitoreje për të cilën duhet të punojmë ditë e natë.

Ju falënderoj shumë dhe ju ftoj të vazhdojmë të frymëzuar këtë betejë fitimtare.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale