Berisha falënderon qytetarët që kanë votuar deri tani dhe bën thirrje: Votoni sa më shumë, votoni për të ardhmen tuaj

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në një deklaratë për media nga selia e PD, ka falënderuar qytetarët që kanë votuar deri tani, duke e quajtur votimin një detyrim madhor ndaj vetes, familjes dhe kombit. Berisha shprehu mirënjohje të veçantë për mijëra shqiptarë që, ndonëse nuk u regjistruan për shkak të burokracive apo frikës së qeverisë, janë kthyer në Shqipëri për të votuar.

Lideri Opozitar, Sali Berisha bëri thirrje që të gjithë shqiptarët të dalin në votime, duke theksuar rëndësinë e këtij akti për të ardhmen personale dhe kolektive, për ekonominë, pensionet dhe mirëqenien.

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se procesi zgjedhor po zhvillohet nën një vëzhgim të rreptë ndërkombëtar dhe kombëtar, dhe paralajmëron se kushdo që shkel ligjin do të mbajë përgjegjësi të plotë. Berisha theksoi se dita e sotme është një moment historik, ku sovrani, pra populli, do të japë një verdikt të rëndësishëm për të ardhmen.

DEKLARATA E PLOTË

Falënderoj ata qytetarë që gjer tani kanë hedhur votën e tyre, kanë votuar duke kryer kështu një detyrim madhor të çdo shqiptari mbi moshën 18-vjeçare.

Detyrim madhor ndaj vetes, familjes, shoqërisë, Shqipërisë dhe kombit.

Një falënderim i veçantë dhe mirënjohje e pakufishme për ata mijëra e mijëra shqiptare dhe shqiptarë që nuk u regjistruan dot për shkak të burokracirave dhe frikës së qeverisë ndaj votës së tyre, por kanë vërshuar nga ajri, nga toka dhe nga deti dhe janë dyndur sot dhe po votojnë në Shqipëri.

Mirënjohja ime është e pakufishme ndaj tyre.

Ata me votën e tyre i gjenden vendit dhe kombit në një moment, në të cilin kanë nevojë shumë të madhe.

Së fundmi, edhe njëherë thirrja ime është për çdo shqiptar: voto, voto, voto për veten tënde, për fëmijët e tu, për vendin tënd, për të ardhmen tënde, të fëmijëve të tu, për biznesin, për rrogat, për pensionet, për fermën.

Pra, është një votim më shumë se kurrë për interesat më të rëndësishme të çdo qytetari.

Tani, çdo gjë ka një vëzhgim ndërkombëtar shumë serioz dhe vëzhgim kombëtar po kaq serioz.

Dhe secili që merr përsipër të shkelë ligjin në këtë proces, do bëhet përgjegjës në mënyrë absolute.

Një gjë mund t’u them se sot sovrani jep një verdikt historik…

…Unë them sot sovrani do japë një verdikt historik dhe kjo është e vërteta.

Po cili është ai që nuk i bindet historisë?

Pra, kështu është kjo.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale