Berisha falënderon qytetarët: Protesta e radhës do jetë e fuqishme! Ne jemi në këtë betejë me moton, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PROTESTËN E 8 KOMBËTARE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur për gazetarët nga selia, ka falënderuar qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes së opozitës për të protestuar kundër qeverisë së Edi Ramës. Berisha u shpreh se, shqiptarët kanë moton e tyre ‘ja të vdesim, ja të rrojmë për liri’, ndërsa ka paralajmëruar Edi Ramën se fundi i tij është pashmangshëm.

Gjatë prononcimit për gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, Mirlinda Karçanaj e ka kërcënuar Edi Ramën, që ta nxirrte nga ‘arresti në shtëpi’. ‘Ajo i çoi ultimatum, ose më nxirr ose këtu te unë do vijë Linda jote. Ndaj dhe ne jemi shqiptarë që nuk pajtohemi kurrë me këta horra. Ne jemi shqiptarë që nuk pajtohemi kurrë me këta vjedhës, me këta hajdutë’, tha Berisha.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, lideri i opozitës Sali Berisha ka deklaruar se, Skënder Hitaj do të marrë përgjigjen e merituar për sulmet ndaj qytetarëve protestues. I pyetur nga gazetarët për përballjen me policinë pranë Ministrisë së Brendshme, kryedemokrati u shpreh se, e dinin se rruga do të bllokohej.

Duke folur për gazetarët nga selia e PD, lideri i demokratëve Sali Berisha u shpreh se protesta e radhës do të jetë më e fuqishme. ‘Dhe sot për sot, këta dhjetëra mijëra njerëz që mbushin sheshin në çdo kohë, këta janë heronj të vërtetë. Këta protestojnë në emër të miliona e miliona shqiptarëve’, theksoi Berisha. Kryetari i PD-së ka falënderuar dhe gazetarët, duke u shprehur se i respekton ata, dhe se problemin e ka me pronarët e medieve.

PRONONCIMI I PLOTË:

Së pari, një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ju që sot, këtë ditë shiu, këtë ditë jo të lehtë, latë çdo gjë dhe si elitë e vërtetë e guximit të kombit dolët në shesh për t’u përballur me të keqen më të madhe të shqiptarëve.

Për t’u përballur me narkoregjimin e Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe Lindave të tij.

Sot, regjimi dëshmoi përsëri fytyrën e tij të vërtetë, bllokoi marshimin paqësor tonë.

Bllokoi marshimin tonë paqësor.

E garantoj se do të ketë të gjithë përgjegjësitë që meriton.

Miq, nuk ka polici në botë që mund një popull kryengritës.

Ta harrojnë, kurrë!

Dhe ne jemi në këtë betejë me moton e hershme të shqiptarëve, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri!

Asgjë në botë nuk mund të na imponojë ne të pranojmë pushtetin e hajdutëve dhe kriminelëve si Edi Rama.

Të pranojmë pushtetin e një lubie të vërtetë të shqiptarëve.

Hajdut që me vjedhjen e pasurive, vjedhjen e fondeve, mjerojnë qindra e mijëra shqiptarë.

Largojnë nga vendi qindra mijëra të tjerë.

Ndaj dhe beteja jonë është betejë për çdo qytetar shqiptar.

Beteja jonë është betejë për dinjitetin e çdo shqiptari.

Beteja jonë është betejë për të ardhmen e Shqipërisë.

Beteja jonë është betejë, është kryengritje kundër regjimit më të keq, kundër mafies më të rrezikshme që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj.

Asgjë nuk do mund të na mposhtë ne pa nisur në burg Lubi Ballukun, atje ku e ka vendin kjo hajdute e pafytyrë, që për fytyrë ka vjedhjen dhe cinizmin.

Pa larguar nga pushteti dhe dërguar para ligjit kriminelin Edi Rama që i ka dhënë pushtetit të sotëm moralin e etereve të tij xhelatë.

Por ne jemi në këmbë.

Edhe njëherë, kam një mirënjohje të pakufishme.

Asgjë nuk u dekurajoi ju sot.

As terrori i policisë së radhës së kaluar, as moti,as propaganda e turpshme e mafies mediatike që këndon, që mban në 24 orë ison e propagandës së Edi Ramës, vetëm e vetëm se si mamuthë, si shushunja pinë gjakun, paguhen me paratë tuaja për t’u mashtruar ju.

Jo, jo, kjo kohë do marrë fund.

Ja pse jemi ne në këmbë.

Dhe në mënyrë absolute asgjë nuk na mposht.

Edi Rama, dije mirë se të ardhme nuk ke.

Fundi yt është i pashmangshëm.

Lubi Balluku, Lindat e shpifura të AKSHI-t dhe Surrelit, në burg tek Lubia do shkoni për vjedhjet që keni bërë.

Sot Edi Rama nxori nga arresti i shtëpisë njërin nga krerët e organizatës kriminale të AKSHI-t, Mirlindën.

Ajo i çoi ultimatum, ose më nxirr ose këtu te unë do vijë Linda jote.

Ndaj dhe ne jemi shqiptarë që nuk pajtohemi kurrë me këta horra,.

Ne jemi shqiptarë që nuk pajtohemi kurrë me këta vjedhës, me këta hajdutë.

Ne nuk pajtohemi me këta kriminelë.

Edhe njëherë, ja vdekje ja liri, ne do të fitojmë.

Beteja vazhdon.

Edhe më të pamposhtur.

Edhe më të fuqishëm.

Edhe më të vendosur se kurrë më parë.

Edhe njëherë mirënjohje të pakufishme guximtarët e kombit, elita e guximit të kombit, shpëtimtarët e tij.

Faleminderit.

Fitore, fitore, fitore!

Pyetje: Zoti Berisha, a u ndjetë i vënë në kurth nga Skënder Hitaj duke qenë se nuk lejoi të shkonit as deri tek Ministria e Brendshme?

Sali Berisha: Në qoftë se do ndjeheshim në kurth, ne i kishim rrugët e tjera të hapura. Ai mendoi ato, por jo. Ne shkuam drejt aty.

Pse nuk ndoqët rrugët e tjera?

Sali Berisha: Jo pra, në qoftë se ai mendoi se na bëri kurth, gaboi. Ne e dinim se ai kishte bllokuar rrugën. E dinim shumë mirë. E kishim marrë vesh në kohë dhe përpara. Po, po, prandaj në asnjë kurth nuk na vuri, përkundrazi ne i kishim disa rrugë të tjera ku mund të shkonim, por ne shkuam vetë drejt rrethimit.

Aty do shkonim. Dhe e siguroj se do marrë përgjigjen e merituar. Në mënyrë absolute. Mos harroni, ne kemi një strategji paqësore. Por strategjia jonë është strategjia e njerëzve të pamposhtur, e njerëzve që do të qëndrojnë në interesat më jetike të qytetarëve shqiptarë.

Pyetje: Keni një datë për protestën e radhës? Para apo pas zgjedhjeve në PD?

Sali Berisha: Qëndron pyetja jote. Do ta shohim. Nuk kam një përgjigje sot. Por protesta do të jetë e fuqishme.

Tani, edhe në qoftë se bëhet para, nuk ka asnjë lidhje. Çdo protestë e jona ka lidhje me një regjim antishqiptar, armik të qytetarëve shqiptarë, absolutisht.

Dhe sot për sot, këta dhjetëra mijëra njerëz që mbushin sheshin në çdo kohë, këta janë heronj të vërtetë. Këta protestojnë në emër të miliona e miliona shqiptarëve.

Koha do provojë se çfarë misionarësh të rëndësishëm, çfarë misionarësh të vërtetë ishin këta burra dhe gra, djem dhe vajza që qëndruan të pamposhtur nga protesta në protestë, nga kryengritja në kryengritje.

Sali Berisha: Faleminderit që e ndoqët dhe u përshëndes. Edhe njëherë, në qoftë se unë kam probleme direkt të pamohueshme me pronarët tuaj, unë kam respektin më të madh për ju.

Ta dini këtë. Mos i ngatërroni gjërat. Por ata kanë punë me mua dhe unë kam punë me ta.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale