BASHKËBISEDIMI ME QYTETARËT ONLINE I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka falënderuar qytetarët për mbështetjen gjatë asaj që ai e cilësoi si betejën më të vështirë të jetës së tij, duke deklaruar se vendimi për heqjen e dizenjimit amerikan, ishte një korrigjim i një padrejtësie të madhe. Gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët, Berisha tha se beteja e tij nuk kishte të bënte vetëm me emrin personal, por me dinjitetin e miliona shqiptarëve që, sipas tij, i kanë besuar ndër vite. ‘E ndërmora këtë betejë për të mbrojtur dinjitetin tim dhe dinjitetin e miliona shqiptarëve që më kanë votuar ndër dekada. U jam mirënjohës të gjithë qytetarëve për kurajën dhe mbështetjen e tyre’, deklaroi ai.
Duke iu përgjigjur interesimit të qytetarëve për heqjen e pengesave për udhëtimin e tij në Shtetet e Bashkuara, kryedemokrati Sali Berisha theksoi se zgjodhi rrugën e gjykatës për të mbrojtur dinjitetin e tij. Ai u shpreh se, nuk pranoi të heshtte përballë një vendimi që e konsideronte të padrejtë dhe vendosi të sfidonte akuzat përmes rrugës ligjore. ‘Zgjodha gjykatën si rrugën e nderit për t’u përballur me këtë padrejtësi. Sot mund t’ju siguroj se do të shkoj në SHBA dhe atje kam shumë miq, të cilët mezi pres t’i takoj’, u shpreh kreu i PD. Berisha theksoi se, vendimi i autoriteteve amerikane përfshin jo vetëm atë, por edhe familjarët e tij.
Pjesën me të madhe të bashkëbisedimit me , liderit të opozitës Sali Berisha ja kushtoi protestës qytetare që prej dy javësh po zhvillohet në Tiranë. Ai e cilësoi atë si lëvizjen më të madhe qytetare që ka njohur vendi që prej viteve ’90, duke e përshkruar si përballjen më serioze me atë që ai e quajti ‘diktatura autoritare e Edi Ramës’. ‘Prej 13 ditësh Shqipëria po njeh lëvizjen më të jashtëzakonshme rinore dhe qytetare në historinë e saj. Kjo është lëvizja më e fuqishme që po përballet me diktaturën e Edi Ramës dhe narkoshtetin e tij’, deklaroi Berisha. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, që të mbështesin protestën. ‘Çdo shqiptar që e do këtë vend duhet ta mbështesë këtë lëvizje. Ajo është përtej partive politike dhe përfaqëson ndërgjegjen qytetare të shqiptarëve’, tha Berisha.
Gjatë bashkëbisedimit, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha hodhi akuza të forta ndaj Edi Ramës, duke e akuzuar për shndërrimin e zgjedhjeve në farsë, kapjen e institucioneve dhe përfshirjen në afera të mëdha korruptive. Sipas tij, protesta qytetare ka lindur si reagim ndaj varfërisë, emigrimit masiv, gjendjes së rëndë në arsim dhe shëndetësi, si dhe mungesës së perspektivës për të rinjtë shqiptarë. ‘Rinia shqiptare po ngrihet kundër një regjimi që ka shndërruar zgjedhjet në farsë, administratën në instrument presioni politik dhe Shqipërinë në vendin nga ku të rinjtë largohen çdo ditë’, deklaroi ai.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha vlerësoi protestuesit si simbol të një ndërgjegjeje të re qytetare. Ai theksoi se, në rrugët e Tiranës është ‘vrarë frika’ dhe se kjo, sipas tij, përbën sfidën më të madhe për qeverinë. ‘Kurrë më parë nuk është ngritur me kaq forcë përgjegjësia qytetare e shqiptarëve. Çdo qytetar duhet të pyesë veten se çfarë mund të bëjë për suksesin e kësaj lëvizjeje. Bashkë mund ta rikthejmë Shqipërinë në rrugën e votës së lirë dhe të së ardhmes europiane’, tha gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët, kryedemokrati Slai Berisha.

FJALA E PLOTE:
Qytetare dhe qytetarë, demokrate e demokratë që ndiqni këtë bisedë, përsëri një mirënjohje të pakufishme ndaj jush për mbështetjen, kurajën, guximin që dëshmuat këto pesë vite në mbështetje të kauzës që unë mbrojta.
Të Sali Berishës dhe betejës së tij për dinjitetin njerëzor.
Unë dua t’u garantoj ju, t’u siguroj secilin prej jush se unë ndërmora këtë betejë më të vështirën e jetës sime në disa aspekte, por e ndërmora atë për të mbrojtur si dinjitetin tim, dhe dinjitetin e atyre miliona shqiptarëve, të cilët në dekada kishin votuar Sali Berishën më shumë se çdo politikan tjetër të këtij vendi.
Në këtë kuadër unë besoj se bëra detyrën time si njëri prej jush.
Dhe për ta mbyllur këtë, duke falënderuar edhe njëherë përzemërsisht administratën e presidentit Trump dhe sekretarin Rubio për korrigjimin që i bënë një vendimi fund e krye të padrejtë, u ftoj të mobilizojmë të gjithë energjitë tona, të bashkohemi në misionin tonë të madh, rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve dhe të ardhmes së merituar për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Të dashur miq, prej 13 ditësh, Tirana dhe Shqipëria po njohin lëvizjen rinore qytetare më të jashtëzakonshme, më të paprecedent, më madhështore në historinë e tyre.
Kjo lëvizje në thelb, në esencë, e cila filloi për shkaqe dhe ndjeshmëri qoftë të drejtash njeriu, zvarritja e banorit në Zvërnec në mënyrë shtazore, mungesa e plotë e transparencës për çdo gjë, për çdo zhvillim në atë vend dhe telat me gjemba, kjo lëvizje në fakt është lëvizja më e fuqishme që po përballet me diktaturën autoritare të Edi Ramës, narkoshtetin e tij.
Kjo lëvizje që ka në brendinë e vet guximin më të madh të kombit shqiptar, mbartës i të cilit janë të rinjtë shqiptarë.
Ka në brendinë e vet ndërgjegjen më të lartë kombëtare për t’u cliruar nga një regjim autokratik, i cili ka shndërruar zgjedhjet në farsë zgjedhore.
I cili arreston në vitin elektoral krerët e opozitës njëlloj si Zajedi i Tunizisë.
I cili ka shndërruar administratën në terroristë politikë të votës së shqiptarëve.
I cili ka vjedhur me organizatën e tij kriminale miliarda, miliarda euro dhe mund të jetë sot me pasuri përrallore të fshehura.
Mos harroni një gjë se një raport i OSBE deklaroi në vitin 2014 se Edi Rama ka të fshehura në bankat offshore 200 milionë euro, dhe kjo të siguruara të gjitha si kryetar bashkie me leje ndërtimi etj, imagjinoni tani kur ai vendosi në pjatë të gjithë Shqipërinë se sa ka.
Imagjinoni!
Imagjinoni tani se sa merr ai vetëm me Portin e Durrësit, i cili është një pasuri publike e barabartë me 4 miliardë euro dhe e shndërron në Dubai Sitin e 1001 netëve të tij.
Imagjinoni sa ka marrë ai me rrugët që i ndërton me çmime 6 deri 10 fish më të larta se në BE.
Sa ka plaçkitur ai me AKSHI-n e tij, ku projektet disbursohen për kunatin e bashkëshortes 100 përqind kur punimet janë zero ose afër zeros.
Kjo protestë e fuqishme qytetare është protestë e bekuar nga Zoti.
Rinia shqiptare u ngrit për të gjithë vëllezërit, motrat, bashkëmoshatarët e vet që morën rrugët e dheut dhe ëndrrën e tyre rinore, individuale dhe familjare, sepse Shqipëria nuk u jepte strehë për ëndrrën e tyre.
Të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë po protestojnë sot sepse shkollat janë katandisur dhe ka rënie të tmerrshme, të turpshme në pikiatë.
Sepse prindërit e tyre marrin pensionet më qesharake apo rrogat më të ulëta në Evropë.
Sepse spitalet e Shqipërisë janë spitale jo të botës së tretë, por të katërt me mungesat më elementare.
Se tërë këto politika në të vërtetë përbëjnë një gjenocid të mirëfilltë, të heshtur të kësaj qeverie ndaj shqiptarëve.
Duke përfunduar, unë bëj thirrje çdo demokrati dhe demokrateje, çdo zgjedhësi, çdo qytetari që ka votuar dhe voton për PD, por edhe çdo shqiptari që e do këtë vend, që të ka dëshirë të jetojë me dinjitet në këtë vend dhe fëmijët e tij të vazhdojnë ëndrrën e tyre në këtë vend, të mbështesë çdo protestë.
Ata kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve.
Asnjë pretekst nuk ka të drejtë të përdoret për mosmbështetjen e tyre.
Mos harroni se ajo protestë është tej partive politike.
Në atë protestë ka qytetarë që nuk kanë qenë kurrë në parti politike, ka të rinj që nuk kanë qenë ndonjëherë në forumet e partive politike, por ka edhe dhjetëra, qindra, mijëra anëtarë të forcave politike të qendrës së djathtë dhe të majta dhe natyrshëm aty do ketë slogane që një palë do i pëlqejë, kurse një palë tjetër mund të mos i pëlqejë.
Por nuk duhet të jetë kurrë ato që të errësojnë pamjen madhështore, misionin e madh të kësaj proteste.
Ndaj dhe ai që i thotë vetes shqiptar dhe e do këtë vend, duhet të mendojë se si ta ndihmojë suksesin e kësaj proteste.
Mos harroni një gjë, Edi Rama është një diktator autoritar, qeveris në stilin e etërve të tij.
Do më falni, e patë mitingun e tij të djeshëm?
Çfarë ishte ai?
Ai aty lexoi elegjinë e vetes së tij, mitingu ishte një miting funebër, de facto për të gjithë ata që i ndjekin, ai miting shënoi fundin e partisë së krimit.
E një partie që u themelua në krim.
E një partie që shndërroi krimin në sistem.
E një partie që vazhdon krimin në të gjitha aspektet.
Ndaj dhe ata qytetarë kanë nevojë të jashtëzakonshme për mbështetjen e çdo shqiptari.
Nuk duhet që slogane me protagonistë opozitën e opozitës apo grupime të caktuara të dekurajojnë…
Në asnjë mënyrë.
Opozita e opozitës është vegël e qeverisë, por u garantoj se nuk është asgjë tjetër vetëm si ajo miza në shpinën e kalit, siç thotë Denis Diderot, që beson se e tërheq karrocën.
Por atë karrocë e tërheqin, atë uragan e tërheq përgjegjësia dhe ndërgjegjja qytetare e të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë.

BASHKEBISEDIMI ONLINE ME QYTETARET
Berisha: E mbrojta dinjitetin tim në gjykatë, do të rikthehem në SHBA dhe do të takoj miqtë e mi
Albanian American: Doktor, heqja e sanksioneve për interes kombëtar të SHBA, është një logjikë diplomatike e përdorur në raste të veçanta. E kemi parë tek Mandela apo tek Narendra Modi, kryeministri i Indisë. Pra, performanca nuk është për arsye shëndetësore, por përdoret kur personi kontrollon një proces të rëndësishëm politik, duhet të marrë pjesë në negociata dhe ka rol në stabilitetin e vendit. Pra, në lidhje me Mandelën, arsyet e dizenjimit ishin të ndryshme, por logjika diplomatike është e njëjtë siç u pa më vonë. Mandela takoi presidentin e vendit, u konsiderua si aktor i rëndësishëm politik dhe pati vizita të shumta në Uashington, derisa u shpall president. Po ashtu dhe Modi i Indisë. Ka diçka që nuk na e thoni? Pra, ndonjë ftesë të nivelit të lartë që lidhet me personin tuaj? Faleminderit.
Sali Berisha: Faleminderit shumë për pyetjen. Unë ndjehem shumë mirënjohës ndaj të gjithë shqiptaro-amerikanëve dhe miqve të mi amerikanë që më dhanë mbështetje të fuqishme.
Por duhet të jemi realistë.
Modi u hoq kur u bë kryeministër i vendit të dytë apo vendit të parë më të madh në botë në popullatë.
Mandela kur u bë simbol i qëndresës njerëzore.
Por në dallim nga të gjithë të tjerët, Sali Berisha zgjodhi një rrugë tjetër. Zgjodhi gjykatën, padita për shpifje Sekretarin e Shtetit, i cili me vendimin e tij, pa asnjë bazë, lëndoi dinjitetin tim.
Tani do kërkoj durimin tuaj t’ju bëj një shpjegim. Në qoftë se kthehemi në vitet ’80, Sali Berisha ka qenë një kardiolog i apasionuar, shumë i apasionuar.
I dashuruar shumë pas profesionit të tij, por ka qenë dhe një studiues me publikime origjinale serioze ndërkombëtare. Ka qenë pra një mjek me zero ambicie politike. Vendimi i Sali Berishës për t’iu kundërvënë regjimit në mënyrë absolute nuk kishte asnjë qëllim pushtetin.
Sepse e dija mirë që regjimi me të cilin do të përballesha, kishte çdo fuqi që brenda një minute të më tregonte vendin mua për gjithmonë.
Po atëherë pse e mora unë atë vendim? Atë vendim e mora për dinjitetin tim. Duhet të jem shumë i sinqertë. Sepse unë nuk mund të pranoja më atë duplicititetin, të luajmë atë dupleks që na ishte imponuar në diktaturë, që të tjerë të mendonim dhe të tjerë të thoshim në kolektiv.
Nuk mund të pranoja kurrë të qëndroja indiferent, ta pranoja atë tirani urie, tiraninë e urisë që nuk ekzistonte në asnjë vend tjetër ish-komunist si në Shqipëri. Kur them tirani urie, unë jam mjek dhe unë konstatoja çdo ditë sëmundjet e urisë kronike të qytetarëve shqiptarë, e defiçitit proteinik.
Nuk mund të pranoja atë izolim të tmerrshëm të një kombi, që nuk e pranon izolimin. Pra, të gjitha këto së bashku kishin të bënin me dinjitetin tim. Dhe unë çdo ditë që qëndroja në duplicitet, nuk isha ai që duhet të isha.
Dhe atë vendim e mora. Historia e zhvillimeve dihet më vonë. Por unë, qëndrimin tim, shkrimet e mia, prononcimet e mia kishin lidhje vetëm me një gjë: të bëja atë që s’kisha bërë.
E vërteta është se ai vendim më mori disa vite mua. Nuk ishte vendim i lehtë, të jemi të hapur miq. Kisha fëmijë, kompleksi i rrethanave familjare nuk më lejoi që ta merrja më shpejt.
Mund ta merrja, po për vete, po ama duhet të mendoja në kompleks.
Kurse tani, kaq vite më vonë, pasi isha pothuajse krejt i tërhequr nga jeta politike, përveçse interesit kombëtar, ai nuk lëshohet kurrë, gjer në minutën e fundit. Edhe në varr po të mundesh duhet ta mbrosh.
Asgjë tjetër nuk merresha. Tani Edi Rama me mentorin e tij gjetën si rrugë për të më skualifikuar mua, dizenjimin, nga njeriu që më kishte lavdëruar më shumë se kushdo tjetër në botë për luftën e suksesshme kundër korrupsionit.
Ai është. Të shihni shkoni merrni minutat e takimit tim kur ka qenë top-këshilltar tek zëvendëspresidenti Biden.
Kështu që dhe këtë radhë duhet të mbroja dinjitetin tim. Kisha bërë një betejë ku kisha vendosur çdo gjë timen në funksion të saj.
Por kjo nuk më deshi vite, kjo më deshi jo më shumë se gjysmë ore. Dhe ne si shqiptarë që kemi kult mikun, edhe mirë e kemi, kemi një thënie: Zot mbrona nga miqtë, se nga armiqtë ruhemi vetë.
E kam thënë atëherë, ja kam përsëritur vetes 100 herë dhe zgjodha gjykatën, si rrugën e nderit për t’u përballur. Kjo natyrisht zgjoi reaksione, unë jam i vetëdijshëm.
Por unë ju siguroj se do shkoj në Shtetet e Bashkuara dhe atje kam shumë miq dhe mezi pres t’i takoj, natyrisht në kohën të përshtatshme për ta. Faleminderit.
Muharrem Kurti: Doktor përshëndetje. Uroj që të udhëtoni sa më shpejt drejt Amerikës. Pyetja ime është: Protestat siç duket do ta rrëzojnë regjimin e Ramës. Doktor, ju dhe stafi juaj duhet të keni qeverinë në hije, që edhe elektorati ta dijë se nga kush do të qeveriset. Faleminderit.
Sali Berisha: Muharrem, në qoftë se më pyet mua lidhur me udhëtimin, unë ju falënderoj por natyrisht nuk kam një axhendë të shpejtë, por pres me kënaqësi kur të organizoj një udhëtim timin në këtë vend të madh mik.
Por meqenëse ma the këtë, prapë po të rikujtoj. Me datën 13 mars të ’91-shit, unë kam udhëtuar për herë të parë drejt Shteteve të Bashkuara.
Departamenti i Shtetit dërgoi një person që të na shoqëronte, të na merrte, të na shoqëronte për të qenë të pranishëm në ceremoninë e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, së bashku me mikun dhe të ndjerin Gramoz Pashko.
Por gjatë fluturimit në avion, më është dukur vetja më i fatlumi i shekullit.
Sepse tashmë kryetari i opozitës shqiptare, udhëtimin e parë ndërkombëtar, po e bënte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë që udhëheqja komuniste e kishte bërë drejt Moskës.
Pra, unë po e bëja drejt aleatëve, miqve të mëdhenj natyralë të shqiptarëve, ata e kishin bërë drejt armiqve të kombit shqiptar. Kështu që, nuk është lëkundur asgjë në ndjenjat e mia ndaj kombit të lirisë, kombit të madh të lirisë dhe vendit mik.
Këto desha të shtoj me këtë rast.
Lidhur me protestën, e drejtë është ajo, Muharrem. Cilido që pyet për shanset e kësaj proteste duhet të pyesë veten, miqësisht e shtoj: çfarë po bëj unë për suksesin e saj?
Unë ju them që shanset e saj për sukses janë jashtëzakonisht të mëdha. Por përsëri ju them që për të arritur suksesin që meriton, duhet që çdo shqiptar i vetëdijshëm për këtë situatë, të japë ndihmën dhe kontributin e tij.
Ftoj sidomos të rinjtë e zonave rurale, të cilët lodhen gjatë ditës, të cilët gjenden gjatë ditës, përsëri, pas punëve që bëjnë, le të vërshojnë drejt Tiranës, t’i bashkohen kësaj proteste se ju garantoj, i garantoj se është investimi më i madh që bëjnë për të ardhmen e tyre.
Zhvillimet i ndjekim me shumë interes. Nuk është një proces, siç e vlerësoj unë, e domosdoshme është nga kjo lëvizje t’i imponohet.
Shqipëria t’i imponohet një qeveri kujdestare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo, mendoj unë, duhet të jetë misioni se unë jam i bindur që ata janë qytetarë me shpirt demokrat, me shpirt demokratik, njerëz të rendit kushtetues, kështu që kuptohet që pushteti arrihet nëpërmjet votës së lirë.
Dhe ky është shërbimi më i madh, Partia Demokratike ishte në protestë, meqenëse bulevardi është çdo ditë, ne u bëjmë thirrje qytetarëve, anëtarëve dhe mbështetësve tanë të shkojnë, por ne kemi të gjitha përgatitjet tona për çdo eventualitet.
Xheni Kodra: Zoti Berisha, Politico e Brukselit sapo ka botuar një shkrim ku Rama thotë se janë më të rëndësishëm investitorët e huaj se shqiptarët. Cili është komenti juaj?
Sali Berisha: Në fakt nuk e kam lexuar, por kjo është një gjë e tmerrshme.
Kjo është logjika e atij që do të shumëfishojë me çdo kusht miliardat e veta.
Por një Shqipëri pa shqiptarë do ishte akti më i madh i tradhtisë kombëtare të të gjitha kohërave.
Dhe e vërteta është se unë e kam thënë me dhjetëra herë se platforma e Edi Ramës në Shqipëri ngjan me atë të Vaso Çubrilloviçit në Serbi.
Mund t’u jap me dhjetëra shembuj.
Mund të imagjinoni ju që në kulmin e rritjes së çmimit të naftës u heq fermerëve subvencionet, për t’ua lënë tokat djerrë, për t’i detyruar që të ikin dhe të shkojnë të punojnë tokat e tjerave.
Ky shpopullimin e ka politikë.
I përshëndes ata që i çuan shtratin bosh tek dera e kryeministrisë sepse janë miliona shtretër bosh të lënë gjatë këtyre 10 viteve.
Vetëm në hapësirën e BE kanë emigruar gjatë 10 viteve 1 milion e 99 mijë shqiptarë.
Pra, 1 milion e 99 mijë shtretër nuk janë më, janë bosh.
Dhe të deklarosh një gjë të tillë është një urrejtje e pakufishme dhe çmenduri.
Arif Bakameni: Doktor, protesta sot shënon ditën e 14 të saj. Mendoni se duhet të marrin pjesë demokratët kur dëgjojnë thirrje kundër PD? Ne kemi 13 vjet rrugëve dhe nuk e kuptoj këtë logjikë proteste. Dakord, shënjestrohet Rama. Mos ka një tentativë për të kapur protestën nga vetë Rama apo veglat e tij?
Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen, mendoj se lutja, këshilla, kërkesa ime është: çdo demokrate e demokrat vendin e ka në atë protestë.
Është protesta më qytetare.
Dhe Arif, në qoftë se themi se është protesta më qytetare, do të thotë që është protestë jashtë partive politike.
Po mirë mund të më thuash çfarë mund të ndodhë?
Po, është fibra qytetare, është përgjegjësia qytetare, janë dhjetëra mijëra dhe herë herë qindra mijëra qytetarë që ngrihen në lartësinë e përgjegjësinë që kanë ndaj vendit dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.
Tani, për sa u përket sloganeve kundër nesh, janë absolutisht vepër… më fal, qytetarët janë të lirë të thonë çdo slogan që duan, por ata që përpiqen t’i manipulojnë, ata janë mjeranë, ata janë mjeranë, janë opozitë e opozitës, vegël e qeverisë.
Injorojini dhe mos keni asnjë impresion nga ato slogane.
Nuk duhet miku im që gjethet të na pengojnë për të parë trungun e mrekullueshëm.
Të bëjmë gjithçka që kjo lëvizje të triumfojë.
Është lëvizja më qytetare që kemi pasur ndonjëherë nga viti 1990 gjer sot.
Shyqyri Myrtollari: Doktor përshëndetje. Banorët e Rrjollit vazhdojnë betejën e tyre për mbrojtjen e pronave dhe sot mediat raportojnë se ata kanë hedhur poshtë edhe gardhet rrethuese të vendosura në zonë. Duket se frika është vrarë tashmë dhe qytetarët po zgjedhin rezistencën e hapur për të mbrojtur atë që e konsiderojnë pronën e tyre të trashëguar brez pas brezi. Protestat në Rrjoll kanë hyrë në një fazë të re, me banorët që deklarojnë se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre. Si e komentoni këtë kauzë dhe a mendoni se çështja e Rrjollit është kthyer tashmë në një simbol të betejës së shqiptarëve për mbrojtjen e pronës private përballë asaj që protestuesit e konsiderojnë si padrejtësi dhe grabitje me ndihmën e shtetit?
Sali Berisha: Së pari ne qëndrojmë për respektimin e plotë të së drejtës së qytetarëve shqiptarë për pronën kudo që janë. Kjo është, ky është qëndrimi ynë i palëkundur.
Së dyti, gjatë periudhës tonë në pushtet, ju nuk keni parë kurrë as të shemben gardhe, as të vendosen tela me gjemba.
Pse? Sepse ne kemi patur një ligj. Dhe ky ligj detyronte qeverinë, pasi ajo firmoste leje zhvillimi apo leje ndërtimi e të tjerë me radhë për kompanitë, detyronte qeverinë që çdo kërkese të drejtë për pronën t’i përgjigjej me vlerën e tregut.
Ndaj dhe në 8 vite, ka patur vetëm një protestë disa ditësh të banorëve tek shkolla Teknologjike kur po ndërtonim Unazën e Tiranës dhe absolutisht pasi u studiua kërkesa e tyre, atyre iu dha menjëherë të drejtë, iu garantua shpërblimi me vlerën e tregut dhe nuk ka ndodh ndonjë protestë tjetër, ndonëse ka patur shpronësime për ndërtime publike të padiskutueshme që ka patur, nuk them se s’ka patur se rruga kalonte aty ku kishte dhe pronë private dhe pronë publike.
Kështu që, është për mua, është qeveria që ndez të gjithë sherrin. Qeveria nuk mund të japë, nuk mundet të japë leje zhvillimi apo leje ndërtimi aty ku ekziston konflikti për pronën.
Geraldina Kola: Përshëndetje doktor, ju keni bërë thirrje për një revolucion paqësor kundër kësaj qeverie. Duke parë se protestat e qytetarëve deri tani janë zhvilluar pa asnjë të arrestuar, pa asnjë xham të thyer dhe pa asnjë gur të hedhur ndaj institucioneve. A mendoni se kjo është pikërisht forma e reagimit qytetar që keni kërkuar prej kohësh?
Sali Berisha: Mendoj se kjo është forma më paqësore e reagimit qytetar. Geraldina, ka një risi të një rëndësie të jashtëzakonshme në këtë protestë.
Në bulevardin dhe rrugët e Tiranës u vra shtriga frikë, u vra frika nga të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë. Dhe kjo e bën absolutisht të pashpresë Edi Ramën. Ndaj dhe një herë çdo shqiptar ka një moment historik të japë një dorë, të japë një krah suksesit të kësaj lëvizje.
Si qytetar, jo si partiak. Kjo nuk është lëvizje partiake. Kjo është lëvizje qytetare, jashtë partive, i kalon kufijtë e partive.
Duhet të kemi këtë vetëdije, pra duhet ta mirëpresim këtë zhvillim që është absolutisht në interesin më të madh të vendit dhe kombit.
Alban Tirana: Përshëndetje doktor Berisha, e drejta vonoi, por fitoi ndaj padrejtësisë sorosiane. Zoti Berisha, parlamenti me shumicë socialiste dy herë e ka refuzuar gjenocidin serb në Kosovë. Kërkohet përsëri kërkesa për rezolutën në parlamentin shqiptar. Nëse shumica socialiste nuk e aprovon, atëherë Rama dhe deputetët socialistë për turpin e tyre të shpallen anti-kosovarë?
Sali Berisha: Faleminderit shumë Alban për sugjerimin.
Vlerësoj absolutisht si antishqiptar qëndrimin e tij ndaj gjenocidit ciklik serb ndaj shqiptarëve. Historia nuk zhbëhet dot.
Cilido që lexon masakrat e bëra nga vitet 1870 gjer në vitin ’99, gjen jo një, por gjen disa akte të tmerrshme gjenocidi ndaj shqiptarëve.
Por i kujtoj dy, jo këtë të fundit, operacionin Patkoi. Por po rikujtoj këtu vitin 1912-1913. Kur ushtritë serbe u dyndën që të shkonin drejt Vlorës dhe Durrësit për të penguar shpalljen e pavarësisë.
Shqiptarët duhet ta dinë se ishin luftëtarët e Lumës, Hasit dhe Tropojës, që u përballën, veçanërisht Luma, u përballën jo me një, por me disa divizione të hordhive serbe dhe e vërteta është njësi të mëdha të tyre në Kolosjan dhe në zona të tjera u shkatërruan në kocka.
U detyruan të tërhiqen.
Në 1912-’13-ën ata u rikthyen me një barbari që s’e kishte parë toka.
Një oficer madhor anglez që i shoqëronte shkruan se ato barbari që kryen serbët në Lumë nuk ishin përshkruar në luftërat e mëparshme. Ndiznin mullarët e barit dhe u merrnin foshnjat nënave dhe i hidhnin në flakën e mullarëve.
Në një fshat masakruan 400 e sa banorë e të tjerë, e të tjerë. Dhe ky rast, Alban, në të gjitha traktatet e gjenocidit është i njohur si gjenocidi i Lumës.
Përveçse nga Edi Rama. Ndaj dhe ne kemi bërë fjalë për gjenocid ciklik. Po masakra e Tivarit? Kur pas lufte, lufta po përfundonte, kombet po çliroheshin, serbët për të mos pasur rezistencë nga shqiptarët, mblodhën mijëra e mijëra të rinj dhe i sollën nga Morina në territorin shqiptar, Pukë, Shkodër, për t’i çuar në Tivar, në një gropë natyrale të madhe, të rrethuar nga të katër anët me mitraloza ku u grinë në një natë mijëra vetë.
Por përveç kësaj, qindra të tjerë janë pushkatuar nga Morina gjer sa kanë kaluar lumin e Bunës në Shkodër. Dhe të gjitha këto duke ju raportuar Enver Hoxhës, dhe Edi Rama i di mirë këto. Po Edi Rama i përket asaj familje, ndaj dhe injoron gjenocidin.
Dhe pastaj thotë e vendi është i shenjtë, ky vetëm atdhe nuk ka. Ky është shndërruar në këto kohë, po të them me pyetni mua, nuk ka një armik më të egër Kosova se Edi Ramën, aq sa ç’ishte Enver Hoxha dhe më shumë.
Raif Beqiri: A keni një plan konkret për ringritjen e PD me persona të papërfolur dhe të konsumuar në vite, duke qenë se tani nuk rrezikohemi më që të hamë bar?
Sali Berisha: Raif, faleminderit për pyetjen. Në qoftë se e ke ndjekur Kuvendin, me qëllimin më të plotë, më të thellë dhe më të mirë, e quajtëm Kuvendi i Ripërtëritjes.
Një gjë duhet të them dhe duhet të biem dakord bashkë se këto demokrate e demokratë, besoj se jemi dakord, kaluan një kalvar të pamerituar që nuk e ka kaluar asnjë forcë politike në Evropë, ndoshta edhe më gjerë.
Dhe secili prej tyre mund të largohej nga rreshti, mund të thoshte se ose ç’më duhet mua, ose që unë jam tërhequr.
Por qëndruan, qëndruan me besimin se kauza që mbronin ishte kauzë e drejtë.
Dhe me besimin dhe bindjen se Shqipëria duhet të ketë opozitë të vërtetë.
Dhe do më lejoni të bëj një sqarim.
Dhe të jeni të sigurt që unë përpiqem t’u them të gjithë brendinë e shpirtit tim ato që kam.
Nuk jam kthyer në PD se më shpalli non-grata Antony Blinken, jo, përkundrazi, i kam thënë Lulzim Bashës, PD nuk do përzihet në asnjë çështje timen me administratën amerikane.
Si, tek, i thashë unë po. Unë nuk e dija se ai ishte nga Hoti, po i thashë a e di atë fjalën e hotjanëve, ndihma e Zotit, pushka e Hotit.
Dhe unë këtë betejë do ta bëj vetëm.
Ndaj dhe mos u përziej.
Tani pse ndryshova?
Se e pashë më vonë nga zhvillimi se ai ishte një kukull e kontrolluar në çdo anë.
Dhe pastaj unë, atë nuk mund ta pranoja kurrë.
Opozita është shtylla e sovranitetit të brendshëm të një kombi.
Në qoftë se opozita nuk është e vërtetë, shtylla e sovranitetit është e kalbur.
Ndaj dhe u ktheva.
U ktheva vetëm që të ketë vendi një opozitë të vërtetë.
Dhe këta figura ndoqën këtë linjë.
Tani, duke thënë këto, të garantoj se të gjithë ne jemi të vetëdijshëm ndaj dhe shpallëm Kuvendin tonë si Kuvendi i Ripërtëritjes.
Do ta pranojmë si një proces të pandalshëm dhe jetik.
Antonia Ponde: Doktor Berisha, kur do t’i bashkoheni zërit të atyre qytetarëve që janë në shesh.
Sali Berisha: Çdo minutë unë jam në shesh dhe në mbështetjen më të madhe që unë mund t’i jap asaj proteste.
Por, fizikisht unë nuk jam aty edhe nuk është vendi im aty fizikisht sepse ajo është një protestë qytetare.
Unë kam porositur prerazi të gjithë anëtarët, drejtuesit e Partisë Demokratike që në atë shesh do të jenë vetëm si qytetarë.
Prania ime aty dëmton, me vetëdije jua them, dëmton fibrën më të fuqishme të protestës, fibrën qytetare.
E jep nuanca të panevojshme, le ta lëmë, ajo ka arritur një madhështi dhe mua më mbetet ta respektoj atë.
Pra kjo është arsyeja që unë nuk kam ndërmend të shkoj, por ta mbështes atë me të gjithë forcën time.
Ajo është politike, po të themi nuk dua të humbas karakterin e saj qytetar sepse ka arritur shumë dhe të bëjmë gjithçka të arrijë qëllimin ashtu siç është.
Dajona Ruka: Pas heqjes së pengesave për udhëtimin tuaj dhe të familjes tuaj në SHBA, ende ka individë, përfshi ish-demokratë të afërt me Lulzim Bashën që nuk e pranojnë këtë realitet dhe pretendojnë se bëhet fjalë për një vizë për arsye shëndetësore. Si e shpjegoni faktin që disa vazhdojnë që të mos pranojnë se mund të kenë qenë të gabuar që në fillim?
Sali Berisha: Tani unë them që nuk ia vlen të merremi shumë me ta. Por ajo që unë u garantoj ju është se njoftimi zyrtar që më është bërë mua, është se vendimi nuk përfshin vetëm familjen, por përfshin edhe familjarët e tij, njëlloj familjarët e tij.
Ky vendim zyrtar më është komunikuar nga organet zyrtare të SHBA në Shqipëri, qartë dhe prerë.
Kurse sa u përket këtyre mjeranëve, të cilët çdo mëngjes përgatisin mëngjesin me gënjeshtrat e tyre, drekën përsëri me trillimet e tyre, darkën e mbyllin me mashtrimet, këta janë qenie mjerane, fatkeqë të zhveshur nga krakteri, nga dinjiteti.
Zoti i mëshiroftë!
Agron Prendi: Zoti Berisha, urime për vendosjen e dinjitetit dhe moralit tuaj por edhe të 500 mijë votuesve që duke e ditur që nuk fiton por vendosën të qëndrojnë me të drejtën dhe të vërtetën. Pyetja ime është, kjo lëvizje popullore a mund të përfundojë me përfitues majtistët sepse gjithmonë nga hiçi kthehen në udhëheqës dhe përfitues kauzash të të tjerëve?
Sali Berisha: Lëvizja aktuale padiskutim që ka, siç ka prani të qendrës së djathtë, ka grupime të majtiste madje edhe ekstremiste.
Por në një lëvizje qytetare, i dashur mik, kjo është krejtësisht e pashmangshme.
Një gjë konstatoj se ata që përpiqen, këto opozita e opozitës, që përpiqet ta akaparojë dhe manipulojë, pavarësisht nga momentet e caktuara, pavarësisht e tjerë e tjerë, ju garantoj se do të dështojë.
Kjo është lëvizje e shpirtit qytetar të shqiptarëve dhe rinisë shqiptare, e fibrës së tyre, e njerëzve që vranë frikën më shumë se asnjëherë tjetër dhe i kanë bërë kombit një shërbim të jashtëzakonshëm, jua them unë, unë e them këtë me admirimin më të madh, i kanë bërë një shërbim të jashtëzakonshëm.
Fatmir Topi: Doktor, a mund t’ju bëni me dije demokratëve se kur pritet të mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të partisë?
Sali Berisha: Fatmir, po pres me padurim ta thërrasim, por kemi patur një problem teknik që po zgjidhet, jo me listat e me këto, por këtu në seli.
Dhe sapo të marrë fund, do ta thërrasim Këshillin Kombëtar.
Tam Tami: Doktor, më ka bërë përshtypje një parullë në protestë, ‘Shqipëria dhe Italia nuk janë në botëror, këtu do na keni’. Ju për cilën skuadër bëni tifo në këtë botëror?
Sali Berisha: Unë gjithmonë këto ndeshjet e para unë nuk i shoh. Unë shoh nga fundi kur të fillojnë 8-ndeshjet e fundit. Aty deri aty jua lë të tjerëve unë.
Nuk jam tifoz, të jemi të sinqertë. Jam me kombëtaren tonë, po të ishte ose të Kosovës, njëlloj.
Kurse në këtë rast, jam tifoz me atë që luan më mirë dhe atë që fiton. Jam gjithnjë admirues i futbollistëve të veçantë të cilët në njëfarë mënyre ka ngel kujtesa që nga rinia ime, duken si supermenë në fushë. Janë të afërt me supermenin në fushë.
Dhe nga ajo kohë unë gjithmonë kam ngel admirues jo kaq shumë i ekipeve se nuk jam specialist, po i futbollistëve të veçantë.
Këto ishin pyetjet doktor, doni ta përmbyllni me diçka të fundit?
Sali Berisha: Dua ta mbyllim këtë bisedë, duke u falënderuar së pari për pyetjet që ju bëtë dhe duke u ftuar ju që vendimin që mori Departamenti i Shtetit ta shndërrojmë në një oportunitet, në një mundësi të madhe për forcën tonë politike në përmbushje të misionit të saj, rikthimit të votës së lirë dhe ndërtimit të një të ardhme që meritojnë shqiptarët në Shqipëri.
Ndërkohë, përsëri lutja ime njerëzore dhe thirrja ime për çdo qytetar të Tiranës dhe të Shqipërisë, ta mbështesin me të gjithë shpirt këtë lëvizje të pashembullt qytetare.
Kurrë ndonjëherë nuk është ngritur me kaq madhështi fibra e përgjegjësisë qytetare, e të rinjve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë, fermerëve shqiptarë si kësaj here.
Ndaj dhe secili të pyesë veten, çfarë motivesh kam unë të kundërshtoj këtë regjim, t’i bashkohet kësaj lëvizje dhe në mënyrë dinjitoze të përmbysim këtë diktaturë autoritare, të rikthejmë Shqipërinë në rrugën normale, në rrugën drejt të ardhmes.
Faleminderit!


