BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË KAMZË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar ‘Foltore’ me banorët dhe simpatizantë në Kamzë. Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se, këto 12 vite kanë qenë të vështira për këtë qytet, pasi gjithçka ka ngecur. Berisha akuzoi kryetarin e bashkisë së Kamzës se ka rrënuar infrastrukturën e këtij qyteti, ndërsa hapësirat e gjelbrat të zonës, po zëvendësohen nga betoni i pallateve.
Gjatë fjalës së mbajtur me qytetarët dhe simpatizantët në Kamzë, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, Edi Rama organizon vetëm farsa elektorale dhe për këtë arsye, ka futur në parlament njerëzit e karteleve. Ai u shpreh se, qeveria shqiptare e Edi Ramës i ka kthyer portet e Shqipërisë, në porte të lira për trafikantët e drogës, ku kalon kokaina dhe heroina. ‘Një njeri që ja mësuam emrin para pesë muajsh, ai kishte 6 miliardë euro nga kanabis. I lidhur si mishi me thoin me Edi Ramën. Karteli tjetër kontrollon plazhet e, më falni, portin e Durrësit. Ai tjetri që, ai xhongleri që del, Luca, i ndjekur në katër anët, ai administronte portin dhe mori në koncesion portin e peshkatarëve. I ndjekur gjatë periudhës sonë në të 4-anët nga italianët dhe të gjithë për trafik droge’, tha Berisha.
Lideri i opozitës Sali Berisha duke folur para qytetarëve dhe simpatizantëve në Kamzë, ka deklaruar se, Edi Rama nuk ka të drejtë të qeverisë më asnjë orë dhe as një ditë më shumë.
Sipas tij, Edi Rama nuk ka fituar zgjedhje, por ka fituar farsa elektorale. ‘Zgjedhjet nuk i fitoi Edi Rama. Dhe do ndalem këtu. Asnjë ditë, asnjë orë, ai nuk ka të drejtë të qeverisë. Dhe ne, po. Kësaj radhe ja dolëm. Ja dolëm të mbrojmë votën. Ja dolëm të mbrojmë votën. E kapëm për fyti. Falë punës që bëtë ju, komisionerë, aktivistë, numërues, falë punës që u bë që në zgjedhjet e 2023-shit’, theksoi Berisha.
Në fjalën e mbajtur para qytetarëve dhe simpatizantëve në Kamzë, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, ka pasur presione ndaj Partisë Demokratike që të mos përdoret termi narkoshtet për qeverinë e Edi Ramës. ‘Ne kemi denoncuar aferat e tyre. Ne kemi denoncuar narkoshtetin. Përpjekje të mëdha për të na bërë presione që të mos përdorim termin narkoshtet. Përpjekje të mëdha edhe nga lobistët e Edi Ramës. Po si të mos përdorim ne termin narkoshtet? Kur eksportet zhduken njëra pas tjetrës, sepse narkoeurot rrëzojnë euron. E rrëzojnë me 30%. Po ai që eksporton aq s’e ka fitimin 30%. Dhe ai ka vetëm me euro shkëmben.’, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, duke folur nga Kamza në ‘Foltoren’ me qytetarët dhe simpatizantët e këtij qyteti, është shprehur se, pezullimi i Belinda Ballukut nga Gjykata e Posaçme nuk duhej të shkonte në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, koha prej 2 muajsh që u mbaj peng kjo çështje nga gjykatësit, i dha mundësi Ballukut që të shkatërronte provat. ‘Lubia dhe këta gjykatës, direkt në Gjykatë Kushtetuese, e mbajtën dy muaj aty, ajo dy muaj me një ushtri të tërë duke fabrikuar, duke falsifikuar dhe grisur dokumente. Pse kjo? Vetëm e vetëm se ajo është Edi Rama. Po, të jemi të sinqertë.’, tha Berisha.
Lideri i opozitës Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët dhe simpatizantë në Kamzë, ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët në datën 10 shkurt të mblidhen në Tiranë, kundër narkoqeverisë së Edi Ramës. Berisha u shpreh se, Europa dhe çdo shqiptar prej mesazhin e qytetarëve dhe demokratëve në 10 shkurt. ‘Ju garantoj se Europa dhe çdo shqiptar pret mesazhin tonë më 10 shkurt. Ai është mesazhi i të gjitha mesazheve. Po. Ai është mesazhi i të gjitha mesazheve. Dy protestat tona kanë qenë një ndihmë shumë e madhe për Shqipërinë. Sepse kur të tjerët lexojnë për ato që s’kanë ndodhur kurrë, se nuk mundet kurrë një kryeministër t’i imagjinojë se nuk do i heqë imunitetin ministrit apo vetes së tij, në qoftë se kërkon drejtësia’, tha Berisha ndër të tjera.

FJALA E PLOTE
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta ju, demokratëve dhe demokratëve të Kamzës të pranishëm në këtë sallë, banorëve të këtij qyteti, kudo që janë sonte, në Kamëz, Shqipëri, jashtë vendi.
I dashur zoti kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kamzës, i dashur zoti Alimehmeti, zonja Garo, të nderuar miq.
Kam shumë kënaqësi që vij sot tek ju.
Së pari, për të shprehur mirënjohjen më të pakufishme për secilin prej jush, për çdo demokrat e demokrate dhe mbështetës të Partisë Demokratike dhe të opozitës në këtë qytet, të cilët me besim të palëkundur tek Partia Demokratike, ja duart në tërësi, Kamzën që ndërtuat, që e ngritët nga hiçi, e shndërruat në një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë, ta mbani qytet në përputhje me idealet tuaja, të qëndroni të palëkundur, të pamposhtur në të vërtetat dhe vlerat që ju besoni.
Vij këtu me ndjenjën e mirënjohjes së thellë, sepse ju në zgjedhjet e fundit përmbysët rezultatet e mëparshme dhe shkojmë të sigurt drejt garave të reja me besim të madh për fitore.
Por, vij gjithashtu të përulem para jush edhe për faktin se 12 vite kanë qenë vitet e padrejtësive më të mëdha që kanë rënë mbi ju. Ka qenë vitet e diskriminimit më të pamerituar tuaj. Kanë qenë vitet në të cilat shumica e familjeve tuaja janë detyruar të përcjellin fëmijët në rrugët e botës, sepse nuk ka patur për ta asnjë mundësi që të qëndrojnë në vatrat e tyre familjare dhe të ndërtojnë ëndrrën e tyre. Kanë qenë vite në të cilin koha pothuajse ka ndaluar në Kamëz me këtë kryetarin, pseudo-kryetarin që keni. Kamza ka mbetur me një infrastrukturë në rrënim e sipër.
Ato terrene, ato mjedise të cilat ishin të domosdoshme për një qytet që është i gjashti në Shqipëri për kap banorët, një nga një i hëngri dhe po i han betoni i Edi Ramës dhe kryetarit.
Por këto kanë qenë vite dëshpërimi. Kanë qenë vite në të cilat pensionet jo që nuk u rritën, por krahasuar me çmimet u bënë gjithnjë më të vogla. Po kështu dhe rrogat e ulëta dhe rrogat e mesme.
Pra, vite të një regjimi që në Kamëz dhe në mbarë Shqipëri është sjellë si një pushtues i vërtetë. Është sjellë si një pushtues i vërtetë sepse, së pari, duke dhunuar votën tuaj, vullnetin tuaj të lirë, një lloj si në raste pushtimesh dhe diktaturash, të gjithë pushteti u përqëndrua në duart e një njeriu.
Kanë qenë vite në të cilët ju keni derdhur lumenj djerse në fushata elektorale.
I keni fituar zgjedhjet, por armiku më i egër i votës së lirë të shqiptarëve pas Enver Hoxhës, Edi Rama, ka shndërruar procesin zgjedhor në farsë zgjedhore, në farsë elektorale.
Ka krijuar në fushatë elektorale tregun më të zi të të gjitha tregjeve, që është tregu i votës, tregu i vullnetit, tregu i idealeve të njerëzve.
Ka përdorur të gjitha metodat antidemokratike, antikushtetuese për të plaçkitur votën e qytetarëve.
Miq, po marrim vetëm zgjedhjet e fundit.
Në Shqipëri, një lloj si në Tunizi, Edi Rama arrestoi në vitin elektoral liderët e dy partive kryesore opozitare dhe vuri në proces penal atë të tretën.
Në vitin elektoral shkelmoi çdo nen të kodit zgjedhor, por dhe çdo parim ndërkombëtar të zgjedhjeve të drejta.
Në vitin elektoral shndërroi shërbëtorët e qytetarëve që duhet të jenë punonjës të administratës, në armiq të egër të votës së tyre, në polici politike sekrete.
Cili do nga ju ju kujtohet, grupet e patronazhistëve?
Për hir të së vërtetës, duhet ta pranojmë, ato kishin një bashkëpunëtor sigurimi, kishin disa veteranë, pensionistë nga fronti demokratik dhe si hije të zeza kalonin apartament pas apartament dhe gjenin të dyshuarin dhe dilnin, i bënin gjyq në oborr të pallatit se ky nuk do na votojë.
Ky votën e ka për armikun. Por sot, sot një armatë e tërë e drejtorëve, e punonjësve të administratës, ndërmarrjeve publike, u shndërruan në patronazhistë dhe në polici sekrete për të shkelmuar vullnetin tuaj.
Në kundërshtim me çdo parim, u dhanë 100 euro për pensionistët në kulmin e fushatës elektorale.
Në kundërshtim me çdo parim, me paratë tuaja u organizuan 4530 aktivitete në fushatë elektorale para saj. Vetëm, vetëm për të ndikuar votën e qytetarëve.
Në kundërshtim me çdo parim, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, u falën 2 miliardë euro gjoba dhe kamata.
Në kundërshtim me çdo parim, dy javë para zgjedhjeve u dekretuan 28,000, 29,000 hektarë kanabis nga 200 që parashikonte ligji.
Pse u ndala në këtë? U ndala në këtë se jeni njerëz politikë. Vetëm për të vërtetuar faktin se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Me Edi Ramën ka farsë. Por dhe e vërteta është se ai zhvilloi farsë në 23-shin.
E vërteta është se ai zhvilloi farsë në 2021-shin. E vërteta është se zhvilloi farsë në 2017-ën, 2019-ën. Ky është armik i votës. Ky s’pajtohet kurrë me vullnetin tuaj dhe votën tuaj.
Sot ne kemi përballë një regjim qeverisës me klanet më të fuqishme të drogës në Europë dhe ndër më të fuqishmet e botës. Klane që lëvizin miliarda, miliarda. Franc Çopja, 6 miliardë. A mund t’i imagjinoni ju?
Një njeri që ja mësuam emrin para pesë muajsh, ai kishte 6 miliardë euro nga kanabis. I lidhur si mishi me thoin me Edi Ramën. Karteli tjetër kontrollon plazhet e, më falni, portin e Durrësit.
Ai tjetri që, ai xhongleri që del, Luca, i ndjekur në katër anët, ai administronte portin dhe mori në koncesion portin e peshkatarëve.
I ndjekur gjatë periudhës sonë në të 4-anët nga italianët dhe të gjithë për trafik droge. Këtu erdhi në Vlorë, këtu erdhi në Shëngjin. Portet tona, porte të lira droge. Jeni në dijeni të aferave të tmerrshme korruptive.
Në mënyrë të përsëritur, Banka Botërore dhe studime të tjera kanë provuar se këta vjedhin jo më pak se 90% të çdo investimi. Edhe 100%. Ku është djegësi i Tiranës? 130 milionë, asnjë tullë. Po të shkoni të studioni dokumentat e AKSHI-t, ndërmarrje, agjencisë së Edi Ramës dhe Linda Ramës, aty do gjeni X-in, i cili fiton tenderin me 60 milionë euro, i cili transferon në kontot e tij 60 milionë euro dhe nuk ka bërë asnjë blerje, asnjë shitje.
Absolutisht përveç marrjes së parave nga thesari në konton e tij. S’ndodh në botë kjo. Domethënë, gjë që e tejkalon.
Shkojmë më tutje, gjejmë pensionistin i dalë prej kohësh në pension si sipërmarrës me 60
milionë euro i portit të Vlorës.
I shihni rrugët.
Rruga Qukës-Qafë Plloçë. Loti i tretë i saj. 9 kilometra, 87 milionë euro. Rreth 9 milionë euro kilometri, pa asnjë urë, pa asnjë tunel. Po 9 milionë euro kilometri është në Rrugën e Kombit, e cila ka një gjerësi 27 metra, ka dhjetëra ura, ka tunelet më të gjata dhe mesatarja i shkon 9 milionë euro.
Rruga 10 metra e gjerë që po shembet segment mbas segmenti, 9 milionë euro kilometri. Pra, kanë vjedhur plaçkitur në mënyrën më të pabesueshme. Por kjo është gjysma.
Gjysma tjetër më e rëndë është se të gjithë paratë e krimit e drogës shndërrohen në vota dhe vota shndërrohen në krim dhe drogë.
Miq, karteli Troplinëve, një nga më të fuqishmit në Europë që kontrollon në çdo qelizë portin e Durrësit, pasi me të gjitha mjetet dhunoi zgjedhjet në Durrës, çfarë ndodhi? Pesë kulla, 12 ndërtime, 38.000 m katror tokë publike tek stadiumi ‘Niko Dovana’ në Durrës.
Pra, paratë në votë. Vota në ndërtime krimi dhe ndihmon krimin. Çfarë ndodh? Me paratë e buxhetit, një ushtri e tërë mobilizohet për të shkelmuar votën tuaj. Paratë e buxhetit tuaj shtrohen në votë. Vota shtrohet në vjedhjet e tyre.
E treta, çfarë ndodh me ne? Çfarë ndodh me paratë tona, me djersën tonë? Kjo organizatë kriminale i shtron ato në një mashtrim të tmerrshëm për ju, për qytetarët. Ju e patë se si tender, se si lotet e unazës shkuan në qiell, çmimi, sepse disa miliona për lot merrnin mediat, që nga mëngjesi deri në darkë mashtrojnë qytetarët. Dhe mashtrimi i tyre shtrohet në votë, dhe vota shtrohet në mashtrim, sepse ata marrin prapë para si shushuja kundër jush.
Kjo është situata. Por ku jemi ne?
Sigurisht që sot opozitarët janë të lodhur dhe këtë s’mund ta mohojë njeri. Janë edhe të rraskapitur nga mospasja, nga dëshpërimi, nga një seri faktorësh, kanë vuajtur, kanë sakrifikuar. Janë keqtrajtuar në shkallë ekstreme.
Megjithatë, sot ne jemi absolutisht në kilometrin e fundit. Jemi në kilometrin e fundit të rrugës sonë. Dhe jemi sepse ju qëndruat. Ju qëndruat.
Qëndruat besnik pavarësisht nga të gjitha këto, ju mbrojtët idealet, ju mbrojtët vlerat, ju mbrojtët të vërtetat që besoni. Ju faktikisht e sollët Partinë Demokratike sot në këto kushte, partia e dytë e vetme në të gjithë vendet ish-komuniste me këto përmasa kaq e madhe.
E vërteta është që ju me punën tuaj, me djersën, me përkushtimin, me ndershmërinë, bëtë që kjo parti në realitet të ishte fitimtare në 21-shin. Absolutisht. Bëtë që kjo parti të ishte fitimtare në 2025-ën. Po.
Ju jeni njerëz të politikës. Pyetini pak, cili do ishte rezultati në qoftë se liderët e opozitës nuk do arrestoheshin në kundërshtim me çdo ligj dhe kushtetutë?
Cili do ishte rezultati në qoftë se në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën nuk do ndaheshin 100 euro për person për pension në mes të fushatës?
Cili do ishte rezultati në qoftë se vetëm dy ditë para zgjedhjeve nuk do faleshin 2 miliardë euro gjoba dhe kamata që prekën 200.000 familje.
Cili do ishte rezultati në qoftë se këta rrogëtarë që shtrohen në policë kriminal të votës suaj do të qëndronin si shërbëtorë tuaj dhe respekt respektonin vullnetin tuaj.
Cili do ishte rezultati në qoftë se nuk do firmoseshin 29.000 hektarë tokë për t’u mbjellë me kanabis nga 200 hektarë që parashikon ligji.
Miq, një gjë është e sigurtë, përqindjen nuk jua jap dot, por 100% e sigurtë se fitorja ishte e Partisë Demokratike. Dhe pikërisht për këtë arsye ai bëri të gjithë këto masa antikushtetuese, antiligjore për të plaçkitur zgjedhjet.
E them këtë sepse sot ka një vërshim të mashtruesve të shplarë, të njerëzve që kanë humbur identitet dhe dinjitet. në një garë se cili t’ju mashtrojë ju më shumë. Në një garë të primitivitetit, të turpshme. se si e si të mbrojë farsën elektorale. Paçka se shqiptarët dhe Shqipëria po shkretohet, po rrokulliset, po zhduket para syve tanë.
Pra, zgjedhjet nuk i fitoi Edi Rama. Dhe do ndalem këtu. Asnjë ditë, asnjë orë, ai nuk ka të drejtë të qeverisë. Dhe ne, po. Kësaj radhe ja dolëm. Ja dolëm të mbrojmë votën. Ja dolëm të mbrojmë votën. E kapëm për fyti. Falë punës që bëtë ju, komisionerë, aktivistë, numërues, falë punës që u bë që në zgjedhjet e 2023-shit.
Falë punës që u bë në zgjedhjet e 2023-shit, Libri i Zi, edhe ajo vepër e juaja, Edi Rama u fut në rreth të kuq.
Edi Rama e kuptoi me datën 12 maj e kuptoi që e kanë kapur me presh duke vjedhur. Me presh në dorë. U tërbua. Humbi. I thirri dhe i kërcënoi në zyrë të tij kryevëzhguesin, kërcënoi vëzhgues të tjerë të ndryshojnë raportin.
Ata, jo që s’e ndryshuan raportin, por raportin e ridimensionuan shumë më tepër, siç ishte e vërteta. Arritëm një gjë? Arritëm një gjë shumë të madhe. Arritëm t’u faktojmë shqiptarëve, t’u faktojmë komunitetit ndërkombëtar se ky, ato mandate i ka krimi. Se ky nuk ka legjitimitet.













Dhe një qeveri jo legjitime luftohet çdo orë, çdo ditë, çdo javë, gjersa të rrëzohet. Një qeveri jo legjitime nuk, nuk respektohet kurrë. Njerëzit e lirë nuk e respektojnë kurrë. Pra, së dyti, ju jeni dëshmitarë çdo ditë, çdo ditë. Dhe ndonjëherë dhe dy, tre herë në ditë.
Ne kemi denoncuar aferat e tyre. Ne kemi denoncuar narkoshtetin. Përpjekje të mëdha për të na bërë presione që të mos përdorim termin narkoshtet. Përpjekje të mëdha edhe nga lobistët e Edi Ramës. Po si të mos përdorim ne termin narkoshtet?
Kur eksportet zhduken njëra pas tjetrës, sepse narkoeurot rrëzojnë euron. E rrëzojnë me 30%. Po ai që eksporton aq s’e ka fitimin 30%. Dhe ai ka vetëm me euro shkëmben.
Se ato narkoeuro shndërrohen në kulla, gataçel në Tiranë. Dhe kanë shkatërruar tregun. Asnjë i ri i këtij qyteti të bekuar, asnjë i ri i Tiranës nuk mund të mendojë të blejë një apartament për shkak të çmimeve, të cilat janë të barabarta me Mynihun dhe Parisin. Pse? Se është shumë e thjeshtë.
Kullat ndërtohen, vijnë çunat e drogës edhe blejnë katet. I vënë drynin edhe rrinë atje ku janë, në Kolumbi, në Ekuador e të tjerë. Dhe këta këtu nuk ulin çmimet. I vetmi vend në Evropë dhe në botë që ka ndërtime të mëdha dhe çmimet shkojnë gjithnjë duke u rritur.
Atëherë, a nuk është kjo një shkatërrim për vendin? Kur asnjë i ri s’blen dot një apartament? Kur strehimi po bëhet gjithnjë më shumë problem sepse njerëzit nuk kanë, nuk kanë mundësi të blejnë banesa.
Ja pra pse, përveç ndërhyrjes në zgjedhje, por sot, çfarë ka ndodhur tani? Tani fatmirësisht ka ndodhur që ai zëri ynë i vetmuar në shkretëtirë për disa, edhe për vite, po ne nuk u lodhëm. Jo. Ne vazhduam ta denoncojmë narkoshtetin si armik i egër juaj, i qytetarëve.
Tani në çdo takim që kanë me shtetet e, me zyrtarë amerikanë, në krye të axhendës janë klanet e drogës dhe lidhjet me klanet e drogës të Edi Ramës dhe qeveritarëve. Po.
Ja dolëm. Ja arritëm të paraqesim para shqiptarëve dhe botës se 90% e mediave janë nën kontroll qeveritar. Pra, 90% ju mashtrojnë ju çdo ditë nga mëngjesi në darkë. Më keq se në diktaturë.
Absolutisht më keq. Rikujtoj sot atë kohë. Vërtetë televizioni shtetëror nga mëngjesi në darkë mashtronte dhe glorifikonte të keqen, Enver Hoxhën. Po ai ishte. Të tjerët kishin kanaçe, dëgjonin Zërin e Amerikës.
Kurse sot janë pothuaj të gjitha mediat. Janë 43 mashtrues profesionistë, që paguhen për të kaluar nga një studio në tjetrën vetëm për të mashtruar qytetarët. S’ndodh. Nuk ka, kjo s’ndodh kjo kund tjetër. Dhe e gjitha kjo, ata paguhen me para që jua vjedhin qytetarëve.
Çfarë ka ndodhur tjetër? Ka një degradim ekstrem të administratës. Një administratë anti-qytetare s’e ka pasur vendi kurrë të tillë. Njerëz të cilët drejtor bashkie ai vjedh e vjedh e vjedh, shkon ndërton pallatin 24-sh me Olsi Ramën dhe me Erion Velinë. Çelçi. Vetëm kaq?
Jo mor, janë me kudo. E rrëmbyen para ca javësh një Daniel Shima. Dhe unë duke i dalë zot atij disa ditë me radhë.
Danieli ishte shërbëtori i tyre, që u kishte bërë nënën milionere duke vjedhur paratë e AKSH-it. Ajo rrobaqepëse dhe regjistroi miliona, miliona euro në emër të saj. Sipërmarrëse.
Urdhëroni gjykatësit. Urdhëroni gjykatësit. Katër seanca. Për çfarë? Për një vendim që në mënyrë absolute nuk u takonte ta shqyrtonin. Po pse? Sepse çdo qytetar, në qoftë se ka një vendim gjykate e fakti, e Shkallës së Parë, e ka rrugën të shkojë tek Apeli, nga Apeli të shkojë në Gjykatë të Lartë, nga Gjykata e Lartë shkon në Gjykatë Kushtetuese.
Kurse Lubia dhe këta gjykatës, direkt në Gjykatë Kushtetuese, e mbajtën dy muaj aty, ajo dy muaj me një ushtri të tërë duke fabrikuar, duke falsifikuar dhe grisur dokumente. Pse kjo? Vetëm e vetëm se ajo është Edi Rama. Po, të jemi të sinqertë.
Më hajdute se ajo nuk ka njeri. Por ajo është Edi Rama. Kjo është e faktuar.
Këto ditë në Bruksel, ka patur mbledhje. Këto tre-katër ditë ka pasur mbledhje me diskutime shumë të rënda për ne. Me variante nga më ndëshkueset. Variant dhe që të zhbëhet i gjithë procesi i integrimit të Shqipërisë.
Do të thotë, të ktheheshim tek marrëveshja tregtare e vitit ’92. T’u bihej vizë asociim-stabilizimit, vizë heqjes së vizave, vizë statusit të kandidatit, hapjes së negociatave, pranimit të kërkesës. Dhe pse? Sepse Edi Rama ka vjedhur dhe kërkon me çdo kusht të bllokojë të bllokojë drejtësinë. Kërkon me çdo kusht që të mos japë llogari para ligjit.
Kjo, kjo është situata në të cilën ndodhemi.
Por sot ne, jemi në këmbë. Sot jemi në një mision më të rëndësishmin e jetës sonë. Jemi në një mision, të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo diktaturë, nga ky regjim që bazohet kryekëput në vjedhje, në drogën, përçmimin e qytetarëve.
Çdo qeveri që shkelmon votën e qytetarëve duhet të rrëzuar një minutë e më parë. Çdo qeveri që del nga vota e lirë e qytetarëve, por i vjedh qytetarët, humbet çdo legjitimitet për të qëndruar në pushtet. Dhe duhet të largohet një minutë e më parë.
Pra, këtu jemi. Në njërën anë jemi ne, njerëz me ideale, njerëz që e duan këtë vend, njerëz që i besojmë Shqipërisë, që ia njohim të gjithë problematikën.
Përballë kemi një organizatë kriminale. Përballë kemi një ç, që vjedh nga mëngjesi në darkë qytetarët shqiptarë. Dhe që tani thotë, do vazhdoj t’ju vjedh, do përdor imunitetin kundra jush. Mund të vazhdohet kështu? Asnjë minutë.
Miq, ne jemi forcë e madhe politike. Jemi forcë shumë e madhe politike. Dhe jemi në falë jush. Në qoftë se Partia Demokratike sot është forcë shumë e madhe, është falë jush.
Sepse ju, sepse ju në të gjitha rrethanat, në të gjitha vështirësitë dhe situatat, ju jeni njerëz politikë. Nuk ia hoqët asaj besimin.
Sigurisht, secili prej jush ka patur vërejtjet e veta. Secili prej jush kritikat e veta dhe pakënaqësitë e veta. Por, në arsyetimin tuaj të plotë, ju keni gjykuar se vetëm me Partinë Demokratike mund të realizojmë idealet dhe qëllimet tona. Kjo është e vërteta.
Nuk është se nuk u krijuan forca të tjera politike. U krijuan. Por shqiptarët prapë Partisë Demokratike i besuan. Dhe kjo e bën misionin tonë shumë herë më të rëndësishëm. Kjo bën që ne të bëjmë gjithçka që kilometrin e fundit të rrugës tonë ta përshkruajmë me forcën më të madhe, me dinjitetin më të madh, me fitoren më të sigurt.
10 shkurti është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Shumë e rëndësishme. Fundi i janarit dhe fillimi i shkurtit, Shqipëria ishte në tryezë për shkak të Edi Ramës.
Cilat do ishin masat që do merreshin, sigurisht asgjë me ju, me qytetarët. Por me Edi Ramën po. Sepse Edi Rama i faktoi Bashkimit Europian dhe liderëve europianë se nuk ka, nuk njeh normë, parim përveçse vjedhjes dhe lidhjeve me krimin.
Dhe ata, kjo është e vërteta, ia prunë mesazhin, i kanë sjellë këtu zyrtarë shumë të lartë në vizita të padeklaruara nga institucionet ndërkombëtare dhe ky mesazhet i ka marrë.
Por, ju garantoj se Europa dhe çdo shqiptar pret mesazhin tonë më 10 shkurt. Ai është mesazhi i të gjitha mesazheve. Po. Ai është mesazhi i të gjitha mesazheve.
Dy protestat tona kanë qenë një ndihmë shumë e madhe për Shqipërinë. Sepse kur të tjerët lexojnë për ato që s’kanë ndodhur kurrë, se nuk mundet kurrë një kryeministër t’i imagjinojë se nuk do i heqë imunitetin ministrit apo vetes së tij, në qoftë se kërkon drejtësia.
E kam dhënë këto ditë disa herë, në respektin më të madh që kam patur dhe admirimin për të. Silvio Berlusconi, kolos. Kolosi i kohës së tij në Itali.
Gjykatës të majtë, prokurorë të majtë, absolutisht vetëm për qëllime politike, formulonin akuza dhe, ju kujtohet të gjithë, hynte e dilte në sallë gjyqi. Nuk diskutohej ndonjëherë se do përdorë mandatin politik për të shmangur drejtësinë, sado që ishte krejt e padrejtë.
Nuk ndodh kjo, vetëm në Shqipëri. E bëri me Saimir Tahirin, ju kujtohet. Sepse e kishte, e bëri sepse ishte vetë ai, Saimir Tahiri kishte zbatuar të gjithë instruksionet e tij për drogën. Tani e bën për Belindën që është Lubinë, e cila, ç’është e vërteta, thashë dhe njëherë, hajdute si ajo nuk ka njohur kombi, por ama i ka bërë me Ramën.
Të gjitha i ka, i ka, kryesisht, së pari Rama, e dyta kjo. Ndaj dhe ne, të betuar, duhet të betohemi të mos i ndahemi gjersa t’i japim vendin që meritojnë. Secili nga ju është i ftuar, këto pak kohë që ka ngelur, të takojmë çdo mik, çdo shok, çdo të afërm, çdo të njohur, pavarësisht nga bindjet politike, dhe t’i themi të dalim në shesh, në sheshin e burrave, për t’i dalë zot vendit.
Nga këta hora që e marrin dhe e shkelmojnë nëpër këmbë për interesat e tyre. Koha është e jona, koha është e guximtarëve, koha është e atdhetarëve, e njerëzve që i thonë dheut të vet dhe i tij, njerëzve që u thonë familjes, familje e tij, njerëzve që i besojnë idealeve të lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Mos harroni, ai është i trembur, e keni vënë vetë re. Është i shpartalluar shpirtërisht dhe fizikisht, po dhe sikur të mos ishte. E them se një i ndershëm vlen përpara 100 hajdutësh.
Po. Se hajdutët vetëm guxim nuk kanë. Ndaj dhe, siç keni qenë gjithmonë, gjithmonë keni qenë në krye të përpjekjeve, do jeni dhe tani më 10 shkurt e gjithë Kamza në Tiranë.
Dhe u garantoj, u garantoj se kilometrin e fundit do të jetë kilometri më i bukur. Do të jetë kilometri që do të gdhendet në muret e kohës me germa të arta për kontributin tuaj.
Faleminderit shumë.


