Berisha: Erion Veliaj, vjedhja e shekullit me djegësin e Tiranës, nuk është gabim, por krim!

DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË SELI

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof.Dr. Sali Berisha ka reaguar sërish sot në një deklaratë të mbajtur për media për vjedhjen e shekullit.

Berisha iu drejtua Veliajt se, vjedhja e shekullit me djegësin e Tiranës, nuk është gabim, por krim! “Erion Veliaj, pasi u fsheh disa ditë në malin e shpifjeve që ngriti me gjobëvënësit e tij për Malin e Tiranës, në intervistën televizive te Bollino për vjedhjen e shekullit, deklaroi se Bashkia e Tiranës ka zbatuar ligjin dhe ka respektuar të gjitha procedurat.”

Berisha tha se, kryebashkiaku i Tiranës me mandat të vjedhur duhet të mbajë përgjegjësi një për një, sepse sipas tij kjo nuk është vepër penale apo krim, por thjesht gabim.

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh për media se SPAK po e tërheq zvarrë që prej tri vitesh vjedhjen e shekullit, duke e paraqitur Veliajn si një viktimë të rastit të pronarëve Zoto dhe Mërtiri.

Berisha tha, se SPAK ka lëshuar urdhër arresti për Ahmetajn i cili e kishte kundërshtuar 5 herë procedurën e djegësit, kur firmat janë të vendosura prej Erion Veliajt.

“PD paralajmëron se pavarësisht nga malet e shpifjeve që mund të ndërtosh, pavarësisht nga mbrojtja e Edi Ramës dhe partisë shtet, pavarësisht nga devijimet e hetimeve për të të mbrojtur ty nga SPAK-u i partisë dhe shpallja jote si klient myshteri, së shpejti qytetarët e Tiranës do të vendosin ty, njërin nga kryehajdutët e vjedhjes së shekullit, në bankën e turpit, ku ti e ke vendin”, u shpreh Prof.Dr. Sali Berisha në deklaratën e tij.

DEKLARATA E PLOTË

Mirëdita!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës me mandat të vjedhur, Erion Veliaj, pasi u fsheh disa ditë në malin e shpifjeve që ngriti me gjobëvënësit e tij për malin e Tiranës, në intervistën televizive te Bollino-ja për vjedhjen e shekullit, deklaroi se Bashkia e Tiranës ka zbatuar ligjin dhe ka respektuar të gjitha procedurat.

“Nëse në këtë proces dikush ka bërë gabime, theksoi Veliaj, të mbajë përgjegjësi një për një. Por di të them se Bashkia e Tiranës është treguar korrekte. Jemi një nga bashkitë kliente.”

Meqë jemi te vjedhja e shekullit, mund të them se ky është mashtrimi i shekullit, apo shakaja e shekullit.

Javën e kaluar, të dashur qytetarë, unë ju njoftova se Erion Veliaj dhe SKAP-i i partisë, duan ta paraqesin Erionin si myshteriun viktimë të pronarëve në letra dhe vetëm në letra të djegësave ustallarëve Zoto dhe Mërtiri.

Ndaj edhe, nuk do të ndalem në këtë aspekt të deklaratës së tij, por vetëm në pohimin e tij, apo deklaratën e tij, se nëse dikush ka bërë gabime të mbajë përgjegjësi një për një.

Sipas Erion Veliajt, vjedhja e shekullit nuk është vepër penale, nuk është krim i shëmtuar, por vetëm gabim.

Në këtë rast, të dashur qytetarë, i them Erion Veliajt, përgjegjësit numër një për vjedhjen e shekullit, djegësin e Tiranës, se nuk bëhet fjalë për gabime, por për vepër penale dhe krime të rënda.

Ndaj edhe Prokuroria Speciale që po heton çalë, zvarrë dhe zemërthyer prej tri vitesh vjedhjen e shekullit, ka lëshuar një numër urdhër-arrestesh dhe gjykata ka burgosur ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë.

Nuk është gabim, por krim i Erion Veliajt dhe vetëm i Erion Veliajt, kalimi me firmën e tij i trajtimit të mbetjeve në landfill, depozitim, veçim, riciklim në praktikën me djegie, e cila sipas KLSH është dy herë më e kushtueshme sesa e para.

Nuk është gabim, por është krim, dhe vetëm i Erion Veliajt dhe askujt tjetër, zëvendësimi i procedurës së djegësit të Elbasanit dhe Fierit me tender publik, me procedurën e dhënies me koncesion, apo me PPP-të e cila për 30 vite detyrohej t’i paguante koncensionarit, domethënë Erion Veliajt, rreth 1 miliardë euro nga cilat 450 milionë euro buxhetet e bashkive të Qarkut të Tiranës, dhe po kaq nga sektori privat për depozitimin e detyruar të inerteve dhe dherave në fushën e minierës së floririt në Sharrë.

Nuk është gabim, por është vjedhje dhe krim i askujt tjetër, veçse i Erion Veliajt detyrimi anti-ligjor me 3 polici i bizneseve që pas vitit 2016, që çdo kuintal dhé apo inerte ta depozitojnë vetëm në Sharrë dhe vetëm e vetëm që kompania e djegësit të Veliajt të merrte 30 vite nga këto bzinese 450 milionë euro.

Lali Eri, nuk janë gabime, por vepra penale të gjitha firmat e vendosura në procedurën e koncensionit e djegësit të Tiranës, sepse ai është fakti penal më i tmerrshëm, për të cili SPAK-u ka lëshuar urdhër arresti për Arben Ahmetajn, pavarësisht se ai e kishte kundërshtuar këtë procedurë 5 herë dhe djegësin si jo fizibël.

Së fundmi, ai firmosi vetëm pasi ti me firmën tënde dhe vulën e bashkisë mashtrove për leverdishmërinë e djegësit.

Nu kështë gabim Erion, por është krim dhe vetëm krim insistimi dhe firma jote kundër mendimit të Ministrit të Financave për leverdishmërinë e projektit, në një kohë që sipas KLSH ky projekt ka dyfishuar barrën fiskale për qyterër, por natyrisht ty të interesonte xhepi dhe kontoja jote bankare.

Nuk është gabim, por është krim dhe vetëm krim, kur ti Erion me përfaqësuesit e tu në komisionin e koncensionit ke insistuar për dhënien e 8 pikëve të kompanisë tënde fantazmë që nuk ekzistonte gjëkundi, apo ekzistonte vetëm në kokën tënde, por në asnjë rregjistër të shtetit shqiptar.

Erion Djegësi, nuk është gabim, por është shkelje e rëndë e ligjit dhe e Kushtetutës mashtrimi dhe krimi yt i firmosjes në kundërshtim me Kushtetutë dhe ligj, dhe në falsifikim të plotë në emër të Këshillit të Qarkut të Tiranës, të 6 bashkive të këtij qarku, në një kohë që ai këshill nuk ishte mbledhur ndonjëherë për këtë çështje, dhe bashkitë e tjera përveç Tiranës nuk kishin asnjë dijeni dhe nuk kishin pyetur asnjëherë.

Erion Myshteriu, nuk është gabim, por është shkelje e rëndë e ligjit dhe Kushtetutës, kur firmos në emër të Këshillit Bashkiak të pa mbledhur ndonjëherë për çështjen e financimit prej 90 milionë eurosh të djegësit tënd me ndërmarrjen që do krijohej 6 muaj më vonë, ndërkohë që ligji dhe Kushtetuta kanë vendosur që çdo qindarkë nga buxheti i bashkisë lëvizet vetëm me vendimin e Këshillit Bashkiak.

Akti yt është i njëllojtë, sikur Edi Rama të firmosë në emër të Lindës së Parlamentit. T’i shuajmë të gjitha Kushtetutë, ligje edhe pushtete.

Erion Klienti, nuk është gabim por është krim i rëndë fakt penal i tmerrshëm marrja nga koncensionari i inceneratorit Bashkisë së Tiranës, dhe dhe zhdukja pa nam e nishan e 120 milionë euro në këto 6 vite. Dhe nga 5 objektet e parashikuara në kontratë nuk është dërguar asnjë, sepse i ke dërguar paratë offshore, apo në Zimbabve, apo në destinacione të tjera.

Nuk është gabim, por vjedhje e tmerrshme dhe krim i shëmtuar, Erion Myshteriu që i bën qyetarëve të Tiranës duke iu marrë me tarifën e djegies prej 6 viteve 29 euro për ton pa djjegur as edhe një kilogram, sepse djegës nuk ka.

Së fundmi Erion, nuk është gabim, por është krim dhe krim i rëndë të fshehësh takimet e përsëritura në zyrën tënde me Alberto Presezzin dhe Flavio Tosin, të cilët kanë ardhur tek ti çarter jashtë, sepse e dinin mirë që ti je pronari i vërtetë i djegësit të Tiranës.

Për të gjitha këto, PD paralajmëron se pavarësisht nga malet e shpifjeve që mund të ndërtosh, pavarësisht nga mbrojtja e Edi Ramës dhe partisë shtet, pavarësisht nga devijimet e hetimeve për të të mbrojtur ty nga SPAK-u i partisë dhe shpallja jote si klient myshteri, së shpejti qytetarët e Tiranës do të vendosin ty, njërin nga kryehajdutët e vjedhjes së shekullit, në bankën e turpit, ku ti e ke vendin.

Qytetarë dhe qytetare, fjala juaj, vullneti juaj, guximi juaj, janë vendimtarë për të përmbysur këtë piramidë kriminale që qendron mbi supet, taksat, qenien tuaj.

Faleminderit!

Pyetje: Në 24 shtator Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën për zgjedhjet e Kukësit, a kenki ju një emër dhe si do ta zgjidhni këtë emër, pasi statuti ju dikton që duhet të bëni procesin e Primareve, dhe si do të merrni pjesë në zgjedhje në bashkëpunim me PL, sërish?

Berisha: Në bashkëpunim me aleatët po diskutohet dhe do vendoset. Sapo të vendoset unë do t’ju njoftoj.

– Do keni Primare sërish për Kukësin?

Berisha: Do vendoset.

– Ditën e premte deklaruat se PD, pjesa që ju drejtoni Rithemelimi, do të ketë grupin e saj parlamentar në Parlament. Kjo do të thotë që ju e njihni Lulzim Bashën si kryetar PD dhe do të vendosni një grup tjetër parlamentar?

Berisha: Lulzim Bashën e njohim si një peng të shpifur të Edi Ramës, dhe asgjë më shumë. Të tillë e njohin të gjithë demokratët shqiptarë, të tillë e njeh opinioni publik shqiptar.

Në qoftë se ju mendoni se ne pranojmë faktet e kryera nga Edi Rama, unë të garantoj se gabohet çdo njeri që mendon në këtë mënyrë. Lulzim Basha është një mjeran që keqpërdoret sipas rastit nga Rama-Balla, Balla-Rama dhe që ndonjëherë ia japin me qera edhe Erion Veliajt.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale