Berisha: Erion Veliaj tentoi të fajësojë Ramën, por ai është strumbullari numër 1 i aferës së djegësit të Tiranës

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha në konferencën e përjavshme të mbajtur sot me gazetarët tha se, Erion Veliaj tentoi hapur të fajësojë Edi Ramën për djegësin e Tiranës, por ai vetë është strumbullari numër 1 i aferës së djegësit të Tiranës.

Berisha tha se, Erion Veliaj guxoi të fliste për ndërgjegjen në një kohë kur fytyra e tij ishte nxirë dhe i ishte bërë sterrë.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, amnistimi që grupi i strukturuar kriminal i SKAP-it, i bëri Veliajt, është një vepër po aq kriminale sa vetë vjedhja e shekullit.

Berisha tha se, Erion Veliaj ka përcaktuar kosto dy herë më të lartë se sa është përllogaritur nga ekspertët e KLSH. Tarifë prej 29 eurosh, në një kohë kur ajo duhet të ishte 14 euro.

Berisha tha se, Belinda Balluku me anë të shkrese të veçantë ka emëruar dy vite më parë, drejtuesin e njësisë së monitorimit të punimeve dhe funksionimit të sipërmarrjes së Sharrës dhe që nga dita e emërimit ku Balluku emëroi Henrik Hysenbegasi, asnjë punonjës i bashkisë dhe asnjë drejtor i Erion Veliajt nuk është paraqitur në njësinë e monitorimit të projektit.

Ky sabotim ka vetëm një shkak: vjedhjen e të ardhurave që mblidheshin nga taksat e qytetarëve, u shpreh lideri demokrat, Sali Berisha.

Berisha tha se, arrestohen dy inxhinierë për fajin e vetëm se kanë bërë një propozim, që ua ka sugjeruar vetë Erion Veliaj, por ndërkohë kanë pasur guximin dhe kurajën që në komision të deklarojnë se Bashkia e Tiranës nuk e përballon dot me të ardhura këtë vepër.

FJALA E PLOTË

Pavarësisht se grupi i strukturuar kriminal në SKAP-in e partisë e ka amnistuar Erion Veliajn, ky i fundit pranoi mbrëmë plotësisht fajësinë e tij, por në dallim nga ajo çka ju mund të prisnit, ky mbrëmë mori guximin të bëjë përpjekjen e hapur për të fajësuar për djegësin e Tiranës, as më shumë dhe pak se Edi Ramën.

Erion Veliaj, i cili guxoi të fliste për ndërgjegje në një kohë kur siç e patë, fytyra i ishte bërë sterrë, dhe thoshte se, ndërgjegjja e pastër. Tani se si mund të shkojë ndërgjegjja e pastër me fytyrën sterrë, atë e di ai. Po t’i bësh face reading ai del 3 fajtor.

Pra, ndërgjegjen e kam të pastër, dhe iu tha qytetarëve se ata dy drejtorë që janë të burgosur janë dy inxhinierë që kanë patrur si detyrë sa plehra prodhon bashkia në KVO.

Erion Veliaj, tezën e myshteriut apo të klientit e ka fabrikuar së bashku me ish-oficerin e policisë sekrete shqiptare, Arben Krajën, kohë më parë, dhe unë këtu para jush kam denoncuar aso kohe myshteriun Erion Veliaj.

E vërteta është se Erioni në djegësin e Tiranës është absolutisht strumbullari numër një i tij. Ai sot e shet djegësin si aferë të Edi Ramës, dhe Edi Rama pa diskutim ka përgjegjësi penale me firmën që ka vendosur për bonusin 8 pikësh. Por në çdo hallkë tjetër me dokumente zyrtare, ka një përgjegjës më kryesor dhe vetëm një përgjegjës më kryesor dhe emri i tij është, Erion Veliaj.

Erion Veliaj ka firmosur planin e fizibilitetit me të cilin ka deklaruar leverdishmërinë e djegësit të Tiranës, ndërkohë që kusht themelor për fizibilitet dhe leverdishmëri është që për një PPP të kryejë shërbimin me kosto më të ulët se sa sektori publik.

E kundërta ka ndodhur, Erion Veliaj ka përcaktuar në kosto dy herë më të lartë se sa është kalkuluar ajo nga ekspertët të mirënjohur të KLSH. Pra, ka përcaktuar 29 euro tarifën në një kohë kur ajo duhet të ishte 14 euro.

Erion Veliaj ka përdorur këtë plan me firmën e tij drejtuar Shkëlqim Canit, i cili për hir të së vërtetës e ka kthyer si të papranueshëm dokumentin dhe kërkesën e Erion Veliajt.

Erion Veliaj, ky myshteri i Edi Ramës, pas ndryshimit të ministrit të Financave ka përsëritur të njëjtën kërkesë te Arben Ahmetaj me firmë, me shkresë, me vulë, dhe ka marrë përgjigje nga Arben Ahmetaj, se kjo nuk mund të pranohet.

Ai ka insistuar disa herë tek ministri i Financave i cili ka qenë refuzues ndaj kërkesës së tij.

Erion Veliaj ka caktuar Tushen dhe Simixhiun në komisionin e PPP-së, institucion me dy përfaqësues ata kanë porositur të insistojnë në bonusin 8 pikësh, por atyre pavarësisht se ku janë unë iu njoh një meritë. Meritë e tyre e padiskutueshme është se në procesverbalet në atë mbledhje ata kanë deklaruar të kundërtën e asaj që ka deklaruar me shkrim Erion Veliaj.

Ata kanë deklaruar se kjo vepër, apo djegia e plehut me këtë kosto nuk mund të përballohet nga Bashkia e Tiranës, dhe kërkon financime nga qeveria. Në qoftë se, Erion Veliaj merrte parasysh këshillën e këtyre dy inxhinierëve që ishin vetëm për sasinë e plehut, djegësi i Tiranës, ose ai të paktën nuk firmoste garancinë që i çoi Lefter Kokës për financimin me 91 milionë nga bashkia në një kohë kur ishte totalisht e pamundur sipas inxhinierëve të tij, Tusha dhe Simixhiu.

Erion Veliaj, i cili kërkon tani të strehohet te kryehajduti i aferës së inceneratorëve, Edi Rama ka përgjegjësi të plotë penale, sepse ai ka firmosur kontratën dhe aneksin e saj, në të cilën siç e dini Bashkia e Tiranës merr të gjitha përgjegjësitë. Edhe asistencë teknike, edhe shpronësimet, edhe të tjera me radhë.

Ndërkohë, siç denoncuam ditën para kësaj, i ka dhënë kompanisë 600 m2 pa asnjë proces shpronësimi. 400 mijë janë të shpronësuara, 600 mijë të tjera i ka nxjerrë nga xhepi dhe ia ka dhënë kompanisë.

Belinda Balluku ka emëruar me një shkresë të veçantë, dy vite më parë, drejtuesin e njësisë së monitorimit të punimeve dhe funksionimit të sipërmarrjes së Sharrës. Që nga dita e emërimit nga zonja Balluku të zotërisë Henrik Hysenbegasi, asnjë punonjës i bashkisë, asnjë drejtor i Erion Veliajt nuk është paraqitur në njësinë e monitorimit të projektit.

Pra, ka sabotuar me ndërgjegje të plotë, me vetëdije të plotë, observimin, detyrimin që kishte, për të monitoruar projektin. Dhe sabotimi ka vetëm një shkak: vjedhjen e të ardhurave që mblidheshin nga taksat e qytetarëve të Tiranës dhe po kaq të dherave që detyronin bizneset t’i depozitonin kundrejt tarifave skandaloze.

Erion Veliaj sabotoi monitorimin e zbatimit të projektit sepse projekti duhet të ishte vetëm në letër dhe paratë e financuara nga taksapaguesit e Tiranës dhe bizneset, t’i ndante me Edi Ramën dhe hajdutë të tjerë. Pra, amnistimi që grupi i strukturuar kriminal i SKAP-it, i bëri Erion Veliajt, është një vepër po aq kriminale sa vetë vjedhja e shekullit.

A mundet pra, të arrestohen dy inxhinierë për fajin e vetëm se kanë bërë një propozim, që ua ka sugjeruar vetë Erion Veliaj, por ndërkohë kanë pasur guximin dhe kurajën që në komision të deklarojnë se Bashkia e Tiranës nuk e përballon dot me të ardhura këtë vepër.

Kurse Erion Veliaj pavarësisht prej këtyre, shkon dhe jep garanci me shkrim, duke falsifikuar mbledhjen e Këshillit të Bashkisë, i cili me ligj të qeverisjes vendore është organi i vetëm që ka të drejtë të përcaktojë buxhete dhe përdorimin e tij.

Kështu që mund t’u them se me daljen e tij të mbrëmshme mori përsipër fajësinë e tij dhe i tha Edi Ramës, se vepra është e jotja. Unë e kam denoncuar Edi Ramën, do e denoncoj prapë, por edhe njëherë u them, strumbullar është Veliaj. Rama, ju këshilloj të dashur qytetarë dhe qytetare, të ndiqni asgjë tjetër veçse gozhdimin që i bëri dje mbasdite, që e la pa tekst, gazetarja Ambrozia Meta me pyetjen se si ia dhe ti, si firmose ti për t’i dhënë bonusin prej 8 pikësh një kompanie, që është krijuar 8 muaj më vonë.

Pasi u vërtit dhe u stërvit, po i shkonte ndërmend po nuk e shqiptoi të thoshte se ajo është firma e Erion Veliajt, dhe jo e Edi Ramës. Në fakt ajo është firma e Edi Ramës, ndaj dhe Erion Veliaj e kalonte përgjegjësinë te qeveria.

Pra, kjo është e vërteta.

Për ta mbyllur, do t’u rikujtoj një akt të tij të turpshëm, të padenjë.

Shprehet në televizion, i thotë moderatorit Sokol, ki parasysh që me ligjin e punës që e kam bërë vetë, 1 në 24 vetë në bashki ose kudo në administratë janë me aftësi të kufizuara dhe dikush mund të thotë se aftësia ime mendore e tillë ishte dhe kështu ma priti mendja. Pra, është shumë evazive kjo pjesë e kësaj. Nuk ka më raciste, diskriminuese, çnjerëzore se shembulli që sjell.

Njerëzit mund të kenë kufizime të aftësive, po ata janë brilantë nga mendja, janë njerëz me moral të fortë, të cilët vuajtja i ka bërë të kenë një moral të hekurt dhe integritet të madh dhe nuk mund të përdorësh këta si shembull për hajdutë si Erion Veliaj.

Ndaj i them se vetëm për këtë, unë ftoj shoqatat t’i tregojnë vendin këtij njeriu që përpiqet t’i paraqesë edhe si delinkuentë në mënyrën më të paskrupullt, më të pacipë.

Faleminderit!

PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET

Osman Stafa, News24: Z. Këlliçi dhe ju, keni disa herë që publikoni prova për inceneratorin e Tiranës dhe sot tha se është ekskluzive njëri prej dokumente që provon atë që ju thoni për inceneratorin e Tiranës. Këto dokumente a do të shkojnë në SPAK.

Sali Berisha: Në qoftë se ne po dalim këtu, kemi dy qëllime madhore. Së pari, nastyrisht një hajdut të tmerrshëm, strumbullarin e vjedhjes në Tiranës, që është Erion Veliaj, për t’ia bërë gjyqin para publikut. Dhe së dyti, aktin më të shëmtuar në historinë e hetimit shqiptar, amnistinë që SKAP-i i partisë i ka bërë Erion Veliajt. Të gjitha këto dokumente, SKAP-i i disponon, por unë u them ju se ata janë manipulatorë dhe fshehës dokumentesh të paimagjinueshëm. Ata janë manipulatorë kriminelë të dosjeve dhe dokumenteve. A mund të imagjinoni ju që Erion Veliaj nuk merret person në hetim? Unë nuk po them të formulohet akuza. Aty janë dhënë 130 milionë dhe nuk ekziston asnjë gjurmë. Dhe ky ka pasur detyrë mbikëqyrjen e projektit dhe kalojnë 6 vjet dhe jepen 130 milionë euro dhe projekti nuk ekziston. Marrim vetëm këtë element, nuk po marrim asgjë tjetër, i lëmë të gjitha, nuk janë. Po kjo ç’do të thotë? Do të thotë që ky në rastin më minimal ndan paratë me hajdutët që nuk ndërtojnë, po marrin paratë dhe i depozitojnë offshore. Ku shkuan 130 milionë euro? Ky mund të thotë se përgjegjësi kanë pasur Belinda, Damiani. Jo mor zotëri, ata nuk i nxjerr jashtë përgjegjësisë unë. Por ata të dy kanë shkresa, në të cilat thonë se ti zotëri ke këto përgjegjësi. Dhe ky u thotë lepe-peqe, po këto përgjegjësi janë të miat dhe unë i përmbush. Dhe në fund hap sytë pas 6 vitesh, nuk ekziston. Si mund të thotë ky që e kam ndërgjegjen e pastër? Nuk ka ndërgjegje ai. Po çfarë ka ndodhur? Ai e ka peshuar Arben Krajën dhe SKAP-in. Megjithëse ai ka dhënë javën e fundit dorëheqjen se i kishte nip e mbesë, vartës të Erionit. Edhe njëherë, paratë e djegësve kanë djegur SKAP-in. Pa asnjë diskutim, me qëndrimin që mban, aty do të thotë se kanë vluar miliona shpërblim ndryshe kjo nuk do ndodhte kurrë.

-Pyetja e dyte lidhjet me angazhimin tuaj për një protestë. Pas zgjedhjeve të 14 majit, ju dolët me tezën se zgjedhjet janë vjedhur nga Edi Rama dhe keni deklaruar se do të ngriheni në protesta të fuqishme që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë. Nga ana tjetër nisët aksionin së bashku me Gazment Bardhin dhe deputetët që e mbështesin, nisët aksionin në Kuvendin e Shqipërisë për të drejtat e mohuara opozitës, komisionet hetimore. Dhe keni deklaruar se në momentin që deputetët do të bëjnë aksionin e tyre do të thërrisni qytetarët në protestë pasi nuk mund të vazhdohet me kështu, që do të ishin protesta pa ndalim dhe jo të zakonshme. Të hënën në orën 11:30 do të organizoni një protestë, ndërsa në 12:00 do të diskutohet në Këshillin e Mandateve, imuniteti juaj. Z. Berisha, kjo është një protestë për qytetarët, për Shqipërinë, apo hallin tuaj?

Sali Berisha: Absolutisht kjo është një protestë vetëm për Shqipërinë. Kemi një dallim shumë të madh me disa arsyetime të sotme. Për ata të cilët njohin totalitarizmin dhe diktaturat, kjo qëndodh në Shqipëri është në mënyrë absolute vendosje e diktaturës mobokraci, diktaturës së bandave. Por ka të tjerë, të cilët nuk mendojnë kështu sepse shohin që parlamenti ka disa forca politike. Shohin që mediat po kontrollohen, po ka edhe ndonjë zë të lirë. Shohin që njerëzit lëvizin lirshëm, shkojnë e vijnë. Por mobokracia, diktatura e bandave nuk është kurrë një diktaturë me burgje dhe kampe përqendrimi. Diktatura e bandave nuk është kurrë me izolim. Diktatura e bandave është diktaturë sepse njëlloj si në diktaturë ideologjike, të gjitha pushtet përqendrohen në dorën e padrinos, në dorën e një njeriu. Diktatura e bandave vërtet ka zgjedhje periodike, por bandat përcaktojnë rezultatin. Dhe padrinoja vendos një kuadër të të tërë joligjor për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve. Dhe këto janë realitet, nuk janë shpikje tona. Dhe dramatike është se njerëzit besojnë se këtu u zhvilluan zgjedhje dhe ky i mori. Jo mo nuk i mori. Se nëse i heq këtij në zgjedhjet e fundit 583 mijë zarfa, nëse i heq këtij dhjetëra mijëra patronazhistë që qëndronin si polici politike ndaj votuesve, nëse i heq këtij largimin nga qendrat e votimit të 1.3 milionë zgjedhësve, nëse i heq këtij paratë nën dorë të pafundme, shpërndarjen e mbi 500 milionë euro investime, tërmetet, etj, ky mor zotëri të garantoj se kurrë nuk merr më shumë se votat e atyre që vjedhin me të. Mirëpo ne prapë jemi në kushte se diktatura e bandave është njëlloj i ri diktature. Ku ti je në parlament, po ai t’i mohon të gjitha të drejtat dhe të bën të paqenë.  Ku BE prodhon një dokument që vë kusht të parë pikërisht këtë të parlamentit, dialogun dhe ky bën të kundërtën, sjell po atë ditë ligjin që përjashton nga 10 në 2 muaj deputetin dhe i heq mandatin përkohësisht. Diktatura e bandave bën që kundërshtari politik, në kundërshtim me çdo ligj dhe precedentin 32-vjeçar, të sanksionohet nga gjykata për të mos dalë jashtë vendit, pa marrë miratimin e parlamentit. Në një kohë kur çdo deputeti, për të cilin gjykata ka kërkuar bllokimin e pasaportës, organet pa përjashtim, edhe vetë SKAP-i, kur kanë qenë socialistë, kanë kërkuar miratimin e parlamentit. Pra, jemi  në kushtet kur narkodiktatori do të marrë nëpërmjet mënyrave më aligjore edhe pushtetet që nuk i kontrollon akoma. Kështu që protestat kanë qenë program i padiskutueshëm. Ju e lexuat rezolutën ose ndoshta dëgjuat fjalën time, alfa dhe omega e fjalës sime dhe rezolutës janë mosbindja civile dhe protestat. Nuk kanë lidhje. Më e rënda është amendamenti që u votua dje në parlament. Ai çfarë thotë ai? Nuk mund të ushtrojë asnjë aktivitet i lidhur me deputetin. Do të thotë asgjësim i mandatit të deputetit për dy muaj. Çfarë i thotë mendja, Edi Ramës, atë bën. Por Edi Ramës ç’është e vërteta po i përfundojnë letrat dhe do të marrë atë që meriton.

-Të hënën nis protesta dhe nuk do të ndalë më, siç keni deklaruar apo është një protestë që mbyllet brenda ditës…  

Sali Berisha: Do të ketë një zinxhir protestash. Tani ne fillojmë stinën e protestave. Pa diskutim që një projekt ka ekzistuar se asgjë nuk bëhet pa projekt. Po projekti modifikohet dhe fillohet me protesta madje edhe sporadike ku të lindin, me qëllimin më madhor që të shkohet drejt organizimeve më të fuqishme në vazhdim…

-E keni grupin e Gazment Bardhit mbështetës në këto protesta.

Sali Berisha: Unë besoj se çdo njeri që kundërshton Edi Ramën është me këto protesta.

Mariglen Kume, MCNTV: Në daljet e fundit e fundit publike ju keni denoncuar me dokumente implikimin e kryetarit të bashkisë Tiranës, për çështjen e inceneratorëve. Thatë se keni të tjera dokumente që do ti publikoni. A ka pasur ndonjë interes nga SPAK që të vijë e ti tërheqë të gjithë ato materiale, prova që ju keni për këtë çështje.

Sali Berisha: Personalisht çdo bashkëpunëtori i kam kërkuar që dokumentet t’i dorëzojë në SKAP. Por kjo taktikë do rishqyrtohet sepse konstatojmë se ato janë fshehur dhe përdoren për manipulim apo informohet i hetuari. Kështu që duke mos thënë se do ndërpritet plotësisht ky proces, do ketë modifikimet e veta. Sepse ne do fillojmë, që ta dini ju, të ngremë paditë penale ndaj skapistëve. Amnistia e Erion Veliaj është krimi më i shëmtuar që është kryer dhe ata që kanë amnistuar Erion Veliajn do paditen dhe do kenë një padi penale të përjetshme gjersa të gjykohen. Nuk mund të ndodhë ajo. Të bësh ndaj këtij populli në këtë mënyrë, do të thotë se ke marrë nja 1 milionë, nja 2 milionë, dhe nuk pyet për asgjë tjetër.

Anesti Bajramemaj: Në mbledhjen e grupit parlamentar u diskutua për protesta ditën e hënë dhe të enjte e në vijim, por u ra dakord me shumicë që nuk duhet të kishte pasi mbivendosej çështjes tuaj dhe dukej sikur kjo protestë do të bëhej për ju. Në këtë moment kur ju me grupin parlamentar vendosët të mos kishte protesta, por në kryesi në mënyrë të njëanshme jashtë grupit vendosët të thërrisnit protesta. A ka një krisje …

Sali Berisha: Jo nuk ka asnjë krisje me Gazment Bardhin. Pse nuk ka? Sepse nuk u votua fare aty. E vërteta është se po të votohej, shumica do dilte për protestë. Por pikërisht se ne nuk operojmë me shumicë dhe pakicë, por ecim me mirëkuptime më të gjëra, por nëse do votohet, shumica do ishte për protestë. Por natyrisht duke parë situatën dhe një ligj që nuk mund të vendosej kurrë, të përjashtosh deputetin ti, po Kongresin amerikan e bllokon 24 orë një kongresmen, del në platformë dhe nuk e kanë hequr. Dhe quhet filubuster, janë matur disa herë për ta hequr, por nuk e kanë hequr. Duhet të kesh një durim aty. Se çfarë po protestojnë këta? Po protestojnë që të kenë të drejtë për të hetuar Edi Ramën. Se Edi Rama po bën kërdinë. Unë do u paraqes këtu dhjetëra e dhjetëra tendera të Rea Xhillarit dhe si përgjigje, ai doli e tha se nuk është pjesë e familjes sime. A mundet që të sillesh në këtë mënyrë? Se kush është anëtar i familjes sime e përcakton ligji për zyrtarin. Don apo nuk don ti, i ke anëtarë të familjes tënde. Kurse ai njëherë thotë janë, pastaj del që vajza nuk është. Nuk mund ta falim. Dhe ua thashë ju, do kërkohet heqja e mandatit të Edi Ramës. Do dorëzohen dokumentet, po mbledh grupin e juristëve për të kërkuar heqjen e mandatit. Ka shkelur Kushtetutën, ka shkelur ligjin.

-Nëse ditën e hënë, Gazment Bardhi dhe deputetët që e mbështesin atë nuk do të dalin në protestë, a është një krisje kjo…

Sali Berisha: Asnjë krisje në grupin parlamentar nuk ka sepse procesi me grupin parlamentar është një proces i pandalshëm në vazhdim. Asnjë krisje, asnjë! Të garantoj se ata janë kontributorë shumë të rëndësishëm, të gjithë deputetët, në një arritje shumë të madhe të PD. Kanë meritë shumë. Edi Rama dhe qeveria e tij u damkos siç është- do edhe pak punë, po punë duhet edhe këtu brenda se njerëzit akoma nuk e kanë kuptuar se këtu është diktaturë- po jashtë në kancelaritë, e patë ju, Brukseli, edhe pse bëri klounin, ishte njeriu më i vetmuar.

-Të hënën do të jeni në shesh me qytetarët, apo do të mbroheni në Këshillin e Mandateve.

Sali Berisha: Për sa i përket pjesëmarrjes në Këshillin e Mandateve, unë do konsultohem me avoketërit, sepse aty në Këshillin e Mandateve, skapistët nuk shkojnë për të marrë miratimin siç përcakton Kushtetuta, të autorizimit për sanksionimit të Sali Berishës. Por në mënyrën më të turpshme shkojnë për të legalizuar aktin e tyre të paligjshëm, jolegjitim. Shkojnë me kërkesën, meqenëse unë nuk kam pranuar masat e tyre të sigurisë, fund e krye antikushtetues, meqenëse unë kam refuzuar të bëhem pjesë e një puçi antikushtetues të Edi Ramës, të marrjes së pushtetit të parlamentit, nëpërmjet larove në SKAP dhe gjykatë, atëherë sipas tyre, kërkojnë autorizim për rëndim të masave të sigurisë. E kupton që dalin lakuriq mercenarë politikë. Kjo është e vërtetë. Duke thënë të gjitha këto, unë do dëgjoj edhe zërin e avoketërve. Sepse siç e keni konstatuar se pavarësisht nga të gjithë denoncimet e drejta që kam bërë për ta, jam përpjekur të dëshmoj se nuk pranoj të jem në një mjedis apo moment parashtetëror. Jo, ato ashtu siç janë, avoketërit e mi kanë qenë vazhdimisht në ndjekje, ndonëse procesi është antikushtetues.

Edon Kuqi, Zëri.ai: Duke qëndruar tek dita e hënë, ditën kur nisin protestat, në një farë mënyre a po i tregoni forcën tuaj SPAK, duke qenë se do të jenë të pranishëm në Këshillim e Mandateve.

Sali Berisha: Nuk ka asnjë lidhje me SKAP-in. Po të ishte për SPAK-un, bënim thirrje të shkonim te SPAK-u. Absolutisht nuk ka asnjë lidhje. Ka lidhje me Edi Ramën dhe vendimin e tij të tmerrshëm antidemokratik që mori në parlament. Pra, është vazhdim i protestave tona. Të enjten do jemi para parlamentit.

-Duke qenë se në një studio televizive mbrëmë keni deklaruar se edhe nga qelia më e errët do ta drejtoni ju PD. Në kushte të tilla a mendoni që mund të jetë forcë fituese PD…

Sali Berisha: Tani nuk ka më të ndalur.  Historia ka treguar se në kushte të tilla, partitë veçse janë forcuar dhe kanë ecur të sigurta drejt fitores. Kur ka ndodhur kjo në raste të përsëritura, si mund të mos ndodhë kjo me Sali Berishën? PD do shkojë drejt fitores. Është eksperiencë historike kjo, nuk më mbetet mua të bëj vlerësim.

Mariglen Kume, MCNTV: Ditën e hënë do të jetë një protestë e qetë paqësore, apo do të jetë një nga ato protesta në të cilat skenarët nuk i tregoni as për aksionin opozitar.

Sali Berisha: Le të presim ditën e hënë të shohim se si do jetë protesta.

-Mosbindja civile do të thotë të futeni edhe në institucione.

Sali Berisha: Le të shohim se çfarë do të jetë. Ne kemi filluar protestat për rrëzimin e qeverisë. Nuk fillojnë të hënën, kanë filluar prej 5 javësh zhvillohen në parlament, shtrihen tani në rrugë, në sheshe dhe kudo.

Erneta Shevroja, ABCNews: Doja vetëm një koment në lidhje me një deklaratat tuaja. I konsideroni gjyqtarët e SPAK si të kapur. A do të thotë se nuk do të respektoni vendimin e parlamentit, gjë që ju e keni thënë më përpara, për autorizimin.

Sali Berisha: Jo nuk do të thotë. Unë do të respektoj vendimin e parlamentit, sado që është kryekëput dorëzim pushteti dhe antikushtetues. Unë nuk di ndonjë institucion tjetër që ka tagrin përveç parlamentit. E kam thënë dhe e them prap, do ta respektoj vendimin e parlamentit. E gjithë kjo ka lidhje me dhunimin e kushtetutës që i bën Edi Rama me ato larot e tij, se Sali Berisha ka dërguar në vitin 2012 ligjin për të abroguar plotësisht nenin 72 të imunitetit të deputetit. Unë nuk jam kundër, ndonëse shumë pak vende e kanë në këtë formë, po unë them se Shqipëria nuk do humbiste nëse do ishte në grupin e kësaj pakice. Parlamenti për të mbrojtur pushtetin e tij, për të mbrojtur Kushtetutën, duhet t’i kthejë mbrapsht ata, duhet t’i disiplinojë se kanë marrë një vendim antikushtetues duke i marrë pushtetin. Duhet t’u thotë nxirrni njëherë konkluzionin, pastaj hajdeni, sillni provat, sillni faktet, bëni propozimet dhe ne jemi të hapur për çdo shqyrtim. Parlamenti nuk e bën këtë se gjithçka është e urdhëruar dhe e dirigjuar nga Edi Rama, por cilido që të jetë vendimi, unë do zbatoj vendimin e parlamentit.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale