Berisha: Erion Veliaj, në qoftë se do të shpëtosh, shko drejt te 313-a. Triumfi i Tiranës është fitore vendimtare për qeverinë teknike të ardhshme dhe rikthimin e opozitës në pushtet

FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje mësuesve që të bashkohen me opozitën, pasi kauza të cilën ata kanë, rritjen e pagave, është e drejtë. Sipas kryedemokratit, mësuesit guxuan të protestojnë tek kryeministria dhe nëse nuk u plotësohen kërkesat, kanë kërcënuar me grevë urie.

Duke i’u rikthyer marrjes në pyetje të Erion Veliajt nga SKAP, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se vjedhja e shekullit nuk do të falet kurrë dhe nuk të lejohet të amnistohet.

‘Skrapi i partisë do digjet në flakët e kësaj vjedhje’, tha Berisha, duke paralajmëruar Altin Dumanin që të mos amnistojë Erion Veliajn.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka paralajmëruar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj që të shkojë drejt e në burg, nqs do të shpëtojë nga qytetarët. ‘Erion Veliaj, në qoftë se do të shpëtosh, mos shko në Skap, por shko drejt te 313-a, përndryshe gjyqin do ta bëjnë në sheshin Skënderbej’, u shpreh Berisha gjatë protestës maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryedemokrati Sali Berisha u bëri thirrje opozitarëve që të dalin në protestën e të martës, kundër Erion Veliajt. Berisha tha në fjalën e tij, se triumfi i opozitës në Tiranë është një fitore vendimtare për qeverinë teknike të ardhshme dhe rikthimin e opozitës në pushtet.

Kryetari i PD-së Sali Berisha, ka ftuar profesionistët e lirë që t’i bashkohen protestës së opozitës, pas rritjes së taksave me 15%. ‘Bashkohuni me ne për padrejtësinë e madhe që u ka bërë Edi Rama’, tha Berisha gjatë protestës maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’.

Lideri i opozitës ka vlerësuar protestën e djeshme të zhvilluar para Bashkisë së Tiranës kundër vjedhjes 100% të kryer nga drejtorët e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke i bërë dhe një thirrje këtij të fundit. ‘Protesta e djeshme kulmoi kur fluturoi në erë barrikada që mbronte kryehajdutin! Erion, o hajdut, shihe pak atë skenë’, u shpreh Berisha në fjalën e tij në ‘Rrugën e Shpresës’.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Nderimin më të madh për ju luftëtarë të pamposhtur të kauzës së drejtë.

Miqtë e mi, sot është 1 Maji.

Sot, një grup mësuesish guximtarë protestuan para kryeministrisë dhe kërcënuan për grevë urie për shkak të poshtërimit, të nënçmimit që regjimi i narkoshtetit të Edi Ramës iu ka bërë atyre në këto 11 vite për shkak të rrënimit katastrofal të shkollës sonë.

Të dëbimit të butë të qindra mijëra nxënësve nga Shqipëria.

Për shkak të rënies së tmerrshme vertikale të cilësisë së arsimit në këto vite.

Por unë sonte kam një thirrje për të gjithë mësuesit e Shqipërisë.

Bëhuni luftëtarë të drejtë të kauzës suaj.

Ju sot jeni mësuesit më të keqpaguar në rajon dhe në Europë dhe mos harroni se në vitin 2013 ju ishit mësuesit më të mirëpaguar në rajonin tonë.

Por në qoftë se ju sot jeni mësuesit më të përçmuar dhe të keqpaguar, jeni të tillë sepse fondet e bollshme që ekzistojnë për 2 dhe 3 fishimin e rrogave tuaja, janë vjedhur, vjedhur dhe vetëm vjedhur nga qeveritarët aktualë.

Të dashur mësuese, mësues, mjekë, infermierë, punonjës të shërbimeve të tjera, mbroni kauzën tuaj.

Kauza juaj është kauzë e drejtë.

Bashkohuni me ne, se beteja jonë kundër hajdutëve që zhdukin në bankat offshore, që zhdukin në pallate dhe hotele luksoze qindra milionë euro, është edhe kauza juaj.

Është kauzë e drejtë.

Të bashkuar ne firmosim të sigurt më shpejt fitoren që meritojmë.

Miqtë e mi, dje ishte dita e shpërfytyrimit të kryehajdutit të Tiranës, Erion Veliaj.

Dje ishte dita në të cilën ai doli para gjithë Shqipërisë dhe botës si një rrenacak ordiner.

Si një shpifarak i neveritshëm.

Por ndryshe hajduti më i madh i Tiranës nuk mund të jetë veçse si ai.

Dje, nga vrima e miut ku ishte futur, i rrethuar dhe i mbrojtur nga 1 mijë policë, çonte sharje dhe ultimatume.

Por unë jam sot këtu para jush t’i them se nuk ka forcë në botë që të shpëton nga qytetarët.

Jam para jush për t’u thënë skapistëve se nuk ka forcë që do u shpëtojë nga qytetarët.

Jam para jush për t’i thënë Erion Velisë se vjedhjen e shekullit nuk e falim kurrë.

Jam para jush për t’i thënë Skrapit të partisë se vjedhja e shekullit do ju djegë në flakët e tij edhe ju.

Erion Veliaj, je simboli më i degjeneruar, më i degraduar i hajnit dhe mashtruesit.

Erion Veliaj, jep dorëheqjen se nuk ka forcë në botë që të të mbrojë ty.

Se vendi yt, jo sot, por prej 4 vitesh duhej të ishte në qeli.

Në qeli të thellë për vjedhjen e tmerrshme që i ke bërë Shqipërisë.

Erion Veliaj, kërkon të lash duart me djegësat. Por nuk je ti mo hajdut që i ke dërguar Shkëlqim Canit dhe më pas Arben Ahmetajt 5 shkresa, ku i kërkoje financimin e djegësit të Tiranës.

A je ti apo është një tjetër ky?

Po ke ti fytyrë, moral të lash duart pse të amnistojnë Dumanë dhe Zamanë, llumra të drejtësisë në Shqipëri dhe botë?

Po ke ti fytyrë, moral të përpiqesh të lash duart se të amniston Dumani yt, në një kohë kur ke vendosur firmën në emër të Këshillit Bashkiak pa e mbledhur atë?

Ke firmosur në emër të Këshillit të Qarkut, pa e mbledhur atë.

I ke dhënë 8 pikë me përfaqësuesit e tu, kompanisë që nuk ekzistonte mbi tokë.

A nuk je ti, i zotuar me firmë dhe vulë se do mbikëqyrësh çdo punim, se do raportosh çdo muaj për situacionet e djegësit 130 milionë, që nuk ekziston as nam dhe as nishan, vetëm e vetëm se ti i çojë paratë në kontot e tua offshore o hajdut.

O hajdut që kërkon atë që do të marrësh.

A nuk je ti o hajdut që duke vjedhur qytetarët e Tiranës, ke 5 vite që zbaton tarifën 29 euro, që është tarifa e djegies së plehrave, në një kohë që nuk ke djegur një kg?

A nuk je ti o hajdut i shpërfytyruar që ke marrë në dorë ndërmarrjen e dherave dhe inerteve, duke garantuar kështu 60 milionë euro të tjera për kompaninë tënde?

Këto t’i fshehin Dumanë dhe Zamanë, por i garantoj se në pleh do përfundojnë edhe ata.

Plehu, vendin e ka në pleh.

A nuk je ti mor rrenacak i pakarakter që u deklaron qytetarëve të Tiranës se ke mbjellë 1 milion pemë vetëm për të vjedhur tarifën e 1 milion fidanëve?

A nuk je ti që ndërton shkolla me 8-fishin e standardit evropian dhe mësuesit numërojnë kafshatën dhe mezi mbyllin muajin?

Thirri mor mendjes se nuk ka forcë në botë që të shpëton ty.

Erion Veliaj, në qoftë se do të shpëtosh, mos shko në Skap, por shko drejt te 313-a, përndryshe gjyqin do ta bëjnë në sheshin Skënderbej.

Dhe do gdhendin me germa të zeza emrin tënd në shtyllën e turpit të historisë.

Miqtë e mi!

Dje ishte një ditë e bardhë, një ditë fitoreje.

Ishte agu i ngadhënjimit të opozitës mbi narkodiktaturën.

Ndaj dhe këto ditë gjer të martën e bekuar që vjen, ta bëjmë natën ditë.

Të punojmë, të trokasim në çdo zemër të qytetarëve të Tiranës.

Të mblidhemi të martën për të festuar fitoren.

Fitoren e merituar.

Fitorja, triumfi i Tiranës, çlirimi i shtëpisë së parë të kryeqytetit është fitore vendimtare për qeverinë teknike të ardhshme.

Është fitore vendimtare për rikthimin e opozitës në pushtet.

Është fitore vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë dhe çeljen e rrugës së integrimit të këtij vendi.

Ndaj përsëri sonte u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohemi në kauzën tonë të drejtë.

Ju bëj thirrje të gjithë atyre forcave politike, lëvizjeve politike që e ndjejnë se kleptokracia, se sundimi i drogës, bandave dhe krimit të Edi Ramës janë dramë e vërtetë kombëtare për shqiptarët.

Të bashkohemi, të përmbushim misionin tonë, shpëtimin e Shqipërisë.

Është koha e provës, është ora e provës për çdo shqiptar që ndjehet opozitar.

Për çdo shqiptar që përjeton padrejtësi në kurrizin e tij.

Të bashkohemi në një front të përbashkët.

Fitoren e kemi të sigurt.

Kam një thirrje të veçantë për ata dhjetëra mijëra specialistë dhe ekspertë të profesioneve të lira, shërbëtorë të nderuar të qytetarëve shqiptarë.

Bashkohuni me ne për padrejtësinë e madhe që u ka bërë Edi Rama.

Bashkohuni me ne të përballemi dhëmb për dhëmb jo vetëm për veten, por për fëmijët tanë, për mbarë shqiptarët.

Studenteve dhe studentëve, gjimnazistëve dhe gjimnazisteve iu bëj një thirrje zemre, ngrihuni në lartësitë e ëndrrës suaj se ju, se familja, se Shqipëria nuk ka asgjë më të bukur se ëndrrën tuaj të bëhet realitet.

Bashkohuni me ne se sot ju jeni të rinjtë më të përçmuar, më të injoruar, por edhe më të poshtëruarit.

Ju meritoni të ardhmen.

E ardhmja juaj është e ardhmja e ndritur e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Sot i duheni Shqipërisë ju. I duheni shumë me guximin tuaj. Me trimërinë tuaj.

Jepjani asaj një dorë, një mbështetje se ajo do ua shpërblejë ju dhe fëmijëve tuaj.

Të dashur miq!

Dje ishte një ditë e papërsëritur që nga viti 1991.

Kulmoi kur fluturoi në erë barrikada që mbronte kryehajdutin.

Nderim, nderim guximtarëve që e shkulën atë.

Erion, o hajdut, shihe pak atë skenë.

Shihe edhe njëherë që të japësh dorëheqjen se nuk ka forcë që të shpëton nga urrejtja popullore që ekziston për ty.

Edhe njëherë, ju përshëndes me nderimin më të madh.

Përshëndes oratorët e fjalës së zjarrtë të kësaj tribune.

Përshëndes protestuesit që e ndrynë hajdutin në vrimën e miut.

Fitore, fitore, fitore!

Rrofshi ju, rroftë Tirana, rroftë Shqipëria.

Fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale