Mirëdita! Zhvillimet dramatike të ditëve të fundit faktojnë edhe njëherë përfundimisht se ky është shteti i mafies, qeveria është mafia e shtetit. Jam këtu për të denoncuar edhe njëherë errësirën me të cilën qeveria përpiqet të mbulojë vdekjen e të ndjerit Enver Sheshi, i arrëstuar për aferën e inceneratorëve.
Menjëherë pas komunikatës zyrtare e cila ngjallte më shumë dyshime se sqarime, një breshëri meazhesh nga qytetarët vërshuan, të cilët shprehnin dyshime edhe bindje se i ndjeri Enver Sheshi është viktimë e mafies së djegësve. Është viktimë e mafies qeveritare të djegësve.
Këto informata shtonin se Enver Sheshi i arrestuar për një skemë të devijimit të parave të djegësve, kishte vendosur të fliste, dhe pas kësaj xhelati mafioz i kësaj afere të tmerrshme e cila ka për kokë direkt Edi Ramën, gjeti mënyrën sipas këtyre burimeve ta çojë në botën tjetër dëshmitarin e rrezikshëm.
Zonja dhe zotërinj!
Afera e djegësve është afera më flagrante e cila dëshmon se Edi Rama dhe ministrat e tij funksionuan tërësisht si një organizatë kriminale. Kreu i ekzekutimit shqiptar firmosi kontratën me një kompani në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit në kundërshtim me vendimin dhe shkresën e entit kombëtar të specializuar te prokurimeve të Agjencisë Kombëtare të Prokurimeve Publike, e cila i shkruante Këshillit të Ministrave se: ‘Metoda e aplikuar për këtë kontratë nuk ekziston në ligjet e vendit.’
Agjencia e Prokurorimeve Publike e bëri këtë dy herë me radhë, por Edi Rama duket se duke e patur ndërmarrje të vetën, ndërmarrjen e djegësve, pavarësisht nga ky vendim që s’mund të parakalohej kurrë, përveçse me ndryshimin e ligjit në parlament, Edi Rama firmosi një kontratë kryekëput në interes të vetin dhe të klanit të aferës së djegësve.
Po kaq i implikuar në këtë aferë është Engjëll Agaçi. Është Arben Ahmetaj, pa firmën e të cilit, ose pa bashkëfirmën e të cilit me Edi Ramën, asnjë qindarkë nuk mund të merrej nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave për të paguar kompaninë e tyre të djegësave. I zhytur deri në vesh është Erion Veliaj, i cili zgjodhi që me djegësin e Tiranës, të shndërrojë fushën e Sharrës në një minierë floriri për veten dhe Edi Ramën. Zgjodhi që përmes këtij pasurimi të çmendur duke vjedhur mbi 100 e sa milionë euro për djegësin e Tiranës, për pasurimin e tij dhe të Edi Ramës, të firmoste vendime që këshilli nuk i kishte marrë ndonjëherë, të firmoste vendimin në emër të qarkut, për vendime që nuk i kishte marrë ndonjëherë.
Prej 6 vitesh, Erion Veliaj vjedh dhe rrjep qytetarët e Tiranës me një tarifë prej 28 eurosh për ton/mbetje, ndërkohë që vetë kontrata e kompanisë së tyre përcakton se kjo tarifë do merret vetëm për djegien e plehrave, ndërkohë që ajo e kompostimit dhe depozitimit do jetë gjithësej 11 euro.
Pra, Enver Sheshi dinte shumë të fshehta. Kishte dëgjuar shumë. Veprimet i kishte kryer në garanci të madhe për mbrojtje. Nuk jam këtu për të bërë nekropolitikë, jo. Por në çdo rast vdekje në rrethana të dyshimta. Akti i parë i detyruar me ligje ndërkombëtare dhe kombëtare për autoritetet është transparenca e plotë për të gjithë ndodhitë. Çfarë ndodhi me Enver Sheshin?
Bllokim total i një hetimi nga shoqëria civile. Komiteti shqiptar i Helsinkit, në përmbushje të detyrimeve të veta ligjore në këtë vend, i sinjalizuar në mënyrë të pavarur për dyshimet e forta që ekzistojnë rreth vdekjes së Enver Sheshit dërgoi të vëzhguesit e tij në të gjitha institucionet përkatëse.Vëzhguesit e pavarur të komitetit shqiptar të Helsinkit që unë i përshëndes, gjetën në çdo institucion që trokitën bllokim, mashtrim. Ata konstatuan se drejtori i burgut 313 nuk pranoi t’i lejonte ata të njiheshin dhe të merrnin të dhënat më elementare, që duhet të ishin publike, madje as të këqyrin qelinë ku i ndjeri Enver Sheshi jetonte në burg. Nuk u lejuan të takojnë asnjë gardian, asnjë punonjës të burgut 313, as ata që vuanin dënimin së bashku me të.
Komiteti shqiptar i Helsinkit gjeti të njëjtën situatë në Prokurorinë e Tiranës dhe Policinë e Shtetit. E vërteta është se një OPGJ për arsye që s’do i marrim dot vesh ndonjëhrë, ishte paraqitur në morg për të konstatuar të dhënat e viktimës. OPGJ aq sa kishte mbledhur ia kishte dërguar Prokurorisë së Tiranës, e cila mohonte kategorikisht të ketë marrë një gjë të tillë. Prokuroria me cinizëm ekstrem, sikur të ishte një shpellë mafie, përgjigjej se këtu nuk ka një çështje penale.
Pra, vdes një njeri në kushte thellësisht të dyshimta, dhe prokuroria nuk gjen motiv të nisë hetimin. Nuk gjen motiv se ajo merr urdhër të mbyllë gojën. Jo kryesisht, por as me inicime, as me paditë e familjes. Ka një optuzitet të plotë rreth kësaj vdekjeje. Nuk ka një konfuzion nga autopsia. Institucionet e specializuara i kthyen mbrapsht inspektorët e Komitetit shqiptar të Helsinkit me pretendimin se u duhen 30 ditë për të hapur gojën.
Pra, këto qendrime të cilat zëvendësojnë transparencën e domosdoshme në këto rrethana të vdekjes së një njeriu në duart e shtetit, me bllokimin e kësaj transparence, flasin në favor të asaj teze, të atij mendimi, se me Enver Sheshin kemi të bëjmë me një akt të mafies. Në vdekjen e Enver Sheshit ka gisht mafia qeveritare e djegësve.
Jam këtu për t’i bërë sot thirrje Komitetit të anti-torturës së Këshillit të Europës, Komisionit të të Drejtave të Njeriut të OKB, por edhe Amnisty International, të bëjnë gjithçka për të kontribuuar në zbardhjen e vdekjes së këtij qytetari, e cila përbën një nga radhët seriale e vdekjeve të shumta në institucionet e vuajtjes së dënimit ku aplikohen të gjitha llojet e torturave çnjerëzore dhe kanë humbur jetën shumë e shumë të burgosur e të paraburgosur në duart e këtij shteti mafioz.
Mafia është ajo që sundon kudo. Krimi është vendimarrësi absolut i këtij vendi. Krimi ka bajlozët e tij, të përfaqësuar me Edi Ramën në qeveri. Krimi ka përfaqësues në parlament me Ballën e Gjiknurin. Krimi ka përfaqësues Erion Veliajn në Bashkinë e Tiranës dhe në mbarë intitucionet e tjera të këtij vendi.
Krimi vendos në rrugë, në parlament, në qeveri, në prokurorime, në gjykata, në polici dhe kudo.
Njëlloj si në narko-shtetet më të konsoliduara në histori, në Amerikën Latine, rrugët, sheshet e qyteteve tona tani janë të vendosura tërësisht, në çdo metër katror nën kontrollin e syrit të ciklopit. Kamerat e vendosura nga organizatat kriminale, të cilat bashkëpunojnë ngushtë me segmentet e tyre në polici dhe institucionet e tjera.
Vendosja e Shkodrës në një sistem kamerash të specializuara nga organizatat kriminale, është dëshmia më flagrante e gjithë fuqisë së mafias në këtë vend. Mendoni ju se është vetëm Shkodra? Absolutisht jo. Është çdo pjesë e këtij territori. Shkoni po të doni ju në Vlorë, nga Levani ju kkapin kamerat ju. Nisuni në Elbasan, nga Iba jeni të filmuar. Shkoni në në Korçë, nga qafë Plloça, kudo syri i ciklopit ndjek qytetarët, dhe policia bën, ose bashkëpunëtorin, ose të paditurin.
Jam këtu, për të denoncuar edhe njëherë në emër të PD mafien shterërore dhe shtetin e mafies, si një kërcënim madhor për shqiptarët, për Ballkanin, për Europën. Edi Rama e ka shndërruar Shqipërinë në eksportues kryesor të krimit në Europë. Të pasigurisë në Europë. Dhe pastaj vërsulen kur të tjerët denoncojnë krimin shqiptar, i cili në fakt ka fytyrën e qeverisë shqiptare. Dënoj me ashpërsinë më të madhe, dhe shpall publikisht përpara shqiptarëve se zero tolerancë ndaj krimit të organizuar do të jetë alternativa e PD dhe i opozitës. Faleminderit!