Berisha: Enver Hoxha me masakrën ndaj intelektualëve në Tiranë, kreu aktin e parë makabër të dekapitimit të elitës kombëtare

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Pasi falënderoi shqiptarët e Britanisë së Madhe për takimin e shkëlqyer me ta, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin qytetar, përkujtoi edhe masakrën e komunistëve ndaj intelektualëve të Tiranës të kryer në muaj tetor dhe nëntor të vitit 1944.

Lideri i opozitës, kujtoi 80 vjetorin e hyrjes në Tiranë, të bandës terroriste të Enver Hoxhës, ku vendosi në kryeqytet dhe mbarë Shqipërinë, diktaturën më të egër që shqiptarët kishin njohur në historinë e tyre. ‘Enver Hoxha me masakrën në Tiranë, kreu aktin e parë makabër të dekapitimit të elitës kombëtare’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se regjimi gjakatar i diktatorit Enver Hoxha persekutoi mbi 120 mijë shqiptarë në tërësi. ‘Të përballemi ‘dhëmb për dhëmb’ me pasardhësit bastardë të xhelatëve’, ishte thirrja e liderit të demokratëve, Sali Berisha drejtuar qytetarëve në tubimin e përnatshëm.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, qëndrestare dhe qëndrestarë, të të vërtetave, kauzës së drejtë të çdo shqiptari.

Mirënjohje të pakufishme oratorëve të fjalës së lirë, në këtë tribunë, në të cilën shpërndahen të vërtetat në mendjen dhe zemrat e shqiptarëve.

Në emrin tuaj, dua të përshëndes me përzemërsi të madhe dhe mirënjohje, ata qindra e qindra emigrantë shqiptarë në Londër dhe qytete të tjera të Britanisë së Madhe, që u mblodhën sot në një takim mahnitës, në një takim me entuziazëm të paparë dhe vendosmëri, për të marrë në dorë votën e tyre të lirë, rol përcaktues në përmbysjen e narkoshtetit në Shqipëri.

Të dashur miq!

Sot është një ditë jo e mirë, një ditë e zezë për Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë.

Si sot 80 vite më parë, pushtimi i huaj u zëvendësua në këtë kryeqytet me pushtimin e bandës terroriste të Enver Hoxhës, që vendosi në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, diktaturën më të egër që shqiptarët kishin njohur në historinë e tyre.

Enver Hoxha, vrasësit e tij serialë, terroristët pasi shndërruan luftën çlirimtare të shqiptarëve në luftë vëllavrasëse dhe luftë civile, erdhën në Tiranë me listat e vdekjes dhe ekzekutuan gjatë muajit tetor dhe nëndor, dhjetëra e dhjetëra, edhe mbi 100 atdhetarë të vërtetë, intelektual të shquar, pasardhës të familjeve që shpallën pavarësinë e vendit, kontributor të rëndësishëm të ndërtimit të shtetit të parë shqiptarë, të ushtrisë, arsimit, punëve publike dhe të gjithë sektorëve.

Enver Hoxha kreu në këtë masakër, aktin e parë makabër të dekapitimit të elitës kombëtare.

Intelektualë të shquar, të shkolluar në shkolla më të mira të perëndimit, nuk u larguan nga vendi, nuk kishin asnjë implikim me pushtuesit, përkundrazi disa prej tyre luftuan me pushkë në dorë, ose mësues me kryekriminelin e kombit, Enver Hoxha dhe për këtë ata, duke e ditur mirë se cili ishte, duhet ti zhdukte dhe i zhduku.

Miqtë e mi, masakra tetor-nëntor e vitit ’44 u urdhërua direkt nga Beogradi. Urdhri i Beogradit u përcoll direkt nga Enver Hoxha; të spastrojmë shtëpinë ishte urdhri i tij për vrasësit e tij, Beqir Balluku dhe Kristo Themelka etj.

Sot pas 80 vitesh, në pushtet për dramën e shqiptarëve, janë pasardhësit e akteve më të rënda kriminale, e vrasësve serialë që vrisnin tek dera e shtëpisë pa asnjë faj, pa asnjë përgjegjësi, intelektual që kishin qëndruar në Shqipëri për ti shërbyer vendit.

Pasardhës të atyre, që jo në ’44, por edhe në ’88, siç është xhelati Kristaq Rama që firmoste varjen në litar të disidentit Havzi Nela si kundërshtar politik.

Masakra e tetor-nëntorit të vitit ’44, u shoqërua pastaj me akte të tjera, masakra  të tjera, gjenocid të vërtetë ndaj shqiptarëve. Vetëm në kampin e përqendrimit famëzi të Kuçit, Enver Hoxha kishte ndryer, edhe 60 intelektualë të tjerë, që të gjithë të shkolluar në universitetet më të mira të perëndimit.

Vazhduan asgjësimet dhe kompletoi në pak vite, dekapitimit të elitës kombëtare.

E la kombin pa elitën e tij. Mbushi Shqipërinë me burgje e kampe përqendrimi.

Më shumë skuadra pushkatimi se sa skuadra sporti. Ekzekutoi për fjalën e lirë, mbi 6 mijë e sa shqiptarë. Dergji në burgje dhe kampe dhjetëra e dhjetëra mijëra të tjerë.

Persekutoi mbi 120 mijë shqiptarë në tërësi.

Miq!

Sot prap ne jemi i vetmi komb që përjetuam një diktaturë të tillë staliniste, përjetojmë një diktaturë të pashpirt, të pamëshirë, por tashmë jo staliniste, tashmë diktaturë të bandave, drogës e krimit, diktaturën e Edi Ramës.

Nderimi më i madh që ne u bëjmë dhe mund tu bëjmë, martirëve të tetorit dhe nëntorit të vitit ’44, martirëve të diktaturës, nga ’44 në 1990, është të përballemi dhëmb për dhëmb me këta bastardë të xhelatëve. Me Edi Ramën, balluken e tij, Lubi Ballukun, me Çuçin e të gjithë çuçët e tjerë.

Të dashur miq!

Beteja kundër diktaturës është gjithnjë një betejë e vështirë, por asgjë në botë nuk ka më frymëzuese për njeriun se sa beteja kundër saj.

Asgjë në botë nuk ka bekimin e Zotit më shumë se, beteja kundër saj.

Se qëndresa kundër saj, të bindur dhe të sigurtë se kjo diktaturë i ka kohërat e numëruara.

Kjo diktaturë e bazuar mbi narkoshtetin, pati mbështetje të fuqishme ndërkombëtare.

Në mbështetje të saj, të plotë dhe totale qëndroi e majta marksiste-leliniste e kryemafiozit, Xhorxh Soros.

Por kjo e majtë ekstreme, stuhia e saj kundër identitetit njerëzor, kundër familjes njerëzore, familjes, kundër dinjitetit, mori goditjen më të tmerrshme, më të rëndë nga kombi i madh Amerikan.

Mirëpo është jetike, vendimtare për të ardhmen tonë, që këtë goditje ta marrë dhe në Shqipëri, në kopshtin e krimeve të Xhorxh Sorosit dhe Edi Ramës.

Edi Rama le të sillet e të mbështillet, të harrojë më, se do të ketë mbështetjen, përkundrazi çdo ditë që kalon, iu garantoj se e afron me qelitë e McGonigalit.

Se Olsi i tij, një kryetrafikant rajonal, le të mbrohet sa të dojë nga Dumani, por nuk do ti shpëtojë kurrë ligjit, për trafiqet e tij kriminale.

Se Dumani, ky mercenar që për një pyetje merr 1 milionë, do të ketë fatin e faqeziut Jack Smith, që ja mbathi sapo fitoi Donald Trump.

Miqtë e mi, beteja është e vështirë vërtetë kundër diktaturave, por frymëzimi është shumë herë më i madh.

Guximi i qytetarëve shqiptarë është shumë herë më i madh, revolta është shumë herë më e madhe, zemërimi është shumë herë më i madh.

Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë!

Fitore,

fitore,

fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale