FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, SALI BERISHA NË EVENTIN ‘20 SHKURT 1991, KUJTESË PËR VEPRIM’
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Berisha gjatë eventit të 34 vjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha në 20 shkurt të vitit 1991, e cilësoi atë si “Hitlerin shqiptar”, që i bëri shqiptarët të vuajnë një diktaturë të trefishtë, me persekutime, burgosje, internime dhe një urie masive që shkatërroi Shqipërinë.
Berisha përshëndeti me emocion të veçantë studentët dhe qytetarët që morën pjesë në protestat e 1991-shit si një akt çlirimi, që shënoi fillimin e lirisë pas 47 viteve nën diktaturën komuniste të Hoxhës.
Kryedemokrati, Sali Berisha kritikoi ashpër vendosjen e shtatores së Enver Hoxhës në Tiranë, duke e quajtur atë një akt urrejtjeje për vuajtjet që diktatori ka shkaktuar ndaj shqiptarëve. Ai theksoi se, përveç tiranisë së mjerimit, Hoxha vendosi një izolim të plotë për shqiptarët, duke i mbajtur të ngujuar dhe të izoluar nga bota. Berisha përshkroi se pas rrëzimit të shtatores, pati reagime të dhunshme nga njerëz që kërkonin rikthimin e kultit të Hoxhës, por forcat demokratike arritën të shmangin një konflikt civil dhe të parandalonin rikthimin e diktaturës.
Lideri demokrat, Sali Berisha e quajti këtë ditë, ditën e kujtesës për viktimat e diktaturës dhe lavdëron sakrificën e atdhetarëve që qëndruan të palëkundur për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Sipas Berishës, ata që qëndruan të fortë në burgje dhe kampe përqendrimi, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në rrëzimin e komunizmit dhe fitimin e lirisë më 1992.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për një sundim autoritar dhe antishqiptar, duke e krahasuar me babain e tij, Kristaq Ramën, i cili 37 vite më parë firmosi varjen e Havzi Nelës. Berisha theksoi se Rama ka realizuar një Shqipëri pa opozitë, ku të gjitha pushtetet janë përqendruar në duar të tij, ku akuzoi me tone të ashpra burgosjen e liderëve të partive opozitare dhe lehtësimin e krimit elektoral.
Kryedemokrati, Sali Berisha fajëoi Ramën për varfërimin e qëllimshëm të shqiptarëve gjatë 12 viteve të sundimit të tij, duke e krahasuar këtë me doktrinën e diktatorëve që besojnë se është më e lehtë të sundosh të varfrit.
Berisha iu drejtua me tone të ashpra Ramës, duke e akuzuar për krijimin e një diktature të krimit, drogës dhe vjedhjes. Lideri demokrati e cilësoi veprimin e Ramës si një “serial” atë që zhvillohet në Tiranë, duke përmendur dy ngjarjet e fundit: rrethimin e gjykatësve një javë më parë dhe organizimin e një mitingu për të mbrojtur vjedhjen. Sipas Berishës, ky miting kishte si qëllim mbrojtjen e narkosëve dhe korrupsionit të lidhur me regjimin e Ramës, duke përfshirë vjedhjet masive që ai dhe zyrtarët e tij, si Erion Veliaj, kanë kryer.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari i OD, Sali Berisha theksoi influencën e George Sorosit në Shqipëri, duke e akuzuar atë për mbështetje të praktikave që lidheshin me një narkodiktaturë. Sipas Berishës, Shqipëria ka qenë një vend ku praktikat e ekstremit të majtë, të cilat përfshijnë censurën, manipulimin e zgjedhjeve dhe ndikimin në drejtësi, kanë lulëzuar më shumë se kudo tjetër.
Berisha e lidhi ndikimin e Soros me Edi Ramën, duke e etiketuar atë si një “kukull” të Sorosit.
Kryetari i PD, Sali Berisha përshëndeti fitoren e Donald Trumpit, duke e shfrytëzuar si një shembull për t’u kundërvënë influencës të majtë dhe Sorosit.
Berisha tha se 20 shkurti duhet të frymëzojë shqiptarët për të luftuar për një Shqipëri të lirë dhe të zhvilluar. Ai apeloi për një angazhim të fuqishëm për zgjedhjet e ardhshme dhe një program që do të çlironte shqiptarët nga mjerimi, duke ofruar mundësi për zhvillim ekonomik dhe teknologji të lartë. Qëllimi është të largohen nga “diktatura e drogës, vjedhjes dhe krimit” dhe të sigurohet një të ardhme më e mirë për vendin, shtoi ai.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt të gjithëve, të dashur miq në këtë sallë. Por, një përshëndetje të përzemërt në emër tuajin, të gjithë atyre studenteve dhe studentëve që në 17 shkurt të vitit 1991 morën një nga vendimet më të rëndësishme në historinë e lirisë shqiptare, një nga vendimet e rëndësishme që mund të marrë njeriu, vetflijimin për një kauzë të madhe, për një kauzë të drejtë, për kauzën e lirisë.
Një mirënjohje dhe nderim të pakufijshëm edhe atyre shqiptarëve që në përgjigje të thirrjes së kohës vërshuan në të katërta anët e Shqipërisë dhe mbushën atë mëngjes të 20 shkurtit sheshin e ‘Qytetit Studenti’, si kurrë ndonjëherë në ekzistencën e atij sheshi, në një veprim shpëtimtar për studentet dhe studentët liberatorë që ishin ngujuar për të hequr emrin e xhelatit më të madh të shqiptarëve në histori, Enver Hoxhës, universitetit të tyre dhe që pas një kohe rreth asaj ndërtese nën thirrjet e Rajmonda Bulkut u nisën drejt sheshit i cili vazhdonte të mbetej sheshi i pushtetit, sheshi në të cilin mbretëronte tirani i gjithëfuqishëm.
Ajo ditë është dita e triumfit të guximit të qytetarëve shqiptarë, të të përndjekurve politikë, intelektualëve, studentëve mbi tiraninë, mbi tanket, mbi blindet, mbi diktaturën, e cila kishte shpalosur të gjithë potencialet e saj.
Në fakt, ajo është dita e vërtetë e lirisë së shqiptarëve pas 47 viteve diktaturë të egër komuniste.
Është dita e çlirimit të tyre nga kulti më i keq, më i lig që ata kanë patur në tërë historinë e tyre.
Enver Hoxha, i krahasuar me shumë të drejtë në deklaratat e Parisit si Hitleri shqiptar i pasluftës, përveç burgosjes, internimit, persekutimit të qindra e mijëra shqiptarëve gjatë diktaturës së tij staliniste, përveç lojës së luftës së klasave, vendosi mbi shqiptarët një diktaturë të trefishtë si asnjë diktator tjetër komunist i asaj kohe. Më e egër, më mizore, me pasoja edhe më të mëdha se loja e luftës së klasave, ishte tirania e mjerimit që ai vendosi me hiperkolektivizimin e Shqipërisë dhe vendosjen e kombit në tërësinë e tij në uri të vazhdueshme kronike. Uri e cila merrte jetë shqiptarësh nga foshnja 1 vjeçare gjer tek të moshuarit.
Uri e cila topiste mendjet njerëzore në atë shkallë, saqë siç thotë një filozof i njohur studiues i diktaturave, thotë se: njerëzit që detyrohen, të mendojnë të kenë pasiguri të madhe të mendojnë për kafshatën e gojës e kanë të vështirë të mendojnë për kërkesa tjera.
Diktaturë e cila, krahas tiranisë së mjerimit, në dallim nga të gjitha diktaturat tjera komuniste, vendosi tiraninë e izolimit. Në rast se kombet tjera ish-komuniste nga Hani i Hotit gjer në Kamçatkë lëviznin lirshëm në hapësirën e tyre, shqiptarët ishin të ngujuar, të ndryrë në 28 mijë km2 dhe të shkëputur nga bota, çdo përpjekje e tyre do të hasej me breshëri automatiku.
Kjo tirani izolimi u shiqëria me indoktrinimin ekstrem të tyre. Indoktrinim i cili bëri që edhe vite pas vdekjes së diktatorit, kulti i tij të mbetej i stërfuqishëm.
E them këtë sepse, indoktrinimi që shqiptarët pësuan nga ai kult është indoktrinimi më i keq që njerëzit mund të kenë patur ndonjëherë në histori.
Pas rrëzimit të shtatores, mijëra e mijëra shqiptarë rrëmbyen armët. Kjo është e vërteta, se gjërat duhet t’i themi siç janë. Mijëra të tjerë u përpoqën të rikthejnë në shtatoren në piedestalin ku ishte vendosur flamuri kombëtar, por të gatshëm për gjakderdhje shkrepën breshëri kallashnikovi në Fier. Plagosën dhe vranë mbi 11 protestues dhe po kështu në mbarë vendin.
Mirëpo, forcat demokratike nuk u tërhoqën. Ato kanë një meritë të madhe, sepse nuk ranë në lojën e një konflikti civil. Bënë gjithçka dhe shmangën një konflikt civil, por nga ana tjetër bllokuan të gjitha përpjekjet për rikthimin e diktatorit në piedestalin e tij dhe rivendosjen e kultit.
Në rast se, Ramiz Alia pas kryengritjes së 2 korrikut arriti të rivendosë perden e hekurt me një vendosmëri kriminale, nuk arriti më të rikthente diktatorin në piedestalin ku ishte.
Kjo ditë është shpallur zyrtarisht edhe dita e kujtesës kombëtare, e nderimit të vuatjeve, të sakrificave, marterizimit të të përndjekurve politikë në Shqipëri.
Ka patur një debat për këtë ditë. Dita e nderimit të martirëve të ditkaturës komuniste mund të kishte data të tjera, por u them t ëvërtetën ju këtu, ajo ditë u dekretua vetëm për të shënuar triumfin e tyre.
E pazakonshme që të zvarriten statuja, por statuja e satanit u zvarrit në rrugët e Tiranës si një akt urrejtjeje dhe hakmarrje, për atë çfarë i kishte bërë kundër shqiptarëve.
Në këtë ditë, unë përulem me nderimin më të thellë para marterizimit, para sakrificës, qëndresës për lirinë e fjalës, për besimin tek Zoti, për besimin tek Shqipëria, për vokacionin perëndimor të kombit shqiptar të qindra e mijëra atdhetërëve të këtij vendi, të cilët përjetuan shtypjen më të egër, barbaritë më të mëdha, por nuk u mposhtën.
Qendruan si luanë në burgjet dhe kampet e përqendrimit të Shqipërisë dhe i shndërruan ato në kështjella të pamposhtura, i shndërruan në qendra të fuqishme, vatra kryengritjesh përballjesh me diktaturën dhe dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm historik në fitoren e PD mbi diktaturën komuniste, më 22 mars të vitit 1992.
Të dashur miq, sot ne jemi në një situatë, në një gjendje, në një diktaturë në disa aspekte më të egrën që ka njohur kombi. Sot, Edi Rama në 12 vite të sundimit të tij zbatoi pikë për pikë platformën më antishqiptare të hartuar ndonjëherë, atë të Vaso Çubrilloviqit, të largimit të shqiptarëve nga Shqipëria.
Sot, ai veçanërisht mandatin e fundit, shpalosi para shqiptarëve dhe botës një Shqipërie pa opozitë. Të një Shqipërie ku të gjitha pushtetet duhet të ishin në duart e tij. Të një Shqipërie në të cilën ai burgosi 3 liderët e partive kryesore opozitare. Të një Shqipërie ku krimi elektoral nuk ndëshkohej, por përkundrazi amnistohej si li censë për t’u përzgjedhur në zgjedhje dhe për të garantuar mandatin.
Mund të ketë njerëz që nuk janë dakord, por ju them se në këtë rrafsh, Edi Rama dallon shumë shumë pak, ndofta aspak, me babain e tij që 37 vite më parë firmoste, intelektual ai gjoja, firmoste varjen në litar në shesh publik të Havzi Nelës. Për fajin e vetëm se, Havzi Nela kishte mendime tjera nga skulptori xhelat, Kristaq Rama.
Pra, Edi Rama punoi dhe u anagzhua me të gjithë forcën e tij për një Shqipëri pa opozitë. Por miqtë e mi, jo, kjo është vetëm njëra anë.
Edi Rama punoi për Shqipërinë e mjerimit, për Shqipërinë e varfërisë.
Të gjithë ata të cilët duan të ndalen në shifra, në fakte, do të gjejnë se kjo që ndodhi në 12 vite është varfërim i qëllimshëm i shqiptarëve, është varfëri në doktrinën e diktatorëve, të cilët bësojnë se të varfërit mund t’i sundojnë më lehtë.
Në qoftë se, Enver Hoxha zgjodhi bunkerë dhe tunele në paranojën e tij, për të investuar 35% të buxhetit çdo vit, Edi Rama vodhi me minsitrat dhe zyrtarët e tij çdo vit jo më pak se 40% të buxhetit të shqiptarëve.
Në këtë vjedhje të tmerrshme qendron shkaku, se pse shqiptarët nga më mirë të paguarit në vitin 2013, qoftë në rroga, qoftë pensione në krahasim me popuj të tjerë të rajonit, sot janë 2-3 herë më pak të paguar se sa ata.
Në këtë vjedhje të tmerrshme qendron shkaku se pse shqiptarët në spitalet e tyre vdesin jo nga sëmundjet, por mungesa e mjekimit.
Se pse cilësia në shkolla bie në mënyrë vertikale.
Pra, ky është dhe aspekti më i zi i narkodiktaturës së sotme.
Shumicës prej jush këtu u takoi misioni të përballen me dy diktatura. 34 vite më parë me diktaturën komuniste. Sot, pas 34 vitesh me një diktaturë tjetër. Diktaturë krimi, droge, vjedhje e shqiptarëve. Shikoni çfarë ndodh.
Në rast se ktheheni dy javët e fundit, është seriali real më i jashtëzakonshëm i Narcos-it, por tashmë i zhvilluar jo në skenat e Hollivudit, por i zhvilluar në pallatet e pushtetit të Tiranës, në rrugët e këtij qyteti. Një javë më parë rethohej për të rrahur gjykatësit, për t’i marrë peng. Sot, organizojnë miting, për çfarë?
Për të mbrojtur vjedhjen, që vetëm një garderobë arrinte sa e Asadit. Dhe ky është vetëm aspekti, absolutisht më i vogël.
Çfarë ishte mitingu i sotëm?
Ai ka shumë lexime, në shumë plane. Por në një plan ishte mbrojtja, avokatia publike e narkosve, të garderobës të Lajla Asadit të Shqipërisë. ishte mbrojtja e vjedhjeve nëpërmjet kompanive, të cilat së bashku s’bëjnë as 1/6 e atyre që Edi Rama ka vjedhur bashkë me Erion Veliajn në djegësat, me 5D dhe në shumë e shumë afera të tjera të përbashkëta.
Miq, ne qendruam ndaj kësaj diktature, qendruam me bindjen se është detyrim të përballesh me të keqen. Por qendruam edhe me bindjen se, kurrë nuk do mund të zgjasë. Dhe bindja jonë u provua e drejtë.
Donald Trump, fitorja e tij ishte fitorja e lirisë në botë. I deklaroi kombit të tij se, rreziku ynë më i madh është rreziku i brendshëm. Jo Kina, jo Rusia. Janë armiq, por një armik tjetër i brendshëm është rreziku më i madh për popullin amerikan.
Çfarë ishte ky armik?
Ky armik ishte armata e të gjithë atyre që predikonin censurën për pushtetin e tyre. Ky armik, ishin ata të cilët bënin gjithçka për të manipuluar zgjedhjet. Ky armik, ishin ata të cilët krijuan drejtësinë politike. Që kandidatin për president, sapo kandidoi i ngrinin padi me dhjetëra e dhjetëra akuza.
Ky armik, në shumë aspekte po i paraqiste SHBA-të një vend me drejtësi politike, një vend të censurës.
Ky armik, sulmoi familjen, vlerat e saj. Ky armik, sulmoi gjininë njerëzore. Doli përtej Marksit, sepse me ndërhyrjen në identitetin e gjinisë njerëzore, do të krijonin njeriun e ri, shoqërinë e re. Po ky armik, miqtë e mi, kur në SHBA-të 350 milionë banorë shtet ndërmori gjithë ëkto masa, në Shqipëri ishte shumë më i egër.
Në krye të këtij sulmi të ekstremit të majtë qendronte monstra e njerëzimit, Xhorxh Soros, i cili tejkaloi Marksin. Me doktrinën e ndërhyrjes në gjininë njerëzore që jep Zoti, ai tejkaloi dhe vet Marksin.
Por, të jemi realistë. Askund, në asnjë vend tjetër nuk u përsëritën, nuk lulëuan si në Shqipëri këto praktika, këto qendrime dhe u shndërruan në nëj faktor të fuqishëm të mbështetjes së narkodiktaturës.
Lavdi Zotit, Donald Trump fitoi. U rikthye, duke patur përballë makinerinë më të fuqishme të kohërave, të shpifjes, manipulimit, mashtrimit. Shpëtoi nga atentatet dhe i preu kokën gjarprit.
Nuk janë të rastit, të dashur qytetarë dhe qytetare etiketimet dhe qendrimet ndaj Edi Ramës. Në gazetën më të madhe të botës, dje cilësohej përsëri si kukulla e Sorosit, sepse është ai, sepse ashtu qe. Sepse Aleksi, pas çdo krimi që kryenin, do vinte këtu dhe ia hidhte krahun në qafë: vëllai im, Erion. Vëllai im, Edvin.
Pra, kjo situatë kërkon një përgjigje të fuqishme, kërkon një angazhim të madh nga të gjithë ne. Kërkon së pari, të bëjmë gjithçka për të garantuar votën e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendi më 11 maj.
Të pregatisim programin më të mirë, programin më të transformues për Shqipërinë.
Programin që çliron me shpejtësi shqiptarët nga dhimbjet e mjerimit.
Programin që iu jep shqiptarëve në dorë çelësin e suksesit për iniciativën e tyre, mundin e tyre, djersën e tyre, biznesin e tyre. Programin që u garanton shqiptarëve jetë dinjitoze. I bën ata aksionerë me të ardhurat nga pasuritë përrallore të këtij vendi.
Programin që këtë vend të bekuar e shndërron në një vend të fuqishëm prodhues.
Programin, që këtë vend e shndërron në vendin e teknologjive të larta, në mënyrë që, të rinjtë e Shqipërisë të ndërtojnë ëktu ëndrrën shqiptare. Në mënyrë që, Shqipëria të kapërcejë këtë shok demografik që pësoi, këtë genocid të zbutur që përjetoi.
Pra, janë 1001 arsye që 20 shkurti të na frymëzojë ne, të frymëzojë shqiptarët drejt një fitoreje të re, të madhe, në të cilën ata ndahen nga diktatura më e keqe që Europa ka njohur. Diktatura e drogës, vjedhjes së shqiptarëve dhe krimit.
Është radha jonë! Ne do fitojmë!
Faleminderit!