Berisha: Edi Rama porositës i vrasjes së opozitës largohet vetëm me revolucion. Juri Kim dhe Matthew Palmer prisnin me padurim fitoren e Edi Ramës. Ky revolucion është jetik për të çmontuar këtë regjim!

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E KRYESISË NË SELI

Mirëdita!

E thirrëm këtë mbledhje për të diskutuar rreth situatës aktuale politike dhe elektorale në vend.

McGonigal që vazhdon të jetë kryefjalë e mediave botërore është në burg, kurse porositësi i vrasësit me pagesë të Opozitës shqiptare është në pushtet. Cilido që mendon se ky porositës i krimit më të shëmtuar ndaj demokracisë dhe pluralizmit. Asgjësimit të pluralizmit de facto, largohet me votën e lirë, gabon. Është iluziv, gënjen veten Kjo është e vërteta.

Ky porositës i vrasjes së Opozitës largohet vetëm me revolucion, sepse Shqipëria një vend anëtar i NATO-s ka degraduar në shkallën më ekstreme. I përket sot sot grupit në Europë, është narkoshteti i parë dhe i vetëm. Narkoshtet do të thotë sundim i mafies dhe drogës.

Shqipëria është vendi i qytetarëve ku vidhen në mnëyrën më monstruoze. 4.5 milionë euro po ndërtohet autostrada Janinë-Kakavijë. 22 milionë euro po ndërtohet autostrada Limuth-Rrogozhinë. A mund të pranojmë një gjë të tillë? A mud të pranojnë shqiptarët këtë shkelmim që iu bëhet?

Marrim vetëm këto dy krahasime.

Kurse rrugët anësore të autostradës Lekaj-Tepelenë shkojnë 7.1 milionë dollarë për kilometër. 320 milionë së bashku.

Fati i këtij revolucioni varet nga komunikimi ynë intensiv me qytetarët. Jo nga komunikimi nëpërmjet ekraneve. Ekrani është i akullt. Do të përdorim ekranet, por kontaktet direkte janë rruga absolute e suksesit të revolucionit.

Për ne ishte një ndihmë e jashtëzakonshme arrestimi i McGonigal me akuzat dhe qartësimin se ai komplotoi kundër pluralizmit në Shqipëri. Por, siç e thoshte Uashington Examiner, zyrtarë, në shumës, jo për njëjës, askush nuk duhet të ketë iluzione se McGonigal ishte person i izoluar.

Dhe në këtë periudhë, ua them këtu, ata që vazhduan veprën e McGonigal, me non-grata, me sulmet e paimagjinueshme ndaj PD, një forcë politike që përpiqej të mbronte vlerat perëndimore në këtë vend, po përpiqej të mbronte shtetin ligjor, po denonconte me gjithë mundësitë e veta. Por ajo nuk duhej të ekzistonte për këtë mafie të rrezikshme. Duhej të ekzistonte vetëm Edi Rama, i cili ndante para me valixhe dhe ushqente këto shushunja. Dhe që shfrytëzonin pushtetin e vendeve të tyre kundër opozitës shqiptare në një rast unik.

Të gjithë kemi lexuar për grushte shteti për rrëzim qeverie, por grusht shteti për rrezik opozite ndoshta ka ndodhur, por nuk kam lexuar ndonjëherë.

Pra, ne na duhet një dialog shumë intensiv. Sepse ky grup jo vetëm ndërmori aktet më të turpshme dhe kriminale ndaj opozitës dhe pluralizmit të këtij vendi, por ky grup i siguroi kësaj organizate kriminale mbrojtjen më të fuqishme ndërkombëtare, evidente. Nuk duhet të harrojmë qëllimet më kryesore, se si shkohej dhe urohej tjetri për zgjedhje në natën e zgjedhjeve, dhe përsëri të nesërmen në kundërshtim me një kod botëror etike, që thotë uro fitoren, por të presim shqyrtimin e ankesave. Është një standard që për hir të së vërtetës e dha ambasadori i SHBA në OSBE në Vjenë.

Por këtë nuk e dha Juri Kim, nuk e tha Matthew Palmer. Prisnin me padurim fitoren e Edi Ramës.

Me çfarë meritash? Se e shndërroi Shqipërinë në narkoshtet? Që nxori të dhënat private të qytetarëve dhe ia dha partisë së tij? Nuk kishin rëndësi këto. A ishin të paguar nga Edi Rama apo jo, nuk e di, por realiteti është ky dhe ne duhet të ngurrojmë ta themi në sy realitetin.

Çdo shqiptari, u luajt me fatet e tyre. Të luash me votën, luan me fatin. Asgjë në rrafshin politik për njeriun e lirë nuk e përcakton fatin më shumë se vota. Merret apo nuk merret me politikë. Por në një vend kur qytetarët votojnë të lirë funksionon ligji. Në një vend ku qytetarët votojnë të lirë, respektohet ligji, të drejtat themelore, tregu vetëm pasuron njerëzit. Në një vend ku njerëzit votojnë të lirë ka paqe sociale.

Ky qendrim u mbajt vetëm e vetëm për të shtypur opozitën shqiptare dhe për të ndihmuar një regjim kleptokratik, një narkoregjim.

Ndaj dhe e konsideroj jetik këtë dialog, shtëpi më shtëpi, derë më derë, me çdo qytetar, pavarësisht bindjeve të tij politike. Sot është koha që ne të bëjmë gjithçka për një komunikim direkt me qytetarët.

Ju e shihni, gazeta më e madhe në SHBA, Uashington Pos, ose ndër më të mëdhatë, thotë që Edi Rama është i zhytur deri në fyt në afera sekrete me McGonigal. Ju e dëgjuat gazetarin e BILD nga Nju Jorku, deklaroi haptas se dokumentet e Ministrisë së Drejtësisë por edhe hetimi i kërkimit të gazetarëve faktojnë se McGonigal u mor me Sali Berishën.

Tani themi prap. McGonigal është në burg, ky rri kryeministër këtu. S’mund ta pranojmë ne këtë.

Ndaj dhe duhet të vazhdojmë me persistencë absolute këtë revolucion. Në mënyrë kreative. Unë e di që çdo ditë do dëgjoni njerëz dhe qytetarë që ju thonë se pa dhunë, nuk përmbyset, nuk arrihet. Unë u them atyre, dhe ju do t’u thoni, se qëndresa është forcë. Dhuna nuk të sjell në objektivat që kërkon.

Ne jemi në hapat më fillestare të mosbindjes civile, të shfrytëzimit të potencialit të jashtëzakonshëm që ka mosbindja civile. Nuk shkojmë te forca. Sepse të shkosh te forca, do të thotë të synosh të marrësh pushtetin me forcë. Që në këtë moment, kjo forcë asgjëson veten. Nuk jemi ne parti e pushtetit me forcë, jo!

Por përdorim çdo formë të mosbindjes civile.

Ju e shihni se si sillen në parlament. Kurrë parlamenti Linda-Rama, Rama-Linda nuk ka qenë në këtë situatë. Kurrë! Një grusht të zhveshur nga çdo morali politik, e trajtojnë parlamentin si një klub të neveritshëm, si një plaçkë të neveritshme.

Bënë dje deklaratë që të më akuzonin mua si fajtor për sjelljet e shfrenuara të të tjerëve. Apo fajin e ka Saliu edhe këtu? Kjo ishte kulmore. Ja deri ku shkon degradimi. Ua them unë ju.

Duhet ta dini se aty nuk ishte vetëm Edi Rama, ishte edhe diçka tjetër.

Ndaj kërkoj tani që koalicioni PD-PS i grave që të faktonte se për shfrenimet e tyre, fajin e ka Berisha. E dhashë këtë shembull për të thënë se shikoni se në çfarë shkalle, këta kanë humbur çdo lloj logjike. Kanë humbur gjithçka dhe janë të aftë të thonë çdo gjë, të ndërmarrin cdo gjë.

Duhet të falenderojmë shumë qytetarët për përgjegjësinë dhe pjesëmarrjen e tyre në protesta. Duhet të vazhdojmë. E kemi përcaktuar, mirë, qartë. Nuk ka vend sot si parlamenti. Është më keq Kryeministria, po ajo është moniste, kurse Parlamenti me ligj me Kushtetutë është pluralist.

Aty një grusht që mund t’ju vësh çdo epitet shtyp pluralizmin, Kushtetutën, të drejtat dhe del në fund dhe thotë se dhe për shfrenimin e këtij apo asaj, fajin e ka opozita.

Deri këtu arrin verbëria e tyre.

Revolucioni ka një dimension tjetër, po kaq të rëndësishëm, po kaq jetik: dimensionin elektoral. Sepse bëhet çdo gjë që të grabiten zgjedhjet, të plaçkiten zgjedhjet. Ne duhet të qendrojmë ndaj çdo akti, ndaj çdo veprimi, ndaj çdo përpjekje të shkelmimit të ligjit të zgjedhjeve dhe grabitjes së tyre. Ne nuk i bojkotojmë zgjedhjet.

Përpjekja për të përjashtuar PD-në nga zgjedhjet është etapa e tretë e skenarit të të njëjtëve autorë. Si dy etapat e tjera të të njëjtit autor. Por absolutisht do marrin përgjigjen e merituar. Sepse çdo vendim, përveç vendimit që është marrë, tre muaj edhe ai me vonesë, është i paligjshëm. Nuk ka asgjë më të paligjshme se shpallja palë e atij që nuk është palë.

Ne kemi vendimin e gjykatës, ata që duan të na përjashtojnë ne, do përballen me ne. Kjo është e gjitha.

Demokratët nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga zgjedhjet, as të dorëzohen. Ky është revolucion. Unë e kuptoj që ky term ngjall debat. Por në rast se një vendi, me forca madhore, i shkatërrohet pluralizmi, si mund ta rivendosë ai?

Ai është një akt kundër-revolucionar, ky është një akt revolucionar. Ai është grusht shteti kundër pluralizmit. Po kësaj here për të përmbysur opozitën, jo qeverinë.

Ne jemi në të drejtën tonë dhe ne i injorojmë këto. Marrim vetëm qëndrimet e parlamentit: a mund të veprohet në një parlament siç vepron Edi Rama me Lindën e tij kryetare? Në mënyrën më të turpshme dhe të padenjë. Ndaj dhe ne rezistencën në parlament duhet ta shumëfishojmë. Nuk e dorëzojmë ne parlamentin. Nuk kemi autoritet për të dorëzuar parlamentin. Ne përfaqësojmë 750 mijë zgjedhës. Kështu që thashë të bëjmë këtë mbledhje, të përcaktojmë detyra më konkrete dhe të vazhdojmë betejën në të gjitha planet elektorale, politike, mediatike dhe me radhë.

Ka një pushtim të medieve. A e dini ju që për ABC-në, u shkatërrua e gjithë industria e birrës në Shqipëri? Krim i shëmtuar. Për të futur ABC-në në dorë, pronari i birrës Peja, Devolli, imponoi ndryshimin e akcizës së birrës, de facto asgjësimin e birrës në Shqipëri. Absolutisht!

Unë i them atij, mënyrën se si po e përdor atë televizion, po bën shërbimin më të keq Kosovës, Shqipërisë, por edhe biznesit. Opozita shqiptare absolutisht do mbajë qëndrimet e saj.

Po,po. U ndryshuan akcizat e birrës për të favorizuar Devollin. Unë nuk isha kurrë për ta diskriminuar Devollin. U bë pazari me ABC-në, dhe po të vini re, e ka shndërruar atë në një Kol Balla biss. Se ai i mban të dyja. Këtu është drejtor, aty është debator.

A ka më neveri se kjo? Kjo është vetëm njëra anë, ka edhe të tjera.

Unë denoncova këtë sot, dhe i them përsëri. Ne jemi miq të medias, por nëse vazhdon në këtë mënyrë ndaj opozitës, opozita do të të përgjigjet. Se ke ardhur me një mision për të shndërruar televizionin në një altoparlant Rama-Veliaj. Ky ka kaluar në ekstrem, në çmenduri.

Vjen dhe heq një seri gazetarësh. Të gjithë. Kush ka ngel? Ka mbetur Kol Balla me Kol Ballën. Beteja është në të gjitha fushat, por ne do ta fitojmë këtë betejë. Nuk ka humbur ndonjëherë revolucioni paqësor.

Revolucioni paqësor fiton, do durim.

Absolutisht fiton dhe fiton në mënyrë të sigurt.

Ky revolucion do të fitojë. Ky revolucion është jetik për të çmontuar këtë regjim dhe ne do e çmontojmë atë.

Faleminderit!

ZYRA E SHTYPIT DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale