Berisha: Edi Rama për shkak të projektit të tij krejtësisht elektoral bashkon disa bashki, po bën gjithçka që të manipulojë zgjedhjet dhe të ruajë pushtetin

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT TE PARLAMENTI

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor reformën territoriale për interesa elektorale dhe për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme. Në një prononcim për gazetarët në Kuvend, ai deklaroi se mazhoranca ka vendosur të ndërpresë procesin e reformës territoriale, pavarësisht një pune njëvjeçare për hartimin e një modeli të ri, që sipas tij duhet të ishte në interes të qytetarëve.

Sipas kreut të PD-së, ndryshimet e propozuara nga socialistët janë të orientuara drejt përfitimit elektoral. ‘Edi Rama, për shkak të projektit të tij krejtësisht elektoral, po bashkon disa bashki me shpresë se do të ndryshojë përbërjen elektorale. Bashkon Rrogozhinën me Kavajën, Prrenjasin me Librazhdin, Memaliajn me Tepelenën, Këlcyrën me Përmetin dhe një seri bashkish të tjera’, tha Berisha.

Prononcimi i kryetarit të PD, Sali Berisha:

Siç e konstatoni dhe ju, mazhoranca e krimit e vendosur të ndërpresë tërësisht reformën territoriale, ta groposë atë pas një pune 1-vjeçare të bërë për një reformë të re në përputhje me interesat e qytetarëve.

Edi Rama për shkak të projektit të tij krejtësisht elektoral, ku ndër të cilat bashkon Rrogozhinën me Kavajën me shpresë se do mund të ndryshojë përbërjen elektorale, bashkon Prrenjasin me Librazhdin, bashkon Memaliajn me Tepelenën, Këlcyrën me Përmetin dhe një seri bashkish të tjera.

Vjen ndërpret debatin dhe urdhëron papritmas votimin pa debat të të gjitha akteve antiligjore që janë paraqitur sot.

Dëshmi kjo e një narkodiktatori që nuk respekton kushtetutë, as institucione dhe asgjë tjetër përveç vullnetit të tij të lig dhe përpjekjeve për të bërë gjithçka në mënyrë që të manipulojë zgjedhjet dhe të ruajë pushtetin.

Dënoj me forcën më të madhe, bëmë një përpjekje të jashtëzakonshme siç e patë ju, kemi që në ora 10:00 që trajtojmë problemin e protestës dhe problemin e reformës, por ndaj të dyjave, partia e krimit ka një qëndrim totalisht bllokues dhe armiqësor.

Pse mendoni se erdhi zoti Rama sot në seancë?

Sali Berisha: Sepse donte që të ndërpriste, të urdhëronte ndërprerjen e menjëhershme të debatit.

E pa që debati po u nxjerr para shqiptarëve të vërtetën, si për qëndrimin e tyre ndaj protestës, ku ju e dëgjuat, zëdhënësi i tij bëri fjalë për terroristë në mënyrë të paimagjinueshme, të pakonceptueshme për protestuesit paqësorë.

Nga ana tjetër, projekti për reformën ne qëndruam vendosmërisht për respektimin e ligjit, sepse raporti që paraqet Mazniku, është absolutisht i paligjshëm, mbasi ai raport nuk është paraqitur dhe nuk është diskutuar në komisionin e reformës. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt, me pasoja shumë të rënda për vendin.

Zoti Berisha, kur ju thoni se do shkrihen 20 bashki, e keni parë hartën e socialistëve?

Sali Berisha: Unë po ju them këto të dhëna i kam nga burime plotësisht të besueshme. Janë burime të sigurta thjesht që për këto që citova, janë burime të besueshme. Janë ruajtur, dhe më vjen shumë mirë që janë ruajtur, të gjitha bashkitë e minoriteteve.

Por kjo nuk do të thotë që të injorohen interesat e qytetarëve jo-minoritarë. Jam plotësisht dakord për përfilljen e sensibiliteteve të tyre, por jam dakord dhe insistoj që komuna të reja duhet të jenë krijuar patjetër. Bashkime elektorale janë absolutisht të dënueshme dhe të gjitha këto po ndodhin.

Rezulton se bashkitë e shkurtuara, janë ato që në reformën e 2014-ës iu lanë LSI-së, ka një narrativë që dëgjohet nga mazhoranca se do shkurtohen…

Sali Berisha: Jo, në reformën e 2014-ës, nga ajo reformë pakësohen edhe 10 gjer në 20 bashki. Kjo është që ta dini domethënë.

Kam edhe një pyetje. Pse u shmangët përballjes me Edi Ramën? Të gjithë deputetët tuaj u ngritën, ju qëndruat në karrigen tuaj.

Sali Berisha: Nuk kishte një përballje, deputetët nuk ishin për shkak të Edi Ramës aty siç e pe. Deputetët ishin për shkak të reformës.

Deputetët ishin aty në mbështetje të bashkëkryetarit nga ana jonë të komisionit të reformës, Luçiano Boçi, i cili kërkonte fjalën për t’u shpjeguar shqiptarëve qëndrimet e tij si bashkëkryetar ose si kryetar komisioni nga opozita.

Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale