Mirëdita! Jam sot para jush për të denoncuar me forcën më të madhe përpjekjen e rrezikshme mafioze, mobilizimin e papërmbajtur të Edi Ramës, Olsi Ramës, Amant Josifit, Artan Gaçes dhe Olta Xhaçkës, për ndikime të shumëllojshme mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në vendimin e tyre.
Ky grup i strukturuar ka ndërmarrë dhe po ndërmerr forma anti-ligjore, anti-kushtetuese presioni ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me qëllimin që të përligjin grabitjen nëpërmjet firmës së Edi Ramës nga Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj të statusit ‘Investitori Strategjik’ me së paku 5 milionë euro favore.
Kushtetuta e Shqipërisë ka qindra nene, por njëri nga këto nene do ta quaja nenin e saj të artë, dhe është neni që nuk lejon në mënyrë kategorike që nuk lejon deputetët dhe ministrat të pasurohen nga pasuritë publike gjatë periudhës që ushtrojnë detyrat apo burime të tjera, përveç rrogës. Ky nen është shkelur në mënyrën më flagrante, kur ministrja Xhaçka siguron për burrin e saj strategjik, statusin e ‘Investitorit Strategjik’. Ministrja Xhaçka kryen vepra të rënda penale, implikon kunatën e saj amerikane me banim në Boston, si bashkëpronare në këtë aferë të tmerrshme korruptive.
Amant Josifi, njeriu që ka vjedhur 2.2 bilionë euro, i lidhur kokë e xhep me Olsi Ramën dhe Olta Xhaçkën, por edhe me Artan Gaçen, ka mobilizuar të gjithë potencialin e tij financiar së bashku me të sipërpërmendurit për të ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Unë jam këtu para jush për t’u bërë thirrje gjykatësve, të gjykojnë nesër me paanësi, bazuar në ndërgjegjen e tyre, mbi interesin kombëtar dhe Kushtetutën e vendit. Gjykimi i nesërm është një provë e fuqishme e triumfit të Kushtetutës dhe neneve të saj dhe dështimit për faqe të zezë të grupit të strukturuar kriminal që po ushtron ndikim, po përpiqet me të gjitha format të ndikojë në këtë vendim të një rëndësie të jashtëzakonshme për qytetarët shqiptarë. Faleminderit!
– Si e komentoni terheqjen e Alibeajt nga padia për të bashkuar dy Kuvendet e Bashës, duke i hapur rrugë vetëm shqyrtimit për ankesen e Kuvendit të 11 dhjetorit?
Alibasha tallet me veten e tij. Kur dëgjova që Alibasha deklaroi se u zvarrit, në një kohë kur ishte avokati i tyre që në katër seanca, ose gjykata përdorte si pretekst se nuk e di si kombinohen me Ramën, kësaj i thonë të tallesh me veten. Kurse vendimi i Gjykatës së Tiranës është një vendim i prerë, i cili automatikisht duhej regjistruar në regjistrin e partive politike dhe shoqatave pranë shoqatës.
Rama ka marrë peng gjykatën dhe nuk lejon regjistrimin. Alibasha, apo quaje si të duash, në asnjë vend të botës, askush, përveç në drejtësinë e Edi Ramës, nuk mund të bëhet palë në një proces që nuk ka qenë palë. Kjo ndodh për herë të parë në historinë e botës. Është absolutisht i pavlerë. Alibasha ka të drejtë, ai dhe çdo qytetar, të shkojë në gjykatën e faktit, dhe për çdo objeksion apo provë, të hapë një proces të ri, por jo të bëhet palë. Kjo ndodh vetëm në drejtësinë qesharake të Ramës, i cili mban peng njësoj si në diktaturë, pengon regjistrimin që është automatik dhe i padiskutueshëm të vendimit të gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit.
Duke u tërhequr nga Kuvendi i 18 dhjetorit, Alibasha de facto pranoi Kuvendin e 11 dhjetorit. Por ai zbaton urdhrat e Edi Ramës. Ata janë të pavlerë. Qenie mjerane që keqpërdoren nga një njeri që nuk ka asnjë parim, nuk respekton asnjë parim, asnjë ligj, asnjë normë, dhe ky është Edi Rama.