Berisha: Edi Rama një Spiro Kolekë, ka bërë gjithçka kundër Sali Berishës, përveçse nuk e internon dot! Të fitojmë betejën për votën e lirë në këtë kilometër të fundit

KRYETARI I PD, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në bashkëbisedimin e përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale drejtoi akuza ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij, duke deklaruar se opozita ndodhet në “kilometrin e fundit” të betejës për largimin e tij nga pushteti dhe krijimin e një qeverie teknike.

Në fjalën hyrëse, Berisha tha se protestat e opozitës kanë bërë që Rama të “damkoset ndërkombëtarisht” si drejtues i “narkoshtetit të parë në Europë”. Ai theksoi se mediat ndërkombëtare e kanë cilësuar kryeministrin shqiptar si gangrenë për vendin, ndërsa shtoi se jehona e protestave ka ndihmuar në mbrojtjen e imazhit të shqiptarëve përballë akuzave për korrupsion dhe kapje të shtetit.

Një pjesë e rëndësishme e bashkëbisedimit iu kushtua çështjes së Belinda Ballukut. Duke iu përgjigjur qytetarit, Berisha deklaroi se çështja Balluku nuk është mbyllur, pavarësisht deklaratave të Ramës. Berisha deklaroi se Belinda Balluku është një kryeministre në hije, duke theksuar se ajo vazhdon të ushtrojë ndikim në ministri dhe agjenci shtetërore. Lideri demokrat, Sali Berisha tha se Oltion Bistri është rikthyer nga Balluku si koordinator i karteleve të drogës dhe organizatave kriminale. Sipas tij, në dosjen ndaj Ballukut figurojnë edhe materiale që implikojnë vetë Ramën në afera korruptive dhe fshehje pasurish.

Në një tjetër moment, Berisha komentoi dëshminë e një protestuesi, i cili tha se ishte goditur me plumb gome dhe ujë gjatë protestës së 8 majit. Kryetari i PD-së mbrojti protestat, duke deklaruar se ato janë “kryengritje paqësore” që kanë sjellë jehonë ndërkombëtare dhe kanë bërë që Shqipëria të konsiderohet “autokraci elektorale”.

Ai tha se raporti i fundit i Parlamentit Europian ka pranuar se në zgjedhjet në Shqipëri u shua kufiri mes partisë dhe shtetit, duke e cilësuar këtë si provë të manipulimit zgjedhor nga qeveria.

Berisha u pyet edhe për rezolutën e përbashkët PD-PS për integrimin europian. Ai sqaroi se Partia Demokratike mbështet integrimin në Bashkimin Europian, por shtoi se Shqipëria nuk plotëson kriteret e anëtarësimit përveç aspektit gjeopolitik. Sipas tij, në rezolutë nuk ka asnjë vlerësim për qeverinë, por vetëm detyra dhe kërkesa ndaj institucioneve shqiptare.

Në përgjigje të një tjetër qytetari, Berisha akuzoi Ramën si armik të shqiptarëve dhe tha se ai është quajtur nga analistë ndërkombëtarë kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiqit, për shkak të politikave që sipas tij kanë dëmtuar interesat shqiptare.

Lideri demokrat akuzoi gjithashtu mediat, që po përdoren për të rehabilituar figurat e akuzuara për korrupsion. Berisha përmendi ndër to edhe Mirlinda Karçanaj, e akuzuar për përfshirje në skandale tenderash dhe deklaroi se televizionet po bëjnë “tualetin mediatik” të zyrtarëve të qeverisë.

Në diskutimin për reformën territoriale dhe zgjedhore, Berisha mohoi çdo marrëveshje me Ramën, duke theksuar se pjesëmarrja e PD-së në reforma bëhet vetëm për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe votën e lirë.

Ai foli edhe për arrestin e tij dhe të liderëve të tjerë opozitarë, duke deklaruar se qeveria ka ndjekur “praktika staliniste” kundër opozitës. Berisha përmendi edhe Ilir Meta dhe Fatmir Mediu si figura të goditura politikisht nga qeveria.

Një tjetër temë diskutimi me qytetarët ishte projekti i Durrës Yacht Marina. Duke iu përgjigjur qytetarit, Berisha e cilësoi projektin “afera më e madhe korruptive në kontinent”, duke vënë theksin se në atë zonë po ndërtohet një “Dubai City” me përfitime të jashtëzakonshme për qeverinë dhe klientët e saj.

Në fund të bashkëbisedimit, Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi “zero tolerancë ndaj krimit”, duke deklaruar se nëse opozita vjen në pushtet do të goditen kartelet e drogës, do të konfiskohen pasuritë kriminale dhe do të çlirohen policia, prokuroria dhe gjykatat nga ndikimi i bandave.

Ai solli në vëmendje edhe organizatat kriminale të viteve të kaluara, si grupet e Lulzim Berishës dhe Aldo Bares, duke kujtuar se gjatë qeverisjes së tij ishin arrestuar mbi 1000 persona të lidhur me krimin e organizuar.

Në përmbyllje, Berisha deklaroi se opozita nuk do të ndalet deri në largimin e Edi Ramës dhe realizimin e objektivit për zgjedhje të lira dhe qeveri teknike.

FJALA PËRSHËNDETËSE

Së pari, u përshëndes përzemërsisht, u falënderoj me mirënjohje të pakufishme për mbështetjen, për qëndrimin tuaj të pamposhtur ndaj këtij regjimi dhe kam kënaqësinë t’u konfirmoj se është pikërisht ky qëndrim, janë kryengritjet tona paqësore, ato të cilat e kanë bërë Edi Ramën delen e zezë të medieve ndërkombëtare.

Sot, si për asnjë lider tjetër të Evropës, mediet e mëdha botërore kanë shpërthyer ndaj tij me epitete nga më të rëndat, duke e vlerësuar atë si një gangrenë që duhet të hiqet për vendin e tij.

Duke e akuzuar se mbrojtja që i bën Lubi Ballukut lidhet vetëm e vetëm me implikimin e tij në aferat korruptive.

Duke e damkosur përsëri si arkitektin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Evropë.

Pra, çdo ditë, falë kryengritjes paqësore tuaj, mospajtimit tuaj me vendimet e tij, Edi Rama damkoset sa asnjë lider tjetër në Evropë.

Kjo është një arritje serioze, e rëndësishme për forcat demokratike, për opozitën.

Kjo është një arritje e cila dëshmon se Edi Rama politikisht është i plagosur për vdekje.

Dhe se kryengritja paqësore e opozitës, me jehonën e saj të jashtëzakonshme ndërkombëtare, ka luajtur rol shumë të rëndësishëm si në mbrojtjen e dinjitetit të shqiptarëve, në hedhjen poshtë të tezes raciste se shqiptarët janë të mbrujtur me korrupsion dhe nuk reagojnë, ashtu dhe me besimin dhe shpresën tek shqiptarët dhe partnerët tanë se Shqipëria ka një opozitë të fuqishme që përballet dhëmb për dhëmb me narkodiktaturën, me regjimin autoritar të Edi Ramës.

Përballet dhëmb për dhëmb me propagandën zyrtare të medieve të kontrolluara nga Rama, të cilat si armike të egra të opozitës, marrin nga zyrat e Ramës shpifje, trillime, dezinformime dhe servirin sikur opozita është problemi.

Sikur pallati i kuq u dogj për shkak të opozitës.

Apo njëri nga krerët e grupit të strukturuar kriminal të AKSHI-t, një hajdute e pamëshirë e shqiptarëve, është një zonjë e papërlyer dhe e përvuajtur.

Pra, përballë të gjitha këtyre faktorëve, rol përcaktues vendimtar ka opozita, kryengritja e saj, alternativa e saj, programi i saj.

Dje ne paraqitëm para shqiptarëve alternativën tonë për rendin dhe sigurinë, ku shqiptarët rezultojnë njerëzit më të pasigurt pas haitianëve.

Ku specialistë të shquar faktuan me shifra dhe fakte të pakundërshtueshme pasigurinë e plotë që mbjell narkoshteti për jetën, veprimtarinë, të dhënat, punën e qytetarëve të vendit.

Toleranca zero ndaj krimit të organizuar dhe prerja me gërshërë të çelikta të lidhjeve të krimit me politikën, ndëshkimet ligjore më të rrepta, veting i plotë, çlirim i policisë nga bandat dhe krimi dhe i gjithë administratës, si dhe konfiskimi i të gjitha pasurive, pronave dhe llogarive të krimit, do të bëjnë të mundur që Shqipëria të rivendosë shtetin ligjor, sigurinë e qytetarëve.

SESIONI PYETJE- PËRGJIGJE

Muharrem Kurti: Përshëndetje, Dr. Berisha. Çfarë po bën ky Klodian Braho me Lubinë, se ajo po vjen vërdallë nëpër Shqipëri, ndërsa ky sikur është fshehur?

Sali Berisha: Siç po e shihni, deri tani nuk ka asnjë vendim konkret pas deklaratës së Edi Ramës se çështja Balluku u mbyll.

Ajo që ndodh, është Balluku si kryeministre në hije. Balluku vendimmarrëse kryesore në partinë e krimit.

Balluku çdo ditë shkon në ministri dhe në agjencitë që i drejtonte më parë për të vazhduar drejtimin e tyre dhe për të ndryshuar dokumente.

Lubia është bërë tmerr për deputetë dhe drejtues të Partisë Socialiste. Nuk guxojnë t’ia përmendin emrin. Ajo ka rivendosur, rikthyer Oltion Bistrin si koordinator kryesor të karteleve të drogës dhe organizatave kriminale. Çka do të thotë ka rivendosur rrjetin e regjistrimit të kundërshtarëve që i duhet asaj dhe Edi Ramës, vendas dhe të huaj.

Pra, de facto, nuk ka një zhvillim konkret në drejtim të Lubi Ballukut dhe Edi Ramës mbas tij. Nuk duhet të harruar se 60% e të gjithë materialeve në dosjen Balluku janë për vetë Edi Ramën. Janë vila e stërvila të tëra, pasuri përrallore që i ka vendosur në emra të ndryshëm.

Një mafie shqiptare dhe ndërkombëtare e angazhuar në këtë proces, por deri tani nuk ka asnjë veprim. Edi Rama ju deklaroi aso kohe kur hodhi poshtë, e hoqi imunitetin se çështja Balluku u mbyll, por nuk u mbyll për ne, Muharrem.

Ne jemi në këmbë dhe ne do vazhdojmë kryengritjet tona paqësore gjer në largimin e Edi Ramës. Ju jeni dëshmitarë për efektin e tyre të jashtëzakonshëm.

Kristi Meshini: Përshëndetje Doktor! Herën e fundit në protestën e 8 majit, rrugës për tek Ministria e Brendshme kam ngrënë një plumb gome në këmbë që më mbeti shenjë për dy ditë, tre presione uji përballë në trup dhe në fund u larguam të gjithë të qetë. Sa kohë do kemi këto skenare sepse kryetarët e degëve janë zgjedhur dhe janë rizgjedhur, ama në situata të tilla qëndrojnë nga fundi i protestës së bashku me disa deputetë? Sa kohë do të vazhdojmë luftën me topat e ujit dhe gazin lotsjellës pa pasur asnjë zhvillim? A ka ndonjë skenar ku një pjesë e juaja të bëjë grevë urie në parlament dhe pjesa tjetër të bëjë protesta njëkohësisht? Mua personalisht Rama më ka replikuar në një podcast live ku më fton të jem pjesë e partisë së tij. Por më thoni ju pse nuk duhet të ndjek atë parti dhe të kap edhe unë një post apo rrogë, por të përballem me ujin dhe gazin lotsjellës asnjë rezultat? Çfarë garancie apo sigurie u jepni demokratëve dhe qytetarëve që dalin në vijën e parë në çdo protestë dhe përballen me këto veprime?

Sali Berisha: Të falënderoj për mesazhin, por do shtroja një kërkesë ndaj teje. Imagjino pak se, në rast se nuk do ishin këto kryengritje paqësore, si do ngjante Shqipëria. Si do u dukej shqiptarëve dhe botës ky vend i poshtëruar dhe nënshtruar nga një bandë hajdutësh?

Unë të falënderoj shumë ty për pjesëmarrjen në protestë, por të ftoj të qëndrojmë të pamposhtur.

Është e vërtetë që ke ngrënë plumb gome në këmbë, të tjerë e kanë marrë në kokë.

Është e vërtetë që ke marrë topa uji, gazi apo të gjitha të tjerat, por të gjitha i ke marrë duke mbrojtur një çështje të drejtë të vendit tonë.

A do mund të quheshim opozitë në qoftë se do heshtnim para këtyre zhvillimeve katastrofale për vendin?

A nuk është opozita një mision për t’u përballur dhëmb për dhëmb?

A nuk patën tetë kryengritjet tona paqësore jehonën më të madhe planetare?

Ndaj dhe unë mendoj se duhet t’i shohim në këtë kahje. Nuk arritëm qëllimin, e kam theksuar dhe e theksoj, kryengritja paqësore nuk e ka efektin e menjëhershëm, por kemi arritur shumë.

Kemi mbrojtur nderin dhe dinjitetin e shoqërisë shqiptare para mbarë botës, që nuk pajtohet me vjedhjet nga qeveritarët.

Nuk pajtohet me narkoshtetin.

Kjo është një betejë në vazhdim.

Kemi arritur që të damkoset ky regjim si autokraci elektorale.

Kemi arritur me qëndresën tonë, që në raportin e fundit të Parlamentit Evropian, të shkruhet e zezë mbi të bardhë se në zgjedhjet në Shqipëri u shua linja midis institucioneve shtetërore dhe atyre partiake.

Unë mendoj se nuk duhet t’i shohim gjërat bardh e zi.

Duhet të refuzojmë propagandën zjarrfikëse të qeverisë.

Mund të organizohet më mirë protesta, por protestat kanë pasur efekt të jashtëzakonshëm.

Protestat bënë që Edi Rama të jetë në rrethin e kuq, të udhëtojë i plagosur.

Të jesh i sigurt se nëse nuk do protestoje ti me shokët e tu, teza se shqiptarët janë të mbrujtur me korrupsionin, ndaj Rama e mbron Ballukun se qytetarëve nuk u bën përshtypje, tezë ndër më poshtërueset për një komb, do bëhej mbizotëruese.

Nëse nuk ishin kryengritjet tona paqësore, AKSHI do lihej në harresë.

Por ne vazhdojmë, pavarësisht se ai largoi Lubinë, pavarësisht se ai vendosi AKSHI-n përsëri në kontroll të plotë të familjes së tij, unë besoj se për çdo opozitar, në kushtet e diktaturës, duhet të falenderojë Zotin që mund t’i qëndrojë asaj.

Natyrisht, ka edhe një rrugë, heshtja. Por heshtja është mbështetja më e madhe që mund t’i jepet diktaturës.

Ata që heshtin, ata pavarësisht se e duan apo nuk e duan regjimin, por ata ndihmojnë regjimin dhe ky regjim nuk e meriton të qëndrojë 24 orë.

Pyetje: Doktor, përshëndetje. Rezoluta PD-PS për integrimin, ngjan si një frymëmarrje që i jepet Ramës. Mund të na sqaroni diçka më shumë? Faleminderit.

Sali Berisha: Po, faleminderit. Rezoluta PD-PS shpreh atë që ne si Parti Demokratike kemi deklaruar gjithnjë, siç e dini ju, që ne mbështesim procesin e integrimit, ndonëse theksojmë se përveç kriterit gjeopolitik, Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter.

Dhe ju lutem, rikujtojeni këtë, këtë qëndrim tonin, këtë tezë kryesore tonën. Pse është kjo? Ta zbërthejmë pak.

Pas luftës në Ukrainë dhe disa ndryshimesh të tjera, në Bruksel u krijua opinioni se Ballkani perëndimor duhet të integrohet pa vonesë, të themi. Dhe u krijua përshtypja se po sakrifikohet platforma e integrimit bazuar në meritë, për shkak të predominimit të prevalencës të faktorit gjeopolitik.

Ne, duke thënë të vërtetën, themi jemi dakord për integrimin, por përveç faktorit gjeopolitik, Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter. Në qoftë se lexon, i dashur mik, rezolutën dhe unë njerëzisht ju kërkoj ta lexoni, nga rreshti i parë tek rreshti i fundit nuk gjeni absolutisht asnjë vlerësim për punën e parlamentit apo të qeverisë. Zero.

Nga rreshti i parë tek rreshti i fundit, rënditen kërkesa, detyra për parlamentin dhe qeverinë. Pra, në qoftë se ne insistojmë që për të ecur drejt integrimit duhet të ketë një performancë, duhet të jetë një proces i bazuar në meritë dhe në performancë, unë besoj se kështu ne mbrojmë interesat e qytetarëve.

Nga ana tjetër, nuk guxuan kundërshtarët tanë të mbrojnë qoftë dhe një arritje të vetme të tyre.

Lexojeni, por unë dua t’ju them ju, në qoftë se nesër do të pyeteshin se pas pesë muajsh Shqipëria do të integrohet në Bashkimin Europian kështu siç është, ne nuk votojmë kundër integrimit të Bashkimit, sepse kjo nuk është çështje e luftës ndërpartiake, kjo është çështje e shoqërisë shqiptare, kombit shqiptar, duke, duke insistuar se integrimi duhet të jetë një proces i bazuar në meritë dhe mundësisht, lexoni dhe lexoni dhe paragrafin e fundit të rezolutës, e cila përfundon se ky proces duhet të jetë i bazuar në meritë.

Kjo është e vërteta e saj.

Fatmir Selmanaj: E kam të qartë se rezoluta është në favor të shqiptarëve, pasi Partia Demokratike është partia e integrimit dhe anëtarësimit për Europë që në fillimet e saj, por ju pyes, po kur ishte në opozitë Rama, pse nuk na i votoi tre ligjet?

Sali Berisha: Sepse Rama është një armik i egër i shqiptarëve, i dashur mik.

Sepse, Edi Rama është kryeministri më antishqiptar, është i quajtur nga analistë botërorë të famshëm gjermanë, politologë dhe analistë, si Pashiqi, si kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiqit.

Dhe e ka marrë këtë vlerësim për shërbimet e jashtëzakonshme që i ka bërë Serbisë këto 13 vite dhe kundër shqiptarëve. Dhe askush nuk duhet të presë, ju lutem, që ne të bëjmë kopjen e tij në asnjë mënyrë.

Ai është një person, por ne ama kemi luftuar me kurajo të madhe, kemi luftuar në kushtet më të vështira. Edi Rama është një armik, jo vetëm i kombit, por është një armik i demokracisë shqiptare.

Shikoni ç’bën. Dekoron babain e tij xhelat, në një sfidë të hapur ndaj mijëra e mijëra shqiptarëve që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në gjenocidin komunist.

Në Durrës i vë emrin një rruge të xhelatit, të atit. Këtu në Tiranë dekoron atin. Në vend se të dënojë me forcën më të madhe dhe të kërkojë ndjesë familjes Nela për firmën që ka vendosur ati i tij për varjen në litar të një poeti të talentuar dhe atdhetar, të pavdekshëm në veprat e tij.

Me Edi Ramën nuk e ndjekim kurrë. Ju e shihni, nga viti 2007 në vitin 2014 numri i shqiptarëve në Shqipëri është rritur nga viti në vit. Nga viti 2015 deri në vitin 2024, 47% e shqiptarëve janë larguar nga Shqipëria.

Janë larguar dy ose tre herë më shumë se nga Kosova në zbatim të platformës së Çubrilloviçit. Kjo është arsyeja. Ju keni të drejtë. Ato që ai ka bërë janë të vërteta, ato janë antishqiptare, kurse ne jo. Ne e mbështesim.

Po ne çfarë kërkojmë? Ne kërkojmë që ky të mos jetë një proces në lobim, por një proces në meritë dhe jo në lobim korruptiv siç e bën ai, duke paguar këtë ose atë dhe duke bërë të kundërtën e asaj që kërkohet në standardet dhe kriteret e anëtarësimit.

Greta Beqiri: Z. Berisha, kur shohim që në disa emisione po ftohen figura si Mirlinda Karçanaj dhe Belinda Balluku, të cilat përdorin hapësirën publike për të mohuar akuzat pa u përballur me pasoja konkrete, a mendoni se kemi të bëjmë me një normalizim të justifikimit publik të skandaleve? A po kthehen këto dalje mediatike në një lavatriçe imazhi për zyrtarët e akuzuar dhe sa e dëmton kjo, sipas jush, transparencën dhe llogaridhënien reale ndaj qytetarëve?

Sali Berisha: Së pari, kjo është një dëshmi e tmerrshme e kriminalizimit të medieve të kontrolluara nga qeveria. Të bësh retushin, tualetin e Lubi Ballukut, e Edi Ramës, e Karçanajt drejtoreshë e tenderave ku njerëzit merreshin peng, do të thotë të jesh më kriminel se ata. Do të thotë se mafia e fjalës së lirë është mafia më e rrezikshme e kësaj toke sepse e para është fjala.

Sigurisht, vijmë tek mendimi juaj, është plotësisht i vërtetë. Me këto emisione duan me çdo kusht të përligjin krimin, të përligjin vjedhjen. Edi Rama nga njëra anë lufton të bëjë ligje, t’i çojë në parlament për t’i mbrojtur, në studiot televizive shpall pafajësira dhe bën tualete krimineleve apo kriminelëve të damkosur, duke dëshmuar një tentativë për të kriminalizuar të gjithë shoqërinë.

Dhe kjo është absolutisht dëshmi e kapjes së tmerrshme të medieve nga qeveria, e shndërrimit të tyre në mafie.

Mos harroni se kur qëndrestarët dhe opozitarët protestonin kundër vjedhjeve të Ballukut dhe banditë me uniformë i gjuanin ata me gaze helmuese të skaduara, i njëjti televizion që mbahet me paratë e vjedhura të taksave, shprehej se helmet e skaduara janë përdorur që t’i dëmtojnë më pak protestuesit.

Kurse në rastin e fundit përpiqet ta paraqiste të papërlyer një hajdute të pamëshirë, që ka fshehur dhjetëra milionë pasuri të dokumentuara.

Sajonin truke sikur ajo gjoja qenka viktimë e një videoje. Po kush po çan kokën për videot e saj, qytetarët kanë hallet e vjedhjeve të saj, po ç’ka bërë ajo, nuk çan kush kokën për të. Dhe që asnjë video nuk është shfaqur. Por duhet ta largonin vëmendjen dhe të thonin: ja zonja e papërlyer.

Dhe kësaj i bënë video.

Shikoni deri ku shkon kriminaliteti në studiot televizive, manipulimi.

Ndaj dhe qëndrimi i PD, i hapur dhe i prerë, vetëm e vetëm se u manipulojnë ju të dashur qytetarë, vetëm e vetëm se përpiqen të manipulojnë të vërtetat, vetëm e vetëm se përpiqen të trillojnë për të mbrojtur padronët që u japin paratë që vjedhin nga ju.

Klisman Mëhilli: Përshëndetje doktor. Duket sikur çdo gazetar dhe analist i majtë dhe i djathtë po bën çmos që t’i thuhet këtij populli që ju dhe Rama jeni në një marrëveshje të plotë për çdo reformë. Unë si qytetare kërkoj nga ju që të bëni denoncim për të vendosur dinjitetin në vend, ose kësaj shoqërie do t’ju mbushet mendja që jeni në marrëveshje dhe humbja tjetër do të jetë si ajo e Berluskonit, nën 5%. Faleminderit.

Sali Berisha: Çfarë ndodh këtu, i dashur? E gjithë kjo, kjo, ky serial mafioz ka vetëm një qëllim, mos harro, se Edi Rama bën zgjedhje dhe opozita humbet zgjedhje. Një mashtrim monstruoz, të cilin, për hir të së vërtetës, pa diskutim, për meritë të Partisë Demokratike, e faktoi para shqiptarëve dhe botës se ai bën, jo zgjedhje, po farsë.

Tani, pasi u kap në fyt se zgjedhjet i ka të tipit parti-shtet, se administratën e ka shndërruar në polici politike për zgjedhjet, se përdor jo miliona, por miliarda euro për të grabitur votën, të gjitha të dokumentuara me dokumente.

Pasi u faktua se qëndron në pushtet duke plaçkitur votën dhe ushqen shushunjat me paratë që ju vjedh qytetarëve, duhen të krahasojnë Berishën me Ramën, që absolutisht është njëlloj sikur të krahasosh anën e ndritur me anën e zezë të hënës. Në çdo lloj aspekti.

Por, ata që spekulojnë janë dhe primitivë, se në fakt, ndaj Sali Berishës, Edi Rama ka bërë gjithçka që do bënte babai i tij, përveç asaj që s’e internon dot edhe se që mund të bënte ndaj kundërshtarit politik.

Nga atentatet në mes të rrugës, tek arresti në shtëpi dhe akuza të false. Tek marrja e vulës së partisë, e të tjerë e të tjerë.

Ndaj dhe o mik, ata që bëhen krahasime, duan të mbrojnë Edi Ramën. Po Edi Rama është një bastard i bllokut, i atyre xhelatëve të regjimit, që ka futur në këtë regjim moralin e mëparshëm.  Ka rikthyer kafazet e xhamit.

Në një vend anëtar të NATO-s. Turp i dheut!

Në një vend që ecën drejt Bashkimit Europian. Turp i dheut!

Tregon veten se është një Spiro Koleka apo Kristaq Ramë i vërtetë. Pra, çfarë bëjnë? Pasi është damkosur me të gjitha këto, hajde ta krahasojmë me Sali Berishën. Një njeri i shthurur në çdo drejtim. Një njeri që po i po i rrudhet truri nga droga, me shenja të sigurta.

Nuk e shpëtojnë dot krahasorët. Nuk e shpëtojnë dot as sulmet që i bëjnë opozitës, jo. Përkundrazi, opozita sot është më e fortë se kurrë.

Është e vetmja opozitë në diktaturë që ndërmerr kryengritje të fuqishme paqësore dhe do i vazhdojë ato. Dhe do eci sigurt drejt largimit të këtij nga pushteti.

Po. Në qoftë se thuhet, e ke fjalën për reformën territoriale, i nderuar zotëri, ju mund mos t’ju pëlqejë, por ju garantoj se janë dhjetëra mijëra mbështetës dhe demokratë që kërkojnë që Partia Demokratike të marrë pjesë dhe të mbrojë interesat e qytetarëve ku janë zhdukur bashkitë dhe komunat.

Dhe, dhe nuk mund t’i japim ne luksin Edi Ramës të na sulmojnë, të thonë se ju nuk ishit. Ne ishim dhe do mbrojmë interesat e qytetarëve.

Së dyti, dhe në asnjë reformë tjetër.

Së dyti, reforma zgjedhore. Po. I dashur mik, qysh në vitin 2021 gjerë sot, unë ju kam deklaruar me dhjetëra herë, me qindra herë, mos më shumë. Se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Por unë do mbroj votën. Do mbroj votën!

Ka patur pseudo demokratë, ka patur banalisht, që thanë, ku mbrohet vota? Vota nuk mbrohet me kallashnikov nga një Parti Demokratike. Jo. Vota u mbrojt kësaj here, jua them në mënyrë të shkëlqyer.

Lexoni raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, i cili në paragrafin e parë për zgjedhjet thotë, se ‘kuadri zgjedhor i Shqipërisë lejon zgjedhje krahas kompetitive, por në këto zgjedhje, linja midis institucioneve shtetërore dhe strukturave të partisë u shua’.

Do të thotë, zgjedhjet u zhvilluan në kushtet e partisë shtet. Ne qëndruam me forcën më të madhe, me durimin më të madh, me qindra fakte, dokumente.

Ja ku është një libër këtu. Ky libër i nderuar është dërguar në të katër anët e botës, që provojnë se Edi Rama nuk bëri zgjedhje. Pra, por rekomandimet për përmirësimin e kodit zgjedhor janë të domosdoshme që të marrim pjesë.

Se në qoftë se ne nuk marrim pjesë, marrim përsipër vetëfajësinë pastaj. Çka nuk mund të ndodhi.

Nuk përzihemi ne me asgjë me reformë, është thjesht një përpjekje e dështuar e Edi Ramës për të mirësuar figurën e tij duke u krahasuar me Sali Berishën.

Po të krahasosh Edi Ramën me Sali Berishën, është si të krahasosh një njeri me djallin.

Albanian American: Doktor, pse nuk nxirrni pjesë nga dosja Balluku apo Agasi. Thuhet se në shumë paragrafë del edhe Edi Rama. Fundja, detyra e opozitës është të denoncojë.

Sali Berisha: Dosjen Agasi nuk e kemi. Për dosjen Balluku, të garantoj se çdo gjë substanciale ka dalë. Për këtë të garantoj 100 përqind.

Por, pse nuk publikohet dosja?

Anëtarët e Komisionit të Mandateve kanë firmosur para prokurorëve një deklaratë në të cilën janë zotuar se do mbajnë sekretin.

Pse e respektojnë?

Sigurisht, duhet respektuar. Aty ka dëshmitarë të penduar dhe ne nuk mund të nxjerrim dëshmitarët e penduar kurrë.

Nxjerrja e dëshmitarit të penduar është një tradhëti ndaj Kushtetutës, ndaj ligjit, ndaj funksionimit të shtetit ligjor.

Unë, besoj dhe ju jeni dakord me mua, kjo dosje për këtë arsye nuk mund të dalë. Ka dëshmitarë të penduar

Liman Lama: Përshëndetje Doktor, a mund të na thoni se sa metra ka kilometri i fundit, se nuk paska të sosur?

Sali Berisha: Të falënderoj miku im dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj në këtë shpjegim të shkurtër.

E nisëm në shtator të vitit 2021, në një kohë kur projekti ishte Shqipëria pa opozitë, ose projekti ishte Shqipëria me fasadë opozitë.

Besoj se është e qartë.

Dhe së bashku u ngritëm me guxim, u ngritëm me vendosmëri për një ideal themelor, për të mbrojtur pluralizmin e vërtetë.

Besoj se e realizuam këtë.

Së dyti, ecëm. Na e mbajtën selinë, na e morën vulën. Na përjashtuan nga lista e votimit. Janë këto të vërteta apo jo? Janë të vërteta.

Çfarë ndodhi? 500 mijë shqiptarë votuan për ne.

Edi Rama, pasi e pa që nuk kontrollon më opozitën, gjeti si rrugë, rrugën e etërve të tij. Vuri në arrest kryetarin e partisë opozitare kryesore, në arrest kryetarin e partisë së dytë opozitare, në ndjekje penale kreun e partisë së tretë opozitare.

Në praktikë, totalisht staliniste.

Po, a na mposhti dot?

Jo, nuk arriti kurrë të na mposhtë.

Me ndërhyrje të stërfuqishme u përça grupi parlamentar. U bashkuam në kundërshtim me të gjitha ndërhyrjet. Rikthyem logon, morëm pjesë në zgjedhjet lokale. Janë të gjitha kilometra këto.

I dhunoi nen për nen. Mbrojtëm votën. Librin e Zi.

A nuk ishim ne tre ose katër vite më parë forca më e izoluar në Evropë në mënyrën më të pamerituar?

Ne po luftonim mafien ndërkombëtare, mafien shqiptare, ne po luftonim për pluralizmin e vërtetë.

Por ne ia dolëm dhe sot janë 8 rezoluta ndërkombëtare që damkosin Edi Ramën, damkosin farsën elektorale, damkosin persekutimin politik të Sali Berishës, Ilir Metës, Fatmir Mediut, të liderëve të opozitës.

A nuk janë këto kilometra që i bëmë bashkërisht? A nuk është ky një udhëtim epik i dashur mik në përballje me regjimin më të korruptuar në Evropë dhe narkoshtetit të parë dhe të vetëm?

Po. Pse kilometri i fundit?

Sepse të gjitha këto kilometra ne i bëmë me sukses. Në secilin prej këtyre kilometrave ne mund të mbeteshim.

Unë do ndalem vetëm në një moment. Mbrojtja e votës është një nga gjërat më të vështira sepse prirja është që qarjet e opozitës të merrem me kujdes.

Qeveria ka lobingje të jashtëzakonshme, por kur e realizuam ne mbrojtjen e votës?

E realizuam në zgjedhjet lokale. Me Librin e Zi ne bëmë që në rezolutat e miratuar në Uashington, në Maltë dhe Valencia, procesi zgjedhor në Shqipëri të damkosej si farsë.

A mund të realizoje ti objektivin në kushtet e një farse?

Jo, opozita nuk fiton farsa.

Pra, ne i bëmë këto kilometra si opozitë e pamposhtur dhe e vërtetë.

Pse, kilometri i fundit?

Po, tani nuk na thotë kush do mbroni apo jo votën se ne e kemi mbrojtur votën.

Tani nuk na thotë kush që nuk keni alternativë kur ne kemi programin më të shkëlqyer që nuk e ka pasur ndonjëherë Shqipëria.

Tani nuk na thotë kush që jeni të izoluar në një kohë kur kemi mbështetjen më të madhe.

Por, e kemi bulevard tani?

Jo, nuk e kemi bulevard. Dhe diktatura me votë nuk ikën.

Cili është atëherë objektivi?

Objektivi është largimi i Edi Ramës dhe krijimi i qeverisë teknike.

A janë hedhur bazat për këtë kërkesë?

Po. Janë disa rezoluta, edhe e fundit që u miratua në Zagreb që insiston për qeveri teknike.

Por në mënyrë të veçantë damkosja e zgjedhjeve si një proces ku u shua linja midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake fakton se me këtë regjim nuk ka zgjedhje dhe duhet një qeveri teknike, një qeveri për të bërë zgjedhje.

Dhe këtë e kemi në dorë ne, kjo është në dorën tonë si opozitë, të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore gjer në realizimin e objektivit.

Ky është kilometri i fundit. I lamë të gjitha mbrapa.

Kaluam një kalvar sa asnjë forcë tjetër politike, por fituam.

Tani ne duhet të fitojmë përfundimisht betejën për votën e lirë.

Kështu që, kërkoj mirëkuptim.

Nuk është kilometër i lehtë ky, jo, e kam thënë dhe e them, por është vendimtar.

Dhe ne që bëmë të gjithë ato kilometrat e tjera, ne këtë do ta bëjmë dhe do fitojmë.

Shyqyri Myrtollari: Doktor, përshëndetje! Në Durrës, ‘Yacht Marina’ po ndërtohet me kosto 450 euro, ndërkohë që Rama e ka caktuar atje çmimin e referencës 2000 euro. I kanë falur portin më të madh në Shqipëri edhe taksat. A duhet SPAK të vërë shiritin tek ‘Durrës Yacht Marina?’

Sali Berisha: Unë ju falënderoj shumë, Shyqyri. Dhe me këtë rast garantoj shqiptarët që afera e portit të Durrësit është afera korruptive më e madhe e kontinentit.

Dhe është absolutisht e lidhur me një emër që quhet Edi Rama, i cili po ndërton aty Dubai City-n e 1001 netëve.

Gjithçka është e lidhur me vjedhjen e tmerrshme që u bënë miliarda eurove në atë vend.

Të siguroj se, ajo është një çështje kombëtare dhe do të konsideroj me shumë seriozitet sugjerimin tuaj.

Të falënderoj shumë!

Blerim Kaboçi: Doktor, a nuk mendon se do të ishte më mirë që në garë të ishin edhe kandidatë të tjerë? Kushdo që aspiron t’i nënshtrohet garës? A vërtet mendoni që ju mund njeri në garën brenda PD-së? A nuk mendoni se janë një gabim zgjedhjet me një kandidat?

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Së pari, të garantoj se kjo garë ka qenë, është dhe do mbetet e hapur.

Së dyti, kurrë, kurrë kjo parti nuk do mund të pranojë bashkëpunëtorë krimi, bandash dhe të qeverisë.

I dashur mik, mos harro se në 2021-shin në fuqi ishte projekti Shqipëria pa opozitë, ose fasadë opozitë. Dhe në këtë kuadër, çdo demokrat e demokrate është i mirëpritur në garë. Por jo bashkëpunëtorët e qeverisë dhe të krimit. Nuk ka forcë politike në botë që pranon një gjë të tillë.

Së dyti, ju jeni anëtar i Partisë Demokratike dhe mund të lexoni. Çdo parti politike në botë, për kandidaturat, për kryetar bashkie, për kryetar partie dege, për kryetar partie në qendër, pra edhe çka zgjidhet me votë, ka kritere. Jashtë kritereve, nuk ekziston. Pra, ka një, pa kritere nuk mund të zgjidhet një njeri, nuk mund të zgjidhet.

Këto kritere nuk janë caktuar në këtë garë. Këto kritere kanë ekzistuar. Çfarë janë këto kritere? Disa vite të eksperiencës drejtuese në pozicion vendor dhe qendror. Asnjë njeri që ka plotësuar kriteret, ose asnjë njeri që ka plotësuar këto kritere nuk është përjashtuar dhe nuk mund të përjashtohet nga gara.

Prandaj, unë njerëzisht ju kërkoj të bëheni konkret në shqyrtimin e secilit rast. Por, tani vijmë te gara. Jo jeni gabim, këtu je gabim. Ju lutem, studioni, lexoni. Në 75% të të gjitha rasteve ku votimi është një anëtar, një votë, kur nuk është dhënë dorëheqja, gara është pa kandidat rival.

Në rastet kur drejtuesi jep dorëheqjen, nuk merr pjesë në garë, këtu shanset për dy apo tre kandidatë janë më të mëdha. Kurse, në të gjitha rastet kur drejtuesi vazhdon të jetë në garë, të qëndrojë në garë, nuk ka kandidatë të tjerë në këtë referendum.

Pse nuk ka kandidatë të tjerë? Sepse, jo se ka asnjë pengesë, por sepse nuk dëshirojnë të marrin një, një hap të pasigurt për veten e tyre. Ndaj dhe, edhe njëherë, në të gjitha rastet të studiuara, në të cilat kandidati që vazhdon, domethënë drejtuesi që drejton partinë qëndron në garë, kandidat i dytë në 75% të rasteve nuk ka.

A është kjo garë plotësisht legjitime?

Legjitimiteti i kësaj gare përcaktohet nga vota e lirë e anëtarësisë. Kjo është gara më e plotë, më eprore se çdo garë tjetër. Është referendum për kryetarin e partisë.

Tani, në këto kushte, do t’ju kërkoja të refuzoni me përçmim propagandën. Shikoni çfarë ndodh. Ka një muaj që mafia mediatike e fjalës së lirë përqendrohet te gara, në të cilën kryetari i Partisë Demokratike do votohet sipas parimit një anëtar, një votë.

Në një kohë kur kryetari i Partisë së Krimit është votuar për herë të fundit në vitin 2009. Dhe nuk është votuar asnjëherë gjerë sot. Shikoni çfarë skllevërish janë këta.

Në vend se t’u bien borive, sirenave të alarmit për një njeri që nuk votohet, po që grabit votën, përpiqen të përballin një, një, një proces, i cili është në, në llojin e vet më i gjeri, më demokratiku, ku voton e gjithë anëtarësia.

Tani të them një gjë. Këtu unë jam Sali Berisha. Kurrë nuk kam lejuar, nuk i lejoj vetes të operoj me falsitete. Pra, të krijoj kandidatura, t’i lutem dikujt që kandido. Jo, absolutisht.

Sa herë kanë ardhur, i kam mirëpritur, i kam respektuar. Kur nuk ka ardhur, nuk ka ardhur. Po në asnjë herë në jetën time s’e kam bërë dhe s’do ta bëj atë.

Ndaj dhe kjo garë është garë, garë më moderne që zhvillohet në 75% të rasteve, sigurisht po të kishte kandidaturë tjetër edhe më mirë do ishte.

Por, vota një anëtar, një votë është forma më supreme e zgjedhjes.

Linord Gërmenji: Po afrojnë zgjedhjet e brendshme në parti dhe në forumet drejtuese. A do të ketë një hapje më të gjerë të Partisë Demokratike me shoqërinë civile, profesionistëve, akademikëve dhe figurave të reja publike?

Sali Berisha: Po. Partia Demokratike do të realizojë një hapje të re dhe në rast se më pyesni ju mua, ky Kuvend që mblidhet do ketë si objektiva madhore ripërtëritjen e partisë, programin e saj, modernizimin e partisë. Një parti moderne. Këto do të jenë shtyllat kryesore dhe natyrisht kryengritja paqësore si rrugë e realizimit të objektivave.

Geraldina Kola: Z. Berisha, ju dje me të drejtë deklaruat se krimi po poshtëron qytetarët me ndihmën e shtetit. Në 2005-ën ju arrestuat kriminelët më të rrezikshëm në vend, si Lulzim Berisha, Aldo Bare, u konfiskuan pasuritë. Sot, krimi është pengesa kryesore për integrimin. A janë partnerët të shqetësuar për këtë dhe a do të kemi një 2005 të dytë kundër krimit?

Sali Berisha: Jam plotësisht dakord me ju. Problemi numër një, absolutisht më i rëndë, është krimi, droga dhe korrupsioni, të lidhura me këtë regjim.

Në 18 muaj pas ardhjes në pushtet në vitin 2005, u arrestuan 1050 bosë dhe anëtarë të 206 organizatave kriminale.

Mbi 10 prej tyre morën dënime përjetë.

Pasi erdhi në pushtet me moton, qelbësira të të gjitha ngjyrave të bashkohemi kundër Sali Berishës, Edi Rama i nxori nga burgu një nga një.

Edi Rama vendosi lidhje organike me kartelet e drogës. U dha atyre portet, autostradat, pikat e kufirit. Ka të dhëna, të cilat sigurisht që duhen hetuar, por thuhet se karteli Troplini i paguan për portin e Durrësit 300 milionë euro në vit Edi Ramës, para droge. Sepse nga Durrësi nisen miliarda euro drogë në qytetet e tjera të Evropës.

Si thoshte Giuseppe Grillo, bosi kryesor i Ndraghetës në Italinë e veriut, po na shkatërrojnë shqiptarët me kokainën, thoshte, se po ua marrin të gjitha monopolet dhe në krye të këtij aktiviteti qëndron Edi Rama me suitën e tij.

Po, unë dje deklarova në mënyrë absolute zero tolerancë ndaj krimit dhe kudo që të jenë, nga Kejptauni tek Kampi Verior, nga çdo skaj në një skaj tjetër, ata do vijnë para ligjit në Tiranë, kudo që të ndodhen.

Do shkojnë para ligjit të gjithë politikanët e krimit se u garantoj se ata janë më kriminelë se sa kriminelët e bandave apo të bodrumeve të karteleve.

Do të priten me forcën e ligjit të gjitha lidhjet e politikës me krimin.

Do çlirohet policia nga të gjitha bandat, gjykata, prokuroria.

Do ndëshkohen ata që mbrojnë krimin dhe dosjen e krimit në këto institucione.

Do krijohet një agjenci e veçantë për të gjetur pronat e krimit në Shqipëri dhe jashtë vendit dhe për t’ia kthyer publikut.

Me një fjalë, do kthehet siguria në vend, do kthehet shteti ligjor dhe qytetarët shqiptarë do kenë të garantuar jetën, pronën, veprimtarinë e tyre, të dhënat e tyre, jo si sot që i përdorin bandat dhe kartelet.

FJALA PËRMBYLLËSE

Ju falënderoj shumë për pyetjet shumë të rëndësishme që ju më bëtë, për ndjekjet që i bëtë kësaj bisede, dhe ju garantoj se jemi në rrugën e duhur.

Se së bashku, të pamposhtur, Edi Ramën do ta çojmë aty ku e meriton.

Ne do vazhdojmë këtë betejë, e lodhshme, rraskapitëse, me sakrifica, siç e përshkroi ai, qytetari që mora plumbin në këmbë, mora gazin në fytyrë e të tjera me radhë, të gjitha këto të vërteta.

S’ka gjë në botë që të na ndajë ne pa arritur. Jemi në kilometrin e fundit. Këtë kilometër ne do ta bëjmë dhe do shpëtojmë Shqipërinë, do shpëtojmë shoqërinë shqiptare nga një e keqe që s’e ka patur, përveçse në kulmin e Enver Hoxhës asnjëherë gjer sot. Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale