Berisha: Edi Rama në rreth të kuq, gati të shesë lëkurën e vet! Mediat ndërkombëtare i bënë jehonë protestës sonë

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Kryetari i  Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, një ditë pas protestës së opozitës në Tiranë, ku hodhi ku akuzoi me tone të ashpra qeverinë Rama, institucionet e drejtësisë dhe mediave, ndërsa paralajmëroi vazhdimin e protestave deri në largimin përfundimtar të regjimit.

Në fjalën hyrëse, Berisha falënderoi pjesëmarrësit në protestën e opozitës, të cilën e cilësoi si kryengritje paqësore në mbrojtje të dinjitetit të shqiptarëve, integrimit europian dhe të ardhmes së vendit. Lideri demokrat theksoi protesta pati jehonë ndërkombëtare dhe tregoi se opozita mbetet e pamposhtur përballë narkoshtetit të parë në Europë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama dhe Belinda Ballukun për korrupsion dhe plaçkitje të qytetarëve shqiptarë, duke deklaruar se protestat do të vazhdojnë derisa Balluku të përfundojë në burg dhe Rama para drejtësisë.

Gjatë bashkëbisedimit, Berisha u ndal edhe te ndërhyrja e policisë në protestë, duke theksuar se mjeti me ujë ishte përdorur në mënyrë të qëllimshme ndaj tij. Ai e cilësoi Ramën frikacak dhe të izoluar ndërkombëtarisht, duke shtuar se ky i fundit është bërë objekt diskutimi në Europë.

Në lidhje me raportin e fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Berisha deklaroi se dokumenti përbën radiografinë reale të gjendjes në vend. Sipas tij, raporti evidenton probleme serioze me zgjedhjet, korrupsionin dhe ndarjen mes shtetit dhe partisë në pushtet. Ai tha se misionet faktmbledhëse të Parlamentit Europian dhe të Partisë Popullore Europiane kanë verifikuar në terren shqetësimet e ngritura nga opozita shqiptare.

Kryedemokrati theksoi se në qarqet europiane është diskutuar edhe mundësia e ndërprerjes së procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por është zgjedhur fillimisht rruga e rekomandimeve dhe monitorimit përmes raportit të Parlamentit Europian.

Një pjesë e konsiderueshme e bashkëbisedimit iu kushtua mediave dhe organizatave të gazetarëve. Berisha akuzoi pronarët e mediave për lidhje me qeverinë dhe për censurë të qëllimshme ndaj opozitës. Ai tha se disa organizata reagojnë vetëm ndaj deklaratave të tij, ndërsa heshtin përballë gjuhës fyese dhe presionit që, sipas tij, ushtron kryeministri ndaj gazetarëve. Kryetari i PD-së përmendi me emra disa analistë dhe figura publike, ndaj të cilëve artikuloi akuza të rënda për korrupsion, shantazh dhe lidhje me qeverinë, ndërsa deklaroi se mafia e vërtetë e fjalës së lirë janë pronarët e mediave.

Në raport me drejtësinë, Berisha u shpreh skeptik për veprimet e SPAK, duke theksuar se institucioni është nën ndikimin e qeverisë. Ai akuzoi disa prokurorë për lidhje me eksponentë të krimit të organizuar dhe deklaroi se çështje që lidhen me tenderët e AKSHI po mbulohen politikisht.

Berisha foli edhe për reformën territoriale, duke deklaruar se Partia Demokratike synon rikthimin e komunave dhe hartimin e një ndarjeje të re administrative. Ai solli shembuj nga vende europiane për të argumentuar se Shqipëria ka shumë pak njësi vendore krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe Europës. Gjithashtu, ai premtoi se nëse opozita vjen në pushtet do të shfuqizojë “Paketën e Maleve”, të cilën e cilësoi si një ligj që favorizon grabitjen e pronave dhe konfliktet mbi tokën.

Në fund të bashkëbisedimit, Berisha uroi shqiptarët për Ditën e Europës, por deklaroi se vendi ndodhet në udhëkryqin më të rrezikshëm të historisë së tij. Ai akuzoi qeverinë për varfërimin e pensionistëve dhe emigrimin masiv të të rinjve, ndërsa bëri thirrje për intensifikimin e protestave opozitare.

“Edi Rama mund të qëndrojë në pushtet vetëm nëse e lejojmë ne”, u shpreh Berisha, duke paralajmëruar një tjetër protestë në ditët në vijim.

FJALA HYRËSE

Mirëdita dhe përshëndetjet më të përzemërta, të gjithë ju që na ndiqni në rrjetet sociale.

Së pari, dëshiroj të përulem me nderimin më të madh para atyre dhjetëra mijëra që u bashkuan dje në rrugët dhe sheshet e Tiranës në një kryengritje madhështore për të mbrojtur nderin, dinjitetin e çdo shqiptari.

Për të mbrojtur ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, integrimin në Europë.

Për të mbrojtur të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Ishte protesta, kryengritja paqësore e tetë, me një jehonë të jashtëzakonshme botërore.

I ndiqni lajmet se si guximi, kurajo, sakrifica juaj u shndërrua në lajm botëror. U përcoll me dashamirësi absolute.

Betejë si në legjendë kundër dyshes tashmë famëzezë në mbarë botën, Rama-Balluku.

Kundër vjedhjes dhe plaçkitjes së qytetrëve shqiptarë.

Me këtë protestë, me këtë kryengritje, me këto sakrifica, ju u provoni shqiptarëve se qëndroni të pamposhtur para një të keqe që po e gërryen këtë komb sa asnjë pushtim tjetër në tërë historinë e tij.

Para një të keqe, para një dysheje Rama-Balluku se po plaçkit këtë komb më shumë se çdo pushtues tjetër në historinë e tij.

Para një regjimi që përfaqëson narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Prania juaj dje në bulevardin e Tiranës ishte prozhektori i madh i shpresës për të gjithë shqiptarët që ende nuk guxojnë të dalin nga emocionet e frikës.

Për të gjithë shqiptarët që duan që Shqipëria të integrohet me dinjitet në BE.

Pra, ju keni qenë dje në bulevardin e madh të Tiranës amaasadorët më të shkëlqyer, përfaqësuesit më dinjitozë, elita e vërtetë e kombit, e ndërgjegjes së tij para çdo shqiptari dhe para partnerëve, miqve të Shqipërisë në mbarë botën.

Edhe njëherë lexoni, shihni mediat e tyre se çfarë jehone pozitive i kanë bërë.

Dhe për një moment do u lutesha të imagjinonit sikur ne të heshtnim, sikur ne të mos ishim në përballje dhëmb për dhëmb me regjimin se çfarë gjëme e vërtetë do të ishte për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Se si do ta shfrytëzonin këtë racistët antishqiptarë siç u shprehën tre javë më parë se shqiptarët janë të ambientuar me vjedhjen dhe korrupsionin.

Imagjinoni ju, në rast se opozita nuk do ishte në përballje të egër, por do dëgjonte vuvuzelat mjerane të Edi Ramës.

Këta kritizerë amoralë të cilët në vend se të bashkohen me popullin opozitar, në mburojë të Edi Ramës, bëjnë gjithçka për të dekurajuar protestën e tij.

Pra miq, edhe njëherë, bekimin e Zotit.

Shqipëria u është përjetë mirënjohëse.

Shqiptarët u janë përjetë mirënjohës për këtë sakrificë që ne do ta vazhdojmë gjer në largimin përfundimtar të kësaj të keqe të madhe.

Të këtij njeriu që ka vendosur moral të regjimit të tij, moralin e etërve të tij xhelatë.

Të këtij njeriu që bllokoi bulevardin e protestës paqësore për të treguar frikën dhe tmerrin që ka nga protestuesit.

Të këtij njeriu që shërbehet nga horra, kriminelë, plaçkitës në të gjitha funksionet e narkoshtetit të tij.

Por ne qëndrojmë dhe do të qëndrojmë të pamposhtur.

PYETJE-PËRGJIGJE ME QYTETARËT

Alta Societa: Doktor, na u duk neve nga televizioni apo ajo makina e ujit në protestën e djeshme, ju targetonte vetëm juve? Sikur ishte e qëllimshme. Dhe e dyta, si ndiheni sot pas protestës? A keni pasur ndonjë pasojë?

Sali Berisha: Sot, ndihem më i motivuar se kurrë për protestë. Dhe se më nderojnë me targetimin që bën Edi Rama.

Ky frikacak i ulët, ky kriminel ordiner, që njëherë nxjerr një bandit për të festuar praninë e liderëve europianë në një atentat ndaj meje.

Njëherë tjetër urdhëron një kriminel në timon për të drejtuar topin e ujit. Por ta dijë mirë se Edi Rama nuk ka shpëtim.

Çfarëdo që të përdorë, ai do marrë atë që meriton, do shkojë bashkë me lubinë e tij dhe Lindat e tij. Lindat e tij bashkëhajdute. Do shkojë atje ku e kanë vendin.

Ky popull nuk ia fal kurrë Edi Ramës vjedhjet e tmerrshme që ka bërë.

Shqipëria Atdheu Ynë: Mosbindja civile e zgjidh problemin brenda 24 orëve. Nuk do i besosh as vetes, Edi Rama vetëm do fshihet në vrimën e miut. Jep një ultimatum të tipit të Trumpit, e do e shikojmë Edi Ramën të gjunjëzuar.

Sali Berisha: Edi Rama, de facto është i gjunjëzuar dhe i poshtëruar. Ju garantoj për këtë. Edi Rama, që ta dinë shqiptarët, kudo që shkon,  tregojnë bërrylin. Kudo që shkon, i kthejnë shpinën. Kudo që shkon, sot ai është bërë gosip-i i Europës.

Lidhjet e tij patologjike me Ballukun qarkullojnë sot kudo. Dosja Balluku është dosje botërore.

Po dhe më tepër, Linda te Rama dhe Linda te AKSHI  janë famëzeza sot në Europë dhe në botë. Dhe kjo është meritë e madhe, e jashtëzakonshme e atyre mijëra e mijëra burrave e grave që dalin në shesh për t’i thënë popullit shqiptar se s’pajtohemi kurrë me këtë grup banditësh.

Për t’i thënë Europës dhe botës se, ne s’pajtohemi kurrë me këtë regjim. Dhe në këtë kontekst, ju siguroj se do të jetë jo larg dita, kur ai nuk do gjejë vrimë miu ku të futet. Faleminderit!

Muharrem Kurti: Doktor ju përshëndes, përsëri mbrëmë pushteti na mbyti me gaz. Pyetja ime është si do veprojmë që ta dobësojmë këtë pushtet dhe pse jo të rrëzojmë regjimin e Ramë Surrelit?

Sali Berisha: Muharrem, të përshëndes. Ne po veprojmë, të garantoj se po bëjmë gjënë e duhur. Të lutem, mos u ndiko nga mediat e kontrolluara nga Rama, po ndiq, kontrollo pak mediat botërore.

Shiko çfarë jehone të jashtëzakonshme i kanë dhënë, qoftë dhunës policore ndaj kryengritësve paqësorë, por qoftë dhe shkaqeve themelore të kësaj kryengritje.

Natyrisht, duhet të jemi të vetëdijshëm se rruga paqësore nuk është një rrugë e shpejtë, si ndeshja e stadiumit, por është një rrugë e sigurtë.

Dhe njëherë të siguroj se, Edi Rama është në rreth të kuq. Është i gatshëm të kishte gjallë të ndjerën nënë, ta shiste dhe atë për lëkurën e vet. Por, le të shesë çdo gjë, shqiptarët do t’i tregojnë vendin e atij. Me asgjë nuk do mund të blejë mburojë për lëkurën e vet.

Albanian Americans: Doktor, Rama tha se nuk është e vërtetë se negociatat me BE janë bllokuar. Nuk po e marrim vesh, këndej BE nxjerr raportin ku i cilëson këta hajdutë e kaluar hajdutit, këtej vazhdon negociatat. Nuk merren vesh edhe këta zyrtarët e BE, si mund të ulesh në një tryezë me një hajdut që vjedh popullin e tij?

Sali Berisha: Tani, cili është realiteti? E vërteta është, i dashur mik, raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Ai raport ka një histori, e cila bazohet në qëmtimin, në verifikimin e të vërtetave në vend nga një komision faktmbledhës që erdhi në Shqipëri me kërkesën e opozitës shqiptare.

Unë duhet të informoj shqiptarët se mund t’u duket çudi, por një nga vështirësitë serioze tonat në diskutimet tona me miq dhe partnerë është se kur ne tregojmë ndodhitë në Shqipëri, ata na i besojnë, por na thonë se këto duken të pabesueshme.

Ne i kishim paraqitur këto në Parlamentin Europian, ne i kishim paraqitur këto në të gjitha forumet e organizatave tona, por siç e patë ju, Parlamenti Europian vendosi të sjellë një mision faktmbledhës të përbërë nga deputetë të 9 grupeve parlamentare që formojnë këtë parlament.

Partia Popullore Europiane solli një mision faktmbledhës të përbërë nga përfaqësuesit e 30 partive të qendrës së djathtë në Europë.

Pra, gjërat u konstatuan në vend dhe unë mund t’u them se në atë raport, që ju e cilësoni me të drejtë dhe që është radiografia reale e situatës në Shqipëri, janë bërë 300 e sa ndërhyrje dhe amendime.

Keni të drejtë. Raporti konstaton një mori të pafundme problemesh që ekzistojnë dhe bën thirrje të adresohen.

Përndryshe, mosadresimi i tyre ka pastaj raport tjetër në të cilin i thuhet që të ndërpritet të gjitha bashkëpunimet me Shqipërinë.

Dhe unë u them se është konsideruar. Edi Ramës i është thënë se një variant është të zhbëjmë të gjithë procesin e integrimit që nga fillimi me Shqipërinë.

Por ky variant është rezervë, nuk është vënë menjëherë në lëvizje.

Është vënë ky raport, i cili përfaqëson Parlamentin Europian.

Ky raport do të kalojë në seancë plenare në qershor dhe ky raport është një mbështetje e fuqishme për popullin shqiptar, për qytetarët shqiptarë dhe opozitën shqiptare në rrugën e integrimit.

Ky raport bën diagnozën e problemeve madhore të krijuara nga Rama, Balluku dhe hajdutët e tjerë në Shqipëri.

Greta Beqiri: Z. Berisha, si shpjegohet që disa organizata të gazetarëve reagojnë vetëm ndaj deklaratave tuaja, ndërkohë që ndaj gjuhës fyese dhe denigruese të Edi Ramës, kanë zgjedhur heshtjen. Rama i ka etiketuar mediat me terma si kazan, tenxhere, plot cilësime të tjera fyese, madje ka patur raste kur i ka përzënë gazetarët nga konferencat për shtyp. Por nuk kemi parë të njëjtin indinjim publik apo deklarata të forta nga këto organizata. Nga ana tjetër, dje gjatë protestës u sulmua grupi i xhirimit të Syrit TV dhe sërish mungoi reagimi i tyre. Pse ekziston kjo qasje e njëanshme dhe pse krijohet përshtypja sikur ka një betejë të vazhdueshme vetëm me Sali Berishën, kur ju nuk keni ushtruar dhunë e as fyerje ndaj gazetarëve dhe deklaratat tuaja po paraqiten si sulm ndaj medias?

Sali Berisha: Shumë faleminderit Greta për pyetjen. Është shumë e vërtetë, as nuk kam fyer dhe as nuk fyej gazetarë. Dhe jo se i konsideroj pa mëkate, por se në analizën time, konstatoj se mafia e vërtetë e fjalës së lirë janë pronarët e mediave.

Pronarët e mediave, të cilët në mënyrë të paligjshme, fitojnë dhjetëra e qindra milionë euro pasuri publike dhe fonde publike për të mashtruar shqiptarët për llogari të Edi Ramës. Unë të garantoj se në qoftë se unë sulmoj, ose kam këtë qëndrim ndaj kësaj mafie, e kam me bindjen më thelbësore të ndërgjegjes sime, fjala e lirë.

Në qoftë se ka diçka të shenjtë përveç shenjtërisë fetare, për mua është fjala e lirë. Dhe kur shoh se çfarë bëjnë këta mafiozë, se si manipulojnë, se si censurojnë, se si mashtrojnë qytetarët, atëherë unë e kam për nder t’u shpall luftë atyre dhe më nderojnë me luftën ndaj meje.

Natyrisht, në këtë betejë ku unë nuk kam atakuar kurrë absolutisht, përveç 4-5, quaji gazetarë, quaji horra, quaji ç’të duash, dhe këta janë Sokol Balla, i cili ka dosjen me dhjetëra milionë euro transaksione të vjedhura nëpërmjet ish-bashkëshortes së tij.

Është Kreshnik Spahiu, i cili në paftyrësi, pasi është vërtetuar me dokumente zyrtare se gjobiste gjykatësin për ta transferuar me Bamirin e tij nga Durrësi në Tiranë me 300.000 euro, për ta emëruar në Tiranë me 500.000 euro, dhe tani si çakall natë për natë nxjerr fytyrën e tij të nxirë në ekranet televizive.

Si Idajet Beqiri, një delikuent i dënuar për përdhunim, për vjedhje, për terrorizëm dhe merret në studio.

Si Adriatik Doçi, i cili merr porosi direkt nga Linda Basha dhe është faktuar me regjistrime të dosjes gjyqësore se vë gjoba. Unë të tjerët gazetarë nuk i kam sulmuar. Edhe ata që kanë shkruajtur me qindra artikuj kundër meje, le të shkruajnë sa të duan.

Por, ajo që është e dhimbshme, ajo që thoni ju, këta jo vetëm nuk reagojnë ndaj Ramës, po këta reagojnë kur unë sulmoj pronarët e tyre.

Lexoja një ditë një deklaratë të një zonjës Binaj, pyes unë, çfarë është kjo, thotë, kjo nuk është gazetare. Ajo përfaqësonte SafeJournalists dhe ajo krahasonte deklaratat e mia me djegiet, me shembjet që i bënte Edi Rama ‘Focus Group’ për ta mposhtur, për ta futur në sqetull.

Ose krahasonte sharjet masive për gazetarët, mizogjeninë e tij e të tjera, me një njeri që sulmon, dhe ky sulm ndaj pronarëve ka dhe një synim, të mbrojë, të mbrojë në një farë mënyre gazetarët nga patronët e tyre.

Ndaj dhe sigurisht, është dobësi e atyre. Kjo zonja nuk përfaqësonte, më thanë mua, nuk është gazetare, pyeta për të. Kurse këta thanë, këto asociacionet janë në konflikt interesi, nuk u merret parasysh, sepse nuk mund të rasti ishte për Neës 24.

Nuk kam sulmuar asnjë gazetar, përkundrazi, jam shprehur me sa kam respekt për ta dhe kam. Por kam sulmuar atë i cili i çonte me detyrim lajmet në kompjuter. Ai i cili i merrte nga Edi Rama, nga zyra e Edi Ramës lajmet për kë? Për një bashkëpunëtor të krimit që donin me çdo kusht të kandidojë në Partinë Demokratike, që donin me çdo kusht të rikthenin kohën e Lul Bashës në këtë parti, ta kriminalizonin përsëri.

Po kjo s’mund të ndodhë kurrë.

Ndaj dhe unë, do ta kisha shumë më të thjeshtë t’u them këtyre gazetarëve, të emëroja një gazetar me emër. Po jo, unë emërova atë që është autori i atyre shpifjeve, dezinformimeve, lajmeve dhe absolutisht këtu do më kenë në çdo qëndrim kjo mafie e fjalës së lirë si mafia më e rrezikshme se ajo e kokainës.

Mirash Gecaj: Ju po bëni një punë të jashtëzakonshme. Një vërejtje kam për strukturat e PD në terren. Ato nuk po e bëjnë punën siç duhet për të qenë në një linjë me ju…

Sali Berisha: Faleminderit për vërejtjen. Jemi në një situatë terrori, e vërteta është, ta dinë shqiptarët.

Një terror real ushtrohet nga narkoqeveria me të gjitha mjetet që njerëzit të heshtin.

Një terror ushtrohet që të komprometohen sa më shumë kundërshtarët dhe ky është një realitet jo i shpikur nga unë, por ky është një realitet i pamohueshëm.

Por ajo që i them çdo demokrati e demokrateje, se sot rruga dhe shpresa e vetme është protesta jonë.

Se në qoftë se ne heshtim, ne veçse çimentojmë edhe për dy dekada pushtetin e Edi Ramës.

Heshtja jonë do ishte bashkëpunim me Edi Ramën.

Heshtja jonë do ishte shuarja jonë.

Edi Rama nuk do donte asgjë më shumë, dhe ishte i gatshëm për çdo shpërblim ndaj PD, në qoftë se ajo do heshtte ndaj tij.

Ndaj dhe strukturat e PD, demokratët, është e vërtetë, duhet të organizohemi më mirë.

Duhet ta kemi të qartë se po luftojmë me një diktaturë.

Dhe lufta me një diktaturë është lufta më e vështirë, por është gjithashtu edhe misioni më i rëndësishëm që mund të përmbushë një njeri ndaj vetes së tij, familjes së tij, dinjitetit të tij dhe vendit të tij.

Kam besim shumë se PD, strukturat e saj, e faktuan në tetë kryengritje paqësore dhe jam i bindur se këto do të vazhdojnë gjer në përmbysjen e Edi Ramës.

Misioni ynë është misioni i përmbysjes së këtij regjimi dhe rikthimit të votës së lirë.

Nuk e ndërpresim kurrë protestën pa Lubi Ballukun në burg, pa Edi Ramën para gjyqit. Atje ku e ka vendin.

Ta dinë. Ne u themi haptazi, të bëjë çdo gjë, por asgjë në botë nuk na bën të tërhiqemi ne nga këto objektiva ndaj një qeverie që nuk ka asnjë legjitimitet.

Ju lutem, a e lexuat raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian?

Ky raport, për të gjithë ata që njohin ABC-në e doktrinës, e të drejtës elektorale, e zgjedhjeve, në dy rreshtat e parë deklaron se zgjedhjet në Shqipëri ishin në kushtet e partisë-shtet.

Lexoni rreshtin ku thotë, se ka një modifikim të fortë, legjislacioni elektoral shqiptar, thotë, përgjithësisht lejon zgjedhje kompetitive. I lejon legjislacioni, por çfarë ndodhi? Ndodhi, thotë, që linja ndarëse midis institucioneve shtetërore dhe strukturave të partisë u shua.

Pra, ata që kanë jetuar në diktaturën komuniste e dinë se partia-shtet bënte zgjedhjet.

Edhe kësaj radhe në Shqipëri, zgjedhjet u zhvilluan nga partia- shtet, ndaj ishin farsë.

Përveç këtyre, mendoj se në atë raport ekziston në çdo paragraf hija e zezë e damkosur e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut.

Ndaj dhe ne duhet të qëndrojmë me çdo kusht dhe do qëndrojmë.

Dhe nuk ka fat më të madh, ua them unë ju demokratë e demokrate, mbështetës tanë, unë e kuptoj që jeni të lodhur, jeni të dëshpëruar, jeni të dekurajuar, por ta dini mirë se nuk ka fat më të madh se sa të luftojmë këtë regjim.

Dhe ne do ta bëjmë atë.

Marjan Geci: Doktor, pse emisionet kryesore politike nuk e trajtuan në asnjë çast raportin e Parlamentit Europian?

Sali Berisha: Urdhër direkt i Edi Ramës. Ja pra, më thoni. Më thoni ju lutem.

Raportet, debatet televizive, raportin më të rëndësishëm. Ua them unë ju që ky është raporti më i rëndësishëm, për aq sa është më i rëndësishmi institucion i Bashkimit Europian, parlamenti Europian, dhe shqiptarët nuk dëgjuan në studio televizive asnjë koment, asnjë komentator, asnjë debat të thonë asnjë fjalë.

Më thoni ju lutem, a nuk është kjo censurë totale absolute e mafies së fjalës së lirë?

A nuk është kjo, a nuk është kjo fshehje e të vërtetave më të hidhura për të mbrojtur regjimin e Edi Ramës?

A nuk është kjo abuzim maksimal me valët e publikut nga mafia më e rrezikshme e fjalës së lirë, pronarët e mediave të shitur te Edi Rama, që kontrollohen nga Edi Rama.

Geraldina Kola: Z. Berisha, sot Rama na uroi ditën e Europës, por në fakt është ai që pengoi integrimin për të mbrojtur Ballukun dhe Mirlindën. Si ka mundësi që Europa nuk e vëren se ky njeri bashkëpunon me kartele droge që shesin tonelata drogë nëpër Europë? A keni një koment pse ambasadorët si Gonzato nuk flasin për këtë çështje?

Sali Berisha: E vërteta është se, njëherë në radhë të parë, dua t’ua uroj Ditën e Europës të gjithë shqiptarëve dhe europianëve. Por kjo ditë e gjen Shqipërinë në udhëkryqin më të rrezikshëm të historisë së saj.

Në një udhëkryq të shkatërrimit të ëndrrës europiane. Në shumë kuptime.

Në një kuptim, zëvendësimit të vlerave europiane, standardeve, normave dhe kritereve, me ato të narkoshtetit, të pushtetit absolut të Edi Ramës.

Por në një kuptim tjetër, edhe të vetë ëndrrës, si të themi, si projekt i të rinjve shqiptarë që e marrin me vete rrugëve të botës. 720,000 të rinj shqiptarë janë larguar nga Shqipëria, që do ndërtonin këtu Europën, do ndërtonin ëndrrën europiane.

Tani, mendoj se, partnerët tanë kanë realizuar se ç’përfaqëson Edi Rama dhe qeveria e tij. Natyrisht, duhet të jemi të sinqertë. Edi Rama e ka bazuar kryekëput procesin e integrimit në lobim korruptiv. Lobim të fuqishëm korruptiv.

Nuk është e largët dita kur raportet që shkonin në Komisionin Europian nga përfaqësia e tij me të famshmen Romana, hajduten Romana Vlahutin, shkruheshin në zyrat e Edi Ramës dhe firmoseshin nga ajo. Shqiptarët dëgjuan se si u arrestua Frederica Mogherini, e cila ndër të tjera, ishte dhe mikesha më e dashur e Edi Ramës.

Por në qoftë se u arrestua në Bryzh për 3 milionë euro, unë ftoj prokurorin publik europian, ftoj OLAF-in, të vijnë të hetojnë marrëveshjen korruptive të saj me Edi Ramën që shkon në 20 milionë euro.

Po imagjinoni ju, forcën dhe peshën e saj në lobim. Imagjinoni ju, dhjetëra e dhjetëra milionë euro që shpenzon për të korruptuar. Kurse, përsa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur, ky sillet si me qenë ambasador i Edi Ramës.

Mbase, ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar, vërtetuar, ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës. Sikur opozita nuk është për integrimin. Për të mos treguar shumë gjëra të tjera.

Dhe se kur diskutohet nga Coelho se nuk i hiqet, pse nuk i hiqet imuniteti Lubi Ballukut, shkëlqesia e tij Gonzato, thotë se ky është interpretimi shqiptar i imunitetit.

Në një kohë kur, në vitin 2009, 2010, 2011, sa herë ka kërkuar Prokurori i Përgjithshëm janë hequr imunitetet pa asnjë koment, zv/kryeministër, ministra me radhë. Por ne jemi ata që i themi gjërat haptas, dhe është përpjekur në shumë mënyra të paraqesë opozitën si jo të orientuar drejt integrimit.

Po ka dështuar.

Eksponentë të rëndësishëm të Bashkimit Europian ia kanë bërë të qartë në prani të të tjerëve se opozita, se Partia Demokratike është thellësisht e orientuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe është partneri ynë, i është thënë shkëlqesisë së tij.

Ndaj dhe ai ka bërë zgjedhjen e vet. Është unifikuar komplet me Edi Ramën. Dhe sa herë unë thoja ndonjë të vërtetë, bashkë me ndonjë lobist të tjetër të tij në Komisionin Europian, lëshojnë deklarata.

Por unë absolutisht shqiptarëve dhe Bashkimit dhe partnerëve europianë do t’u them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

Ada Tota: Doktor, përshëndetje. Policia ka deklaruar se do të vendosë censurën dhe nuk do të publikojë ngjarjet që ndodhin çdo ditë. Sipas jush, për çfarë arsye policia e Skënder Hitës ka vendosur që të fshehë situatën kriminale në vend?

Sali Berisha: Omerta, kodi i mafies. Mafia. Ky është zëvendësimi i shtetit ligjor i transparencës me ligjin e mafies.

Skënder Balluku, mos i thoni Skënder Hita, Skënder Balluku, që është një hajdut me çizme.

Një hajdut. Do ta marrin vesh shqiptarët se ç’përfaqëson Skënder Balluku, shumë shpejt.

Dhe do ta dinë se çfarë mbron ai, do ta mësojnë se çfarë mbron.

Shyqyri Myrtollari: Doktor, a keni besim se drejtësia shqiptare do ushtrojë detyrën e saj në mënyrë të pavarur dhe pa ndikim politik në hetimet që lidhen me emra si AKSHI, Gys Agasi apo Belinda Balluku?

Sali Berisha: Gjithçka degradoi totalisht. Belindën, përdori Edi Rama 83 mandatet si thika krimi për t’i mbyllur dyert heqjes së imunitetit dhe arrestimit të saj, sepse ishte vetë të paktën 60 përqind më shumë se Belinda në dosjet e saj.

Kështu që Belinda u mbyll, bile sot, duhet ta dini një gjë, bën ligjin në partinë e krimit dhe nuk ka si të mos e bëjë ligjin në partinë e krimit.

U garantoj për këtë.

Cilindo që do ajo, e heq dhe e bën të paqenë.

Nuk është rasti këtu vetëm për Spiropalin, por kërkoni pak ku e keni Ogertën.

Ogerta ngriu vetëm se i tha Belinda mirë është të japësh dorëheqjen se qytetarët po na sulmojnë shumë, nuk po na presin, nuk po flasim vetëm për ty tani.

Ashtu i tha ajo? Mirë.

E keni parë kund nëpër ekrane? E keni parë të bëjë ndonjë deklaratë më? Ia qepi gojën.

Lubia emëroi edhe Skënder Ballukun drejtor policie me shpresë se ky horr, ky kriminel në emër të policisë, të mund ta mbrojë.

Do ta shohim.

Shqiptarët do të mësojnë se cili është Skënder Balluku shumë shpejt.

Elion Kaja: Përshëndetje lider historik, shpresa e vetme e shqiptarëve. Bravo për qëndresën tuaj dhe që në këtë moshë jeni vetë në krye të protestës. A do të kërkojë Partia Demokratike me çdo kusht e çdo çmim rikthimin e komunave?

Sali Berisha: Partia Demokratike do të kërkojë një hartë të re, Elion, e cila do të diskutohet në çdo qark dhe unë jam totalisht kundër sistemit që vendosi Edi Rama, kryekëput antiqytetar dhe elektoral.

Të lutem. Do më falni një minutë, t’ju lexoj një mesazh, një mesazh të qytetarit digjital për të mësuar.

Për të gjithë qytetarët që po e ndjekin këtë bisedë. Përshëndetje doktor, thotë.

Belgjika ka një popullsi 11.8 milionë banorë dhe ka 581 komuna. Më e vogla, më e vogla ka gjithsej 80 banorë. Dhe komuna më e madhe 550,000 banorë.

Sllovenia ka 2.1 milionë banorë, pra ka më pak se Shqipëria dhe ka 212 bashki. 212 bashki, ju lutem. Bashkia më e vogël ka 400 banorë dhe bashkia më e madhe ka 300,000 banorë.

Maqedonia e Veriut ka 1.8 milionë banorë dhe ka, pra, shumë më pak se Shqipëria, dhe ka 80 komuna. Komuna më e vogël ka 3,000 banorë dhe komuna më e madhe ka 500,000 banorë.

Mali i Zi ka 620,000 banorë dhe 25 bashki. Bashkia më e vogël, pra Mali i Zi po ta marrësh, katër herë më i vogël në numër, i takon të ketë të paktën me proporcion 100, në proporcion 100 bashki. Bashkia më e vogël është 2,000 banorë, bashkia më e madhe është 190,000 banorë.

Kroacia ka 3.8 milionë banorë dhe ka 428 komuna dhe 127 bashki. Kroacia, vend anëtar i Bashkimit Europian, me 3.8 milionë banorë, ka 428 komuna dhe 127 bashki. Komuna më e vogël është 150 banorë dhe komuna më e madhe ka 780,000 banorë. Pas hyrjes në Bashkimin Europian ka shtuar numrin e komunave dhe të bashkive, sepse duhet t’u shërbehet, pushteti duhet të jetë afër qytetarëve.

Bosnja Hercegovina ka 3,2 milionë banorë dhe ka 143 bashki. Bashkia më e vogël është 150 banorë dhe bashkia më e madhe është 190,000 banorë. Polonia ka 38 milionë banorë dhe ka 2,477 bashki. Bashkia më e vogël ka 1,400 banorë, bashkia më e madhe e Polonisë ka 1.8 milionë banorë.

Luksemburgu, 680,000 banorë dhe ka 100 bashki. Bashkia më e vogël 500 banorë dhe bashkia më e madhe 135,000 banorë.

Spanja ka 48 milionë banorë dhe ka 8,131 bashki. Bashkia më e vogël në Spanjë është tre banorë, Ilande de Vacas, dhe bashkia më e madhe është 3.4 milionë banorë, Madridi.

Italia ka 58.6 milionë banorë dhe ka, dhe ka 7,696 komuna. Komuna më e madhe 2.8 milionë banorë, Roma, dhe komuna më e vogël Morterone me 30 banorë.

Francën po ua them meqenëse e di. Franca me rreth 60 milionë banorë ka 35,000 komuna dhe bashki.

Çfarë i bëri Edi Rama Shqipërisë? Dhe nga të gjitha këto vende që përmenda, Shqipëria ka, është më malore se secili nga këto vende, se ka 80% të territorit kodër dhe mal. Dhe Shqipëria ka infrastrukturën më të dobët se të gjitha këto vende.

Pra, ky ishte një plan, një projekt antikombëtar. Ky ishte një projekt i shpopullimit të Shqipërisë. Ishte një projekt në zbatim të platformës së Millosheviçit.

Sigurisht që ne do insistojmë me të gjithë fuqitë tona që projekti të jetë në interes parësor të qytetarëve.

Faleminderit!

Jon Nasi: Z. Sali Berisha, siç keni deklaruar se megjithëse nuk ishit dakord me ligjin 7501, keni kërkuar ndjesë që nuk e keni anuluar. A do e anuloni Paketën e Maleve kur të vini në pushtet si ligj që do grabisë tokat dhe do të krijojë akoma më shumë konflikte të pronës private?

Sali Berisha: Absolutisht, menjëherë. Nga ligjet e para. Si ligj që plaçkit tokat, nxit vëllavrasjen dhe vjedhjen. I teket trafikantit në të ardhmen të të marrë tokën ty, ta merr, nuk guxon të flasësh, të vjen policia, etj, etj.

Ajo është paketa e mafies së maleve për të gjithë Shqipërinë.

Se ju e keni marrë vesh që projektet kryesore janë në lartësinë 30 deri në 100 metra të nivelit të detit.

Por cili është qëndrimi ynë?

Qëndrimi ynë në të gjitha zonat malore ku investohet, 10 vite pa asnjë taksë, përveç taksës së sigurimit të punonjësve.

Silvana Dangëllia: Pyetja e parë, a do ta kallëzoni këtë polici kriminale në organet e drejtësisë dhe tek ndërkombëtarët për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve paqësore ku uji nuk u kursye as tek ne, as tek pensionistët.

Pyetja e dytë, grupit parlamentar të PD i është mbyllur çdo hapësirë në Kuvend, edhe pse Kuvend nuk mund të quhet. A mendoni si grup të futeni në grevë urie?

Sali Berisha: Faleminderit shumë për pyetjet dhe faleminderit shumë për pjesëmarrjen. E vlerësoj shumë pjesëmarrjen tuaj dhe të çdo qytetari. Në këto kushte terrori, qëndresa është një heroizëm i vërtetë, është një guxim i vërtetë.

Dhe, u garantoj se Edi Rama nuk ka të gjatë kohën në pushtet. Do pësojë atë që kanë pësuar të gjithë diktatorët në histori.

Sigurisht që, ne do i denoncojmë të gjitha këto, por siç e shihni, kontrolli mbi sistemin, mbi organet e drejtësisë, është i plotë dhe total nga Edi Rama.

Ju e patë çfarë ndodhi, se si e gjora Mirlinda e Edi Ramës, Mirlinda e AKSHI-t të Edi Ramës, që si mashtrues ordiner mashtronte popullin e tij se ajo banonte në një shtëpi me qira, se ajo nuk kishte makinë dhe nuk kishte asnjë pronë tjetër, dhe na del me dokumente zyrtare se ajo ka vila dhe apartamente 200 e sa metra më të mëdha, ka veturë superluksoze, ka ullishte dhe ara, dhe këto janë vetëm maja e ajsbergut të pasurive të kësaj hajdute.

Dhe ai me Ilir Pandën, ish-ministrin socialist, sot anëtar gjykate i drejtësisë së depolitizuar, e nxori edhe nga arresti i shtëpisë në mënyrë që Linda të shkojë me atë Tafajn e tij dhe të zhdukë çdo dokument dh çdo gjë që komprometon Lindën e Surrelit, e cila de facto ka qenë drejtoresha faktike e AKSHI-t.

Është e dokumentuar.

Më 14 qershor të vitit 2024, unë kam denoncuar nga arresti në shtëpi që isha, Lindën e Surrelit si patronazhisten kryesore të Mirlindës së AKSHI-t.

Çfarë kam denoncuar bazuar në një dokument që më erdhi direkt nga dosja e prokurorisë?

“Në një regjistrim ambiental të shtetasit Gerond Meçe, ortaku i baxhanakut të Edi Ramës, Armando Fangu, rezulton se ky shtetas ka takuar në ambientet e zyrës së tij një shtetas tjetër. Shtetasi tjetër me inicialet A. K. i kërkon Gerondit që ta ndihmojë me anë të lidhjeve që ka me ortakun e tij, baxhanakun e Edi Ramës, kunatin e Linda Ramës, Armando Frangu për tenderat te AKSHI dhe me ndërhyrje direkt te zonja Linda”.

Po në këtë regjistrim rezulton se Gerondi ka dalë garant dhe thotë se te AKSHI çdo gjë e kontrollon vetë, deri tek dalja e tenderave. Ai pranon se Armando Frangu është pronar de facto i kompanisë ABS dhe Kane dhe kanë mbështetjen e plotë të kryeministrit nëpërmjet zonjës Linda, patronazhistes së Surrrelit.

Të gjitha këto përgjime janë në dosje. Një prokuror i Skapit, Mara i bëhet presion i jashtëzakonshëm për likuidimin e dosjes.

Veçanërisht këtë e kërkonte Dumani të zhdukej, nuk u zhduk dot pasi dosja ekziston edhe në vende të tjera.

Pra, e kam denoncuar këtë me 14 qershor të vitit 2024. Një vit e gjysmë para se të dalë dosja e AKSHI-t.

Natyrisht, Edi Rama ka kontroll total mbi drejtësinë, por ne pa diskutim do të çojmë padi penale për të gjitha këto qëndrime.

Lidhur me grevën e urisë, unë të garantoj se deputetët janë të gatshëm plotësisht për çdo lloj veprimi dhe vendimi që i shërben shoqërisë dhe kombit, demokracisë.

Për këtë nuk duhet të kenë asnjë dyshim.

Pra, deputetët nuk u shmangen as detyrimeve, as përgjegjësive të tyre.

Pyetje: Për këtë javë që vjen janë paralajmëruar lëvizje të forta të SPAK apo organeve të tjera të hetimit. A keni ndonjë informacion më shumë se çfarë të presim?

Sali Berisha: Jo, nuk kam asnjë informacion dhe jam skeptik, do t’ju them me sinqeritet. Duhet ta dinë shqiptarët. SPAK-u ka një sëmundje të tmerrshme. Unë do t’ua them.

Dhe sigurisht aty ka njerëz shumë të ndershëm, ka njerëz trima, dhe në BKH dhe në SPAK, por aty ka një sëmundje të tmerrshme. Ka prokurorë me dokumentë zyrtare të lidhur me krimin.

Ka prokurorë me dokumente zyrtare të lidhur me Gys Agasin.

Ka prokurorë me dokumente zyrtare të lidhur me Suel Çelën. Me dokumente zyrtare dhe nuk veprohet ndaj tyre.

SPAK-u e ka emergjente, emergjente ndëshkimin e atyre që shkelmojnë mbi ligjin, mbi besimin, mbi kushtetutën.

Dhe ky është sistemi i marrjes peng të SKAP-it. Ndaj dhe unë nuk parashikoj ndonjë gjë të veçantë, aq më tepër kur Edi Rama dëshmoi plotfuqinë dhe kontrollin e tij të plotë edhe me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë.

FJALA PËRMBYLLËSE

Duke përfunduar, ju uroj të gjithëve ju që ndoqët, të gjithë shqiptarëve dhe miqve tanë ditën e Europës. Shpreh një mirënjohje të pakufijshme ndaj kombeve anëtare të Bashkimit Europian, institucioneve të këtij bashkimi për ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Por theksoj se, kjo ditë na zënë ne në një udhëkryq të rrezikshëm.

Theksoj dhe njëherë se sot, po të kishte zë, Shqipëria do të thërriste më shumë se kurrë shqiptarët që ta shpëtojnë nga këta hajna të shpifur, pa moral, të cilët po gërryejnë dhe rrënojnë në mënyrë të pamëshirë qenien e këtij kombi, të rinjtë e këtij kombi.

Po shpërfytyrojnë të moshuarit e këtij kombi, pensionistët, ata që me lumenjtë e djersës kanë ndërtuar këtë Shqipëri. Sot trajtohen absolutisht shumë më poshtë se niveli i kafshëve shtëpiake në shpenzime.

Ky mashtrues ordiner, i pamoral, që u zotua se do t’ia do t’ia u indeksojë pensionin pensionistëve, që bëri ligjin që detyron INSTAT-in të nxjerrë veças efektin e inflacionit mbi shportën e mallrave bazë, në mënyrë që t’i indeksohen pensionistët mbi atë bazë.

E fsheh këtë indeksim që bën. Lekët shpenzohen, indeksimi bëhet, po ua fsheh pensionistëve. Dhe tani ka hequr dorë nga indeksimi.

Ka hequr dorë nga indeksimi në një kohë kur kur mbi 100 mijë shqiptarë marrin pension ndër 100 euro. Në një kohë kur 490.000 shqiptarë marrin pension të pjesshëm dhe jo të plotë.

Në një kohë kur sot me pensionin që merr, pensionisti nuk blen dot absolutisht as 40% të atyre që blinte në vitin 2013 me pensionin mesatar 140.000 lekë.

As 40% e tyre s’i blen. Pra, dhe të gjitha këto, ky përpiqet t’i përmbledhë, po jep bonuse. Sa janë bonuset që jep ky? Bonuset që jep ky janë 8 euro. Janë 2 kile domate.

Nuk ka tallje më të madhe, në një kohë kur ligji e detyron këtë që dhe para atij çmimit të tmerrshëm të domateve t’i paguajë.

Duhet të ngrihemi! Duhet të ngrihemi me guxim të madh dhe këta gra dhe burra që dalin prej 8 herësh në kryengritje, duhet të jenë frymëzim.

Këta luftojnë për çdo shqiptar. Ndaj dhe ta vazhdojmë këtë betejë të sigurt se Edi Rama është i plagosur për vdekje dhe ai mund të qëndrojë në pushtet vetëm në qoftë se e lejojmë ne.

Dhe kjo do ishte përgjegjësi e pafalshme e opozitës dhe e shqiptarëve para vetes së tyre, para të ardhmes së fëmijëve të tyre.

Ne nuk do ta lejojmë atë.

Faleminderit dhe në protestën tjetër, shumë shpejt do u komunikojmë ditën, të bashkohemi përsëri në si të pamposhtur kundër këtij regjimi që meriton që ka humbur çdo legjitimitet.

Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale