Berisha: Edi Rama ndërmori aktet kundër Sali Berishës, pikërisht kur e kuptoi se nuk mund të kontrollojë më opozitën

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e përjavshme të mbajtur me gazetarët tha se, SKAP-i nën urdhrat e partisë, vrapoi në sallën e parlamentit për të sajuar vepra kriminale. Berisha tha se, Edi Rama urdhëronte me Taulant Ballën, deputetë të tij që të vërsuleshin kundër deputetëve të opozitës në protestë.

Berisha tha se, Edi Rama ndërmori aktet kundër Sali Berishës, pikërisht kur e kuptoi se nuk mund të kontrollojë më opozitën. Berisha tha se, e garanton Edi Ramën se asnjë lloj mase përveç rikthimit të plotë të të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës, nuk do mund të bllokojë protestën e deputetëve të PD.

Kryetari i PD, Sali Berisha u pyet gjatë konferencës për shtyp në lidhje hetimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj ish-agjentit të FBI-së, Charles Mcgonigal, duke theksuar se SPAK është nën urdhrat e Edi Ramës dhe të besosh se do të hetojnë atë është si të besosh tek rrethi katror

Berisha tha se, një procesi politik do t’i përgjigjem me një gjyq politik ndaj Edi Ramës. Berisha tha se, do i bëjë gjyqin e shekullit atij.

Berisha tha se, nëse plotësohen tre kërkesat, grupi parlamentar i PD angazhohet me seriozitetin më të madh në jetën parlamentare.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, gjyqtarja e korruptokrate, Muçi u bë palë me Ramën për të shkatërruar identitetin e Partisë Demokratike. Berisha tha se, Edi Rama e ka kuptuar që nuk ka më kontroll mbi opozitën.

FJALA E PLOTË

Zhvillimet dramatike të djeshme në parlament dhe pas parlamentit janë dëshmi e pakontestueshme e narkodiktaturës së vendosur në Shqipëri.

Janë fytyra e vërtetë e regjimit deputetë të opozitës me të drejta të mohuara në mënyrë antikushtetuese nga Edi Rama.

Kanë nisur betejën e tyre parlamentare për rivendosjen e të drejtave të tyre. Këtë betejë ata e kanë nisur me qëllimin e parë, rivendosjen e të drejtave dhe vendosja e bojkotit të parlamentit.

Pra, ata kanë përjashtuar rrugën e bojkotit të parlamentit. Midis kësaj dhe betejës për të drejtat e tyre në parlament kanë zgjedhur betejën e tyre për të drejtat në parlament.

Mendoj se kjo është rruga më kushtetuese, më  ligjshme, më përfaqësuese, më e përgjegjshme e këtyre deputetëve. Në këto qëndrime ata u përballën dje me një situatë banditeske ndaj tyre në parlament.

Edi Rama urdhëronte me Taulant Ballën deputetë të tij që të vërsuleshin kundër deputetëve të opozitës në protestë.

Edi Rama me Lindën e tij në parlament kishte futur në sallën e parlamentit në kundërshtim absolut me ligjet njerëz të armatosur.

Edi Rama në kundërshtim flagrant me ligjin kishte futur në parlament policinë, ndërkohë që siguria në parlament, qytetarët shqiptarë paguajnë me dhjetëra e dhjetëra rroga punonjës të sigurisë së parlamentit që janë repart i gardës së vendit.

Skenat e qëndrimeve të opozitës ndaj parlamentit ishin që të gjitha të dirigjuara, por po kaq e rëndë, kaq e shëmtuar ishte vrapimi pas ngjarjes në parlament i SKAP-it të partisë i cili ka shkelur çdo ligj dhe çdo rregull. Nuk kishte asnjë vepër krimi, nuk pati të plagosur, pale më më shumë.

Nuk ndodhi asnjë problem i veçantë, përveçse një proteste legjitime të deputetëve të opozitës. SKAP-i nën urdhrat e partisë vrapoi në sallën e parlamentit me shoqëruesit e tij për të identifikuar, për të trilluar, për të sajuar vepra kriminale.

Fytyra e shëmtuar policeske e narkoshtetit, dëshmi e fytyrës së shëmtuar policeske të narkoshtetit.

Ju ishit aty, shqiptarët e ndoqën në çdo moment atë. Pse shkonte SKAP-i i partisë? Edi Rama është i tmerruar.

Moral nuk ka pasur ndonjëherë, por i ka hyrë drithërima dhe frika në palcë. Mendon se duke sjellë skapistë në parlament, do të mund të dekurajojë në betejën e tyre deputetët e opozitës, më e drejta në historinë e një parlamenti, për të drejtat e tyre kushtetuese.

Formuluan akuza kriminale për të dërguar në Gjykatën e Lartë. Por kur ne i dërguam në Gjykatën e Lartë, goditjen që i bënë Gent Strazimirit, Pjerin Ndreu me banditin tjetër, gjykata u përgjigj se kjo zgjidhet me masat që ka marrë parlamenti brenda parlamentit.

Por këtë herë kanë Sadushin, omnipotent aty, dhe ia dërgojnë atij, si siguri të madhe për të marrë ndonjë masë.

Tani unë jam këtu për këto çështje.

Së pari, për të konfirmuar qendrimin e PD se asgjë nuk do mund të ndalë betejën pa kthim të deputetëve të opozitës, përveç rivendosjes, rikthimit të të drejtave të tyre.

Ne jemi të interesuar për jetë parlamentare normale në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren, ne jemi të interesuar. Ne nuk po bojkotojmë, pikërisht se jemi të interesuar, përndryshe ne mund të mos shkonim në parlament, jo.

Ne po shkojmë në parlament, po protestojmë, sepse jemi të interesuar për jetë parlamentare normale. Kjo është e vërteta e asaj që shihni ju.

Së dyti, e garantoj Edi Ramën se asnjë lloj mase përveç rikthimit të plotë të të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës nuk do mund të bllokojë protestën e deputetëve të PD.

Së treti, mashtrimi i paskrupullt i tellallëve dhe zyrtarëve të qeverisë, se kjo që ndodh ka lidhje me persekutimin politik të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, është një gënjeshtër e turpshme. Kjo është shpallur para se Edi Rama të shpallë masat.

Edi Rama ndërmori aktet kundër Sali Berishës, pikërisht kur e kuptoi se nuk mund të kontrollojë më opozitën, e kuptoi se PD sot në këmbë është e vendosur të përmbysë regjimin e tij.

Edi Rama ka ecur i sigurt, se ka pasur në kontroll opozitën shqiptare. Ai e pa gjatë muajit të fundit se ky kontroll dhe pasojat e përçarjes së tij morën fund.

Dhe ky është shkaku i tronditjes së tij gjer në palcë. Ai e di se këtë opozitë nuk ka forcë në botë që mund ta ndalë pa realizimin e qëllimeve të saj, rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve.

Ai e di mirë se me një opozitë të vërtetë nuk fiton kurrë. I di shumë mirë këto.

Ai e di mirë se sot opozita nuk mund të kontrollohet më prej tij, nuk i nënshtrohet me asgjë  tjetër, përveç ligjeve të vendit dhe është shndërruar në dy muaj tmerri e vërtetë të tij.

Për sa i përket Sali Berishës dhe procesit politik, iu garantoj se do i bëj gjyqin politik para jush Edi Ramës, por pa i ngatërruar këto dyja, po po.

Do ketë një gjyq politik, unë iu kam thënë ju. Do i bëj gjyqin e shekullit atij. Këtu sigurisht, unë jam kryetar partie.

Një procesi politik do i përgjigjem me një gjyq politik. Unë këtë nuk mund ta shmangë. Por asnjë njeri nuk mund të thotë se kjo ka lidhje me protestën, pasi protesta u shpall kohë përpara. Edhe Edi Rama mendoi se antidoti i kësaj proteste është procesi që shpalli.

Po atë unë do ta zbërthej në çdo segment të tij, si një proces të turpshëm politik ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit.

Kjo është çështje dhe Sali Berisha këtu e ka detyrim madhor këtë ndaj çdo demokrati, ndaj çdo qytetari shqiptar që i intereson e vërteta.

Fakti të nderuar zotërinj, që nuk guxuan mercenarët e Edi Ramës të thërrasin njëherë, të marrin njëherë në pyetje, aty mungon dokumenti kryesor, të marrin njëherë në pyetje Sali Berishën, dëshmon tmerrin që kanë ata nga Sali Berisha.

Tre vite, nuk guxuan një pyetje.

Por të mos i përziejmë gjërat, t’i lëmë siç janë. Ai një gjyq politik i shekullit ndaj diktaturës dhe Edi Ramës, kjo një betejë për rivendosjen e Kushtetutës.

PYETJE-PERGJIGJET ME GAZETARET:

Osman Stafa, News24: Folët për normalitet parlamentar. Nëse PS, miraton dy kërkesat tuaja për Komisionet Hetimor parlamente dhe atë të reformës zgjedhore. Të nesërmen ju i riktheheni jetës parlamentare normale.

Sali Berisha: Janë tre kërkesa. Pa diskutim. Ne jemi seriozë në ato që themi. Kjo është betejë. Pse ne nuk kaluam në një protestë të përgjithshme? Ju garantoj se nëse plotësohen tre kërkesat, grupi parlamentar i PD angazhohet me seriozitetin më të madh në jetën parlamentare. Pra, të harrojë kush se ne kemi projekt për bojkotin e parlamentit, jo për djegien e mandatit, po as bojkotin e parlamentit. Se fare mirë mund të themi, kur t’i plotësoni kërkesat, do kthehemi. Jo, plotësoni kërkesat, do jemi në parlament, do vazhdojmë të jemi në parlament. I plotësuat kërkesat, jeta në parlament zhvillohet sipas rregullave.

-Sipas informacioneve të mia, SPAK është duke hetuar çështjen McGonigal që ju e keni denoncuar prej kohësh. Nëse pas SPAK do të ishte Edi Rama, a nuk mendoni se do ja kursente vetes këtë çështje.

Sali Berisha: Edhe unë kam informacione që SPAK po heton çështjen McGonigal. Por të besosh se po e heton për të fajësuar Edi Ramën, duhet t’i besosh rrethit katror. E hapën hetimin përpara se të merrej në pyetje nga FBI, Edi Rama- pastaj këtu nënkuptohet që një kërkesë ka ardhur për këtë dhe nuk mund të refuzojnë, apo e hapën hetimin sepse e dinë se do kërkohet kontributi i tyre, se në shkurt është procesi, por të garantoj që në çdo rast, ata janë të aftë, siç e faktoi procesi politik ndaj meje, të fshehin dokumente, të falsifikojnë realitete, për të mbrojtur Edi Ramën.

-Nëse SPAK del për këtë çështje me një akuzën ndaj Edi Ramës. A do ti tërhiqni deklaratat tuaja ndaj SPAK se pas këtij institucioni ndodhet Edi Rama.

Sali Berisha: Unë marr meqë jam këtu, akuzën ndaj meje. Junë këtë deklarata e kam bërë për disa arsye, të garantoj, asnjëherë pa shkaqe të mirëfillta ligjore. Unë nuk mund të kem veçse respekt të plotë dhe mbështetje të plotë për cilindo nga ata gra e burra që bëjnë ligjin aty. Por a mund të pajtohem ata me praktikën e tyre kur ata Behar Bajrin dhe Denis Bajrin, të arrestuar nga një koleg i tyre në Shkodër për vrasjen e tjetrës në gjumë, të fejuarës, e marrin dhe e çojnë në Shkodër për t’u liruar, me pretekstin se nuk janë organizatë kriminale. A mund t’i kapërcej unë këto? A mund të kapërcej unë faktin se Erion Veliaj është me të gjitha dokumentet strumbullari kryesor i veprës penale të djegësit të Tiranës, dhe ata nuk ngrenë dot një akuzë ndaj tij. Përkundrazi, edhe personat që i kanë marrë në pyetje, Alberto Presecin dhe Miliad Lopën, të cilët sipas vetë atyre u kanë thënë se nuk kemi punë me inceneratorin, sipas vetë SKAP-it, vijnë në Tiranë me faturën 100 milionë euro për të marrë SKAP-in për të larë paratë e Pasdaranit apo tjetërkujt. A mund të pranojmë ne se nuk kontrollohet SKAP-i? Kurrë, prokurorët e SKAP-it të Ilir Beqajt, të aferës së sterilizimit, vënë në arrest një seri vartësish të tij dhe nuk ngrenë padi penale ndaj Ilir Beqajt, i cili ka firmën e tij në katër momente kryesore, në një aferë të tmerrshme që rriti faturën e sterilizimit 83 herë. Le që për të larë duart, kryetari i SKAP-it nuk bie dakord, por çon një opinion të veçantë. Kjo nuk e ekzonoron atë. Nuk mund të ndodhte kjo. Ai është kryetar për të vëzhguar zbatimin e ligjit. Se kjo çfarë do të thotë? Këta të dy nuk janë në rregull, unë për kaq… Gjykatësi mori një vendim, por nuk mori vendimin e duhur se personi kryesor përgjegjës ishte Ilir Beqaj. Unë nuk mund të pajtohem kurrë me këtë. Mos e merrni se unë kam një gjë personale. Absolutisht asgjë personale. A mund të pajtohem unë këtu me praninë e atij Shehajt që gënjente për Mehmet Grecën? Mehmet Greca trafikant i dënuar me 7 vite në Britani për 40 kg kokainë, plot makinën me ID dhe fletë votimi e euro, anëtari më i ngushtë i stafit të Taulant Ballës, dhe del në media e thotë se në makinë nuk kishte asgjë. Si mund të përfundojë në SKAP ai? Kush e solli dje SKAP-in në parlament? Nuk mund ta bënin kurrë këtë. Vetëm ata që i kontrollon Taulant Balla për lidhjet e tyre me krimin mund të bëjnë një gjë të tillë. Kështu që ky është nën kontroll të plotë të Edi Ramës.

Enkel Xhangolli, KlanNews: Aksioni juaj mund të zgjasë disa muaj. Nëse mazhoranca  refuzon të pranojë kërkesat tuaja, çfarë do të ndodhë përtej këtij aksioni. A nisi ky aksion kundër qeverisë, dhe për tu finalizuar me një protestë mbarëpopullore, apo në plotësimin e kërkesave për ngritjen e disa komisioneve dhe do të anashkalohet beteja me qeverinë.

Sali Berisha: Mendoj se duhet të qartësojmë çdo gjë. Kjo betejë në parlament është nisur betejë e grupit të deputetëve. Dhe njëherë, kjo betejë nuk ka, qëllimi i saj është rikthimi i të drejtave kushtetuese dhe këtu janë të bashkuar të gjithë deputetët. Ne jemi për funksionimin e parlamentit, nuk jemi as për bllokimin e tij dhe për asgjë tjetër. Me ato dokumentacion që disponojmë për zgjedhjet, beteja do të vazhdojë, po beteja nuk vazhdon më me parlamentin, parlamenti thashë funksionon, beteja do të vazhdojë me të gjithë shqiptarët që duan të rikthejnë votën e lirë. Jemi në vazhdim, ju kam thënë se kjo është betejë pa kthim. Të gjithë shqiptarët që duan që vullneti i tyre të mos shkelmohet nga banda si Bajrët, si Rraja, nga banda të tjera në qytet, të votojnë të lirë. Edi Rama e ka kuptuar këtë, nuk ka më kontroll mbi opozitën. Ka një opozitë të fuqishme që në mënyrë absolute do çojë popullin opozitar drejt fitores…

Ardit Hoxha, EuroNews: Ju theksuat që në aksionin e javëve të fundit, jeni në sinkron të plotë me grupin që mbështet Gazment Bardhin, edhe në gjykatë në seancën që u zhvillua sot, ishit të koordinuar me grupin e zotit Bardhi. A jeni të koordinuar me këtë grup deputetësh edhe për aksionin jashtë parlamentit, pra për ato protesta që ju flisni, për një datë caktuar, nëse vendos kryesia e PD për të thirrur një protestë, a do të ju bashkëngjiteshin këta deputetet me në krye Gazment Bardhin.

Sali Berisha: Unë mendoj se çdo vendim do të diskutohet në kryesi të partisë me deputetë dhe me radhë. Sot për sot, u them që përqendrimi i plotë dhe total është te të drejtat kushtetuese të deputetëve në parlament. Kurse proceset gjyqësore janë një dëshmi tjetër e shëmtuar e përpjekjeve të Edi Ramës për të dhunuar identitetin e forcës sonë politike. Në histori ekziston e njohur si barbari ekstreme, përpjekja për zhdukjen e identitetit. Këtë e kanë përdorur nazistët në kampet e përqendrimit, kur hebrenjve u vendosnin numra dhe ua fshinin emrat, këta e kanë përdorur të tjerët në praktikat e tyre asimiluese, këtë mendon Edi Rama të përdorë kundër demokratëve, por demokratët janë në këmbë. E morët vesh për Muçin? Nuk patën mundësi kurrsesi të kapërcenin një korruptokrate me byk ndërgjegje. Do mësoni të dhëna të tjera për këtë Irenën, për këtë tjetrën, për Blerinën tjetër. E morët vesh ç’ishte? E marrë peng, por në fund të fundit nuk e kapërcyen dot kurrsesi. Njeri që shkroi në mënyrën më të turpshme, në mënyrë kriminale, ligje në vendimet e saj. Thirri palë atë që nuk ishte kurrë palë. Që kishte refuzuar të ishte palë. U bë pjesë e përpjekjeve të Edi Ramës për të shkatërruar identitetin e një force politike.

Ermal Rizai, SYRI TV: Z. Berisha duke parë krizën parlamentare, a mendoni se Edi Rama do ta shfrytëzojë këtë krizë parlamentare, ndoshta edhe për të çuar shpërndarjen e parlamentit me anë të një mocioni, me qëllimin e vetëm zgjedhjet e parakohshme, pasi po shohim se Rama edhe prezantimin buxhetit po e bën me anë të një fushate, me disa kategori, ndërsa PD ende nuk ka zgjidhur çështjen se kujt  i takon vula. Se ditën e djeshme ju thatë se kjo krizë parlamentare po ndërmerret nga zonja Nikolla.

Sali Berisha: Për ti dhënë një përgjigje përfundimtare pyetjes tuaj. Asnjëherë mos më pyesni, por merreni përgjigjen të sigurtë; Edi Rama është i aftë të bëjë çdo gjë. Nuk ka asnjë normë morale, nuk ka asnjë normë etik, ligjore. Ka gjithçka në funksion të pushtetit të tij. Kur them këtë, dua të nënkuptoj mbi ç’bazë ndërton Sali Berisha dhe PD-ja do të ndërtojë qëndrimin ndaj tij. Ne luftojmë për Kushtetutën dhe bëjmë shumë mirë të mos jemi të paqenë, por të jemi siç duhet të jemi në parlament, por se ç’bën Edi Rama nuk duhet të kemi asnjë iluzion.

Daniela Maloku, Report TV: Duke qenë se e cilësoni SKAP-un, si Skap i Edi Ramës, si i keni parë vizitat e fundit të SPAK në DASH. Madje sot ka pasur edhe një reagim nga Ambasada e SHBA, që në një farë mënyre i ka dhënë bekimin aksioneve të SPAK. 

Sali Berisha: Ato që kam thënë për SKAP-in, ato i kam thënë bazuar në dokumente të pakundërshtueshme. Unë nuk diktoj protokollin e askujt, por nuk sulmoj njeri, aq më tepër njerëz që zbatojnë ligjin ndonjëherë, pa prova, fakte dhe dokumente.Kjo është përgjigjja ime.

-Do të paraqiteni të hënë para oficeres gjyqësore.

Sali Berisha: Gjithçka do të informoheni në vazhdim.

Anesti Barjamemaj, A2CNN: Ju ka thirrur gjykata për të dëshmuar z., Berisha.

Sali Berisha: Ata që menduan se do të terrorizojnë qytetarët, do të provohen me gjyqin e shekullit. Tani ata menduan që t’u përcjellin nëpërmjet meje mesazhin qytetarëve që shiko, kur jemi në gjendje të manipulojmë, të trillojmë, të sajojmë një proces kundër Sali Berishës, imagjinoni ç’mund t’u bëjmë ju nëse nuk ulni kokën. Po Sali Berisha do u faktojë qytetarëve se ç’përfaqësojnë këta dhe do t’i bindë ata se në këtë vend, për ta drejtësi nuk ka. Shkoni ndiqni gjyqet ju. Çfarë janë? Janë një përzierje krimi, ryshfeti, abuzimi ligjor. Aty vërtet ke të pandehur dhe vërtet që kanë kryer krime. Po ke aty nga ata që gjykojnë që kryejnë po ata krim. Që u marrin para. Ose që i gjobisin në mënyrë të tmerrshme për t’u dhënë dokumentet. Ose nuk u japin fare dokumentet.Ndaj vetëm në Gjykatën e Apelit, mijëra procese shtyhen në javë, nuk zhvillohen. Secili gazetar është i ftuar të vëzhgojë veprimtarinë në sallën e gjyqit dhe do gjejë një situatë të pabesueshme. Ua them unë, të pabesueshme. Tërësisht të papërballueshme për qytetarin për pagesat që duhet të bëjnë. Tmerrësisht. Për të marrë një dosje, duhet të paguajë qimet e kokës, për të marrë vendimin, nuk e merr kurrë në kohë. Pra, kemi të bëjmë me një degradim total të një sistemi që është jetik për të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

-Nga përgjigja juaj, duket se nuk e keni me qejf shkuarjen në gjykatë. A i druheni marrjes me forcë?

Sali Berisha: Unë u shpreha këtu si zëdhënës i mijëra qytetarëve. Por situata është më e turpshme. Dhe thashë dhe njëherë, do mësoni edhe për Irenën gjëra se si zbaton ligjet. Prisni, durim. Tani e le të drejtën këtu dhe u riktheve te e drejta jote.

Isa Myzyraj, OraNews: Në një lidhje me një televizion në Kosovë, që kërkonte informacion në Shqipëri. Në 3 dhjetor të vitit 2015 ka pasur zhvillime në Kosovë, deputetët e VV bënin trazira përfshirë edhe gazin lotësjellës. Ju zoti Berisha keni deklaruar: Më thoni mua, në cilin parlament të botës hidhen bomba me gaz, në cilin parlament bëhet luftë guerile. Nëse do të bësh guerrilasin, dil në mal jo në parlament.

Sali Berisha: A mund të më thuash pak, cila e drejtë kushtetuese iu ishte mohuar deputetëve të Vetëvendosjes? Dhe unë do them këtë, në rast se deputetëve të Vetëvendosjes nuk iu lejohej krijimi i komisioneve hetimore parlamentare. Të drejtat kushtetuese janë një grup i vogël, të sanksionuar në 4-5 nene të Kushtetutës, maksimumi 6. Cila e drejtë kushtetuese iu ishte mohuar deputetëve të Vetëvendosjes?  Iu ishte mohuar atyre e drejta e krijimit të komisioneve hetimore parlamentare? Iu ishte paralizuar atyre e drejta e iniciativës ligjvënëse? Iu caktonte atyre, kryeministri i vendit, përfaqësuesin në reformë zgjedhore dhe komisione të tjera, që donte ai dhe jo që e emërojnë deputetët? Në rast se këto në atë kohë kanë ndodhur, Sali Berisha publikisht duhet t’i kërkojë të falur Vetëvendosjes për ato fjalë që ka thënë. Në rast se këto kanë ndodhur. Në dijeninë time këto nuk kanë ndodhur. Kjo që ndodh sot, është një aksion i detyruar për të mos bojkotuar parlamentin. Është një betejë për të rikthyer normalitetin dhe kushtetutshmërinë në parlament. Pra, prapa protestës së deputetëve në opozitë, duhet të shikosh shëmtinë e pafund të qeverisë që iu mohon atyre të drejtat kushtetuese në sallë. Në çdo moment, pra kjo protestë ka vetëm një qëllim: garantimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve dhe të qytetarëve. Se këta deputetë nuk janë në parlament për të përfaqësuar qeverinë, janë në parlament për të përfaqësuar popullin opozitar, për të bërë kontrolle qeverisë. Asnjë komision parlamentar nuk është bërë aty me qëllim vetëm Edi Ramën ta zëmë. Vërtet  shtë vënë ‘Ismaili’ me 22 milionë, po kontrollo të gjithë udhëtimet e Sali Berishës po deshe. Asnjë kufizim. Vërtet është vënë konflikti i interesit për Edi Ramën, po kontrollo konfliktin e interesit për Sali Berishën në çdo aspekt. Po unë besoj se qytetarët kanë të drejtë se ç’ndodh me këto gjëra se nuk është se nuk qëndrojnë. Ideja se duan t’i krahasojnë me qëndrimet që kam mbajtur ndaj Vetëvendosjes në atë kohë, nuk qëndron. Megjithatë, ai që më thotë mua shkaqet, nëse ka qenë në kushtet e shkeljes së Kushtetutës, unë i tërheq fjalët e mia.

Ju uroj një fundjavë të mbarë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale