FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN E PËRJAVSHME ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Në konferencën e përjavshme të mbajtur me gazetarët në selinë blu, Kryetari i PD, Prof.Dr. Sali Berisha tha se, zhvillimet e fundit të dosjes McGonigal kanë tronditur Edi Ramën. Berisha tha se, Edi Rama është bashkëfajtor në të gjithë dosjen shqiptare me McGonigal.
Berisha tha se, akti terrorist që kryen falangat serbe kishte një ‘background’ të parapërgatitur nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Edi Rama me Aleksandër Vuçiç, padronin e tij, ka vetëm në plan zhbërjen dhe ndarjen e Kosovës. Berisha u shpreh se, i dënon me ashpërsinë më të madhe këto qëndrime.
Berisha i bëri thirrje Komunitetit Ndërkombëtar që të ndalojë çdo ndërhyrje të Edi Ramës në punët e Kosovës.
Berisha u shpreh gjatë konferencës së mbajtur se, ndikimi i Erion Veliajt te dënimi i Alqi Bllakos po e ccliron nga akuza e korrupsionit dhe nuk i është prekur asnjë qindarkë nga pasuria e tij
Kryetari i PD, Sali Berisha bëri një denoncim publik, duke lëshuar akuza për blerje të votave në Kukës. Në bashkëbisedimin me gazetarët, Berisha tha se një zyrtar i lartë PS është përgjuar bashkë me drejtorin e OSHEE për Kukësin, ku flisnin për një tender ku do të përfitonin para në këmbim.
Berisha kërkoi që të hetohen udhëtimet e Taulant Ballës në Itali me Pëllumb Gjokën.
Berisha tha se, shefi i OLAF-it u dënua me një vit burg se manipuloi dosjen Vlahutin të denoncuar nga ne.
Berisha tha se, Veprimet e peng-Bashës janë akte vetëposhtërimi që i imponohen atij dhe dëshmojnë se është një peng i pashpresë.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, ditën e aktit terrorist, Edi Rama e ka paraqitur i pari në Nju Jork idenë që veriu i Kosovës të kontrollohet nga KFOR-i.
FJALA E PLOTË
Zhvillimet dramatike në aferën McGonigal, pranimi nga McGonigal i 6 akuzave të lidhura direkt me Edi Ramën dhe ndihmësit e tij, kanë tronditur dhe çorientuar në shkallë ekstreme këtë të fundit.
Edi Rama është bashkëfajtor në të gjithë dosjen shqiptare me McGonigal. Por, ka dhe një problematike tjetër të madhe se në rast se McGonigal në deklaratën e tij, ka pranuar 6 akuza të një pike të aktpadisë dhe e ka cituar personalisht 11 herë Edi Ramën, pra e ka lëshuar në rënie të lirë, për t’i dëshmuar gjykatëses se ky është po aq fajtor sa McGonigal, marrëveshja, të cilën ju ia paraqitët publikut, ka dy pika të tmerrshme, në të cilat mediat nuk u ndalën.
Njëra prej tyre thotë se gjykatësja nuk ka asnjë detyrim të pranojë këtë marrëveshje dhe të mos urdhërojë hetime të tjera dhe të mos vlerësojë çështje të tjera në gjykimin e McGonigal.
Por e vërteta është se e njëjta pikë ekziston për prokurorinë. Prokuroria, megjithëse ka firmosur marrëveshjen, nuk ka asnjë kufizim për të hetuar rreth këtyre pikave që ky ka pranuar, gjer në shkurt të vitit të ardhshëm.
Akuza e vetme e pikës së aktpadisë për Edi Ramën, që nuk reflektohet në deklaratën e McGonigal, është gjobëvënia. Ajo ishte aspekti më i shëmtuar i veprimtarisë si grup kriminal i strukturuar.
Pra, gjobëvënia, lufta kundër opozitës, ndryshimi i licencave, janë tre momentet klasike, në të cilat Edi Rama, McGonigal, Agron Neza, Dorian Duçka, Damian Gjiknuri, etj, rreshtohen, grupohen si grup i strukturuar kriminal.
Për të gjitha këto, ne do përpiqemi të paraqesim çdo fakt, dokument para drejtësisë amerikane, por edhe drejtësisë shqiptare.
Në këtë situatë suicidi politik të Edi Ramës, ai është bërë shumë i rrezikshëm për rajonin. Shumë i rrezikshëm për Shqipërinë.
Skenari, akti terrorist që kryen falangat terroriste në Banjskë të Zveçanit, kishte një begraund të parapërgatitur nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç.
Burimet nga Kombet e Bashkuara, bëjnë me dije se në sallat e kësaj selie, në një takim jopublik, dy kryeministrat, përveç atij të Serbisë, duke shtrigëzuar Albin Kurtin, kanë paraqitur kërkesa që komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, të vendosen nën kontrollin e KFOR-it. Në këtë burim nuk citohen emra, që të jem i hapur, nuk thuhet kryeministri i Maqedonisë apo Malit të Zi, por thuhet për dy kryeministra.
Pse del Edi Rama, thoni ju? Edi Rama del se me datën 24 shtator, në orën 11, sapo u mor vesh vrasja e policit në krye të detyrës, Edi Rama vrapoi me të madhe të kërkojë konferencën ndërkombëtare për Kosovën.
Tezë kjo e diskutuar dhe sugjeruar edhe në këtë mbledhje. Kërkesë kjo e paraqitur direkt nga Aleksandër Vuçiç, kërkesë kjo e paraqitur nga terroristët e Listës Serbe, para Edi Ramës.
Çfarë fshehin këto qëndrime? Unë e theksova dhe dje dhe e theksoj edhe sot.
Edi Rama me Aleksandër Vuçiç, padronin e tij, ka vetëm një plan: zhbërjen dhe ndarjen e Kosovës.
Nëse veriu do të shkëputej nga autoriteti i institucioneve legjitime të Kosovës, vetëkuptohet që kjo do ishte një fazë e parë për një status sui generis që do përfundonte në aneksim dhe ndarje të Kosovës.
Fatmirësisht, kjo përpjekje e këtij grupi qeveritarësh të inkriminuar në shkallën më të lartë, Aleksandër Vuçiç, një kryeministër i cili është i implikuar direkt në gjenocidin ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve në luftën e fundit, një president me lidhje kokë e këmbë me Belivukun dhe belivukët e tjera.
Edi Rama, një kryeministër famoz për korrupsionin transnacional, Edi Rama një kryeministri lidhur me belivukët shqiptarë, me të gjitha bandat, me Bajrët, me Pëllumb Gjokën.
Meqë jam te Bajrët, kërkoj hetimin e udhëtimeve të Taulant Ballës me Pëllumb Gjokën në Itali. U bëj thirrje autoriteteve italiane të bëjnë publike udhëtimet e Ballës me Kolombo Gjokën. Më duket se ja ka ndërruar edhe pasaportën dhe ja ka dhënë me këtë emër, ka mundësi.
Edi Ramë është kryeministri i Belivukëve shqiptarë dhe armiqësia e tyre me Albin Kurtin, është genuine për faktin e vetëm se ai është i zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës, i palidhur me asnjë Belivuk apo Kolombo të Edi Ramës.
Në këtë kontekst, dënoj me ashpërsinë më të madhe këto qëndrime.
Shpreh vlerësimin dhe mbështetjen time për kërkesat e autoriteteve të Kosovës për hetim ndërkombëtar. E konsideroj shumë të domosdoshme që akti terrorist, të cilin Edi Rama nuk e shqipëroi kurrë si të tillë. E quajti akt kriminal. Fillimisht nuk shprehu as ngushëllime për Afrim Bunjakun.
Nuk drejtoi kurrë dorën drejt Vuçiçit. Edhe pasi shpalli zinë kombëtare, Vuçiçi nuk ekzistonte në fjalorin e tij. Hetimi ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm për të ndërtuar qëndrimet, për të vendosur sanksionet ndaj Vuçiçit dhe Serbisë si një mjet i domosdoshëm për ta bërë më realist Beogradin ndaj zhvillimeve në rajon.
Ndërsa thirrja ime për komunitetin ndërkombëtar është: të ndalojë çdo ndërhyrje të Edi Ramës në punët e Kosovës se i ka me qëllimet me të liga, destabilizuese, synon ndarjen e Kosovës dhe mbijetesën e tij si një njeri që është i rëndësishëm për zgjidhjen e problemit.
PD-ja vazhdon me insistim të madh kërkesën për komisionin parlamentar për aferën McGonigal do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të përgatisë një dosje të madhe për këtë aferë që do e dërgojë pranë organeve të drejtësisë së SHBA dhe të Shqipërisë.
Çështje tjetër që nuk mund të dalë kurrë nga rendi i ditës është çështja e djegësave. Erion Veliaj, jo vetëm që nuk hapet ndjekje penale ndaj tij, por ndikon në mënyrën më antiligjore në dënimin e Alqi Bllakos.
Duhet t’u them unë ju këtu, nga pikëpamja zyrtare, për aq sa është firmë, në nivelin e tij, Alqi Bllako është më përgjegjës se çdo njeri tjetër në aferën e djegësave.
Në aferën e ndjekësave është sekretari i përgjithshëm i të gjithë çorbës së djegësave.
Dhe Alqi Bllako, do studioj të gjithë dispozitivin, por disa informacione më thonë se e kanë çliruar fare nga akuza e korrupsionit.
Nuk jam i sigurt. Nëse jam gabim, do e tërheq. Por informacionet e para më thonë se nuk është dënuar për korrupsion. Nuk i është prekur asnjë qindarkë nga pasuria e tij.
Alqi Bllako ishte njeriu më i ngushtë i Erion Velisë. Lefterin nuk e kishte për gjë ai. Lefteri ishte Ladru Utile. Dhe mirë ia bënë, nuk kam asnjë keqardhje. Por në ministrinë e Lefterit, Alqi është personi përgjegjës direkt për të gjitha aferat, për të tre djegësat.
Alqi është, po të hyjmë këtu në librarinë time dixhitale, do shihni se si flasin për njëri-tjetrin Erion Veliaj dhe Alqi Bllako, si dy idilistë. Se si e përcjell Erion Veliaj, me Alqi Ballakon, se tani po na bëhet deputet. Shërbeu këtu, tani do shërbejë atje.
A ndërhyri Erion Veliaj? Unë dëshirë kam të akuzoj Edi Ramën, por në këtë rast unë nuk mund të bëhem, nuk mund të devijoj. Është Erion Veliaj.
Tani më rezulton se e kanë akuzuar për shpërdorim detyre dhe jo për korrupsion. Dhe ky është një akt i shëmtuar, një akt i turpshëm.
Akuzon për korrupsion, dhe absolutisht është e drejtë, Arben Ahmetajn pse përfaqësuesi i tij në komision ka votuar pro, në një kohë kur të gjitha këto janë bërë nën mbikëqyrjen direkte të Alqi Bllakos.
U ndala te Alqi, jo se për të tjerët nuk kam, por ky është më flagranti.
Qëndrimi ndaj Alqit, prokurori apo gjykatësi se duhet t’i sqaroj, po njeriu që e ka çliruar Alqin nga vepra e korrupsionit, është një kriminel i korruptuar kokë e këmbë dhe kurrë ndonjëherë nuk do i shpëtojë ligjit për këtë veprim që ka bërë.
Drejtësia vonon, por nuk harron.
Ju e morët vesh që shefi i OLAF-it u dënua me një vit burg se manipuloi dosjen Vlahutin të denoncuar nga ne.
E denoncuam, e hetoi edhe Parlamenti Europian, ishte dosja më flagrante. E përshëndes nxjerrjen e saj nga komisioni me ceremoni. Por ajo duhej të ishte në vend të shefit të saj.
Por shefi i vet, nuk e di si ia mori zoti mendtë dhe vendosi të bëjë dënimin në vend të Vlahutinit.
Cherchez la femme. Klasike!
Së fundmi, rendi në duart e krimit.
Në një hark kohor 30 orë, kanë ndodhur tre vrasje dhe 5 plagosje.
Begraundi i këtyre vrasjeve, jo të gjithave, është droga dhe para së gjithash droga.
Por edhe rendi është në duart e Taulant Ballës, që del tani mik jo vetëm me Begon, por edhe me Kolombon.
Unë absolutisht duhet të insistoj për hetim të udhëtimeve të tij në Itali me Pëllumb Gjokën, ndonëse ato i ka bërë pa diskutim me porosi të Edi Ramës.
PYETJE-PËRGJIGJE
Ardit Hoxha, Euronews: Gjatë parashtrimit tuaj ju listuat 5 tema, por në asnjë në këto 5 tema, që absolutisht kanë mbizotëruar në opinionin publik dhe politik të javës që po lëmë pas, ju nuk përmendët humbjen turpëruese që opozita dhe PD mori në Kukës. Keni dhe ndjeni ndonjë përgjegjësi që në Kukës, një bastion historik i demokratëve dhe PD merret ajo humbje, dhe për më tepër në kutitë e fundit që numëroheshin në Kukës pas orës 6 të mëngjesit nuk kishte asnjë përfaqësues të lartë të PD dhe të koalicionit opozitar për t’i qendruar pranë atyre numëruesve demokratë.
Berisha: Sepse në Kukës, siç kam referuar këtu për të gjitha dhe do kemi prap raste të tjera, zgjedhjet u blenë në mënyrën më të pamëshirë.
Belinda Balluku, dhe e kam denncuar këtë, Taulant Balla janë marrë me shpërndarje parash një javë rresht me thasë në qarkun e Kukësit.
Në Kukës nuk përcaktuan rezultatin vota e qytetarëve, por rezultatin e përcaktoi qartësisht industria e blerjes së votës. Ne kemi një konkluzion se: me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Dhe Kukësi ishte një argument shtesë në morinë e pafundme të fakteve që ne kemi paraqitur, dhe që disponojmë edhe të tjera, por në një vend ku drejtësia është në kontroll total, nuk ka asnjë shpresë dhe zgjidhje tjetër përveç revoltave, protestave dhe përmbysjes së kësaj qeverie.
Që në muajin prill në një lokal në Kukës janë ulur fatkeqësisht një zyrtar shumë i lartë i PS me drejtorin e OSSHE të qarkut. Tavolina ka patur përgjues, dhe në këtë përgjim është e rregjistruar se është bërë pazari se drejtori i OSSHE do të bëjë një tender me kaq miliona lekë, nga të cilat 300 mijë euro do i dërgojë në Tropojë. 200 mijë në Kukës, shtyllat do të vendoseshin në Has, shtyllat e tensionit, dhe resti i kësaj në Durrës.
Shërbimi informativ që ka qenë institucioni që ka vendosur përgjuesin, përgjimin ia ka sjellë Edi Ramës. Nuk kam të dhëna që Edi Rama e ka dërguar në SPAK përgjim, por sipas disa indicjeve e mbajnë aty për tëmbajtur peng atë zyrtarin.
Nuk është vetëm kjo.
Nga institucioni i akuzës së Gjirokastrës është dërguar në SPAK dosja me përgjimin, në të cilin kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës në një mbledhje urdhëron vartësit dhe i thotë: ti do t’i japësh kaq lekë atij. Ti do t’i premtosh këtë vend punë atij tjetrit.
Pra, bënë haptas ofertat për votat që do blinin. SPAK e mbyll dosjen dhe nuk ndërmerr asnjë veprim. SPAK nuk mund të marrë veprime kur ka dosjen e kriminelëve elektoralë, dy dosjet e përparme, Edi Rama, Damian Gjiknuri, Ulsi Manja, deputetë të tjerë me radhë në Peshkopi dhe në Durrës dhe nuk ka dhënë asnjë dënim.
Atëherë, çfarë mbetet këtu? Mbetet të flasin qytetarët. Kjo është.
Përgjegjësia është një që duhet ngritur sa më shpejt në protesta.
– Absolutisht, biem dakord z.Berisha për atë që ju thatë, por duke nisur që nga 9 shtatori i 2021 kur ju keni ndërmarrë Foltoren në PD dhe nisët protestat, e keni përmendur shpesh që nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Në fakt kjo nuk ëështë një frazë e rë e përdorur nga kjo seli. E ka përdorur më herët e Lulzim Basha, madje edhe e ka tentuar këtë që nuk ka hyrë në zgjedhje përballë Edi Ramës, dhe i dimë pasojat. Konkretisht z.Berisha, keni ndonjë plan që PD, apo opozita në tërësi të mos shkojë nga humbja në humbje dhe jo humbje të thjeshta, por thellimi i humbjeve me disa fish përballë kandidatëve socialistë.
Berisha: Këto janë thellimi i vjedhjeve nga Edi Rama me disa fish të zgjedhjeve, dhe opozita sigurisht ka detyrimin më kryesor ndaj shqiptarëve, çlirimin nga kjo qeveri që grabit zgjedhjet.
Në qoftë se opozita nuk realizon këtë, opozita duhet të angazhohet në një debat shumë serioz dhe të bashkohet më të gjithë ata që janë të vendosur për rikthimin e të drejtës së votës të qytetarëve shqiptarë. Janë të vendosur.
Shiko, po të marrësh një gjë, të them unë ty. Absolutisht, sot opozita pothuajse nuk thotë asgjë të re nga veprimtaria kriminale e qeveritarëve, jo. Ju e shihni sa herë kam lakuar unë Erion Veliaj, Edi Ramën me radhë me radhë. Të gjitha këto qytetarët i kanë dëgjuar me dhjetëra herë. Koha është veprimi. Opozita duhet të përgatitet për një veprim të fuqishëm. Duhet të bashkohet, se të jemi realistë, më kupton apo jo. Në qoftë se ju kujtohet në gusht, kjo ka qenë një nga objektivat që kam shpallur, dhe ecet në atë drejtim.
Përveç bashkimit, duhet të ketë një dialog të gjerë në shoqëri, dhe do fillojë. Për qendrimet, opozita duhet të ketë guximin, kurajën, vendosmërinë për t’u përballur me këtë regjim që ka vendosur, që qendron mbi parimin, krimi shndërrohet në votë, vota shndërrohet në krim.
Dhe kjo, siç thoni edhe ju vetë, shkon duke e thelluar gjithnjë e më shumë, jo fitoren e Edi Ramës, por vjedhjen e votës nga Edi Rama.
Osman Stafa, News24: Z.Berisha, në qoftë se do të rikthehemi pak në momentin që ju u rikthyet përsëri në PD, pra nisët procesin e foltores më pas shkuat në disa palë zgjedhje, dhe si rezultat kemi sot Shkodrën të humbur, një bastion historik i demokratëve, që nuk kishte ndodhur që prej viteve ’90 që të qeverisej nga socialistët. Më pas keni humbur në një rezultat shumë të thellë, por edhe zona të tjera. Përmenda këto dy bastione shumë të fuqishme të dmeokratëve, për të cilat të paktën për Shkodrën dhe në kohën e komunizmit janë dalluar për qendrestarë edhe që kanë dalë edhe kundër sistemit. Edhe unë nuk jam fort i mendimit që gjithë shkodranët kanë shitur votën në vitin 2023, ndërkohë që mund ta kishin bërë edhe më herët. Z.Berisha, a e keni menduar ndonjëherë që përtej deklaratave tuaja që zgjedhjet janë blerë, janë shitur, pra të mos fajësoni vetëm popullin që vetëm në këtë rast janë vetëm ata që shiten, por të drejtoni gishtin edhe nga vetja juaj që ky popull i kërkon t’i japë një mesazh të fortë opozitës që në këto 30 vite ne duam më njerëz që qeverisin, apo drejtojnë opozitën dhe kërkojmë një formacion të ri, ose një lloj fryme të re? Pra, nuk e them unë këtë z.Berisha, por e thotë çdo qytetar.
Berisha: Edhe Adriatiku e thotë këtë.
– Z.Berisha, mua nuk më intimidoni dot. Unë nuk i kam bërë gjë këtij vendi.
Berisha: Jo Osman, jo s’e kam atë qëllim, bëj shaka. E bëra me shaka.
– Unë kam një pyetje shumë korrekte dhe shumë korrekte. Unë nuk jam pjesë e asnjë formacioni politik z.Berisha, kështu që pres një përgjigje.
Berisha: Tani, Osman në aparencë ajo që thoni ju, është. Por në të vërtetë është ndryshe. Po ta them. Shpresoj këto ditë do të ndalem prap në këtë temë. Do marrim Shkodrën.
Ne e fituam Shkodrën në 6 mars në një kohë kur ishin tre kandidatë. Ishte Lul Brava një, PS dhe ne.
Pse ne humbëm Shkodrën kësaj here? Nuk e humbëm ne, e vodhi Edi Rama. E mori Edi Rama. Me kë e mori Edi Rama?
E mori me Bajrët, Pëllumb Gjokat dhe bandat e tjera dhe ne e kemi këtë të faktuar në mënyrën më absolute. Këto dy tri ditë unë do t’ju sjell këtu juve, megjithëse me vonesë, por kanë interes, të shihni ju bandën e Bajrëve, me në krye Enver Bajrin, se si kalon me autokolonë me 5-6 makina të blinduara nga qendra e votimit në qendër votimi.
Se cili është potenciali i Bajrëve, tani nuk ka nevojë të shpjegoj unë. Besoj se janë banda me, një nga bandat më të rrezikshme në Europë, me disa serial killer rreth tyre dhe nuk ishin vetëm Bajrët, ishte Pëllumb Gjoka, në Velipojë, se nuk mund të them në Shkodër, por në Velipojë. Ua kemi faktuar ato.
Nuk akuzojmë qytetarët, jo. Dhe është gabimi më i madh mendohet, se akuzohejmë qytetarët, dhe është gabimi më i madh të akuzosh qytetarët. Pse? Shiko zotëri, qytetari i paarmatosur është i pambrojtur.
Ai pret që ta mbrojë nga bandat shteti, policia. Ti nuk mund t’i thuash atij dil përleshu me Bajrët, të cilët konkraktohen nga të tjerët për të vrarë siç e patë rrugëve njerëz. Nuk i akuzon dot qytetarët për këtë, është gabim të mendosh se ata duhet ta bëjnë këtë.
Qeveria që ka detyrë, qeveria i kontrakton ata për të bërë këtë. Atëherë, nuk është e vërtetë që humbi Opozita, e vërtetë është që këtu me një bandë ndër më të rrezikshmet në Europë, Edi Rama grabiti mandatin. Prit.
Si shkuam te autokolona e Bajrëve në ditën e votimit. Ajo u pregatit.
Safet Bajri ishte në burg në qeli, dhe ju e keni parë bashkë me Saimir Tahirin. U lirua Safeti para Saimirit. Imagjino ti çfarë aseti ishte Safeti. Para Saimirit.
Bardhyli ishte në ndjekje ndërkombëtare, u pezullua, u la çdo gjë. Ai tjetri erdhi nga jashtë.
Pra qeveria bëri gjithçka që Bajrët të merren me zgjedhjet. Dhe ky është krimi më i shëmtuar që ata kanë bërë ndaj shqiptarëve, ta them unë. Se nuk ka krim më të madh se sa të vrasësh votën e një qyteti.
Po ky është fakt.
Absolutisht, larg së menduari se nuk ka përgjegjësi se ka patur përsosmëri. Por do të ishte fatale që të injorohej makineria e terrorit ndaj qytetarëve me bandat e Edi Ramës, do të ishte fatale.
Shpesh unë dëgjoj. Këtu ka një njeri, një person, dhe ky është Edi Rama. Pa zgjidhur këtë problem shqiptarët s’do votojnë kurrë. Ky është i gjithë problemi. Por, tani marrim këtë.
Bajrët, në të gjithë Shqipërinë, se nuk janë vetëm ata, se po të ishte bandë e vetme, jo, si Bajrët ka banda tjera, disa. Administrata e shndërruar në polici politike. Besoj se i patë dhe në Kukës, apo jo. Në çdo qendër votimi një drejtor, në kundërshtim me çdo ligj. I patë, apo jo?
Drejtori i ujësjellësit, drejtori i energjisë, drejtori me radhë me radhë, ishin aty.
Përdorimi i sasive kolosale të parave, etj. Për të mos numëruar tani gjëra, megjithatë më 14 maj 600 mijë shqiptarë votuan kundër Edi Ramës. Këta ishin idealistë. Këta nuk iu nënshtruan presionit. Këta nuk morën para. Këta nuk u trembën nga kriminelët, apo nga zyrtarët kriminelë.
Ç’ka do të thotë se në këto kushte 600 mijë përbën e sigurt shumicën reale të shqiptarëve prap. Nuk është shumicë numerike prap, se janë qindra e mijëra të tjerë të cilët kanë shitur votën, janë qindra mijëra tjerë që nuk kanë dalë, po për shitje, por këta janë shumica reale cilësore e shqiptarëve.
Dhe po të mos ishte Rithemelimi, do të ishit ku është ai Brava. Ai do ishte në qeveri sot, por vazhdojmë.
– Z.Berisha, në pyetjen e dytë, por edhe për të thënë këtë paraprakisht sulmet ndaj gazetarëve teksa bëjnë pyetje si fake njuzet që keni për bërë akuzat ndaj Dan Hutrës, dhe atij personit tjetër që keni publikuar fotografinë këtu. Dan Hutra, z.Berisha, qytetari që do shpallej qytetar nderi në Kamëz. Z.Berisha, sa e moralshme është e gjitha kjo që thoni ju teksa ju keni marrë pjesë në një proces zgjedhor për zgjedhjen e Lulzim Bashës pas zgjedhjeve të 2021. Ju keni shkuar, keni votuar, në momentin që juve iu cënua diçka që ishte shpallja juaj non grata dhe largimi nga PD, nisi ky proces.
Berisha: Jo, Osman. Së pari, lidhur me Dan Hutrën dhe me Erion Veliajn. Ata që kundërshtuan, ata më bënë nder mua. Ata treguan se kanë bërë një operacion të ulët, kanë postuar në uhatsapin tim një të dhënë të pasaktë duke u përpjekur të diskreditojnë qytetarin digjital që u ka kallur datën dhe tmerrin.
Pra, unë, fatmirësisht ata që u përpoqën ta diskreditojnë, ata publikuan vet mesazhin që kishin dërguar.
Erion Veliaj publikoi vetë foto që kishte dërguar. Kështu që nuk faktuan në asnjë rast se qytetari digjital disinformon, por faktuan një përpjekje të ulët të Erion Veliajt dhe të një tjetri që nuk u mora me të, por edhe ai me siguri aty afër Erion Veliajt për të diskredituar qytetarin digjital që i kishte demaskuar ata mënyrën më serioze. Kjo është, po.
Për sa i përket gazetarëve, unë i kam respektuar dhe i respektoj gazetarët. Natyrisht, e them këtu, s’mund të mos them se tentakulat e krimit për fatin më të keq janë shtrirë thellësisht në media dhe pasojat e para bien mbi gazetarët e ndershëm. A u pushua Ferdinand Dervishi nga puna? A protestoi kush?
Me Ferdinand Dervishin unë mund të kemi pirë, ose mund të mos kem pirë kafe ndonjëherë me të, por nuk e mohoj që ai është një gazetar serioz në fushën e krimit dhe të rendit. Ka botime, ka libra të botuara. AI është një njeri i kushtuar asaj, dhe ai u pushua nga puna vetëm se shkruajti një artikull që Taulant Balla duhet të botohet.
Dhe unë pashë me habinë më të madhe se si mediat pranuan të heshtin për këtë koleg, që nuk ishte një njeri fillestar i panjohur.
Ferdinand Dervishi mund të ketë 20-25 vite në gazetari, unë po marr këtë shembull. Atëherë, çfarë ndodh, ka probleme shumë serioze.
Ju e morët vesh Baton Stanishiqi paguhej 4400 euro nga djegësat. Ia kanë marrë paratë? Asnjë qindarkë.
Ku guxon SKAP-i ta thërrasë atë, kur ai është këshilltar i Edi Ramës. Kjo është e vërteta, dhe një koleg i juaji i botoi dokumentet.
Dhe shih unë në media. Si nuk e shkruajti asnjë media këtë?
Pra, unë pavarësisht nga këto, unë ruaj respekt të palëkundur për mediat në tërësi. Nuk them se kritikat e tyre nuk i konceptoj kurrë si ai tjetri. E lexuat dje apo jo? Plumba, tha.
Edhe njëherë është thënë kjo në pallat mbretëror. Në pallatin mbretëror zonja Rama thirri gazetarët. Vetëm sa nuk tha ju jeni shtriga. Nuk e tha këtë fjalë, por e la të nënkuptuar. Se çfarë i bëni burrit tim ju me ato artikuj. A i quajti plumba, apo gjilpëra, atë s’e mora vesh, por i quajti të tmerrshme kritikat që gazetaret të cilat gjithnjë janë më të përmbajtura në fjalor si rregull, ajo i quajti të tilla.
Kurse ky s’u rezervua fare, tha këta plumbat e këtyre që shkruajnë tha, këta, as pyes fare për ta. Ai është anti-gazetar, jo unë. Unë jam respektues.
Ermal Rizaj, Syri Tv: Në një kohë që zonja Nikolla ende nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare për sa i takon se kush e drejton grupin parlamentar të PD, z.Basha ka përjashtuar 11 deputetë duke pakësuar numrin e deputetëve që firmosin për z.Bardhi. Si e shikoni ju këtë lëvizje të Z.Basha dhe rrezikoni që grupin parlamentar të PD ta marri z.Basha duke deleguar një nga nënkryetarët, siç ka deleguar letrën në Kuvend?
Berisha: Peng-Basha kreu një veprim që ia dha Edi Rama me Tauant Ballën, se tani Taulanti merret me të. E vërteta, po të doni, shihni faktet, aty i keni.
Por, ligji i parlamentit e ka të përcaktuar se kush zgjedh kryetarin. Nuk ekziston përjashtimi në rregulloren e parlamentit. Grupi parlamentar është i dorëzuar në KQZ, deputetët e PD dorëzuan në KQZ fill pas 3 javësh apo një muaj pas zgjedhjeve. Veprimet e peng-Bashës janë akte vetëposhtërimi që i imponohen atij dhe që dëshmojnë se është një peng i pashpresë. Në historinë politike të Shqipërisë, askush nuk ka shkelmuar mbi dinjitetin e vet, siç ka shkelmuar ky njeri.
Por është zgjedhja e tij. Fajin e ka vetë!
Isa Myzyraj, Ora News: Z.Berisha, për t’ju kthyer pak çështjes së Kosovës. E përmendët edhe në fjalën tuaj disa herë ndarjen e Kosovës sikur ishte një plan i kryeministrit Rama. Z.Berisha a keni informacione nëse ka vdekur përfundimisht plani për korrigjimin e kufijve le ta themi siç e quante z.Thaçi. Dhe nëse kjo është rikthyer përsëri në tavolinë në mungesë të Hashim Thaçit, kush është pjesë e kësaj përveç atyre që ju keni edhe më herët, Aleksandër Vuçiç nga njëra anë, dhe z.Rama nga ana tjetër?
Berisha: Tani, që të jem i sinqertë me disa informacione të vona dhe disa qendrime, nuk përjashtoj që Edi Rama të jetë promotori i parë i atij projekti dhe ta ketë marrë nga Aleksadër Vuçiç.
Është zhvilluar një takim me 4 sy në Beograd, dihet kjo, është publik. Dhe në atë takim me 4 sy ai projekt ka qenë çështje kryesore sipas disa burimeve serioze.
Natyrisht, nuk mund të mohoj që në mënyrë të gabuar u përqafua edhe një nga pjesë e udhëheqjes politike të Kosovës. Ai projekt është i vdekur në mënyrë përfundimtare.
Sikundër, më duhet ta them se, edhe modeli i deritanishëm u ekzekutua në Banjskë. Me këtë nuk dua të them dialogun, por modelin që u ndoq.
Uroj që, Komuniteti Ndërkombëtar të realizojë se në ato komuna dhe në atë pjesë të Kosovës po zhvillohet një betejë midis Rusisë-Serbisë dhe botës së lirë, NATO-s. Po zhvillohet një betejë për triumfin e rusomadhisë dhe serbomadhisë në rajonin e Ballkanit.
Po përdoret një motiv, siç është asosacioni për të bllokuar çdo gjë. Por Banjska tregon se çfarë tregon Aleksandër Vuçiç me asosacionin.
Unë mirëkuptoj kërkesën për një hetim të plotë, padiskutim.
Po kam besim, sepse në qoftë se e keni vënë re ju edhe KFOR-i edhe EULEX-i kanë qenë në deklarata në linjë, kanë qenë të pranishme aty. Se Vuçiç të thoshte se nuk kanë qenë, nuk ndërhynë, se çfarë u përpoq të thoshte. Dhe EULEX u përgjigj: kemi qenë aty.
Pra çfarë do të thotë kjo? Kanë çdo fakt dhe dokument për të nxjerrë konkluzionet e duhura. Të mos ecet më si me policët-pengje që nuk dimë se ku u morën, u morën këtu, apo u morën aty. Se nuk shërben përkundrazi. Në qoftë se do të ishin vënë pikat mbi i mbi kidnapimin e policëve, cilido të gënjente, nuk them. Në qoftë se qeveria e kosovës, ata ishin arrestuar në territorin serb, dhe na thoshin janë në territorin e Kosovës, duhet të mbante përgjegjësi të plotë.
E kundërta ishte rrëmbim pastaj.
Pra, në këtë kontekst, pretendimi, insistimi për një Srpska Repubblika në Kosovë, për një asociacion ekstrakushtetues, që do të thotë shtet serb në Kosovë, do të ishte katastrofë për rajonin. Jo vetëm për Kosovën. Do ecnim drejt një konflikti të ri.
Dhe, akoma më i rrezikshëm qendrimi i Edi Ramës, që për shkak të akteve që ndërmerr Vuçiçi, të kapitullojnë.
Po ç’e shtyn këtë që merr e dërgon draftin e asociacionit? Kryeministri i Kosovës është ky? Ky është një person i inkriminuar kokë e këmbë, që e pret ishulli Rikers me McGonigal-in, që e presin ditën që ikën nga pushteti, të gjitha dosjet. Se sa të jetë në pushtet e ka vënë nën kontroll SPAK-un. Nuk do ketë kurrë amnisti për të. I din ai këto, ndaj përzihet në këtë mënyrë.
Thashë, ajo e Nju Jorkut është shumë e rëndë. Emri nuk e thotë, por del se ky ka folur i pari ditën e aktit terrorist.
Anesi Bajramemaj, A2 CNN: z.Berisha, disa kohë më parë rreth 4 javë, në fillim të shtatorit ju keni deklaruar se jeni në negociata për krijimin e një grupi të ri parlamentar në Palrament. Duke qenë se në Parlament çështja e PD po zvarritet dhe po kthehet në debat, debati i brendshëm po shkon në parlament, a do të krijoni një grup të ri parlamentar, pasi gjasat janë që Lulzim Basha të njihet nga Parlamenti si kryetari i PD, por edhe si kryetar i grupit parlamentar?
Berisha: Së pari njëherë, Lulzim Basha është pa asnjë tagër. Asnjë tagër, zero në rrafshin ligjor dhe në çdo rrafsh tjetër. Është një ‘fake fenomen’ i krijuar nga Edi Rama dhe një peng i tij. Edhe vendimi anti-ligjor, anti-kushtetues i gjykatës nuk i njeh asgjë Lulzim Bashës.
Edhe vendimi që e mban Sokol Sadushi në sirtar me urdhër të Ramës, jo. Ai ka thënë gjykim nga e para, nuk ka thënë se është Lulzim Basha.
Pra, çdo gjë që bën Lulzim Basha është diktati i Edi Ramës. Ndaj edhe grupi parlamentar i PD ka patur probleme të njohura, nuk fshihen, por po afrohet dhe po shkon drejt zgjidhjes së atyre problemeve në mënyrën më të mirë drejt bashkimit.
Besoj se ju jeni dëshmitarë, ka tre javë që mbi 40 e sa deputetë të PD mblidhen së bashku, miratojnë një agjendë dhe bashkëveprojnë së bashku. Kanë dërguar edhe një dokument se kë njohin kryetar grupi në përputhje me rregulloren e Parlamentit.
Ju falënderoj! Fundjavë të mbarë!