FJALA KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Në fjalën e tij përpara qytetarëve, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri të ditur se ‘Shqipëria sot është vendi me të ardhurat më të ulëta në Europë. Ajo që ngritëm me mundim në vitet 2007-2013, është rrokullisur përsëri’.
Gjatë fjalës në tubimin qytetar, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi qeveritarët se me anë të kullave të drogës, kanë vendosur tiraninë e çmimeve. ‘Kullat e drogës, monumente korrupsioni, kanë vendosur tiraninë e çmimeve stratosferike në ndërtim në Shqipëri’, tha Berisha në fjalën e tij.
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin qytetar, ka deklaruar se PD ka gati projektin për të goditur varfërinë e shqiptarëve. ‘PD ka një projekt të godasë për vdekje varfërinë e shqiptarëve. Do dyfishojmë rrogat dhe pensionet’, tha gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së, Sali Berisha.
Krydemokrati Sali Berisha ka akuzuar sërish Edi Ramën se është porositësi i sulmit brutal ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Berisha tha se, ‘Rama lehtësoi akuzat për aktin kriminal qeveritar ndaj profesor Mëngjesit! Autorëve iu është premtuar shpërblim’.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar drejtuesit e drejtësisë për heshtjen për sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. ‘Krerët e reformës në drejtësi kanë heshtur për krimin ndaj avokatit Mëngjesi sepse nuk kanë moral! Ata janë turpi i dheut’, tha Berisha.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë, demokrate dhe demokratë të pamposhtur!
Përshëndetje të përzemërt ju, oratorëve që me fjalët e tyre ndriçojnë dhe ngrohin mendjet dhe zemrat e shqiptarëve kudo që janë.
Miqtë e mi!
Ndryshimi është sot klithma që del nga shpirti dhe zemra e çdo shqiptari të vërtetë.
Ndryshimi është klithma që buron nga shpirti dhe zemra e çdo atdhetari të vërtetë.
Çdo ditë, treguesit për Shqipërinë në Europë dhe në botë e nxjerrin atë në ditën më të zezë.
Çdo ditë, treguesit e Shqipërisë lajmërojnë skamje, varfëri, varfëri dhe skamje.
Të gjitha këto në një vend të bekuar, në një vend në të cilin Zoti i ka falur çdo pasuri mbitokësore, nëntokësore.
Por kjo në këtë vend, pasuritë janë shndërruar në një mallkim për qytetarët, në një parajsë për hajdutët qeveritarë.
Miqtë e mi, Eurostati ka publikuar dje prodhimin e përgjithshëm për frymë në mbarë Europën.
Shqipëria, që u ngrit mundimshëm, por me sukses në vitet 2007-2013, është rrokullisur përsëri.
Ajo sot është vendi me të ardhurat më të ulëta në Europë.
Më të ulëta se çdo vend tjetër.
Kjo është pra ‘merita’ e qeverisë së hajnave, që po i shkulin nga trupi i këtij kombi dhe vendi çdo pasuri.
Miqtë e mi!
Por jo vetëm treguesi i prodhimit vjetor për frymë është më i ulëti në Europë.
Por mjerisht edhe treguesi i konsumit vjetor për frymë është më i ulëti në të gjithë Europën.
Më i ulët disa shkallë se sa ç’e lamë ne në vitin 2013.
Ju garantoj se me këto ritme, Shqipëria rrokulliset në vendet më të varfra të planetit.
Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, analistëve, gazetarëve, opinionistëve, të mos u verbojnë shkëlqim i kullave, veturat luksoze, vilat dhe resortet se ato janë pasuri të ndaluara për kombin tonë.
A e dini ju se studimi i INSTAT-it që fsheh Edi Rama tregon se 51 përqind e të rinjve shqiptarë jetojnë në varfëri dhe rrezik varfërie.
Se mbi 50 përqind e shqiptarëve i kanë mollë të ndaluara pushimet verore.
U kthyen kohërat kur shqiptarët nuk bënin dot një javë pushim.
Hidhni sytë pak, kulla, kulla në të katër anët.
Qeveritarët rrahin gjokset se mbushin valixhet nga kullat e drogës.
Shqipëria renditet e para në Europë për indeksin e ndërtimeve.
Po sa përkthehet, si përkthehet ky indeks në të ardhura për shqiptarët.
Si përkthehet ky tregues, këto ndërtime, në mirësi për shqiptarët?
Jo, miq jo, ato janë fatkeqësi për shqiptarët.
Kullat e drogës, monumente korrupsioni, kanë vendosur tiraninë e çmimeve stratosferike në ndërtim në Shqipëri.
Ato nuk preken, aty nuk blihet, aty është tregu i trafikantëve që blejnë kate të tëra, kurse qytetarët as me dylbi nuk i shohin dot.
Republika e drogës është republika në të cilën qytetarët me rrogat më të ulëta në Europë, blejnë në dyqane ushqimet bazë me 110 përqind të mesatares së BE.
Ja pra miqtë e mi pse rrënohet kombi, pse boshatiset, pse shpopullohet Shqipëria.
Kjo është thirrje për çdo shqiptar, të ngrihemi të shpëtojmë Shqipërinë nga këta pushtues të egër.
Të dashur miq, një pushtim si ky po shkatërron, po rrënon vendin.
Po e zbraz atë në mënyrë të tmerrshme.
Shpëtimi i Shqipërisë, ia vlen çdo sakrificë.
Në fund të fundit, pushtimet janë larguar me beteja.
Janë larguar kur njerëzit janë bashkuar dhe betuar: ja të vdesim ja të rrojmë për liri!
Qytetarë dhe qytetare, mos prisni shpëtimin nga askush tjetër veçse nga vetja juaj.
Bëhuni zotër të fatit tuaj.
Merrni fatin në duart tuaja.
Nuk ka tiran që u reziston.
Nuk ka tirani që nuk mposhtet nga ju.
Çfarë duhet të ndodhë më shumë se kaq me ne? Se të zhytemi në mënyrë të rrufeshme në honet e varfërisë dhe mjerimit.
PD ka një plan, ka një projekt të godasë për vdekje varfërinë e shqiptarëve.
Të dyfishojë rrogat dhe pensionet.
Të vendosë minimumin jetik 220 euro.
Të hapë me të gjithë hapësirat liritë ekonomike të shqiptarëve.
Të shndërrojë pasuritë e vendit në mirësi dhe të mira për çdo shqiptar.
Por kjo arrihet para se gjithash dhe mbi të gjitha me luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit.
Miq!
Paratë ekzistojnë për të dy dhe trefishuar rrogat dhe pensionet.
Për të vendosur minimumin jetik.
Por ato i gllabërojnë qeveritarët makutë dhe të pangopur me pasuritë e shqiptarëve.
Ndaj dhe të ngrihemi në këtë betejë, se kjo betejë është për jetën, për të ardhmen, për dinjitetin, për integrimin evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Të dashur miq!
Sot avokati i të vërtetave që tmerruan Edi Ramën, profesor Sokol Mëngjesi vazhdon betejën e tij për jetën në gjendje kritike.
Sot Edi Rama urdhëroi mercenarët e tij të lehtësojnë aktin makabër kriminal qeveritar ndaj profesor Mëngjesit.
Duke marrë përsipër edhe njëherë autorësinë e sponsorit të këtij krimi shtetëror të shëmtuar.
Të dashur miq!
Sot doresi u paraqit në gjykatë bashkë me mikun, që thotë e bëra për miqësi këtë krim të shëmtuar.
Ju keni dëgjuar rëndom për vrasës me pagesë, kjo qeveri përdor vrasës dhe të burgosur me pagesë.
Po miq, po, po!
Shkoni merrni dosjen Alizoti. Alizotit për mashtrimin iu premtuan dy vite burg dhe 100 mijë euro shpërblim për dy vite burg.
Po kështu doresi që u dorëzua, i janë premtuar mundet 50 mijë, mundet 100 mijë euro për vite burgu.
Kurse tre të tjerë janë në drejtim të paditur.
Ky është në gjithçka një krim shtetëror.
Sot lehtësuan akuzën, nesër një pretekst tjetër.
Atij që i është i përzier pa diskutim që hiqet sikur nuk di gjë, Dritan Nanos i thonë mos prano.
Këtij që e goditi, ranë dakord që të bëjë ca burg, por natyrisht me shpërblim.
Pushtet krimi ky, pushtet i shëmtuar.
Dhe jo që mbroni Edi Ramën, çfarë shpirti, çfarë zemre keni ju?
Nuk paska sot mijëra çështje nga më të ndryshmet, kurse profesor Mëngjesi kishte një kontratë të firmosur nga pala fituese se do kishte një shpërblim për punën e bërë.
Asgjë tjetër, asnjë pronë të veten. Ai po merrte atë që i takonte me kontratë.
Të dashur miq!
Keni konstatuar se përpara këtij akti, krimi të shëmtuar shtetëror, kanë heshtur të gjithë krerët e reformës të re të drejtësisë.
O faqezinj, po çfarë morali keni ju, kur një profesor universiteti, avokat në sistemin e drejtësisë i licencuar, goditet dhe gjendet në koma dhe heshtni si fije bari.
Nuk është ky morali i gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë.
As i përmbaruesve. Ky është morali i Malavecëve, i Llagamëve, i KLP-istë, morali i Metanit, i turpit.
Po nuk keni turp jo mo? Po ç’përfaqësoni ju mo? Ju përfaqësoni turpin e turpeve, përfaqësoni anën më të zezë të një zyrtari.
Detyrohet Dhoma e Avokatisë t’u denoncojnë ju se heshtni, heshtni me turp.
Ta zëmë se ai nuk ishte avokat i Sali Berishës dhe po kërkonte thjesht atë që i takonte. Po të parët në mbrojtje të tij…
Po ju të gjithë jeni në darën e krimit, Malaveci është i drogës, Llagami është e korrupsionit, Metani është i djegësave.
Jeni turpi i dheut!
Edhe njëherë le t’i urojmë së bashku shërim, t’i lutemi Zotit të shpëtojë nga kjo situatë profesori i nderuar.
Të vazhdojmë betejën tonë, mosbindja civile, zemërimi, zemërimi qytetar drejt zemërimit të përgjithshëm.
Drejt fitores.
Drejt qeverisë teknike.
Zgjedhjeve të lira.
Shqipëria në rrugën e Europës.
Faleminderit.