Berisha: Edi Rama, kryeministri më mizogjen në Europë! Shqipëria në alarm për vrasjet e grave, PD zotohet për dënimet më të rrepta

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ‘FORCIMI I ROLIT TË GRUAS NË DEMOKRACINË LOKALE’

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në konferencën “Forcimi i rolit të gruas në demokracinë lokale”, të organizuar nga PD dhe fondacioni suedez, ‘Jarl Hjalmarson’, ka vlerësuar kontributin e organizatave ndërkombëtare partnere dhe ka theksuar rëndësinë e rritjes së rolit të grave në politikë dhe vendimmarrje, si në Partinë Demokratike ashtu edhe në qeverisjen e ardhshme të vendit.

Berisha e nisi fjalën me falënderime për Fondacionin Jarl Hjalmarson dhe përfaqësues të partive simotra europiane, duke vlerësuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre ndër vite për PD-në. Në vijim të fjalës së tij, lideri demokrat tha se Shqipëria po përballet me një regjim autokratik, me kufizim të lirive politike, presion ndaj opozitës dhe përkeqësim të gjendjes sociale, ndërsa ngriti akuza edhe për lidhje të pushtetit me krimin e organizuar dhe ndikimin e tij në ekonomi.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për klimë të rënduar ndaj grave në jetën publike dhe politike, duke përmendur raste të dhunës verbale dhe fizike ndaj grave deputete dhe qytetareve. Ai tha se mbrojtja e të drejtave të grave duhet të jetë prioritet dhe se PD do të angazhohet për masa më të forta ligjore ndaj dhunës me bazë gjinore.

Në pjesën programatike të fjalës, kryetari i PD-së u ndal te përfaqësimi i grave në politikë, duke theksuar se partia synon rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes së tyre në strukturat drejtuese dhe në institucione. Ai tha se aktualisht PD ka më shumë gra në pozicione drejtuese lokale dhe se ky proces do të thellohet në të ardhmen.

Lideri opozitar, Sali Berisha vlerësoi rolin e grave si “gjenerator shprese” në shoqëri, duke theksuar se në kushtet e emigracionit dhe krizës sociale, ato kanë një rol kyç në mbajtjen e familjes dhe komunitetit.

Ai gjithashtu iu referua të dhënave që tregojnë se gratë kanë performancë më të lartë në disa fusha akademike dhe profesionale, duke argumentuar se përfaqësimi i tyre më i madh është çështje meritokracie dhe legjitimiteti demokratik.

Në përfundim, Berisha ritheksoi angazhimin e Partisë Demokratike për rritjen e rolit të grave në politikë dhe shoqëri, duke e cilësuar këtë si një element thelbësor për forcimin e demokracisë në vend.

FJALA E PLOTË

Mirëdita dhe një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju të pranishëm këtu, një falenderim dhe mirënjohje të thellë për fondacionin Jarl Hjalmarson, presidenten e këtij fondacioni, Eva Gustavson, mike e kahershme, e çmuar e Partisë Demokratike dhe e Shqipërisë. Të falenderoj shumë për praninë tuj këtu, por dhe për të gjithë ndihmën e çmuar që në 25-30 vitet e fundit Partia Moderata dhe Fondacioni Jarl Hjalmarson, i kanë dhënë Partisë Demokratike. Falenderoj me këtë rast dhe kryeministrin tuaj të nderuar, edhe të shpreh kënaqësinë time për sukseset e mëdha të qeverisjes së tij, z. Ulf Kristerson, i cili në kohëra jo të të të lehta ka drejtuar me sukses të madh vendin tuaj të rëndësishëm. Dua të përshëndes praninë e zonjës Eva Doalova, si përfaqësuesja, presidente e rinisë të IDU-së. Është një nder dhe kënaqësi e veçantë prania juaj këtu dhe falenderoj ju, falenderoj presidentin Harper, sekretaren e përgjithshme Tina, për mbështetjen që na keni dhënë dhe na jepni në kohëra jo të lehta për ne, si dhe zotin Filip Uthamar të partisë si motër suedeze. Falenderoj Albanën dhe të gjithë ju për temën që keni përzgjedhur. Një temë jashtëzakonisht e rëndësishme në çdo kohë, por në kohërat më të vështira kjo merr dhe rëndësi më të madhe. Ne jetojmë, të dashur miq, në një diktaturë autokratike. Një regjim në të cilin, hapësirat e lirisë janë të ngushtuara në tërësi për qytetarët, por janë dhe shumë më të ngushtuara për opozitën. Ne jetojmë në një regjim i cili nga mëngjesi gjer në darkë ka në axhendën e tij luftën aprincipiale, luftën e egër kundër opozitës dhe drejtuesve dhe eksponentëve të saj. Ju jeni dëshmitarë se si Albana Vokshi, pse ka mbrojtur parimet që ne besojmë, ka mbrojtur ju, vlerat, është agresuar në mënyrën më të egër, targetuar edhe familjarisht, nga banditët e kësaj qeverie, jo vetëm banditët në terren, por banditët në parlament, sepse kushtet tona këto janë. Ai që agresoi Albanën në parlament dhe që quhet Taulant Balla, ai është një porositës vrasjesh me dokumenta zyrtare. Ai person që sot kryeson grupin e Partisë Socialiste dhe që qarkullon si përfaqësues i kësaj pseudo-mazhorance nëpër botë, ai është një person i cili në dosje gjyqësore figuron se ka porositur vrasje dhe se kjo dosje gjyqësore është eliminuar, është shkatërruar me vendim gjykate dhe prokurori për ta mbrojtur atë. Nuk është vetëm një rast, po aty brenda tij janë disa raste. Atëherë, a mund të më thoni mua ju, ka një dallim midis atij xhahilit që agresuan Albanën dhe vajzën e saj në tek qendra e votimit me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste që e agresoi në sallën e parlamentit? Pra, u ndala në këtë moment për të theksuar se cilat janë sot kushtet e vështira, shumë të vështira për motrat, nënat, vajzat dhe gratë shqiptare. Nuk ndalem pastaj dhe te fakti tjetër që Shqipëria ka kryeministrin më mizogjen në Europë. Një kryeministër brutal në qëndrimet e tij ndaj ministreve. Është, i cili ka të përsëritura sekuenca të Idi Aminit në mbledhjet e qeverisë. Mirëpo ai me atlete të bardha dhe me, me ca manierizma të tjera i shuan dhe përpiqet të tregojë në një kohë që në fakt është një mizogjen i pamëshirë, i padenjë jo për atë post, po për asnjë post tjetër në Shqipëri.

Ky regjim autokratik, i cili ka shndërruar procesin zgjedhor në farsë elektorale, i cili ka ndërtuar në Shqipëri narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Evropë. Bosët më të mëdhenj të karteleve më të mëdha të drogës në botë, si ata të Sinaloas, e kanë derën hapur në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, sepse ata lajnë paratë e tyre me preferencë në këto kullat e famshme dhe resortet turistike. Mbrëmë folëm këtu për Dubai City-n e 1001 netëve të Edi Ramës në Durrës, i merr portin vendit dhe ndërton me kartelët e drogës me Franc Çopjen dhe të tjerë, një qytet, e morët vesh që ka filluar të fundoset. Që në fillimet e veta ka filluar të fundoset, ndërtimet kanë filluar të fundosen, sepse janë të gjitha para droge, para dhe nuk ndjekin asnjë plan, asnjë kriter. Në këtë kuadër u ndala për të përshkruar këtë situatë, sepse kjo pasqyron shumë se kudo tjetër, në jetën e grave, vajzave dhe nënave. Kjo ka krijuar në Shqipëri një dëshpërim në të cilën shqiptarët largohen sot më shumë se çdo komb tjetër nga vendi i tyre. Dhe vetëm në 10 vite nga 2014-ta, 2023-shin, vetëm në hapësirën e Shengenit janë larguar 1.100.000 shqiptarë. Sigurisht, këtu ka një asimetri. Janë larguar më shumë burrat. Dhe në këtë, në këtë kuadër, Shqipëria sot ka numrin më të madh të kryefamiljareve reale në Evropë dhe më gjerë. As vendet në luftë nuk kanë një një fenomen të tillë të imponuar nga largimi masiv i qytetarëve nga Shqipëria. Por, në qoftë se bën fjalë për shpresën dhe gjenezën e saj, gjeneza e shpresës është gruaja, është vajza. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë, duhet të përqëndrohemi me të gjithë forcën tonë si parti, të krijojmë shpresën. Dhe gratë dhe vajzat në Partinë Demokratike dhe vajzat shqiptare të shndërrohen në një gjenerator të fuqishëm shprese në këtë gjendje që jemi.

Partia Demokratike e konsideron dhe e ka konsideruar gjithmonë jetike, një betejë të pandërprerë me murin e patriarkalitetit. Duhet të jemi të vetëdijshëm se muri i patriarkalitetit është dhunuesi më kryesor i lirive dhe të drejtave njerëzore, aq sa liritë dhe të drejtat e grave, janë liri dhe të drejta njerëzore. Ne kemi në programin tonë, në qeveri, bëmë gjithçka për të ngushtuar në maksimum barazinë në financat e vajzave dhe grave me burrat dhe arritëm, arritëm që nga 36% që ishte kjo diferencë, zbritëm në 17 e ca përqind, përafërsisht në mesataren e Bashkimit Europian. Po ky është vetëm një tregues. Dhe ne sigurisht i përmbahemi, sepse ajo ka rëndësinë e vet. Ne duhet dhe zotohemi këtu për një rol shumë më të madh të vajzave dhe grave në organizimin dhe drejtimin e Partisë Demokratike dhe të qeverisjes së saj të ardhshme. Në këtë kuadër, shpreh kënaqësinë se këtë vit në procesin zgjedhor në parti, numri i kryetarëve të degëve është pakrahasimisht më i madh dhe procesi është në vazhdim, por është më i madh se asnjëherë tjetër. Dhe unë dua t’i përshëndes me këtë rast të gjitha ato zonja që morën përsipër kurajon për të kandiduar dhe fituan në drejtimin e degëve, disa prej tyre dhe degëve më të mëdha të vendit. Është ky një zhvillim shumë pozitiv për Partinë Demokratike. Sikundër, ne jemi në një proces zgjedhor tani të organeve drejtuese, të forumeve drejtuese të partisë. Ju siguroj se normat e përcaktuara do të tejkalohen, do të respektohen dhe tejkalohen. Dhe kjo në radhë të parë, jo për shkak të normës, por për shkak të meritave tuaja të padiskutueshme që ju keni në dhe kontributeve të çmuara që ju keni dhënë dhe i jepni në Partinë Demokratike. Jam i bindur se me zgjerimin e hapësirës për vajzat dhe gratë në parti është një, është një nga rrugët më të sigurta të ripërtëritjes dhe të gjallërimit të partisë. Por ne jemi demokratë dhe duhet të kuptojmë se përfaqësimi, problemi i përfaqësimit të grave dhe vajzave në politikë, në rastin konkret në udhëheqjen e Partisë Demokratike, në parlament, në të gjitha dhe nesër në qeveri, ka të bëjë me legjitimitetin, me vetë legjitimitetin e forumeve drejtuese të partisë, me legjitimitetin e përfaqësuesve të popullit në parlament dhe në qeveri.

Sot në Shqipëri gratë janë shumica absolute, janë mbi 52-53% e popullatës. Dhe mund të themi se çdo përfaqësim ndër këto përqindje është një cenim i legjitimitetit, për aq sa legjitimiteti dhe përfaqësimi janë të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme njeri me tjetrin. Shqipëria sot përjeton një periudhë të dhimbshme terrori ndaj vajzave dhe grave, e cila në aspektet më brutale tejkalon atë të të gjitha kohërave. Duhet të jemi realistë. Në ato kodet tona të vjetra ka patur diskriminim, po ka patur mbrojtje të hekurt ndaj gruas. Ka pasur mbrojtje të hekurt. Gruas dhe fëmijëve u jepej e njëjta mbrojtje. Sot gratë para dy vitesh statistika ka, se nuk është e plotë kjo që, kanë qenë 180 gra të ekzekutuara, të pushkatuara në mënyra të ndryshme, të vrara. Ka rrezik që kjo shifër është më e lartë se e gjithë Evropa marrë së bashku. Dhe kjo sepse nuk mbahet një qëndrim i përcaktuar, më i rrepti që duhet të mbahet, ndaj këtyre akteve. Përkundrazi, unë e kam ndjekur. Në një farë mënyre, kanë tendencën ta veshin, ta sfumojnë me grindje familjare. Ndërkohë që duhet të meritojnë ndëshkimet më maksimale ata që mendojnë apo guxojnë të marrin jetë grash dhe vajzash. Dhe ju garantoj se ne zotohemi për dënimet më të rrepta dhe mbrojtjen më të madhe të mundshme ndaj tyre. Sigurisht ka dhe një faktor tjetër. Duhet të themi gjërat siç janë. 15-20 vitet e fundit IQ-ja e grave del më e lartë se e burrave. Po. Në testet e Flintit gratë kanë epërsi të padiskutueshme. Konstante dhe nuk ka rënë, përkundrazi. Pra, po t’i marrim në rrafshin e intelektit, është faktuar. Unë gjithmonë, unë pedagog, më bënte përshtypje fakti se, mirë, ja ta zëmë në 10 studentë të shkëlqyer, t’ju them të vërtetën ju, minimumi shtatë do të ishin vajza. Dhe mendoja me veten, si ka mundësi që këto tani kaq të shkëlqyera dhe më vonë ju sfumohet. Sigurisht ua u sfumojnë padrejtësitë, pabarazitë e të tjerë. Por gjithnjë e më gjithnjë e më e vetëdijshme po bëhet shoqëria për potencialin e jashtëzakonshëm intelektual që kanë gratë dhe vajzat. Edhe në këtë kontekst ju garantoj se është, Partia Demokratike do ta mbajë këtë parasysh si një kusht për të arritur qëllimet e saj më të mira për të drejtat e grave, por edhe për demokracinë, për zhvillimin e vendit. Edhe njëherë ju falënderoj shumë për këtë trajnim që keni organizuar dhe ju uroj suksese.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale