Berisha: Edi Rama ka vdekur politikisht, ne duhet ta groposim atë. Kosova krenari për çdo shqiptar, sepse aty zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme!

FJALA E KRYETARIT TË PD-së SALI BERISHA NË FOLTOREN TE KRYEMINISTRIA

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në ‘Foltoren’ para kryeminsitrisë ka bërë të ditur se, opozita nuk do të largohet nga sheshi pa shporrur binomin e korrupsionit ‘Rama-Balluku’. Sipas tij, Ergys Agasi ka rrahur me grushte në zyrë Ulsi Manjën, kur ky i fundit ishte ministër i Drejtësisë, sepse e kishte porosi nga kapoja, Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij në ‘Foltoren’ para Kryeministrisë, kryedemokrati Sali Berisha, akuzuar ish-drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, se nuk ka hetuar rrëmbimin e Daniel Shimës, ish-nëndrejtor i AKSHI-t.  Duke e lidhur ngjarjen me rrëmbimin e mëhershëm të Gerond Meçes, Berisha denoncoi dhe rrëmbimin e Daniel Shimës, të cilin e cilëson si ‘pengun e dytë’ të një skeme kriminale të lidhur, sipas tij, me familjen e Edi Ramës. Në fjalën e tij, Berisha ka vënë theksin te trajtimi i çështjes nga prokuroria dhe roli i drejtuesve të policisë, duke e paraqitur rastin si një shembull flagrant të kapjes së drejtësisë dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

Lideri i opozitës Sali Berisha, duke folur para simpatizantëve dhe mbështetësve në ‘Foltoren’ para kryeministrisë, krahasoi dy realitet shqiptare, atë të Shqipërisë dhe Kosovës.

Sali Berisha vuri në dukje kontrastin politik në Shqipëri me atë të Kosovës, duke e cilësuar këtë të fundit si një model demokratik dhe krenari për mbarë kombin shqiptar.  Duke u ndalur te rëndësia themelore e zgjedhjeve të lira dhe votës së lirë, lideri i PD-së ka theksuar se Kosova, ndonëse një shtet i ri, ka arritur të ndërtojë institucione funksionale, të zhvillojë zgjedhje të ndershme dhe të zgjidhë krizat politike përmes ligjit dhe standardeve demokratike.

Në këtë kontekst, ai ka kritikuar ashpër qeverisjen në Shqipëri, duke e akuzuar për kapje të shtetit, kriminalizim të politikës dhe largim të vendit nga standardet evropiane.

Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi se, protestat do të vijojnë si një strategji të pandërprerë të opozitës përballë asaj që e cilëson si një regjim në rënie dhe në shpërbërje.  Duke përshëndetur veçanërisht qytetarët e Vlorës për reagimin e tyre ndaj krizës së furnizimit me ujë, Berisha ka theksuar se pakënaqësia qytetare po shtrihet në mbarë vendin dhe se shqiptarët, sipas tij, janë të vendosur të ndahen sa më shpejt nga kjo qeverisje.  Në këtë kontekst, ai ka lidhur protestën me problematika më të gjera sociale dhe ekonomike, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim, pabarazi dhe abuzim me fondet publike, si dhe duke e paraqitur opozitën si më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë për të përmbushur misionin e saj politik.

Në fund të fjalës së tij në ‘Foltoren’ pra kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, me anë të një gjuhe të ashpër ka përshkruar gjendjen e qeverisjes dhe këtë situatë, ai e ka cilësuar si fundin politik të Edi Ramës dhe të “Rilindjes”. Duke e paraqitur opozitën si shpresën e vetme për ndryshim, Berisha ka bërë thirrje për vendosmëri qytetare dhe mobilizim politik, duke theksuar se vetëm përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të opozitarëve mund të përmbyllet, sipas tij, cikli i një regjimi të kalbur.  Mesazhi i kreut tw PD-sw ishte njëkohësisht apel politik dhe thirrje morale për përgjegjësi ndaj familjeve, shoqërisë dhe të ardhmes së Shqipërisë.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, nderimin më të madh për ju, misionare dhe misionarë të pamposhtur që qëndroni në lartësinë e idealeve tuaja.

Idealeve më fisnike të njeriut.

Idealeve të lirisë.

Qëndroni dhe do qëndrojmë në këtë shesh, Sheshin e Lirisë, gjersa nga ajo ndërtesë të shporrim binomin që ka vjedhur dhe ka përçmuar më shumë shqiptarët në tërë historinë tonë kombëtare, Edi Ramën dhe Lubi Ballukun.

Të dashur miq, një vajzë para meje, para jush, ftoi këtu që Edi Ramën të mos e quajmë më kryeministër.

Unë u ftoj ju dhe shqiptarët që sot e tutje, Edi Ramën ta thërrasim me gjuhën, fjalorin, zhargonin e koordinatorit të tij, Gys Agasi, Kapoja.

Në të gjithë gjuhën, edhe kur rrihte me grushta Ulsi Manjën në zyrat e tij, i thoshte se më ka urdhëruar Kapoja.

Pra, nuk janë më zyrtarë, por këta janë një bandë që nuk e ka parë ndonjëherë kjo tokë dhe e pashembullt jo vetëm në Shqipëri, por u garantoj dhe as në Europë dhe botë ndoshta.

Duke ardhur këtu tek ju po lexoja fatin e pengut të dytë.

Fati i pengut të dytë të Ergys Agasit dhe ndërmarrjes së Edi Ramës dhe kunatit të tij, Daniel Shimës.

E rrëmbyen vetëm një javë pas rrëmbimit të Gerond Meçes dhe siç mund ta keni ndjekur, në daljet para shtypit, në rrjetet sociale, kam ngritur zërin disa herë për këtë njeri që e mbajtën në bodrumet e Suel Çelës, i thyen kocka dhe çdo gjë dhe e sollën pothuajse të vdekur në shtëpinë e tij, ish-nëndrejtori i përgjithshëm i kopshtit privat të Edi Ramës, AKSHI-t.

Asnjë zë nuk dilte, asnjë fjalë, asnjë fjali.

Dhe ky ishte rrëmbyer një javë pas Gerondit.

Gerondi pati mençurinë dhe u dorëzua tek autoritetet gjermane, të cilat natyrisht bënë atë që u takonte dhe ne ua dimë shumë për nder.

Ky tjetri që nuk u dorëzua tek autoritetet gjermane, por u dorëzua tek autoritetet shqiptare, a e dini se çfarë ka ndodhur?

Altin Troplini e ka përcjellë dosjen e tij tek prokuroria e Tiranës, pacaka se ishte një akt makabër, një krim, një rrëmbim nga katër persona, e ndjekur trajektorja gjer tek tuneli i Qafë Kërrabës, edhe më tutje.

Natyrisht, prokuroria e Tiranës bëri atë që i thanë, firmosi moshapjen e hetimeve për personin.

Shikoni pra ku jetojmë.

Dhe ai nuk figuron në dosje fare sepse ai donte më shumë se çdo gjë, më shumë se Gerondi.

Ai ishte nëndrejtor i AKSHI-t dhe kishte të memorizuar të gjitha abuzimet e qindra milionë eurove nga familja më mafioze e Ballkanit dhe ndoshta e Europës, familja Rama.

Po.

Miq, Artiola theksoi këtu se një shoqe i tha se unë do bashkohem me PD pasi pashë se çfarë u zhvillua në zgjedhje.

Unë e përshëndes atë dhe e falënderoj me mirënjohje.

Nuk ka asgjë më thelbësore për një komb se sa zgjedhjet dhe vota e lirë.

Shikoni Kosovën, krenari për çdo shqiptar është Kosova.

Krenari e madhe, por edhe shpresë.

Një shtet që shpall pavarësinë pak vite më parë.

Një shtet ku shqiptarët njëlloj si në Shqipëri janë shumicë.

Por një shtet që ecën me hapa gjigante drejt BE.

Një shtet që studiuesit kanë gjetur se është vetëm 16 vite larg qeverisjes së standardeve evropiane, kundrejt Shqipërisë 62 vite larg këtyre standardeve.

Kosova zhvillon zgjedhje.

Kosova çdo krizë e zgjidh në përputhje me ligjin.

Kryeministri i Kosovës nuk mban koordinator krimi, por ata, pavarësisht nga etnia, i nxjerr para ligjit.

Nuk mbjell kanabis, përkundrazi i ndihmon fermerët të mbjellin grurë.

Kryeministri i Kosovës nuk ka sipërmarrje kopsht si Edi Rama, përkundrazi qeveria atje lufton fort për veprimtarinë më transparente, ndaj edhe zhvillon dy palë zgjedhje brenda një viti, zgjidh çdo krizë, çdo problem në mënyrën më demokratike.

Miq, ne mbyllim sot protestën tonë për të filluar vitin po me protesta.

Kudo që shkoj gjej një vendosmëri absolute për t’u ndarë me këtë të keqe sa më shpejt.

Shqiptarët presin me padurim largimin e kësaj bande nga pushteti.

Iu garantoj ju se opozita është sot më e fuqishme se kurrë.

Është sot më e vendosur se kurrë të përmbushë misionin e saj.

Askush nuk duhet të harrojë se forca e idealeve është më e madhe se e të gjitha armëve.

Se ata që qëndrojnë për ideale janë të pamposhtur dhe fitojnë.

Se këtij regjimi, çdo ditë dhe çdo orë që kalon, ky regjim është në shkërmoqje, është në kalbëzim dhe në rënie.

T’i përshëndesim bashkërisht qytetarët e Vlorës.

5 ditë pa ujë, duke ndjekur atë ngjarje, në videot e shumta që qarkullojnë, rikthyen kur vetëm pak muaj më parë drejtori i ujësjellësit i thotë gazetarit se këta rrinë tre ditë pa ujë dhe një telefon nuk e bën njeri për të shprehur shqetësimin.

Në fakt drejtori tha një të vërtetë, nuk gënjeu.

Por ja që kohërat ndryshojnë.

Ja që dje, qytetarët e Vlorës ua zunë kafshatën e galasë në fyt dhe i zunë hajdutët nga salla ku festonin.

Ja që sot përsëri të rinjtë e Vlorës, qytetarët e Vlorës mbushën sheshin dhe bënë përgjegjëse

Edi Ramën dhe qeverinë për situatën e tyre dramatike.

Por si Vlora probleme të tilla ka gjithë Shqipëria. Ndëshkime qeveritare ka gjithë Shqipëria.

Imagjinoni pak, banorët më të varfër të Shqipërisë, banorët e Hasit, Tropojës, Kukësit, për të ardhur në kryeqytetin e tyre duhet të paguajnë 20 përqind të pensionit. Duhet të paguajnë taksën në Kalimash, taksën në Thumanë. Në mënyrën më brutale, më të padrejtë.

Mendoni pak banorët e Elbasanit.

U shpua mali i Kërrabës, ndërkohë Elbasani është më afër se Kombinati, një lagje e Tiranës.

Por jo, sepse bajpasi, mungesa e tij, u ka rikthyer atyre atë kohë që u merrte qafa e Kërrabës.

Po pse?

Sepse paratë vidhen dhe vetëm vidhen.

Sepse Greqia jo para 4 vitesh, jo para 3 vitesh apo 10 vitesh, po këtë vit ka prokuruar autostradën Janinë-Kakavijë, 6 korsi të standardeve evropiane, 4 milionë euro kilometri, kundrejt 17, 22 milionë euro kilometri, rrugët e florinjta të Edi Ramës dhe Lubisë.

Pra zinxhiri vjedhjeve të tyre, i qëndrimeve të tyre nuk ka fund.

Shpresa e vetme për shqiptarët qëndron në mendjet dhe zemrat tuaja, në vendosmërinë tonë, vendosmërinë e popullit opozitar ta shndërrojmë këtë dimër në një ngricë përfundimtare për regjimin e kalbur të rilindjes.

Rilindja ka vdekur, kjo organizatë kriminale ka vdekur, ne duhet ta groposim atë.

Edi Rama ka vdekur politikisht, ne duhet ta groposim atë.

Edhe njëherë u uroj shqiptarëve kudo që janë gëzuar vitin 2026.

Uroj dhe ftoj opozitarët të përmbushim detyrimin tonë ndaj vetes, familjeve tona, ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Rroftë Shqipëria!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale