FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN E KURBINIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren-Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve’ në Kurbin, ka adresuar gjendjen dramatike politike, ekonomike dhe morale në vend, si dhe duke shpalosur planin e PD-së për të mbrojtur demokracinë dhe të ardhmen e shqiptarëve. Ai vuri në dukje se Shqipëria aktualisht ndodhet nën një regjim diktatorial: ‘Sot, Shqipëria është një diktaturë e korruptuar si asnjë tjetër ndonjëherë në Evropë, por identike me diktaturat nga të cilat vuanin vendet e Afrikës 30 vjet më parë.’
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha denoncoi me forcë korrupsionin e nivelit më të lartë dhe grabitjen sistematike të pasurive të shqiptarëve, duke përmendur raste konkrete që dëshmojnë se regjimi ka përdorur pushtetin për përfitime personale dhe për të favorizuar individë të caktuar: ‘Një ministre, zv/kryeministre, dispononte 300 apartamente… me paratë tuaja, me taksat tuaja, me paratë e shkollave të fëmijëve tuaj, me ilaçet e të sëmurëve tuaj.’ Ai denoncoi gjithashtu lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar dhe veprimet e paligjshme që cenojnë sigurinë dhe drejtësinë për qytetarët: ‘28 deputetë i ka të futur nga bandat, nga kartelet e drogës, Troplinët, Çelajt… Dhjetëra mijëra punësime të përkohshme, leje ndërtimi, certifikata pronësie gjatë zgjedhjeve.’
Kreu i PD-së, Sali Berisha ripohoi se regjimi aktual i ka përqendruar të gjitha pushtetet në dorën e kryeministrit Edi Rama, duke cenuar të drejtën e qytetarëve për zgjedhje të lira: ‘Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Ai është armik i votës së lirë. Ai është armik, ai nuk pranon kundërshtarin.’ Ai paralajmëroi për pasojat dramatike që kjo qeverisje ka shkaktuar për shqiptarët dhe për ardhmërinë e kombit: ‘Në 10 vite ka larguar vetëm në hapësirën e Bashkimit Evropian 1 milionë e 100 mijë shqiptarë… Ka bërë sot që me këtë trend, ne në 50 vite këtu do të jemi fare të rrallë, fare të paktë… Faktikisht, ne jemi në udhëtimin e shuarjes tonë.’
Në fjalën e tij, lideri i opozitës, Sali Berisha rikujtoi historinë e PD-së dhe përpjekjet e saj për mbrojtjen e pluralizmit dhe të demokracisë: ‘Ne përmbysëm një diktaturë 35 vite më parë dhe absolutisht do ta përmbysim këtë në mënyrën më të fuqishme, më të vendosur, më të shpejtë.’ Ai shpjegoi se çdo qytetar shqiptar ka përgjegjësinë dhe të drejtën për të mbrojtur lirinë dhe votën e lirë: ‘Çdo demokrati e demokrate, çdo shqiptari dhe shqiptareje, është koha e guximit tonë… Ne me çdo çmim, me çdo çmim do të çlirojmë shqiptarët nga kjo narkodiktaturë.’
Kryetari i PD-së, Sali Berisha denoncoi mënyrën se si qeveria ka përdorur fondet publike dhe taksat për përfitime personale dhe manipulim politik, duke theksuar se mungesa e transparencës dhe abuzimet kanë dëmtuar seriozisht ekonominë dhe jetën e qytetarëve: ‘Ju lutem, ju lutem edhe një, edhe një moment. Në 12 vite, buxhetet, paratë që ka marrë nga ju, nga shqiptarët, taksa, buxheti janë 67 miliardë euro… Në tetë vite kemi marrë nga qytetarët shqiptarë 28 miliardë euro… Ku janë ndërtimet e 12 viteve, 67 miliardë eurove? Vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje. 90% e parave janë vjedhur thotë Banka Botërore.’
‘Nga mëngjesi gjer në darkë, gjer sa ta qërojmë këtë regjim, ne do t’i përsërisim vetes, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri… Pas kësaj, çdo shqiptar pavarësisht nga bindjet e tij do votojë i lirë. Pas kësaj, pasuritë publike do të jenë pasuri të shqiptarëve. Pas kësaj, taksat do përdoren për shqiptarët.’, tha kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta e mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh ndaj ju, burrave dhe grave të Kurbinit, djemve dhe vajzave të këtij rrethi, që jeni në këtë sallë, që ndodhi sonte në Kurbin, në Shqipëri dhe kudo që gjendeni.
Mbështetja juaj për demokracinë, mbështetja juaj për Shqipërinë ka patur dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme.
I dashur drejtues politik i qarkut, nënkryetar i kuvendit Agron Gjekmarkaj.
I dashur kryetar i Partisë Demokratike, të dashur deputetë të Kurbinit, Lezhës dhe Mirditës.
I dashur kryetar i Bashkisë Mirditës, kandidatë për deputetë.
Të dashur miq, jam sot tek ju në një nga momentet më kritike për vendin, në një nga provat më të fuqishme të Partisë Demokratike në tërë ekzistencën e saj. Sot, me këto që dëgjoni dhe që dëgjojmë, Shqipëria është një diktaturë e korruptuar si asnjë tjetër ndonjëherë në Evropë, por identike me diktaturat nga të cilat vuanin vendet e Afrikës 30 vjet më parë, të tipit Bokasso, të tipit Idi Amin, Gedaf, apo Mobutu.
Ato diktatura në rënie e sipër, u shembën nga lëvizje të fuqishme, por treguan se kishin vjedhur kombet e veta miliarda e miliarda dollarë. Ndoshta ata që kanë ndjekur me interes zhvillimet, lexonin dhe dëgjonin se Gedafi kishte 6 apo 8 miliardë të depozituara në bankat e Zvicrës, të tjerë në banka të tjera, pra ata nuk ishin hajdutë milionësh apo qindra, por miliardash.
Imagjinoni ju, të dashur miq, se çfarë peshe të rëndë patën mbi njerëzit, mbi shqiptarët, hajdutët miliarderë, me në krye Edi Ramën. Një dosje e parë u hetua për një ministre, zv/kryeministre, dhe në shfletimet e para del se ajo dispononte 300 apartamente. As ju, as unë nuk e mirrni me mend se ajo mund të dispononte 300 apartamente.
Ajo pra, me paratë tuaja, me taksat tuaja, me paratë e shkollave të fëmijëve tuaj, me taksat e kafshatës gojës, me ilaçet e të sëmurëve tuaj, duke ndarë taksat me ndërtuesit e veprave publike, kishte siguruar për vete 300 apartamente.
Dhe ju garantoj, këtu do jemi, nuk është lista e plotë. Kemi dëgjuar për diktatorë, për hajdutë, për bizhura, diamante, po vetëm njëri prej tyre, që quhej Gys Agasi, një kriminel, kishte në vinotekën e tij shishe vere që s’i ka perandori i Japonisë. 4 milionë euro shishe vere. 33 mijë, 40 mijë euro shishe verës. Të gjitha me paratë tuaja. Të gjitha me paratë e vjedhura. Njeriu më i afërt i kryeministrit ishte ky, i familjes së kryeministrit.
Ky koordinatori i karteleve të drogës që bënte çdo ditë, edhe në qoftë se u kujtohet kthehemi në fushatë, e denoncoja pothuaj çdo natë se i mblidhte i mblidhte Troplinët dhe Çelajt në një lokal tek në një lokal tek shkëmbi i Kavajës. Dhe kur i denoncova aty ndërruan lokali, shkuan në një lokal tjetër.
Ja ky njeri, më i afërt i Edi Ramës, kishte pra shishet e verës në Bodrum ku shkruhej vinoteka e kryeministrit, më të kushtueshme që ekzistojnë.
S’keni parë akoma se çfarë fshehin në kutitë dhe kasafortat e luksit dhe super luksit.
Por mësuam ama se vjedhjet e tyre nuk kanë kufij.
Dy jahte, Belinda Balluku, dy jahte, ish-babysitter që mezi mezi siguronte kafshatën e gojës në lagjet e Athinës, kthehet punonjëse në bashki, dhe tani me dy jahte, me paratë tuaja, të blera të gjitha.
Jemi në një kohë kritike, por na ka gjetur më të gatshëm se kurrë. Ja këtu jua them unë atyre atje, sot jemi më të gatshëm se kurrë t’u japim atë që meritojnë. Po po.
A mund t’i imagjinoni ju një agjenci shtetërore, e shtetit, nga rojat tek drejtori, ku merren peng biznesmen, punonjës, e pa dëgjuar kurrë. Merren peng, çohen në bodrumet e Suel Çelës, ju thyen kockat, qepin gojën, tërhiqen nga tenderi dhe natyrisht është kunati i kryeministrit.
Kunati i kryeministrit, burri i motrës Linda Ramës. Ai që përfiton qindra milionë euro nga agjencia e shtetit.
Për njërin nga këto pengje u mor vesh sepse atij ja dha Zoti dhe i bëri një mesazh nënës së tij apo se kujt ja bëri, që po marrin peng. Dhe e bëmë zhurmë, absolutisht ju them një gjë këtu o miq. Mund të kem bërë një seri deklaratash se e ndiqja, po njeri që ta çelte gojën pasi u kthye në shtëpi për Danielin nuk kishte.
Danieli rrinte i bërë copa në shtëpi, gojën e qepte, as media, as shtet, askush nuk fliste më për të. Kurse tjetri para Danielit, Gerondi që është regjistruar duke thënë se, tenderat këtu i përcakton kunati dhe kunata, e marrin peng, tërheq çdo kërkesë dhe ja mbath në Gjermani.
Dhe asnjëri nga ne nuk e mori vesh.
E morëm vesh kur gjermanët sollën informacionin. E bëra këtë hyrje se situatë të tillë nuk ekziston në asnjë vend tjetër përveç Shqipërisë. Që ndërmarrje shtetërore të merren njerëzit peng. Kjo tejkalon të gjitha imagjinatën.
Miq, Edi Rama, pas vendosjes ose marrjes së pandehur të asaj që unë e quaj Lubi Balluku, se nuk ka gjë që t’i përshtatet një njeriu që s’ka njohur asnjë kufi në vjedhjet e saj, siç provohet, sjell, e pezullon. Çfarë ndodhi? Jo që t’i jepte dorëheqjen siç kanë dhënë, për hir të së vërtetës, 90% në të gjitha këto vite para vitit 2013 çdo ministër.
I ka dalë emri, është akuzuar, ka dhënë dorëheqjen dhe ka vazhduar procesi. Jo që s’i jepte dorëheqjen, por përkundrazi i fut Edi Ramës dy këmbë në një këpucë. I thotë unë të marr me vete ty. Prandaj, kam zbatuar urdhrat, ke vjedhur ti, pa kam vjedhur unë.
Në një moment të caktuar, Edi Rama i thotë po ja ato mesazhet na prishën punë. Mesazhet, po i ke të tuat janë shumë më të mëdha se të miat aty si mesazhe tha.
Dhe ky hajdut, mund t’i vësh çdo epitet, bën presionin më të tmerrshëm në Gjykatë Kushtetuese dhe ja anulojnë masën e, ja anulojnë masën e pezullimit. Kurajoz prokurori, mbi baza të dokumenteve të pakundërshtueshme, të pakundërshtueshme, kërkon heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj.
Miq, me ato që ka në dosje ajo, jua them unë ju këtu, në qoftë se do ishte dënim me vdekje, ajo do të mirrte të paktën dy dënime me vdekje. Me ato që ka vjedhur, me ato që u ka bërë ju qytetarëve, të Kurbinit dhe të Shqipërisë.
Dhe ky përsëri bllokon heqjen e imunitetit. Kanë mbajtur dje pesë orë mbledhje, gjashtë orë mbledhjen. Dhe në fund e urdhëron kryetarin e Kuvendit ta mbyllë mbledhjen pa vendim dhe pa afat për mbledhjen tjetër.
A do ta pranojmë ne një gjë të tillë? A mund të pranojmë më ne këtë? A nuk mund të bëjmë ne atë që bëjnë afrikanët kundër këtyre figurave të urryera të kombeve që i vodhën?
Edhe më shumë mund të bëjmë ne se ata.
Ne kemi përmbysur një diktaturë 35 vite më parë dhe absolutisht do ta përmbysim këtë në mënyrën më të fuqishme, më të vendosur, më të shpejtë.
Miq, ka mjaft njerëz që më thonë ndonjëherë po, mos të ndalemi kaq shumë në vjedhjet e tyre. Po ju them unë ju që ato janë shkatërrimi i këtij vendi.
Sepse po të marrësh Edi Ramën ta nxjerrësh në gjyqin e historisë së shqiptarëve, nuk do të gjendet një diktator, nuk do të gjendet një pushtues, nuk do të gjendet një kryeministër, më armik i egër i qenies kombëtare të shqiptarëve se ky.
Në 10 vite ka larguar vetëm në hapësirën e Bashkimit Evropian 1 milionë e 100 mijë shqiptarë. Në 10 vite ka larguar 720 mijë të rinj shqiptarë.
Në 10 vite ka bërë që Shqipëria, shqiptarët, një nga kombet e reja të Evropës, të kenë sot atë lindshmëri që kanë patur 100 vite më parë. Ka bërë sot që nga viti 2018 e në vazhdim vdekjet dominojnë lartësisht mbi lindjet.
Ka bërë sot që me këtë trend, ne në 50 vite këtu do të jemi fare të rrallë, fare të paktë. Faktikisht, ne jemi në udhëtimin e shuarjes tonë. Asnjë komb nuk e ka, asnjë udhëheqës, asnjë diktator, asnjë pushtues nuk ka bërë këtë shfarosje të shqiptarëve që ka bërë Edi Rama.

Po ta marrim pastaj në qëndrimin tjetër, cili është qëndrimi i tij ndaj Kosovës? Nuk kam ndërmend të ndalem të bëj këtu historinë, po dy gjëra do them.
Një njeri që del në konferenca ndërkombëtare dhe u thotë udhëheqësve evropianë se unë merrem më mirë vesh, më kollaj merrem vesh me kryeministrin e Serbisë se me atë të Kosovës nuk merrem vesh.
Domethënë, se ai kryeministri i Serbisë është burrë i mirë. Ai është njeri i arsyes. Kurse ai i Kosovës, imagjinoni ju kur s’merret vesh me mua, si mund të merret vesh me Beogradin? Ndaj edhe një publicist i madh gjerman i tha, ti je, Edi Rama është kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiqit.
U ndala në këto elementë për të thënë kohën ku jemi. Ju thashë se na ka gjetur të gatshëm. Po. Pse të gatshëm? Në një projekt që ishte Shqipëria pa opozitë, apo Shqipëria me false opozitë, opozitë të kontrolluar, ai projekt u gropos njëherë e përgjithmonë falë guximit, kurajos, trimërisë tuaj, njerëz të idealeve, njerëz atdhetarësh, njerëz të sovranitetit të vendit tuaj.
Opozita është shtyllë e sovranitetit dhe një vend që humbet opozitën, nuk ka sovranitet të brendshëm. Ndaj dhe ju pavarësisht, s’po rri me bë histori tani, pavarësisht të gjitha presioneve primitive, akteve nga më të shëmtuarat, kombëtare, ndërkombëtare që u bënë ndaj Partisë Demokratike, ju qëndruat si viganë, nuk u mposhtet dhe sot Partia Demokratike është një forcë opozitare më e fortë se kurrë.
Së dyti, në të gjithë takimet e mia para jush dhe para shqiptarëve, kam deklaruar dy gjëra.
E para me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Nuk ka zgjedhje. E kam thënë me bindjen më të madhe se ai është armik i votës së lirë. Ai është armik, ai nuk pranon kundërshtarin. Njëlloj si jati që urdhëronte varjen në litar.
I ati i tij, në pamje të parë një xhentëlmen, intelektual, por që firmoste varjen në litar të një poeti, në një kohë kur muri i Berlinit ishte në prag të rënies.
Daja i tij, me datën 11 dhjetor 1990, kërkonte të çoheshin tanket tek studentët.
Ndaj dhe ky pluralizmin nuk e donte, donte ta zhdukte. Dhe ai që nuk do pluralizmin, nuk pranon votën e lirë kurrë.
Ju fituar në Kurbin, nder për ju, por ju se në Shqipëri, Edi Rama grabiti zgjedhjet. Vetëm dy ditë para zgjedhjeve, imagjinojeni pak, ç’do të thotë të japësh 2 miliardë euro falje gjobash dhe kamatash. 2 miliardë euro. Unë nuk e dija në atë kohë, thashë 200 milionë. Tani dalin llogaritë, dalin regjistrat, janë 2 miliardë. Për 200 mijë familje që kanë patur biznese nga të cilat 84.000 aktive.
Shndërroi rrogëtarët e shtetit, shërbëtorët tuaj, në armiq të votës së lirë, në xhandarë të votës së lirë, në policë të votës së lirë. Organizoi në muajin elektoral me paratë tuaja, në kundërshtim me ligjin, 4530 aktivitete për të ndikuar tek zgjedhësit shqiptarë, nga të cilat dhe Giro d’Italia. 7 milionë euro ditën e votimit.
28 deputetë i ka të futur nga bandat, nga kartelet e drogës, Troplinët, Çelajt, e të tjerë. Dhjetra mijëra punësime të përkohshme, leje ndërtimi, certifikata pronësie gjatë zgjedhjeve. Jo zgjedhjet s’i fitoi kurrë ai.
Zgjedhjet i fitonte absolutisht asnjë forcë tjetër përveç Partisë Demokratike në qoftë se ai nuk do sillej në këtë mënyrë. Natyrisht. Por krahas paralajmërimit se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka, unë i isha betuar para jush se do mbrojë votën tuaj.
Dhe votën tuaj e mbrojtëm ne. Votën tuaj e mbrojtëm, siç e mbrojtëm në vitin 2001. Ne kishim në vitin 2001, në kushte i keni vetë parasysh, por ne dolëm të damkosim, të dënojmë vjedhjen e votës. Të njëjtën gjë arritëm në 2025-ën. Prandaj thashë, na ka gjetur të gatshëm. Na ka gjetur më të gatshëm se kurrë për t’i dhënë atë që meriton.
Ka dhunuar votën tonë, ka dhunuar votën e shqiptarëve, ka dhunuar thelbin e lirisë, ka dhunuar të ardhmen tonë. Poshtë Edi Rama!
Edi Rama ka përqendruar çdo pushtet në dorën e tij. Në vitin elektoral arrestoi liderët e partive kryesore opozitare për të marrë mandatin. Të gjitha këto mendoj se do i kapërcente duke bërë lobingje me Mogherina-t, me Charles Goligal, me McGonigal-ët.
Të gjitha këto mendoj se do i kalonte duke përdorur paratë tuaja për të mashtruar botën, por jo nuk arriti. Ata që vëzhguan zgjedhjet, ata ishin njerëz me karakter, njerëz besnikë të parimeve të tyre. Ju bëri presionin më të turpshëm, më banditesk, por në raporte, por në raport ja numëruan të gjitha.
Miq, thashë dhe njëherë, jemi më të fortë se kurrë, më të kthjellët se kurrë.
Tani jemi në të drejtën tonë, në të në ligjin kombëtar dhe ligjin ndërkombëtar të ngrihemi me të gjithë guximin tonë për të përmbysur këtë regjim.
Ne përmbysëm një diktaturë e cila ashtu siç ishte e dobët e me radhë, por të rinj zvarriste në Shkodër, kufoma të rinjsh zvarriste në Shkodër, në Korçë, në Gjirokastër, megjithatë nuk mbijetoi dot, por e përmbysëm.
Ne këtë duhet ta përmbysim me një betim solem. Me një betim solem, do të përmbushim misionin tonë. Në diktatura fitojnë ata të cilët nga mëngjesi deri në darkë i thonë vetes, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri.
Dhe ai mendon se mund të mbrojë Lubinë, se mund të bllokojë parlamentin. Absolutisht.
Jo Lubia, por edhe ai vetë do të marrë çdo ndëshkim që meriton për atë që u ka bërë shqiptarëve.
Mos harroni një gjë. Në vitin 2014, raporti i OSBE-së e akuzoi se ka 200 milionë euro të fshehura në bankat offshore. Nuk dha asnjë përgjigje, gëk mëk nuk bëri. Po, sepse çdo ndërtuesi për çdo pallat i merrte dy kate, ose i merrte një kat dhe ja kërkonte para dhe jo kate.
Po. Imagjinoni pra, në qoftë se në vitin 2014 kishte, me këtë llogarinë e Ballukut 1000 apartamente, sa ka marrë, sa ka fituar ai nga viti 2014-25 si kryeministër.
Imagjinoni ç’ka, ç’po bën në portin e Durrësit. Ç’po bën me portin e Durrësit. Po fiton miliarda. Vetëm toka publike e portit kushton rreth 3 miliardë euro.
Ndaj miq, jam këtu për t’u thënë, çdo demokrati e demokrate, çdo shqiptari dhe shqiptareje, është koha e guximit tonë. Përmbysja e diktaturës do guxim, por ne guximi s’na mungon. Edhe një herë, nga mëngjesi gjer në darkë, gjer sa ta qërojmë këtë regjim, ne do t’i përsërisim vetes, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri.
Pas kësaj, çdo shqiptar pavarësisht nga bindjet e tij do votojë i lirë.
Pas kësaj, pasuritë publike do të jenë pasuri të shqiptarëve.
Pas kësaj, taksat do përdoren për shqiptarët.
Ju lutem, ju lutem edhe një, edhe një moment. Në 12 vite, buxhetet, paratë pra që ka marrë nga ju, nga shqiptarët, taksa, buxheti janë 67 miliardë euro. Se ka dyfishuar taksat.
Në tetë vite kemi marrë nga qytetarët shqiptarë 28 miliardë euro.
Në 8 vite me 28 miliardë euro kemi dyfishuar rroga, kemi dyfishuar pensione, kemi ndërtuar 13 mijë kilometra rrugë nga Hani i Hotit në Gjirokastër e me radhë, 1000 e ca shkolla, kopshte, çerdhe.
Ku janë ndërtimet e 12 viteve, 67 miliardë eurove? Vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje. 90% e parave janë vjedhur thotë Banka Botërore.
Ndaj dhe për ta mbyllur, ne e përmbysëm një diktaturë 35 vite më parë.
Ne me çdo çmim, me çdo çmim do të çlirojmë shqiptarët nga kjo narkodiktaturë. Dhe kjo është misioni, mision sa hyjnor, aq dhe tokësor, i çdo demokrati dhe demokrate, i çdo qytetari dhe qytetareje.
Faleminderit.


