Berisha: Edi Rama ka përzgjedhur Skapin e partisë si vrasës të dytë të votës tuaj, këta janë njëlloj si Bajrët. Rama është armiku më i madh i Kosovës

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur për qytetarët e tubuar poshtë banesës së tij, është shprehur se ka ikur koha kur opozita ishte e kontrolluar dhe i tradhtonte interesat e shqiptarëve.

‘Koha e kontrollit të opozitës ka marrë fund. Koha e mashtrimit nga opozita ka marrë fund. Koha e betejave të humbuar nga opozita ka marrë fund. Çdo shqiptar duhet ta dijë se këta burra dhe gra, djem e vajza që vijnë çdo natë këtu, këta janë të pamposhtur’, tha Berisha.

Duke sulmuar Edi Ramën, kryetari i PD-së tha se ai është edhe armiku më i madh i Kosovës.

Për Berishën, e zeza që ka bërë Edi Rama për shqiptarët e Shqipërisë, do të gëzonte edhe armiqtë më të mëdhenj të kombit shqiptar.

Në fund, gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se, Skapi i partisë është përzgjedhur nga Edi Rama për të vrarë për së dyti herë votën e shqiptarëve.

FJALA E PLOTË:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të nxehta.

Përulem me mirënjohje të pakufishme para jush, djem e vajza, burra e gra, që zhvilloni çdo natë në këtë rrugë, një nga betejat ndër më të mëdhatë në historinë e këtij vendi.

Zhvilloni këtu betejën pa kthim kundër të keqes së madhe që ka kapluar qenien shqiptare, që ka kapluar lirinë, dinjitetin, por edhe identitetin e këtij kombi.

Kjo e keqe quhet rilindja e Edi Ramës.

Miqtë e mi, ju u ngritët në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, u ngritët kur Edi Rama, aleanca e krimit, drogës dhe korrupsionit që qeveris këtë vend, mendoi dhe besoi se i dha opozitës goditjen nukleare, se shndërroi këtë rrugë, pallat, ballkon në ballkonin e frikës dhe tmerrit për shqiptarët.

Kurse ju, të rinj dhe të reja, burra dhe gra me dinjitet, njerëz të lirë, atdhetarë erdhët në këtë rrugicë, e shndërruat atë rrufeshëm, në një rrugë shprese, në një rrugë, ndriçimi, guximi, dinjiteti për çdo shqiptar që i thotë dinjitetit, dinjitet, lirisë, liri, shpresës, shpresë dhe Shqipërisë, Shqipëri.

Kjo betejë është e shenjtë aq sa është shenjtë për njeriun liria e tij.

Kjo betejë është e shenjtë aq sa është i shenjtë për njeriun, dinjiteti i shenjtë.

Kjo betejë është e shenjtë aq sa është i shenjtë për qytetarin i shenjtë, dheu i tij.

Miqtë e mi!

Në një hark kohor të shkurtër, Edi Rama, mafia e tij më e rrezikshme në Europë, mafia e tij shtetërore, u sul me tërbim kundër fjalës së lirë.

Mbylli televizione, media.

I shembi kryeqytetit dhe kombit, simbolin e mrekullueshëm, Teatrin e tij Kombëtar.

Edi Rama një lloj si një bandit, pa ligj, moral, dinjitet, trajtoi shqiptarët në Astir, tek Unaza, njëlloj si një pushtues i egër.

Mashtroi studentët.

Edi Rama në projektin e tij ogurzi të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e tij, vendosi votën e shqiptarëve, vullnetin e tyre, në kontrollin e tij, të bandave të tij, të parave të krimit të tij.

Ai ja doli me fuqinë e korrupsionit të mposhtë, kontrollojë opozitën dhe pas kësaj mendoi se Shqipëria pa opozitë, si Shqipëria e dajos së tij, që firmoste ekzekutimin e Genc Lekës, Vilson Blloshmit, që firmoste ekzekutimin e dhjetëra e dhjetëra intelektualëve shqiptarë.

Njëlloj si Shqipëria e babait të tij që firmoste varjen në litar të Havzi Nelës të ishte një Shqipëri pa opozitë, ku ai si padrino i saj të merrte çdo vendim, të kryente çdo akt, të bënte ndaj shqiptarëve atë që nuk e ka bërë deri më sot asnjë pushtues.

Nga kjo tribunë e juaja, tribunë e lirisë, e dinjitetit, guximit ju ftoni, apeloni ndjenjat patriotike të çdo shqiptari.

Shqiptarë, atdhetarë kudo që jeni, mos harroni se në Tiranë sot është një armik i egër i Kombit shqiptar i cili në raport me pjesë të tjera të kombit është vëlla siamez me Enver Hoxhën.

Rikujtoni pak pa bërë betimin fluturoi në Kosovë, e pritën si kryeministrin e Shqipërisë në parlament.

Hyri si bandit, boshatisi parlamentin sepse fyeu historinë e Kosovës, arkitektin e pavarësisë së saj, të pavdekshmin Ibrahim Rugova.

Miqtë e mi!

Beteja e tij kundër popullit të Kosovës, është beteja më e egër e zhvilluar ndonjëherë, pas asaj të Aleksandër Vuçiç.

Sot ish-udhëheqësit politikë të Kosovës janë në Hagë. Ua them ju, ua them shqiptarëve se hjekësi i tyre është Edi Rama.

Edi Rama me Xhorxh Sorosin, nisën projektet për copëtimin, ndarjen e Kosovës për llogari të Vuçiç.

Edi Rama pasi dështoi me turp, u bë si argat i Vuçiçit promotori kryesor i Ballkanit të Hapur. Shqiptarë dhe shqiptar, cilido që e ndjen vetën të tillë nuk mund të pranojë Edi Ramën kryeministër.

Mos harroni se për shkak të Vuçiçit dhe Sergei Lavrov, Edi Rama e shndërroi Tiranën në megafonin e Beogradit kundër Kosovë.

Shndërroi Tiranën në megafonin e Kremlinit kundër Kosovë.

Pasi dështoi dhe me Ballkanin e Hapur, u vërsul si i tërbuar, vendosi sanksione në emër të Beogradit, i pari kundër Kosovës.

Loboi si armik i egër i saj, kundër lirisë së lëvizjes së qytetarëve të Kosovës. Komplotoi për Banjskën dhe akte të tjera.

Çdo shqiptar të pyesë veten sonte, çfarë lidhje ka ky me qenie tonë, ç’lidhje ka ky me identitetin tonë si shqiptar, me interesin tonë kombëtar.

Është koha për të dëgjuar këta burra e gra të cilët mblidhen çdo natë për një apel, kushtrim për secilin shqiptar kudo që ndodhet.

Nëse ndaj Kosovës Edi Rama u dëshmua një Enver i dytë që e shiti atë, një Pashiç në Tiranë, si u dëshmua ai ndaj shqiptarëve në Shqipëri.

Çubrilloviçi nga varri do ta kishte lakmi veprën e zezë të tij ndaj shqiptarëve në Shqipëri.

Unë nuk di ndonjë rast, ndonjë luftë, ndonjë tragjedi natyrore që të ketë larguar nga vendi në 8 vite mbi 33% të një populli të një vendi.

Lufta e Dytë botërore më shkatërrimtare se në çdo vend tjetër ishte në Poloni. Polonia humbi 20% të popullit shqiptar.

Shqipëria në 8 vitet e Edi Ramës humbën 33% dhe mban sekret prej kaq muajsh rezultatin e regjistrimit të popullatës.

Nuk e nxjerr se ajo është akuza më e rëndë e gjenocidit që kjo mostër kreu ndaj kombit të tij.

Ndaj dhe kjo tribunë, ky parlament i guximit njerëzor, i dinjitetit njerëzor, atdhetarisë dhe interesit kombëtar fton çdo shqiptar të bashkohet në këtë betejë.

Miqtë e mi!

Populli opozitar qëndroi gjatë këtyre viteve, por ai nuk u mbështet. Një betejë të pashembullt në Europë bënë artistët në mbrojtje të Teatrit.

Një betejë qytetare të pashembullt bënë banorët e Astirit për të drejtat e tyre.

Një betejë të fuqishme që tronditi themelet e narkokracisë bënë studentët.

Por këto beteja nuk realizuan qëllimet e tyre të mëdha, kauzën e tyre të drejtë, ato i vrau indiferenca e pafalshme, por edhe tradhtia e tyre.

Kjo këtu është beteja pa kthim, është beteja e fitore, është beteja e cila do ti japë Edi Ramës ndëshkimin e merituar në emër të të gjithë beteja të tjera.

Miqtë e mi!

Pasi vendosi mediat në kontroll Ourellian, pasi rrëmbeu me makinerinë e frikës dhe terrorit, dhe industrinë e blerjes, votën e shqiptarëve, ai u vërsul me egërsi edhe asaj që kishte mbetur opozitë, por që në fakt përfaqësonte mbi 600 mijë shqiptarë.

Edi Rama duhet ta dini mirë, dhe ua them këtu, u vërsul sepse ai kuptoi që ka ikur koha e betejave të tradhtuara, ka ikur koha e opozitës së kontrolluar.

Ai e kuptoi se opozita me të drejtën e saj doli në shesh, nisi betejën pa kthim.

Demokrate dhe demokratë.

Kjo protesta këtu e përnatshme është protesta e kthesës së madhe.

Të lumtur janë ata që do të marrin kthesën do të bashkohen me këtë protestë, sepse do u qëndrojnë idealeve të tyre.

Koha e kontrollit të opozitës ka marrë fund. Koha e mashtrimit nga opozita ka marrë fund. Koha e betejave të humbuar nga opozita ka marrë fund.

Çdo shqiptar duhet ta dijë se këta burra dhe gra, djem e vajza që vijnë çdo natë këtu, këta janë të pamposhtur.

Çdo shqiptar duhet ta dijë se nuk ka masë, se nuk ka vendim që mund të mposhtë Sali Berishën pa qëndruar fuqishëm në këtë betejë pa kthim.

Ka ardhur orar juaj, është ora e të vërtetës.

Keni dëgjuar shumë gjëra për zgjedhjet, fushatat.

Por cila është e vërteta? E vërteta është se me Edi Ramën, kurrë zgjedhje të lira nuk ka.

Ju i keni parë vetë, zgjedhjet në Shkodër, se si autokolona e blinduar e mafias së Edi Ramës terrorizoi Rozafën e lirisë së shqiptarëve.

Ju i keni dëgjuar vetë regjistrimet se si Edi Rama, ministrat e tij, drejtuesit e policisë, kryetarët e bashkive drejtonin grabitjen e votës së shqiptarëve.

Për një moment pyesni veten.

Çfarë ndodhi me dosjen 184, çfarë ndodhi me dosjen 339, çfarë ndodhi me autokolonën mizore të Bajrëve që mbillnin terror në qytetin e lirisë.

Çfarë ndodhi me këto? Asgjë.

Po pse nuk ndodhi asgjë? Sepse Edi Rama ka përzgjedhur Skapin e partisë si vrasës të dytë të votës tuaj.

Miqtë e mi!

Jam ish-kryeministër, ish-president. Gjithë jetën time jam përulur me nderim para çdo punonjësi që ka zbatuar ligjin.

Kurse sot shqiptarët përballen me një bandë mercenarësh, me kriminelë të cilët paguhen më shtrenjtë se çdo president i rajonit dhe paguhen vetëm për të firmosur vjedhjen e votës nga Edi Rama.

Për të firmosur karrigen e tij mbi pushtetin e krimit.

A mund të pranohen ata të tillë, a mund të pranohen këta Zamanë dhe Damanë. Këta janë njëlloj si Bajrët, si banditët e tjerë të cilët terrorizojnë shqiptarët, u rrëmbejnë votën, kurse këta bëhen mburojë e tyre para ligjit.

Dhe ka moral ky grup horrash të shitet si njerëz të ligjit para jush.

Asgjë nuk kanë me ligjin, këta janë mercenarë të Edi Ramës, armiq të egër të lirive tuaja, armiq të egër të dinjitetit tuaj, armiq të egër të të ardhmes tuaj.

Nuk mund ta mbyll këtë fjalë pa një mesazh për ata të cilët po bëhen gjithnjë e më të shumtë në këtë protestë, për të rinjtë, të rejat, që po i japin fytyrën kësaj proteste.

Ju përshëndes në mënyrë të veçantë, ju bashkëmoshatarëve tuaj kudo që jeni.

Ju jeni gjeneratë e një misioni të ri, e një misioni të madh, shpëtimtar.

Por të dashur miq!

E shpëtuan njëherë Shqipërinë në vitin ’90, bashkëmoshatarët tuaj.

Ne të tjerët shkuam pas tyre.

Ata hapën rrugët e shpresës, i dhanë guxim, ata zgjuan luanin e fjetur tek qytetarët shqiptarë.

Ju sot në këtë betejë nuk jeni vetëm, me ju janë dhe do të jenë mijëra e mijëra demokratë që kanë vendosur të marrin kthesën dhe të përballen dhëmb për dhëmb me të keqen e këtij kombi, me mostrën e këtij kombi, me diktaturën e re të krimit, me Edi Ramën.

Ndaj dhe u ftoj, ngrihuni si luanë në betejë pa kthim drejt fitores.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Nderimin më të madh për ju, për oratorët e mrekullueshëm që po e shndërrojnë këtë platformë, tribunë, në tribunën e shpresës, në tribunën e guximit, në tribunën e dinjitetit, në tribunën e lirisë.

Fitore, fitore, fitore.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale