Berisha: Edi Rama ikën me protesta të fuqishme të shqiptarëve, të cilat opozita do t’i organizojë

KONFERENCA E RAPORTIT PËR MANIPULIMIN E ZGJEDHJEVE TË 14 MAJIT, PYETJE PËRGJIGJET ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me raportin e zgjedhjeve të 14 majit 2023, është shprehur se kjo është faza e parë e analizës.

Pyetjes së gazetarëve se si mund të largohet Edi Rama, Berisha ju përgjigj se ai ikën me protesta të cilat opozita do ti organizojë. ‘Edi Rama ikën me protesta të fuqishme të shqiptarëve të cilat opozita do ti organizojë’, tha Berisha.

Gjatë përgjigjeve të gazetarëve, Berisha tha se Edi Rama e vendosi monizmin në Shqipëri me ndihmën e Lulzim Bashës. ‘Nëse e vendosi monizmin Edi Rama, e vendosi me firmën e Lulzim Bashës, të atij që po e përdor tani si limon të shtrydhur, si vegël të shpifur. Edi Rama realizoi gjithçka nëpërmjet pengmarrjes së Lulzim Bashës’, theksoi gjatë fjalës së tij, Kryetari i PD-së, Sali Berisha.

PYETJE-PËRGJIGJET

Pyetje: Nëse ne dalim e flasim me demokratët e Shqipërisë, ata janë të gjithë dakord se zgjedhjet janë vjedhur nga Edi Rama, pa paraqitur edhe këto prova dhe raporte. Çfarë pas këtij raporti. Rama do të jetë në pushtet deri në vitin 2025 minimalisht, çfarë do të ndodhë pas këtij raporti dhe cila do të jetë rruga e opozitës për të rrëzuar Ramën nga pushteti, përveç raporteve që demokratët e dinë që zgjedhjet janë vjedhur. Dhe një pyetje jashtë teme, si e komentoni refuzimin e Kurtit për të takuar Ramën nesër në Prishtinë.

Sali Berisha: Sot në tërësi, shqiptarët e pranojnë se zgjedhjet janë vjedhur. Por ka një gjë tragjike këtu, shumë tragjike. E pranojnë se janë vjedhur dhe e pranojnë si fakt të kryer. Çfarë qëllimi kemi ne. Siç e sheh, siç e dini ne kemi nga data 15 qershor e deri tani ne këtë e kemi pasur kryetemë. Ne jemi angazhuar në këtë proces për të ju faktuar, demokratëve, socialistëve, cilit do shqiptar me fakte, dokumente, se nuk ishin zgjedhje, por farsë elektorale. Me çfarë qëllimi? Qëllimi i parë është të krijojmë vetëdijen e plotë të bazuar tek qytetarët shqiptarë. Kultura elektorale është kulturë selektive e një grupi  njerëzish që merren me të drejtën elektorale, doktrinën, votën dhe zbërthimi i saj kaq i thjeshtë nuk është dhe ne me të gjitha këto dokumente që mbushin 5-6 vëllime, duam të faktojmë në mënyrë të pakundërshtueshme se këtu procesi elektoral është shndërruar në farsë. Nuk duam me këtë në mënyrë absolute të justifikojmë asnjë dobësi të opozitës, por nuk duhet të bëhemi iluzivë. Një qeveri që i lejon vetes, krijimin e dy këtyre makinerive gjigante, të blerjes së votës dhe terrorit, një qeverie që shkel çdo parim të kodit zgjedhor, që e shpall atë kinezëri. Shkel çdo parim të kartës së Kopenhagenit dhe Komisionit të Venecias për zgjedhjet e lira, kjo qeveri nuk e dorëzon pushtetin. Sepse kjo qeveri nuk njeh ligj pa thyer për tu mbajtur në pushtet. Sot me të drejtë me qindra e mijëra shqiptarë presin që opozita duhet ti japë zgjidhje kësaj. E vërteta është se me këtë infrastrukturë, antiligjore, antikushtetuese të rrënimit të procesit zgjedhor, asnjë opozitë, as në Shqipëri e asgjëkundi nuk i ka dhënë dot përgjigje me votë. Atëherë çfarë synohet me këtë, synohet të ndërgjegjësohet të gjithë ata që duhet të qëndrojnë për votën e lirë, se misioni i tyre është një lëvizje e fuqishme për largimin e Edi Ramës, në mënyrë që shqiptarët të votojnë të lirë.

Prap kthehemi tek ajo, se shqiptarët e dinë që zgjedhjet po vidhen, por shqiptarët vjedhjen e zgjedhjeve, ata që njohin mirë procesin, nuk mund të fajësojnë kurrë opozitën. Nëse fajëson opozitën për vjedhjen e zgjedhjeve dhe ai që e fajëson me qëllim, ai me qëllim firmos licencën për qeverinë me vjedhë zgjedhjet. Ai që e bën pa dashje, me mosvetëdije ne e kemi për borxh që ti sqarojmë çdo gjë tek ai, se opozita nuk mund të bëhet përgjegjesë për vjedhjen e zgjedhjeve nga një qeveri që respekton asgjë rregull, që shndërron administratën si një polici terrori politik ndaj zgjedhësve, që përdor me thashë buxhetin e shtetit për të blerë vota, që smund ta bëjë kurrë. Që cakton si një diktaturë kryetarin e koalicionit, që disbalancon në shkallën në ekstreme komisionet e numërimit të votave dhe ato zgjedhore. Pra këtu synohet, të gjithë biem dakord se zgjedhjet janë vjedhur, por mjerisht dhe në mënyrë të padobishme, besohet se opozita ka përgjegjësi për këtë. Opozita ka përgjegjësi nëse do të heshte, nëse nuk do të evidentonte me fakte dhe dokumente gjithçka që ndodhi. Opozita ka përgjegjëse nëse nuk ngre shqiptarët në një betejë vendimtare për votën e lirë. Nuk ka përgjegjësi opozita, se çfarë do që të bëjë ajo, nuk mund të ndalojë mbledhjen e Këshillit të Ministrave që të shpërndajë dhuratë, zarf për 683 mijë pensionistë. Çfarë do që të bëjë opozita, nuk ndalon dot qeverinë që të shpallën rritjen e rrogave në mes të fushatës elektorale. Çfarë do që të bëjë opozita nuk ndalon qeverinë të dërgojë në qarkun e Dibrës tek Belinda Balluku, 400 milion lekë vetëm për personat me aftësi ndryshe. Çfarëdo që të bëjë opozita nuk ndalon dot zyrat e errëta të Ministrisë së Brendshme për të ndryshuar qendrat e votimit për 1 milionë e 300 mijë shqiptarëve. Nuk i bën dot opozita këto të dashur qytetarë. Dhe nuk ndalon dot opozita zbrazjen e serverëve me të dhënat e shqiptarëve dhe kalimin e tyre tek PS-ja. Këto të dashur qytetarë dhe qytetare, ndalohen vetëm nga një veprim i fuqishëm qytetar, për të ndëshkuar me të, kryekriminelin që kryen këto vepra dhe kriminelët e tjerë. Ky është qëllimi. Opozita nuk largohet nga përgjegjësia, duke thënë të gjitha këto, detyra e opozitës është të prijë betejën për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri.

Për pyetjen tjetër, unë kam një deklaratë  që do të bëj këtu në emër të PD-së, por mundësisht pasi të sqarojmë çështjen që jemi këtu.

Pyetje: Ju sot denoncuar dhe thatë që është bërë masakër elektorale në 14 maj. Pretendoni se keni një sërë provash me dokumentet që janë mbi tavolinë. Çfarë garancie kanë qytetarët që në 23 korrik kur të votohet në Rrogozhinë nuk do të vidhen sërish zgjedhjet dhe për zgjedhjet e Kukësit që do të vijnë më pas.

Sali Berisha: Tani, çfarë ishte ky nëse ju dhe e keni ndjekur sigurisht, në të gjithë këtë dramë shqiptarë, se dramë e madhe është, nuk them që opozita nuk ka përgjegjësinë e saj të madhe. Nëse e vendosi monizmin Edi Rama, e vendosi me firmën e Lulzim Bashës, të atij që po e përdor tani si limon të shtrydhur, si vegël të shpifur. Edi Rama realizoi gjithçka nëpërmjet pengmarrjes së Lulzim Bashës. Dhe unë po ju them këtu, që ta dini; mos u çudisni që ai mbase do të braktisë edhe zgjedhjet e 25 prillit të 2021. Edi Rama e kishte në kontroll të plotë nëpërmjet dosjes. Kështu që kapërdirja nga opozita e farsës elektorale të 2021, solli superfarsën e 14 majit. Edi Rama e bëri provën, shpërndau në shkelje të çdo ligji 130 mln euro në muajt Mars dhe Prill të vitit 2021, për meremetimit nga tërmeti, të cilat ishin disa herë më shumë se të gjitha shumat e shpërndara dy vite para këtyre dy muajve. Kjo ishte e mjaftueshme për opozitën të ngrihej në këmbë, deri në përsëritjen e zgjedhjeve. Por pengu, peng, dhe në vend se të bënte këtë, filloi të ndajë postet me Edi Ramën. Çfarë po ndodh këtu. Është një dramë e thellë, ndaj dhe ne po qëndrojmë. Se këtu bashkëpunuar ç’është e vërteta, Rama me pengun e tij. Ne nuk lëshojmë. U bë gjithçka që ne të mos merrnim pjesë në zgjedhje, u morën vendimet më asgjësuese dhe poshtëruese ndaj nesh. U mobilizua McGonigali dhe McGonigalja me fustan që kjo opozitë të asgjësohej se nuk duhej të kishte opozitë tjetër, përveç asaj që kontrollon Edi Rama. Por ne ja ku jemi dhe do të qëndrojmë me forcën më të madhe.

Pyetje: Ju thoni që do të qëndrojmë, por në fakt PD pas zgjedhjeve të 2021 të humbura nisi një proces të tillë, ku dokumentoi vjedhjen e zgjedhjeve të atij viti, ndërkohë edhe në 2023, përsëri PD është në fazën e raporteve, ndërkohë që nga ana  tjetër fakt është që Rama vazhdon të qeverisë vendin në nivel qendror dhe lokal. Z. Berisha, çfarë do të thotë, do të qëndrojmë, tek sa ju pas çdo zgjedhje do të bëni raporte, sepse që nga 2013, PD ka humbur zgjedhje. Si do të qëndroni, do të qëndroni në opozitë dhe pas çdo palë zgjedhje do të bëni raporte?

Sali Berisha: Këto raporte janë detyrim madhor për një forcë politike serioze për të mbrojtur votën dhe më lejoni të ju informoj se kjo është hapja e siparit dhe ju këtu do të ndiqni çdo ditë sipas qarqeve farsën zgjedhore në qarqe, me dokumente e fakte çdo gjë. Dhe pas kësaj do të shfrytëzohet çdo hapësirë ligjore për të bërë autopsinë e plotë të këtij procesi dhe ku këtu do të jeni. Një.

Së dyti. Shumë e drejtë pyetja, jo Edi Rama me zgjedhje nuk ikën. Të garantoj se zgjedhjet e 2025, këto që ky ka bërë në këto zgjedhje, do të duken xhuxhe krahasuar me ato që ai do të bëjë për karrigen e tij në 2025. Këtu nuk ka asnjë iluzion. Por ne së pari e ndoqëm këtë proces, kur u bë gjithçka për ta mohuar, për të na nxjerrë jashtë tij. Tek Rrogozhina, ne nuk bojkotojmë kurrë zgjedhje, do të qëmtojmë çdo votë, zgjedhje ne nuk bojkotojmë. Dhe a do të ketë zgjedhje në 2025, do të ketë, por PD do të bëjë gjithçka për largimin e Edi Ramës dhe hapjen rrugë të një procesi zgjedhor, dinjitoz që duhet në fakt të ketë çdo komb i lirë. Vështirësitë janë të mëdha, por në mënyrë absolute është në dorën e shqiptarëve. Një zyrtar evropian e tha shumë bukur në konferencën e shtypit. Kur gazetarët u përpoqën, apo aluduan se çfarë roli do ketë, është punë e juaja, është çështje e juaja, tha. Njeri që të na garantojë votën nga jashtë nuk vjen, ndaj dhe ne po bëjmë këtë punë me shumë seriozitet dhe përkushtim. Do të vazhdojmë,  do të bëhet autonomia e plotë e kësaj kalbësire dhe me fakte. Urdhëroni çfarë nxori Kuçova. Në një numër të caktuar qendrash, 500 raste. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, një rast rrëzon zgjedhjet, fluturon mandatin, por këtu nuk ka ligj dhe as moral. 

Pyetje: Si ikën Edi Rama nga pushteti?

Sali Berisha: Edi Rama ikën me protesta të fuqishme të shqiptarëve të cilat opozita do ti organizojë.

Pyetje: Dëgjuam këtu raportin që keni publikuar, që kryesisht janë edhe deklarata apo tema që i keni trajtuar me gazetarët gjatë këtyre dy muajve. Por në asnjë fjalë nuk pamë një lloj përgjegjësie sado e vogël tek vetja apo PD. Z. Berisha, ju si drejtues i këtij koalicioni që garoi në 14 maj, a ndjeni përgjegjësi personale, apo si grupim që ju keni përfaqësuar për humbjen e këtyre zgjedhjeve. A mendoni se ka edhe qytetarë që nuk dalin të votojnë se nuk duan që Shqipërisë ti japin një alternativë, një person i cili është prej 30 vitesh në politikën aktive të vendit.

Sali Berisha: Së pari e kam theksuar disa herë që kjo është faza e mbrojtjes së votës. Pas datës 23 korrik që përfundojnë zgjedhjet në Rrogozhinë PD hyn në analizën e veprimtarisë së saj elektorale, e cila do të jetë një analizë e thellë, e plotë e tëra jashtë këtij konteksti. Mos të mendojë kush se ne për shkak të këtyre vëllimeve me dokumente do të pengohemi të bëjmë analizën më të plotë. Jo ne do e bëjmë analizën më të plotë. Përsa i përket problemi tim, Osman, ky ishte një rikthim shumë i suksesshëm, kur pa vulë, pa emër, pa një qindarkë, me gjithë këtë gjigandizëm të dhunimit të votës, 500 mijë idealistë nuk u mposhtën. A e kupton këtë që kjo është një lokomotivë që do të përmbysë Edi Ramën. Imagjino ti nëse do të kishte ecur, çfarë katastrofe do të ishte për Shqipërinë. Ndaj dhe këtu ti ndajmë gjërat.

Ju falënderojmë shumë për të gjithë ndjekjen që i keni bërë këtij procesi dhe ju ftoj të keni durim, se nuk ka mision më të madh se sa të mbroni votën e qytetarëve. Në rrafshin  e interesit publik, qytetarët shqiptarë nuk kanë interes më të madh, se sa të vërtetat elektorale.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale