Berisha: Edi Rama e ka mbyllur ciklin e tij. Vetëm një i çmendur mund ta imagjinojë se ai do qeverisë 4 vite të tjera. Sot shqiptarët folën më fuqishëm se kurrë! Ne do fitojmë. Shqipëria do fitojë! Shqipërinë do ta shpëtojmë!

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PROTESTËN E OPOZITËS

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në protestën kombëtare në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si një antishqiptar që e do Shqipërinë pa shqiptarë. ‘Edi Rama ky antishqiptar, e do Shqipërinë pa shqiptarë! Ai tejkaloi edhe parashikimet e Çubrilloviçit’, u shpreh Berisha gjatë protestës kombëtare të opozitës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Kryedemokrati Sali Berisha ka krahasur situatë politike në Shqipëri njësoj si në Rusinë e Putinit. ‘Sot në Shqipëri, si në Rusinë e Putinit, ndiqen dhe persekutohen nga prokurorët politikë, drejtuesit e forcave kryesore opozitare’, u shpreh Berisha gjatë protestës përpara Kryeministrisë.

Lideri i opozitës Sali Berisha theksoi se këto tre vite PD është përballur me luftën politike mafioze më të egër. ‘Por dolëm të pamposhtur! Sot jemi shumica e kombit shqiptar!’, u shpreh Berisha në protestën kombëtare te Kryeministria.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha theksoi se ‘me damkën më të zezë, sot Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, me liderin e opozitës të arrestuar politik pa asnjë fakt, provë apo dokument’. ‘Nëse çmimi për të mbrojtur shqiptarët qenka një ‘non-grata’ dhe një arrest pa prova, do ta bëja prapë edhe 1000 herë të tjera’, u shpreh Berisha në protestën kombëtare te Bulevardi Dëshmorët e Kombit.

Kryedemokrati Sali Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen me Partinë Demokratike për të lidhur për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. ‘Bashkohuni me ne për të lidhur besën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë!’, theksoi Berisha në protestën kombëtare të opozitës përpara Kryeministrisë.

Lideri i opozitës, Sali Berisha është ndalur te kryeministri Edi Rama, që sipas tij e ka mbyllur ciklin e tij. ‘Edi Rama e ka mbyllur ciklin e tij. Vetëm një i çmendur mund ta imagjinojë se ai do qeverisë 4 vite të tjera’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në protestën kombëtare të opozitës.

Kryetari i PD-së Sali Berisha e mbylli fjalën e tij në protestën kombëtare të opozitës, duke theksuar se ‘sot shqiptarët folën më fuqishëm se kurrë’. ‘Sot shqiptarët folën më fuqishëm se kurrë! Ne do fitojmë. Shqipëria do fitojë! Shqipërinë do ta shpëtojmë!’, u shpreh Berisha.

FJALA E PLOTE

Të dashur qytetarë dhe qytetare, demokrate dhe demokratë.

Misionarë të vërtetë të shpresës dhe të ardhmes së Shqipërisë. Një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju.

E errët dhe e gjatë si nata e dimrit, plot dhimbje e sakrifica të pamerituara kanë qenë për opozitën dhe për Shqipërinë 11 vitet e fundit.

Asnjë shqiptar, përveç hajdutëve dhe trafikantëve të Rilindjes, nuk ka shpëtuar pa marrë mbi trup dhe shpirt, të paktën një plagë nga dekada e Edi Ramës, dekada e zbrazjes së Shqipërisë.

Këto plagë do të mbeten përjetë shenja mbi ata që e pësuan.

Për shumë e shumë familje, kjo plagë ka qenë një familjar që sot do të ishte gjallë, nëse korrupisoni i Rilindjes nuk do kish përlarë ilaçet e tyre jetike.

Kjo plagë do dëmtoj për tërë jetën, shëndetin e 47% të fëmijëve shqiptarë janë të kequshqyer më keq se fëmijët në Ruandë.

Kjo plagë do të shoqërojë gjithmonë 15-vjeçarët e sotëm të Shqipërisë, që sipas PISA-s zbritën në fundin e botës për mendimin e tyre krijues.

Kjo plagë për shumë veta ishte një pronë e shembur padrejtësisht, një biznes apo fermë e falimentuar, ku kishin investuar mundin dhe djersën e gjithë jetës.

Është ajo plagë që sot kanë të rinjtë që, me gjithë mundin e sakrificat e tyre, nuk mund të sigurojnë as një garsionerë si fole, sa për të filluar jetën.

Kjo plagë është e madhe sa deti për Shqipërinë që sheh veten të zbrazur dhe boshatisur në 8 vitet nga mbi 1 milionë qytetarë.

Këto 11 vite, të gjithë shqiptarët, përveç rilindasve, janë dërrmuar.

Ky dërrmim u ka vrarë shpresën. U ka shuar çdo ëndërr për Shqipërinë.

Dhe me të drejtë.

Sepse si mund të kultivohet shpresa, kur nuk siguron dot ilaçet për të shpëtuar fëmijën apo prindin e sëmurë?

Kur të duhen 109 vite punë për të blerë në Tiranë një apartament?

Kur nuk siguron dot 3 vakte ditore për fëmijën e tij?

Prandaj, shpëtimi i vetëm mbetet largimi masiv nga Shqipëri.

Por, siç thotë populli ynë “e keqja nuk ka fund”, Shqipërisë sot i kanoset një kërcënim akoma më ekzistencial në vazhdim.

Sepse 83% e shqiptarëve që kanë mbetur, duan të ikin.

Pra, gjendemi përballë një katastrofe ekzistenciale.

Pra miqtë e mi, spastrimi etnik i butë i Shqipërisë, po ndodh.

Sepse Edi Rama, vendosi në Shqipëri mekanizmat, kushtet e kalkulueshme për zbimin e butë masiv të shqiptarëve nga Shqipëria.

Të dashur miq.

Shqiptarët janë një popull i vjetër europian.

Por, duhet thënë se ne kemi patur dhe kemi armiq, racist ndaj kombit, po aq të egër sa ç’ishin nazistat ndaj hebrenjve.

Nëntë dekada më parë, Vaso Çubrilloviç shkruante tezat e tij genocidiale “Dëbimi masiv i shqiptarëve”. I bëj thirrje çdo shqiptari t’i hedhë një sy këtij dokument famëzi antishqiptar.

Sepse aty do zbuloni një të vërtetë shokuese. Do shihni se platforma e dëbimit masiv të shqiptarëve e Çubrilloviçit dhe regjimi i Edi Ramës, ngjasojnë si dy pika uji.

Vaso Çubrilloviç, propozonte një metodë tinzare, përdorimin e shtetit për t’ua nxirrë jetën shqiptarëve.

Me taksa të larta, me një polici të pashpirt, me mbylljen e shkollave publike, me gjoba dhe arrestime masive, me shkatërrimin e banesave, me përjashtimin e shqiptarëve nga të mirat ekonomike, shndërrimin e pasurive përrallore të vendit të tyre në mallkim për qytetarët, e të tjera me rradhë.

Por më vonë OKB-ja, në nenin 2, të Konventës Ndërkombëtare Kundër Genocideve, të firmosur në vitin 1948, përcaktohen 5 lloje genocidi. Dhe njëra prej tyre është kalkulimi i kushteve të jetesës që sjellin shkatërrimin e plotë ose të pjesshëm të një popullsie.

Thënë këto miqtë e mi, çdo shqiptar sot duhet ta pranoj të vërtetën se vjedhjet e pangopura, taksat e larta, shndërrimi i krimit në votë dhe votës në krim, zëvendësimi i shtetit ligjor me narkoshtetin, shkatërrimet e institucioneve të kulturës, lirimi nga burgu i bosëve të krimit, kapja e drejtësisë, lufta ndaj opozitës së vërtetë, uria e fëmijëvë shqiptarë, grabitja e ilaçeve të të sëmurëve, nuk kanë qenë keqqeverisje, nuk kanë qenë rastësi. Jo dhe jo!

Ato kanë qenë kushte të kalkuluara jetese për nxirrjen e jetës së shqiptarëve, me të cilat Edi Rama tejkaloi edhe parashikimet e Çubrilloviçit. Ai, arriti të nxisë emigrimin e vullnetshëm nga Shqipëria të aq shumë shqiptarëve, sa asnjë pushtues tjetër në histori nuk ja kish dalë.

Ja pse Edi Rama, përballë skandaleve më të tmerrshme në historinë e Shqipërisë, nuk mban asnjë përgjegjësi, dhe nuk shfaq asnjë pendesë apo shenjë dhembshurie.

Sepse për Edi Ramën, gjithçka ishte pjesë e axhendës që vetë nisi, sapo mori pushtetin në vitin 2013.

Sepse Edi Rama, ky antishqiptar, e do Shqipërinë pa shqiptarë!

Dhe nëse sot ka ende ndonjë shqiptar, që mashtrohet nga Rilindja, kur thotë se “Shqipëria është në ditët më të mira” apo “kjo është Shqipëria që duam”, unë sot i bëj një ftesë:

Mos dëgjoni denoncimet e Sali Berishës, as edhe atë të Rai 3dhe dhjetëra media të tjera ndërkombëtare.

Por i ftoj të dëgjoni vetëm diçka; memorjen tuaj.

Kujtoni pak, se si vitin e tij të parë në pushtet, Edi Rama arrestoi 38 mijë shqiptarë të varfër për çështje civile, për fatura 30 mijë lekëshe të dritave.

Fill pas kësaj, Edi Rama realizoi kanabizimin e plotë të Shqipërisë, me qëllim ndërtimin e narkoshtetit.

Të gjithi ju e keni jetuar atë kohë.

Talleshin me shqiptarët. Nuk ka kanabizim – u thoshin.

Të gjithë jemi dëshmitarë se si Edi Rama, për zëvendësimin e shtetit ligjor me narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, emëroi në krye të rendit balozët e drogës Tahiri, Xhafaj, Balla; korruptoi, angazhoi si këshilltarë delinkuent si McGonigal, Coldea, vendosi lidhje direkte me Sinaloan e Meksikës, vëllai i tij Olsi udhëhiqte klanin e Xibrakes.

Të mos harrojmë miq, bashkë me kanabizimin e Shqipërisë, nisën vjedhjet më barbare të historisë së Shqipërisë. Shqipërisë ja thithen dhe palcën këto 10 vite.

Për të patur një ide të qartë për këto vjedhje, po ju kujtoj se këto 11 vite nga buxheti total i shtetit prej 57 miliardë Euro, vetëm 9 miliardë në total janë përdorur për rrogat e shqiptarëve. 47 miliardë të tjera janë zhdukur në honet e korrupsionit, me rrugët dhe rilindjen urbane që ndërtohen me çmime 4-13 herë më të shtrenjta se në Bashkimin Europian.

Disa miliarda Euro pasuri publike po vidhen nga Rama me Dubai Citin e tij në Portin e Durrësit.

Këta bastardë, zhdukën qindra milionë euro për një incenerator, që sot nuk ekziston dhe Duman mercenari amniston Erion Veliajn vetëm e vetëm se paratë i ka vjedhur me Edi Ramën.

Ilir Beqaj arrestohet për 150.000 euro të vjedhura nga fondet e BE. Një krim i tmerrshëm.

Por, u amnistua nga Dumani dhe nuk ka akuzë për 300 milionë eurot, që u ka vjedhur shqiptarëve së bashku me Ramën me PPP, me sterilizimin, Check-up dhe laboratorët.

Kjo është e tmerrshme.

Por, pse amnistohen Beqaj dhe Veliaj?

Pse dënohet Saimir Tahiri për shpërdorim detyre, kur në fakt ka bërë trafik ndërkombëtar droge?

Përgjigja është vetëm një. Kjo ndodh sepse koka e këtyre krimeve është Edi Rama.

Sepse drejtësia e re është bërë për të zbatuar urdhërat e Edi Ramës për procese politike dhe për të prodhuar statistika kallp, për mashtrimin e shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtare.

Sepse drejtësia e re është bërë për t’ua nxirë jetën duke pritur 15 vite për një vendim, pra për mohimin e drejtësisë shqiptarëve.

Miqtë e mi,

Gjithë këto zhvillime kanë sjellë një realitet të ri alarmant për shqiptarët – vjedhjen me taksa, tatime, prokurime, pasuri publike të miliarda e miliarda eurove. Ato kanë sjellë urinë e fëmijëve, vdekjet e mijëra e mijëra shqiptarëve për ilaçe. Ato kanë sjellë instalimin, vendosjen në Shqipëri, në vendin anëtar të NATO-s, të diktaturës të bazuar në aelancën e pushtetit me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, shndërrimin e votës në krim dhe krimit në vote, bllokimin e rotacionit politik. Sot në Shqipëri, si në Rusinë e Putinit, ndiqen dhe persekutohen nga prokurorë politikë drejtuesit e forcave kryesore politike opozitare, kandidatë të opozitës që zgjidhen kryetar bashkie burgosen, vetëm e vetëm se nuk plotësojnë interesat mafioze të Edi Ramës.

Ndërsa Edi Rama dhe Rilindja, kanë siguruar të paktën 15 breza, dhe mos më shumë me pasuri përrallore.

Ja pse Edi Rama kurrë nuk pranoi një faj apo përgjegjësi për kanabizimin e Shqipërisë, as për miliardat e vjedhura dhe nuk shfaqi një fije dhembshurie për shqiptarët e vetëvrarë, për fëmijët e urritur, për të rinjtë e braktisur, për pensionistat e harruar.

Ai, për të hequr përgjegjësinë nga vetja dhe ministrat e tij, nuk hezitoi as të shpallë mjekët armiq dhe t’i akuzojë për krime ndaj njerëzimit.

Edi Rama, ti ke bërë krime ndaj njerëzimit. Më keq akoma, ke bërë genocid ndaj shqiptarëve, ke nxitur emigracionin e vullnetshëm të tyre.

Ti, Edi Rama ke shitur interesin kombëtar, për të ruajtur pushtetin tënd.

Ti, Edi Rama me vllaun tënd antishqiptar Vuçiç dhe me armikun e shqiptarëve dhe mbarë njerëzimit Geroge Soros, kërkove të copëtosh trojet e Kosovës në vitin 2018.

Ti, Edi Rama i le të sëmurët pa ilaçe. Të rinjtë pa të ardhme. Fëmijët pa vakte ushqimi.

Ti, Edi Rama mbolle vdekshmërinë, solle Shqipërinë në buzë varri; vendi me më shumë vdekje se sa lindje, për të parën herë në historinë e saj.

Ky është realiteti i këtij dhjetëvjeçari për çdo shqiptar.

Kjo e vërtetë provon se Edi Rama është sjellë si një pushtues i egër ndaj shqiptarëve.

Por, kjo e vërtetë, ky realitet është dhe sfida e madhe historike e Partisë Demokratike.

Kjo është një betejë e madhe që Partia Demokratike, parti e përmbysjes së diktaturës dhe vendosjes së rendit demokratik, do ta fitojë.

Ne do t’i rikthejmë Shqipërisë Demokracinë!

Në betejë tonë, ne shënuam fitoren tonë të parë madhore, Fitoren për të vërtetën.

Pikërisht sepse ne bëmë opozitë të vërtetë u tentua, më shumë se një herë, asgjësimi ynë politik, por ja ku jemi sot, më shumë se kurrë!

Partia Demokratike u përball në këto tre vite me luftën politike mafioze më të egër, sikur të ishim në Rusinë e Putinit, Bjellorusinë e Lukashenkos, me përpjekje monstruoze për ta bërë atë si motër të Partisë-shtet, për t’i caktuar asaj kryetarin, për t’i shkatërruar asaj identitetin.

Por, ja ku jemi sot në këmbë, më të vendosur, më sovranë, më të fuqishëm se kurrë më parë.

Na sekuestruan flamurin, na detyruan të merrnim pjesë në zgjedhje pa komisionerë, pa buxhet, pa vulë dhe pa emrin e kryetarit në fletën e votimit.

Por, dolëm të pamposhtur!

Me damkën më të zezë, sot Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, me liderin e opozitës të arrestuar politik pa asnjë fakt, provë apo dokument.

Kjo, sepse Sali Berisha denoncoi i pari narkoshtetin, shumë vite përpara Rai 3. Sepse Sali Berisha kundërshtoi dhe luftoi në 2018, kundra ndryshimit të kufijëve të Kosovës, copëtimit të saj dhe Ballkanit të Hapur. Sepse Sali Berisha çdo ditë, këto 10 vite ka denoncuar çdo aferë të Edi Ramës, familjarëve, ministrave dhe zyrtarë të tij, por edhe korrupsionin ndërkombëtar.

Sepse Sali Berisha nuk pranoi bashkëqeverisjen me PS, të vendosur me marrëveshjen Rama-Basha.

Sepse Sali Berisha denoncoi kapjen e plotë të drejtësisë nga Edi Rama dhe drejtësinë e munguar për shqiptarët.

Dhe ua them sot këtu se, nëse kosto për të mbrojtur shqiptarët, interesat, dinjitetin, sovranitetin e tyre, qenka një “non grata” dhe arresti pa prova, do t’a bëja prapë edhe 1000 herë të tjera.

Zonja dhe Zotërinj,

Vetëm demokratët e kuptojnë, dhimbjen e luftës që na bënë.

Por ne nuk shtrimë qafën, ne qëndruam si shqiptarë që duam Shqipërinë, qëndruam me forcë, me vendosmëri, nuk u shitëm, nuk u dorëzuam, nuk krijuam parti të re dhe në fund fituam. Fituam betejën e ekzistencës tonë!

Fituam sepse kauza jonë ishte e drejtë, qëndruam për dinjitetin e shqiptarëve. Qëndruam për Shqipërinë me opozitë të vërtetë, për demokraci. Qëndruam për interesin dhe për flamurin kombëtar.

Dhe falë kësaj qëndrese, sot një flamur ngjyrë blu valëvitet përmbi korrupsionin, përmbi vjedhjet, përmbi krimet, si shpresa e vetme për shqiptarët, duke sjellë kështu fitoren e dytë madhore – Shpëtimin e opozitës.

Zonja dhe Zotërinj,

Por sot, në agun e fitores mbi diktaturën e dytë, ne jemi në misionin më të rëndësishëm por edhe të vështirë, që na mbetet për të përmbushur.

Tani bien boritë e luftës për shpëtimin e Shqipërisë!

Tani është lufta për flamurin e kombit.

Tani thirrja është Himni Kombëtar “Nga lufta veçse ai largohet”

Sepse kjo nuk është një betejë politike, miqtë e mi.

Kjo është një betejë për fatin e Shqipërisë.

Edi Rama, dhe mafia më e rrezikshme e planetit, mafia e George Soros, i kanë shpallur luftë flamurit, kombit dhe demokracisë shqiptare.

Edi Rama do një Shqipëri pa shqiptarë. Pa opozitë. Pa drejtësi. Pa kulturë. Pa dinjitet. Pa familje.

Prandaj, kjo luftë kërkon dhe meriton çdo sakrificë nga demokratet dhe demokratët shqiptarë, për një Shqipëri të shqiptarëve, vend i shtetit ligjor, demokracisë, prosperitetit, integrimit në Bashkimin Europian.

Por kjo luftë nuk do të luftohet dhe nuk duhet të luftohet vetëm nga Partia Demokratike.

Kjo është lufta e çdo shqiptari.

Prandaj kushtrimi im sot, shkon për çdo parti opozitare, tradicionale apo të reja qofshin ato, për shoqërinë civile dhe mediat. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtim i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka.

Bashkoheni me ne për qeveri teknike, zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë!

Kushtrimi im sot, shkon për çdo demokrate dhe demokratë, për socialistët e zhgënjyer dhe qytetarët e paparti, për shqiptarët kudo që janë. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtim i Shqipërisë.

Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka.

Bashkohuni me ne për të lidhur besën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë!

Kushtrimi im sot, është kushtrimi i flamurit kuq e zi. Është kushtrimi i një kombi që po tretet dhe po grabitet në mënyrë të lemeritshme.

Të bashkohemi për t’i thënë STOP me votën e lirë zbrazjes së Shqipërisë. Me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka.

Kushtrimi im është thirrja për bashkim!

Për çdo shqiptar.

Nëse kërkoni shpresë, kujtohuni që shpresa jeni ju.

Nëse kërkoni ndryshim, kujtohuni që ndryshimi jeni ju.

Nëse doni që Shqipëria të shpëtoj, mos harroni që jeni shqiptarë.

Jeni shqiptarët e trashëgimisë epike të Gjergj Kastriotit, të heroizmit të studentëve të ‘90.

Prandaj tani, si një front i madh opozitar, le të përballemi ne me pushtuesin më armiqësor të shqiptarëve të shekullit 21.

Prandaj shqiptarët do bashkohen në këtë luftë.

Jo për Sali Berishën. Jo për Partinë Demokratike. Jo për politikë.

Do bashkohemi për çdo prindër që nuk siguron dot vaktet e fëmijëve.

Do bashkohemi për çdo fëmijë që nuk merr dot më shumë se një – dy vakte në ditë.

Do bashkohemi për çdo të sëmurë, që i dorëzohet sëmundjeve sepse nuk ka ilaçet jetike.

Do bashkohemi për çdo të ri, që nuk ka asnjë mundësi për të nisur jetën në këtë vend të grabitur.

Do bashkohemi për t’iu rikthyer dinjitetin shqiptarëve.

Për t’i rikthyer votën e lirë shqiptarëve.

Për t’i kthyer Shqipërisë demokracinë dhe çelur asaj dyert e integrimit në BE.

Dhe rrugën e këtij bashkimi kombëtar, Partia Demokratike e ka shtruar.

Duke vendosur shembullin e bashkimit tonë në diversitet.

Çdo parti e madhe europiane, çdo partie e madhe amerikane, është e tillë sepse njerëz të ndryshëm, madje edhe kundërshtarë të ndryshëm, bashkohen në diversitet, për një të mirë madhore.

Sot edhe Shqipëria ka një parti të tillë. Ajo është Partia Demokratike e Shqipërisë.

Partia që tani ka mision të vetëm shpëtimin e Shqipërisë.

Dhe për këtë mision, bashkimi në diversitet i çdo force opozitare, do na bëj të pandalshëm.

Dhe siç na mëson historia, kur shqiptarët bëhen bashkë, mrekullitë ndodhin.

Me bashkim, Partia Demokratike e shpëtoi opozitën e vërtetë dhe flamurin e saj.

Me bashkim dhe mosbindje civile do arrijmë qeverinë teknike, zgjedhjet e lira dhe rotacionin politik.

Me bashkim, shqiptarët do shpëtojnë Shqipërinë dhe flamurin kombëtar.

Edi Rama e ka mbyllur ciklin e tij. Vetëm i çmenduri mund ta imagjinoj se Edi Rama do qeverisë 4 vite të tjera.

Prandaj, sot në emër të Partisë Demokratike, në emër të frontit të gjerë opozitar, në emër të çdo shqiptari që ka mbi trup edhe shpirt plagët e Rilindjes dhe në emër të flamurit kuq e zi, unë sot i jap këtë paralajmërim Edi Ramës:

Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme.

Qeveria teknike është zgjidhja më e thjeshtë për ty.

Ke bërë genocid ndaj shqiptarëve Edi Rama.

Nëse vetë ndërgjegja jote, do zgjohej një çast për të kuptuar çfarë i ke bërë Shqipërisë, ajo do ulërinte.

E përsëris Edi Rama, në emër të shqiptarëve, mos e drejto Shqipërinë drejt abisit, greminës.

Prano qeveri teknike. Me urgjencë.

Në gjithë Europën, sot po fryn era e ndryshimit.

Rotacionet po ndodhin në çdo shtet të Europës.

Por nëse në Europë, rotacionet po ndodhin, për zgjidhje të problemeve të botës së pare, Shqipëria sot po vuan problemet e një vendi në pushtim.

Prandaj, nuk ka si mos ndodhë rotacioni edhe në Shqipëri.

Nuk ka si të mos ndodhi rotacioni në Shqipëri, kur është shteti i vetëm në Europë që ka humbur 40% të popullsisë.

Rotacioni është çlirim!

Nuk ka si mos ndodhi rotacioni në Shqipëri, kur është shteti i vetëm në Europë me 47% fëmijë të kequshqyer.

Rotacioni është mirëqënie!

Nuk ka si mos ndodhi rotacioni në Shqipëri, kur është shteti i vetëm në Europë me liderin e opozitës të arrestuar.

Rotacioni është rikthim i Demokracisë!

Dhe me këtë rotacion, Shqipërinë e presin më në fund kohë të bukura.

Forca që shqiptarët kanë fituar nga 10 vjeçari dramatik i Edi Ramës, do t’i sjellin Shqipërisë demokracinë, zhvillimin dhe progresin e merituar.

Sot shqiptarët folën.

Shqiptarët lidhën besën për qeveri teknike.

Shqiptarët lidhën sot besën për zgjedhje të lira.

Shqiptarët lidhën besën për rotacionin e vonuar.

Ne do fitojmë. Shqipëria do fitoj.

Shqipërinë do ta shpëtojmë.

Sepse kur shqiptarët bashkohen, kur ata betohen, mrekullitë ndodhin.

Rrofshi ju! Rroftë Partia Demokratike!

Rroftë çdo shqiptar që sot ringjalli shpresën me pjesëmarrjen e tij në këtë protestë të besës historike!

Rroftë çdo opozitar që lufton për Shqipërinë!

Rroftë flamuri kuq e zi!

Rroftë Shqipëria!

Fitore, fitore, fitore!   

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale