FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN PËR PORTIN E DURRËSIT
EKSTRAKT
Në tryezën e diskutimit se ‘Si shpëtohet Durrësi, disa ide strategjike për Portin e Durrësit’ të organizuar nga ‘Brain Gain’ dhe PD, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vlerësoi rolin strategjik të Shqipërisë në rajon dhe rëndësinë e infrastrukturës, duke u ndalur veçanërisht te Porti i Durrësit dhe ndikimi i tij në zhvillimin ekonomik e gjeopolitik të vendit. Gjatë fjalës e tij, Berisha tha se pozicioni gjeografik i Shqipërisë e bën atë një nyje kyçe lidhëse me Evropën dhe botën, ndërsa investimet infrastrukturore si Rruga e Kombit dhe projektet hekurudhore e portuale kanë rritur ndjeshëm rëndësinë strategjike të vendit.
Gjatë fjalës së mbajtur në tryezën për shpëtimin e Portit të Durrësit, kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se, pavarësisht projekteve dhe gjeostrategjisë së portit të Durrësit, Edi Rama ka vendosur që ta shkatërrojë këtë port, për të ndërtuar ‘Dubain’ e tij me paratë e drogës. ‘Nga një anë Edi Rama krijon Dubain e 1001 netëve, bëhet super miliardieri i rajonit dhe i Europës me paratë e Frank Çopjas dhe të Çopjave dhe të Troplinëve, se aty shqiptarët duhet ta dinë, se Alabbar me kontratë investon gjithsej 70 milionë euro. Të gjitha të tjerat i investojnë kartelet e drogës. Kartelet e drogës pra plaçkitin pasurinë më të madhe publike të shqiptarëve, portin e Durrësit’, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh në tryezën e organizuar nga departamenti ‘Brain Gain’, se pasi Rama ka vendosur të shkatërrojë Portin e Durrësit, shqiptarët tani duhet të paguajnë 1.2 miliardë euro për të ndërtuar një port kotec në Porto Romano. ‘Tani duhet që shqiptarët jo vetëm të dorëzojnë Edi Ramës për Dubain e tij të 1001 netëve, portin e Durrësit, por duhet të paguajnë edhe 1 miliardë euro ose dhe më shumë, 1.2 miliardë euro për të ndërtuar një port kotec sa 1/4 e portit të Durrësit në Porto Romano. Nuk ka, e kam, e kam deklaruar dhe e deklaroj se kjo është një çështje, një rëndësie kombëtare të jashtëzakonshme. Nuk ka kryer kush një vjedhje të tillë, një plaçkë të tillë ndaj shqiptarëve, asnjë pushtues, asnjë perandori, as kërkush tjetër. Nuk ka shkelmuar kush si kjo qeveri interesa jetike strategjike të shqiptarëve’, theksoi Berisha.
FJALA E PLOTE:
Ju përshëndes ju, të gjithë të pranishmit dhe të rinjtë e ‘Brain Gain’ dhe të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Ne organizuam ose e ndjejmë të domosdoshme të shqyrtojmë nëpërmjet këtij departamenti përsëri në një hark kohor të shkurtër çështjen e portit të Durrësit, çështje kjo, siç theksuan parafolësit, e një rëndësie strategjike jashtëzakonisht të madhe, e një rëndësie strategjike të jashtëzakonshme për kombin.
Gjeografia është forcë natyrale përcaktuese. Pozicioni më perëndimor ose briri më perëndimor i gadishullit Ballkanik, pra, Shqipëria si briri më perëndimor i gadishullit Ballkanik, e bën vendin tonë vendin gjeografikisht më strategjik të këtij rajoni. Dhe në qoftë se Shqipëria, briri më perëndimor i gadishullit, është vendi më strategjik.
Natyrisht kjo sepse ka distancën më të shkurtër për të kaluar në bregun tjetër të Adriatikut, për t’u lidh me perëndimin, për t’u lidh me rrugë ujore transport me Evropën, por dhe me botën. Si vend, për rrethana më komplekse, ne kemi patur problem madhor zhvillimin.
Një seri faktorësh në një farë mënyre apo në një tjetër kanë ndaluar kohërat, por s’i kanë ndaluar plotësisht ato. Porti i Durrësit, e thotë Milan Shufflay, i ngjet Iriqit, i cili në kohëra të mira zmadhohet, lëshon shtat. Kurse në kohëra të vështira thotë, ai rrudhet, zvogëlohet.
Por as Shufflay dhe asnjë historian nuk kishte parashikuar se porti i Durrësit një ditë mund të zhdukej. Dhe se portin e Durrësit po e gllabëron korrupsioni. Po e gllabëron korrupsioni.
Thashë më sipër, Shqipëria me pozicionin më strategjik në rajon. Por duhet të jemi realistë. Rruga e Kombit i dha, ia përforcoi Shqipërisë këtë dimension në mënyrë të pandryshueshme.
Rruga e Kombit bëri që brigjet tona, portet tona të jenë më të afërtat, porte për rajonin dhe Evropën qëndrore nga rajoni. Rruga e Kombit në trajektoren më të shkurtër është autostrada më fizibël që mund të ndërtohej, është korridori më fizibël dhe një të dytë nuk mund të ketë kaq fizibël për shkak të të distancës që që që shkurton.
Rruga e Kombit ishte e parashikuar dhe duhet të jemi realistë, se pa rrugës së Kombit, një
trajektore ka qenë e parashikuar në fillim të shekullit që kaloi, si hekurudhë. Si hekurudhë. Austro-hungarezët parashikuan daljen në Durrës me hekurudhë, në Shkodër dhe në Durrës me hekurudhë.
Do të thosha se në vlerësimin e pozicionit strategjik të ujërave tona, në marrëveshjen e Washington-it midis Prishtinës dhe Beogradit, e firmosur në zyrën ovale, në prani të presidentit Donald Trump, parashikohej hekurudha Durrës, ose hekurudha Durrës-Prishtinë dhe parashikohej një port i thellë rajonal.
Një port i thellë rajonal. Dhe kjo hekurudhë, autostradë dhe porti do të përbënin element themelor të proceseve të zhvillimit dhe integrimit rajonal. Dhe integrimit rajonal. Këtyre proceseve të zhvillimit dhe integrimit rajonal, ose kjo hekurudhë dhe porti bëheshin të domosdoshme dhe plotësisht të mundshme për faktin se pozicioni i Shqipërisë ishte i tillë, i konkurronte të gjitha hyrjet e tjera në rajon.
Ju kujtohet se çfarë kundërshtie pati për ndërtimin e Rrugës së Kombit, e cila haptas, mund të thuhej se ndryshon gjeostrategjinë e porteve të rajonit. Përgjigja ime ishte e prerë, qëllimi im është gjeostrategjia e Shqipërisë. Nuk kam qëllim të dëmtoj asnjë port tjetër, por kam qëllim të shfrytëzoj në maksimum pozicionin gjeografik të brigjeve shqiptare në raport me rajonin.
Në këtë kuadër, pra është normale dhe e domosdoshme që porti të konsiderohet si një aset i një rëndësie strategjike shumë të madhe.
Si një hub, si një nyje, zhvillim me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e transportit, për rritjen e madhe të peshës së brigjeve shqiptare, gjireve shqiptare, në transportin ujor ndërkombëtar.
Çfarë ndodh?
Në mënyrë të papritur dhe jashtë çdo lloj përfytyrimi del një ditë prej ditësh Edi Rama dhe u thotë shqiptarëve se në portin e Durrësit do të ndërtojë Dubain e 1001 netëve. Do të zhduk portin e Durrësit. Do ta shtrojë në një port marine, ku do ndërtojnë në trojet publike të atij porti 12.000 apartamente, 12.600 apartamente, 6 hotele me pesë, gjashtë yje, pishina të standardeve më të larta dhe një marinë për 200 jahte.
Dhe do ndërtojë një port tjetër në Porto Romano, i cili do të ndërtohet nga, do të ndërtohet nga privati. Cilido që njihet me këtë projekt konstaton se qytetarëve shqiptarë po ju plaçkitet pasuria publike numër një. Nuk kemi asnjë pasuri tjetër publike ne që të kapë vlerën e portit të Durrësit.
Me trullin, me investimet e bëra, me kalatat, me të gjitha e të gjitha, ajo është pasuria publike numër një e shqiptarëve. Është më shumë se kaskada e Drinit. Dhe tani kjo asgjësohet. Asgjësohet. Po të ndalemi këtu. Që mund të ndërtosh një port tjetër më të madh se porti i Durrësit, kjo është normale dhe mund ta mund ta ndërtosh atë aty ku vendos.
Portet ndërtohen, thellimet realizohen, të përmasave që do, kjo është tashmë praktikë e njohur. Por, çfarë zbulojmë tani? Zbulojmë që porti i parashikuar për t’u për ndërtim, që duhet të ishte porti i thellë i i të gjithë rajonit, do të ishte vetëm 1/4 e kapacitetit të portit të Durrësit. A mund t’i imagjinojë kush?
Do të ishte fiks 1/4. Do të jetë 1/40 e Pireut. Do të jetë 1/8 e Selanikut. Faktikisht do të jetë Shqipëria pa port. De facto, kjo është, Shqipëria humbet portin e saj kryesor dhe ndërton një port kioskë sa 1/4 e tij. Nga një anë Edi Rama krijon Dubain e 1001 netëve, bëhet super miliardieri i rajonit dhe i Europës me paratë e Frank Çopjas dhe të Çopjave dhe të Troplinëve, se aty shqiptarët duhet ta dinë, se Alabbar me kontratë investon gjithsej 70 milionë euro.
Të gjitha të tjerat i investojnë kartelet e drogës. Kartelet e drogës pra plaçkitin pasurinë më të madhe publike të shqiptarëve, portin e Durrësit. Tani, të shkojmë pak më tutje. Në deklaratën e tij për ndërtimin e portit, Edi Rama u tha shqiptarëve se porti i ri do ndërtohet nga privati.
Ata privatët e Edi Ramës janë bota e nëndheshme. Ata japin paratë për apartamente, por nuk japin paratë për ndërtimin e porteve.
Tani porti i ri do të ndërtohet nga paratë publike, nga taksat e qytetarëve.
Pra, përveçse plaçkiten shqiptarët me një vlerë që shkon rreth 4 miliardë euro porti, me territorin e me të gjithë e të gjitha, duhet të paguajnë edhe 1 miliardë euro nga taksat e tyre për të ndërtuar një port kotec, një port sa 1/4 e portit ekzistues, të cilit në vitin 2013, ne e lamë projektin dhe kompanitë e mëdha të kontraktuara për ta thelluar, për ta thelluar në masën që të pranonte anije 50.000 tonshe.
Dhe ishte kompani nga më të fuqishmet gjermane e porteve që kishte fituar tenderin dhe që do të kryente punimet.
Tani, pra duhet që shqiptarët jo vetëm të dorëzojnë Edi Ramës për Dubain e tij të 1001 netëve, portin e Durrësit, por duhet të paguajnë edhe 1 miliardë euro ose dhe më shumë, 1.2 miliardë euro për të ndërtuar një port kotec sa 1/4 e portit të Durrësit në Porto Romano.
Nuk ka, e kam, e kam deklaruar dhe e deklaroj se kjo është një çështje, një rëndësie kombëtare të jashtëzakonshme.
Nuk ka kryer kush një vjedhje të tillë, një plaçkë të tillë ndaj shqiptarëve, asnjë pushtues, asnjë perandori, as kërkush tjetër. Nuk ka shkelmuar kush si kjo qeveri interesa jetike strategjike të shqiptarëve.
Ai port, porti i parashikuar për të qenë një nyje e fuqishme transporti, zhvillimi, lidhje, ai shndërrohet në një grykë shisheje, me 1/4 e kapacitetit të portit ekzistues. Dhe është pa diskutim, afera korruptive më e madhe sot në Evropë, ose më gjerë.
Nuk besoj në botë të ketë një aferë të tillë korruptive si kjo. Ndaj dhe e konsiderova dhe e mirëprita nismën për t’iu rikthyer përsëri këtij problemi madhor, për të debatuar së bashku, në mënyrë që të bëjmë të vetëdijshëm shqiptarët se ç’po ndodh, ç’po ndodh me njërin nga, me pasurinë e tyre publike më të madhe, por dhe më strategjike që ato kanë.
Ju falënderoj për, për nismën, për materialin që keni përgatitur, dhe për praninë këtu.
Përsëri deklaroj se ne do bëjmë gjithçka për ta mbajtur si çështje, si çështje të rëndësisë kombëtare çështjen e portit të Durrësit.
Faleminderit.


