Berisha: Edhe ndërkombëtarët pranuan se zgjedhjet ishin një farsë! Nuk do pranojmë kurrë një mandat mbi krimin. Bandat vepruan në 10 qarqe për të sjellë në parlament 30 deputetë të PS! ‘Ylli’ i kësaj fushate është famozja Sara Mile

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN ME DREJTUESIT POLITIKË

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen me drejtuesit politik në qarqe, deklaroi se, këto zgjedhje ishin më të plaçkitura në 33 vite.

‘Plaçkitja, grabitja më e madhe e votës në historinë 33-vjeçare të pluralizmit politik shqiptar. Në këto zgjedhje u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme se sa më i madh vjedhja dhe korrupsioni, aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe pas tyre vota në krim. Pra, rrethi vicioz i krijuar në këtë narkoshtet që krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim pati në këto zgjedhje proporcione të papara ndonjëherë më parë. Njeriu që grabiti zgjedhjet, regjimi që grabiti zgjedhjet e vitit 2025, të 11 Majit, nuk e bëri këtë fshehtas. Ai e bëri këtë publikisht duke përdorur për këtë qëllim të gjithë potencialin e narkoshtetit me vendime qeverie’, theksoi Berisha.

Gjatë fjalës me drejtuesit politik të qarqeve, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, gjatë këtyre zgjedhjeve bandat vepruan në 10 qarqe që të sillnin në Kuvend, 30 deputetë. Sipas tij, ‘ylli’ i këtyre bandave është Sara Mile në Elbasan, e mbështetur nga Suel Çela.

‘Këto banda kanë vepruar në dhjetë qarqe të vendit dhe në mbi 20 bashki me detyrën për të mbështetur dhe sjellë në parlament 30 kandidatë të PS. ‘Ylli’ i kësaj fushate është famozja Sara Mile, e cila arriti në 30 mijë, po tani po i ulin votat sepse bëhet barsoletë botërore se si e panjohura u bë më e votuara në zgjedhjet e narkoshtetit shqiptar’, deklaroi kryetari i PD-së.

Lideri i opozitës Sali Berisha ia ka bërë të qartë Edi Ramës, se gjysmë milioni shqiptarë të lirë nuk mund të shtypen kurrë. ‘Shpërndarjen e miliona bimë kanabis për të blerë votën. Në këtë mënyrë, Edi Rama ka poshtëruar një komb të tërë. Është dokumentuar një Asad i vërtetë.

Por nuk them Asad, por them Toto Rina, po mu kujtua Lajlaja se sot ai shpalli opozitë të vetme Linda Ramën dhe emëroi disa të tjerë opozitë të emëruar, Tom Doshin e të tjerë. Diktatorët ngjasojnë njëri me tjetrin. Pra, nuk ka detyrë mbi çdo detyrë tjetër është dokumentimi me vërtetësi dhe dokumenta të plota. Ne nisim një betejë të cilën ne do ta fitojmë’, theksoi Berisha në fjalën e tij.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur me drejtuesit politikë të qarqeve, u shpreh se, edhe ndërkombëtarët e kanë pranuar se, zgjedhjet ishin farsë. Berisha u shpreh se, se një parlament me mandat mbi krimin, nuk do të pranohet kurrë.  ‘Po ne kurrë, mandat mbi krimin nuk pranojmë se do ishte tradhtia më e madhe ndaj këtij kombi dhe ndaj këtij vendi.

Vëzhguesit, ambasadori Zanieri, përfaqësuesi i Parlamentit Europian, koordinatori Gahler, përfaqësues të tjerë, i thanë fjalët e tyre. Edhe dy komisionerët, me gjuhë diplomatike, de facto pranuan plotësisht se në zgjedhje u ndesh shteti elektoral me partinë politike, por që në këto moment, zgjedhjet janë një farsë elektorale’, theksoi gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetje ju drejtuesve politikë të qarqeve, një përshëndetje të veçantë kam dhe një mirënjohje të pakufishme për ata qindra mijëra qytetarë që në kushtet më të vështira, votuan si qytetarë të lirë për vlerat, idealet që besonin, votuan kundër një regjimi që në traditën më antidemokratike, më antikombëtare, ka shndërruar krimin në faktor kryesor elektoral, krimin në votë dhe votën në krim.

Por unë kam një mirënjohje të veçantë gjithashtu për të gjithë komisionerët, vëzhguesit, numëruesit, të cilët përballen prej tre ditësh me presione nga më të ndryshme dhe mbrojnë me integritet votën e qytetarëve shqiptarë.

Një falënderim për të gjithë strukturat e angazhuara në këtë proces, i cili pati si rezultat final plaçkitjen, grabitjen më të madhe të votës në historinë 33-vjeçare të pluralizmit politik shqiptar.

Në këto zgjedhje u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme se sa më i madh vjedhja dhe korrupsioni, aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe pas tyre vota në krim.

Pra, rrethi vicioz i krijuar në këtë narkoshtet që krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim pati në këto zgjedhje proporcione të papara ndonjëherë më parë.

Njeriu që grabiti zgjedhjet, regjimi që grabiti zgjedhjet e vitit 2025, të 11 Majit, nuk e bëri këtë fshehtas.

Ai e bëri këtë publikisht duke përdorur për këtë qëllim të gjithë potencialin e narkoshtetit me vendime qeverie.

Pra, ai shpërndau dhuratë për votë 70 milionë euro, 760 mijë pensionistëve, të cilët në hartën aktuale elektorale përbëjnë 48 përqind të votuesve në Shqipëri.

Kjo është shkelja publike më e rëndë, më e paprecedent.

Cilido që përpiqet të na bindë apo të na kundërshtojë ne se ky nuk është një megakrim elektoral, një blerje e hapur publike e votës, ose është bashkëpunëtor në këto para krimi, paguhet me këto para krimi që paguhet vota, ose pastaj nuk ka ABC-në më elementare të parimeve të zgjedhjeve të barabarta dhe të drejta.

Edi Rama nuk u përpoq të fshehë kësaj radhe asgjësimin e kodit zgjedhor dhe krimit elektoral.

Ai shpërndau në mes të fushatës 138 licenca për miliona bimë kanabisi. Mos harroni se një bimë kanabisi e ka prodhimin 1 mijë euro. Se si i ndau mafia e drogës bimët për vota, është shumë e thjeshtë. Por një bimë kanabisi është 1 mijë euro produkti.

Ai nuk e fshehu, por e bëri publike blerjen e votës kur dy ditë para zgjedhjeve fali më së paku 200 milionë euro gjoba dhe kamata të 10 viteve të fundit.

Cilat do qofshin përmasat e veprimtarisë kriminale të nëndheshme, këto publiket janë më të mëdhatë, më gjigantet, më të pashembulltat.

Për të mos thënë pastaj rreth 500 milionë euro prokurime, PPP-ra, koncesione, gjatë fushatës elektorale.

Që të gjitha për vota.

Për të mos thënë pastaj mbi 10 mijë punësime në qeverinë vendore, lokale dhe ndërmarrjet publike, që të gjitha punë për votë, punësim për votë.

E vërteta është se në këto zgjedhje, bandat kriminale kanë vepruar më të strukturuara dhe më të kontrolluara se asnjëherë më parë.

Këto banda kanë vepruar në dhjetë qarqe të vendit dhe në mbi 20 bashki me detyrën për të mbështetur dhe sjellë në parlament 30 kandidatë të PS.

‘Ylli’ i kësaj fushate është famozja Sara Mile, e cila arriti në 30 mijë, po tani po i ulin votat sepse bëhet barsoletë botërore se si e panjohura u bë më e votuara në zgjedhjet e narkoshtetit shqiptar.

Bandat, aty ku panë se puna e nëndheshme mund të mos realizonte objektivin, dolën haptas në shesh, në terren, në një seri bashkish, ndër të cilat në Vorë, në Peshkopi, në Mat dhe në Durrës, në Elbasan, në shumë rrethe të tjera.

Unë gjej rastin të shpreh një falenderim dhe mirënjohje ndaj të gjithë gazetarëve, të cilët me guxim, me trimëri kanë bërë publike të vërtetat, këtë aktivitet kriminal, i cili u ushtrua ditën e zgjedhjeve pa asnjë lloj kufizimi.

Pra, e vërteta është se zgjedhjet u rrëmbyen nga një narkodiktator që me një fuqi korruptive dhe që mendon se do mund të qëndrojë mbi mandatin e tij të krimit.

Tani, detyra numër një në këtë fazë, dhe prandaj unë u kam thirrur sonte këtu, u kam shkëputur nga puna, është mbrojtja e votës duke paraqitur dhe faktuar të gjithë universin kriminal të qarqeve tuaja.

Të gjithë ndërhyrjet kriminale në qarqet tuaja, çdo evidentim pasi beteja jonë për mbrojtjen e votës së shqiptarëve është betejë për fatin vendimtar të Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare.

Është betejë, të cilën ne do ta fitojmë sepse sot nuk ka shqiptar që e njeh veten të tillë dhe nuk pa me sytë e tij se si me vendime qeverie u grabitën zgjedhjet.

Nuk ka shqiptar që mund të pranojë për standard shpërndarjen e 100 eurove për person për të blerë votën.

Shpërndarjen e miliona bimë kanabis për të blerë votën.

Në këtë mënyrë, Edi Rama ka poshtëruar një komb të tërë. Është dokumentuar një Asad i vërtetë.

Por nuk them Asad, por them Toto Rina, po mu kujtua Lajlaja se sot ai shpalli opozitë të vetme Linda Ramën dhe emëroi disa të tjerë opozitë të emëruar, Tom Doshin e të tjerë.

Diktatorët ngjasojnë njëri me tjetrin.

Pra, nuk ka detyrë mbi çdo detyrë tjetër është dokumentimi me vërtetësi dhe dokumenta të plota.

Ne nisim një betejë të cilën ne do ta fitojmë.

Ne do ta fitojmë sepse së pari këto krime madhore elektorale janë krime të paralajmëruara dhe të denoncuara në rezolutat e fuqishme ndërkombëtare, si asnjëherë më parë.

Së dyti, dua të përshëndes vëzhguesit, të OSBE/ODIHR, Parlamentit Europian dhe të Këshillit të Europës, për konstatimet e tyre madhore, me të cilat këto zgjedhje de facto rrëzohen.

Por tani është radha jonë të dorëzojmë të faktuar të gjithë batërdinë elektorale të narkoregjimit në zgjedhjet e 11 Majit.

Me datën 16 fillon protesta për një sensibilizim të udhëheqësve europiane se ndodhen në një narkoshtet që nuk respekton asnjë rregull, asnjë parim të votës së lirë.

Dhe kjo jo se e themi ne, por që e thonë katër rezoluta ndërkombëtare të partive që qeverisin botën.

Deklaratat paraprake nuk mund të dekurajojnë ne në betejën tonë që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë, me zotimin solemn se me Edi Ramën nuk ka votë të lirë.

Por këto kohëra që vijnë, janë kohëra përcaktuese në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar për mbrojtjen e votës së shqiptarëve, për luftën për mbrojtjen e votës së shqiptarëve.

Kjo është një kauzë e drejtë, e dobishme, e vlefshme për çdo sakrificë.

Kjo është një kauzë e drejtë, e cila do triumfojë.

Mandat mbi krimin, legjitimitet mbi krimin nuk ka dhe nuk do ketë.

I them Edi Ramës se gjysmë milioni shqiptarë të lirë nuk mund të shtypen kurrë.

Harroje!

Gjysmë milioni njerëz të lirë janë më të guximshëm se shumë milionë të tjerë skllevër, njerëz të blerë apo të shitur.

Ndaj dhe ne duhet t’u dalim zot me vendosmëri të madh aspiratave të votës së lirë të gjysmë milioni shqiptarë.

Kemi bërë gjithçka për një proces të ndershëm zgjedhor.

E keni dëgjuar, dhe prapë u kërkoj ju, që gjer momentin e fundit, ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin.

Ne jemi parti e shtetit ligjor, nuk tërhiqemi.

Po ne kurrë, mandat mbi krimin nuk pranojmë se do ishte tradhtia më e madhe ndaj këtij kombi dhe ndaj këtij vendi.

Cilido që mendon se ne nuk kemi të drejtë, e ftojmë të njihet me dokumentet.

Cilido që mendon se opozita, më tha mua një majtist i pakorrigjueshëm në Strasburg, ti tha po kërkon të deligjitimosh Edi Ramën. Ky ishte një mik i Ilir Metës ky i majti.

Kur i tregova unë zvarritjen dhe goditjen e Ilir Metës, i thashë po ti e ke mik këtë, po ky deligjitimon veten.

Cilido që mendon se mund t’u shesë krimin elektoral shqiptarëve për legjitimitet, gjysmë milionë shqiptarë do kërkojnë drejtësi për procesin zgjedhor.

Atë që bënë me votën e diasporës, është edhe më e shëmtuar.

Të parambushura nga një dorë, nga një penë, nga një kuti.

Çfarë del aty është jashtë çdo lloj imagjinate.

Vota 90 përqind si në Korenë e Veriut për PS-në. Etj, etj.

Pra, misioni është sot më jetik se kurrë dhe ne do ta përmbushim misionin tonë.

Unë kam besim të madh se qëndrimi ndaj këtyre zgjedhjeve, si i shqiptarëve, ashtu edhe i komunitetit ndërkombëtar, do të bazohet në vlerësimin e parimeve ndërkombëtare dhe kodit zgjedhor të Shqipërisë.

Vëzhguesit, ambasadori Zanieri, përfaqësuesi i Parlamentit Europian, koordinatori Gahler, përfaqësues të tjerë, i thanë fjalët e tyre. Edhe dy komisionerët, me gjuhë diplomatike, de facto pranuan plotësisht se në zgjedhje u ndesh shteti elektoral me partinë politike, por që në këto moment, zgjedhjet janë një farsë elektorale.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale