KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën për mediat, ngriti akuza të rënda ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij, duke përmendur një takim në Aruba, të cilin ai e lidh me narkotrafikantët dhe grupe të shpallura si organizata terroriste nga agjencitë ndërkombëtare. Berisha deklaroi se ekzistojnë përgjime të agjencive të specializuara ndërkombëtare që konfirmojnë pjesëmarrjen e disa ministrave të qeverisë shqiptare në këtë takim, që sipas tij, ka pasur për objektiv diskutimin e çështjeve të lidhura me narkotrafikun dhe projektet e zhvillimit të Tiranës.
Ai theksoi se ky takim, që u zhvillua në vitin 2019, nuk është thjesht një kronikë e mediave shqiptare, por një dëshmi konkrete e lidhjeve të mundshme mes qeveritarëve dhe karteleve të drogës, të cilët janë shpallur tashmë si organizata terroriste ndërkombëtare. Berisha, duke përmendur interceptime të agjencive të antimafias italiane, theksoi se janë shumë indikacione që çojnë në përfshirjen e Edi Ramës në këtë ngjarje.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij se kanë lidhje të ngushta me organizatat narkoterroriste dhe ka theksuar se do ta dërgojnë dosjen e ‘Aruba’ në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe vendet partnere. Ai ka nënvizuar se, sipas tij, marrëveshja që u bë në Aruba përfshinte territore si Syri dhe Mali i Tiranës, duke e cilësuar këtë si një ‘mynxyrë’ për shqiptarët. Berisha ka akuzuar Ramën se nuk ka mohuar asnjëherë udhëtimin në Aruba dhe se po mbrohet nga përkrahës të fuqishëm, duke theksuar se ky bashkëpunim me narkotrafikantët ka sjellë rrezik për Shqipërinë dhe për rajonin. Sipas tij, ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e vendit dhe të rajonit.
Lideri i opozitës Sali Berisha u ndal te anulimi i vizitës së Edi Ramës në SHBA, duke ngritur dyshime mbi arsyet e vërteta të këtij vendimi. Sipas Berishës, kjo situatë lidhet me marrëdhëniet e kryeministrit shqiptar me organizatat narkoterroriste. Ai theksoi se pas Nicolas Maduros, Rama është i vetmi kryeministër i dokumentuar për lidhje direkte me struktura kriminale shqiptare dhe botërore. Berisha shtoi se këto fakte tregojnë izolimin ndërkombëtar të Ramës dhe rënien e imazhit të Shqipërisë në sytë e partnerëve perëndimorë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta edhe ndaj medias dhe institucioneve ndërkombëtare, duke theksuar se kryefjala e momentit është dosja e ‘Aruba’, një çështje që lidhet me akuzat për lidhje të mundshme të qeveritarëve shqiptarë me narkoterroristët. Ai e cilësoi këtë dosje si një prej çështjeve më madhore që ka të bëjë me veprimtarinë kriminale të qeverisë shqiptare, duke kërkuar nga NATO, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian që ta marrin me urgjencë këtë dosje.
Berisha e lidh këtë çështje me ndërtimin e ‘narkoshtetit’ të parë në Europë dhe ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës për mbështetje ndaj grupeve kriminale. Ai theksoi se, nëse nuk do të kishte kontroll të fortë mbi mediat, lajmet do të ishin përhapur me tituj të mëdhenj që akuzojnë Ramën si bashkëpunëtor të organizatave terroriste.
Më pas, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu përgjigj interesit të gazetarëve në lidhje me zhvillimet politike në vend, shkarkimin nga Edi Rama të Erion Veliajt, si kryebashkiak i Tiranës dhe takimet që do të zhvillohen me aleatët opozitarë për të nxjerrë emrin e kandidatit për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e pjesshme për bashkinë.

FJALA E PLOTE:
Kartelet shqiptare të drogës janë armiqtë më të egër të kombit shqiptar, të qenies së tij, njëherazi janë armiq të Ballkanit, të Europës dhe mbarë botës.
Unë kam përshëndetur dhe e përshëndes përsëri sot deklarimin e karteleve të drogës të Amerikës Latine si organizata terroriste dhe goditjen e tyre në përputhje me ligjet e terrorizmit ndërkombëtar.
Unë jam sot këtu para jush për të rikujtuar përsëri takimin famëzi të Arubas, që u bë midis qeveritarëve shqiptarë dhe grupeve të fuqishme të narkosit shqiptar dhe ndërkombëtar.
Tashmë, ky takim nuk është vetëm kronikë e medieve shqiptare.
Nuk është vetëm denoncim i Sali Berishës, i cili në atë kohë, po të bëni një kontroll të kronikave tuaja, të lajmeve, i kam shtruar drejtpërdrejt pyetjen Edi Ramës: Ke marrë pjesë ti në takimin e Arubas apo nuk ke marrë?
Takimi i Arubas, sipas interceptimeve, tani nuk kemi më hamendje, sipas interceptimeve të antimafies italiane, të publikuara në një libër që ka dalë këto ditë, është zhvilluar me datën 19 janar të vitit 2019.
Një grup ministrash, bashkëpunëtorë të narkoterrorizmit ndërkombëtar, kanë udhëtuar me një çarter në Aruba, që është një nga zonat më të hapura, më të lira të botës, protektorat i Mbretërisë së Holandës.
Interceptimet për arsye, ta themi politike, ndonëse i kanë emër për emër pjesëmarrësit qeveritarë në takim, nuk janë bërë publike.
Por autori nuk ka më asnjë dyshim se kanë qenë ministra, zyrtarë të lartë të qeverisë së Edi Ramës, dhe në mundësinë më të madhe, vetë Edi Rama.
Në një takim famëzi ku është diskutuar për Syrin dhe Malin e Tiranës, për kullat dhe stërkullat e Tiranës, sipas interceptimeve të sakta të antimafies italiane.
Këto interceptime disponohen dhe nga disa agjenci të tjera të vendeve partnere, Belgjika, Mbretëria e Holandës dhe agjenci të tjera.
Por unë citoj këto se kanë dalë në procese gjyqësore, nuk jam i autorizuar të citoj agjenci që nuk bëjnë njoftim se e disponojnë dosjen Aruba.
Pra, siç e shihni, ne kemi një kryeministër dhe një kabinet që është bashkëpunëtor i ngushtë i atyre që janë shpallur sot organizata narko-terroriste ndërkombëtare.
Edi Rama dhe ministrat e tij janë të vetmit në Europë, janë të njëjtë me atë të Venezuelës, me Maduron, të cilët kanë bashkëpunim të ngushtë me organizatat narkoterroriste të drogës.
Për shqiptarët dhe qytetarët shqiptarë, kjo është një mynxyrë.
Kur organizatat terroriste, narkoterroriste, detyrojnë ministrat dhe me përqindjen më të lartë vetë Edi Ramën, i cili nuk e mohon dot që ka qenë në Aruba.
I kam shtruar pyetjen disa herë në parlament dhe nuk e ka mohuar asnjëherë udhëtimin e tij në Aruba.
Pra, shqiptarët kanë në krye një organizatë kriminale me mandate parlamenti, me dekrete presidenciale për ministra, por që zhvillojnë takime me organizatat narkoterroriste të Amerikës Latine.
Ky është një lajm për të cilin PD do bëjë gjithçka. Do kërkojë nga vendet partnere… dosjen Aruba ne do ta dërgojmë në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe vendet partnere.
Edi Rama ka mbrojtësit e tij në aktivitetin e tij narkoterrorist, jo vetëm shqiptar, por edhe ndërkombëtar.
Por kjo në mënyrë absolute vetëm sa na imponon ne të jemi më këmbëngulës me përballjen me këtë veprimtari të tmerrshme kriminale, e cila pasqyrohet në dy drejtime themelore, në shndërrimin e zgjedhjeve në farsë elektorale, në shkatërrimin e euros dhe ekonomisë shqiptare, eksporteve, zëvendësimin e saj me narkoeuro dhe kullat e drogës dhe korrupsionit.
Pra, shkrimi i botuar në këtë libër që ka dalë këto ditë në Romë qartëson se marrëveshja ishte për Syrin apo Malin e Tiranës.
Të kesh në krye të ekzekutivit një kriminel si ky, që bën marrëveshje me organizatat terroriste, dëshmon se ky është një skllav i tyre.
Ky është një njeri i rrezikshëm çdo minutë, çdo orë, çdo ditë që qëndron në pushtet, jo vetëm për Shqipërinë, por për rajonin, Europën dhe botën.
A ka lidhje anulimi i vizitës së tij në SHBA me këto lidhje?
Nuk e di, nuk mund të them.
Por ajo që mund të them është se Edi Rama, pas Maduros, sot është i vetmi kryeministër i dokumentuar me lidhje direkte me organizatat narkoterroriste shqiptare dhe botërore.
Kryefjalë është Aruba.
Tani, unë do u përgjigjem zonjë, por të mos shpallim kryefjalë dhe kryedramë në moment kur paraqiten interceptime, jo më hipoteza, por regjistrime telefonike që qeveritarë të këtij vendi shkojnë me çarter, fluturojnë 13 mijë milje nga Tirana për t’u takuar me përfaqësuesit e klaneve kriminale dhe tashmë kjo nuk është kronikë e gazetave dhe portaleve të vendit, por është dosje e antimafies italiane, e cila thotë autori, fshihet në thellësitë më të mëdha. Politike është fshehja, pa diskutim.
Por autori thotë, ndodhet edhe në shërbime të tjera.
Unë i bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut të ndalet sepse një kryeministër i një vendi anëtar, që vë qeverinë në dispozicion dhe negocion me grupet narkoterroriste ndërkombëtare është rrezik për NATO-n.
Unë u bëj thirrje Komisionit Europian, Parlamentit Europian, me urgjencë të marrin dosjen Aruba se aty qëndron çelësi i të gjithë veprimtarisë kriminale të Edi Ramës dhe organizatës që ai kryeson.
Sepse aty zbulohet mekanizmi si u ndërtua narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë.
Prandaj, u lutem, nuk mund të ketë kryefjalë, nuk mund të ketë çështje më madhore.
A e imagjinoni ju se po të mos ishte kontrolli qeveritar mbi mediat, sot të gjitha mediat e vendit do ishin hapur me germat kapitale: Edi Rama, bashkëpunëtor i organizatave terroriste.
Ku janë këta tituj?
Dhe unë detyrohem të vij për t’iu kundërvu pikërisht censurës të tmerrshme të qeverisë ndaj këtyre lajmeve.
Imagjinoni, kryeministri dhe qeveria akuzohen se kanë udhëtuar 13 mijë kilometra në Aruba për t’u takuar me klanet më të rrezikshme të drogës, të Shqipërisë, Europës dhe botës.
A ishin në avionë edhe Troplinët, Çelët, Çopjat dhe me radhë?
Atë nuk e di, por aty thotë ministra, thotë qeveritarë.
Thotë se nuk dihet a ishte apo jo Rama.
Kur ai e shtron me dyshime… unë u garantoj që e kam pyetur disa herë Ramën edhe në parlament, çohu e thuaj, ke qenë në Aruba apo nuk ke qenë?
A u kujtohet ju një denoncim në Facebook nga unë, që e paraqet Ramën në aeroportin e Amsterdamit, i rrethuar nga policët, vetëm.
Po, e keni status. Udhëtimi më mistik.
A u nis me atë rast Rama në Aruba, unë nuk mund të them.
Por kjo është e vërtetë.
Unë dal këtu për të thënë të vërtetat që të tjerët i fshehin.
Sot, mediat, po të mbronin interesin publik të shqiptarëve, do të kishin kryetituj: Edi Rama i lidhur me organizatat e narkoterrorizmit shqiptar dhe ndërkombëtar.
Nuk janë, nuk janë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Daniela Maloku, ReportTv: Jo shumë larg nga këtu, në godinën qeveritare Edi Rama ka shkarkuar Erion Veliajn. Ju vetë një konferencë më herë keni deklaruar se, PD dëshiron që të dalë me një kandidat që të përfshijë të gjithë partitë aleate. A i keni nisur ju zoti Berisha negociatat me aleatët dhe mund të na thoni se, cilin prej aleatëve keni thirrur. Synoni të keni një kandidat vetëm me aleatët që i janë bashkuar më herët PD-së, apo edhe partitë e reja.
Sali Berisha: Unë jam këtu për tu thënë të vërtetën shqiptarëve për ato që ndodhin. Ju përmendët një mbledhje të Këshillit të Ministrave.
A e dini ju se çfarë po bëhet. Unë kam denoncuar arrestimin e Gjushit me qëllimin e vetëm, për ta futur në qeli me Erion Veliajn.
Çfarë po ndodh? Erion Veliajt po i kërkohet në mënyrë ultimative që të mos shkojë në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që të dalë nga burgu, të ndiqet i lirë dhe të ketë lehtësira.
Ky është misioni i Gjushit, që është një urith. E kuptoni vetë ju.
Tani vijmë tek mbledhja? Cili është varianti. Varianti është antikushtetues. Çfarë ka ndërmend tu thotë Edi Rama sot shqiptarëve. Nuk e shkarkova unë, thotë. Noterizova vendimin. Por kurrë, kurrë fuqia ekzekutive nuk është noterizuese. Kurrë.
Fuqia e ekzekutivit është fuqi ekzekutivi. Ndaj dhe quhet ekzekutiv.
Por si hipokrit dhe të mos përdor më epitete të tjera, kërkon tani të thotë se, unë po noterizoj vendimin e këshilltarëve, në mënyrë që, e rren mendja, që Erion Veliaj të mund të mos shkojë në Gjykatë Kushtetuese. A e kuptoni ju tani këtë. A mund të ja thoni ju mediave tani këtë.
Ai pikërisht ka përhapur në media fjalën se, unë vetëm po noterizoj, por gjen këshilltarë të çdo lloj ngjyre që mund të thonë çdo gjë, siç ju thotë ai. Ju i patë këshilltarët e bashkisë. E kam dëgjuar këto ditë ti quajnë skllevër. Jo more, e fyeni skllavin, po të krahasosh këshilltarin bashkiak të PS-së me skllavin. Nuk kishte shpërfytyrim njerëzor më të madh.
Mos harroni një gjë. Skllavi është me status, kurse këta shpërbëjnë karakterin e tyre, shpërfytyrojnë veten e tyre dhe mbajnë ato fjalë që turpërojnë çdo qenie njerëzore, çdo komb, çdo forcë politike, çdo shoqëri.
Tani Edi Rama mendon se, meqenëse Gjushi nuk pati efektin e duhur.
Noterizova thotë. Unë e dija se, ajo që kishte ardhur tek ju, kishte ardhur edhe tek unë. Pra, ai e shkarkoi dhe don tani që ti japë, ta çojë te harami. Atë e ka peng ai. Kanë rrëmbyer së bashku pronat e shtetit shqiptar, dhe të shpallin zgjedhjet dhe ai të mos shkojë dot në Gjykatën Kushtetuese.
Çfarë do thotë kjo? Kjo do të thotë shkelmim i Kushtetutës, i ligjeve dhe parimeve të shtetit. Për mua nuk ka asgjë të re. Ky është një narkoshtet.
Kam kaq vite që deklaroj se në Shqipëri shteti ligjor është zëvendësuar me narkoshtetin. Por kjo është një histori turpi, turpi.
Kur një njeri sillet si kryetar i një organizate kriminale për të cilin nuk ka kushtetutë, nuk ka kod, nuk ka ligj për qeverisjen vendore, por ka vetëm vullnete të liga.
Ja pra, urdhëro.
Nuk duhet kurrë që degët apo gjethen të na pengojnë me pa trungun. Trungu është këto që po them unë. Ky tani bën çdo gjë që atë të mos e lejojë të shkojë në Gjykatë Kushtetuese. Çdo epitet mund ti vesh këtij. Vetëm shtet nuk ekziston.
Ky vetë nuk pyet për vendimet e Gjykatës. A nuk është ky që djeg Kushtetutën për Oltën. Po. Nuk e pyet, e ka shndërruar në një leckë Gjykatën Kushtetuese. Por këto janë gjërat më të rënda për një vend.
Sigurisht unë nuk them se, nuk është i rëndësishëm, gara e këto, por gjë më të rënda se këto nuk mund të ketë. Ai e merr tjetrin, voton absolutisht në shkelje të ligjit.
Do thoni po ju? Jo është ndryshe, ne kemi kërkuar largimin e tij, kemi protestuar 46 jave, kemi kërkuar largimin e tij nga bashkia. Ne do votonim në mesnatë, në mesditë kundër tij.
Por këto që u hodhën mbi kangjellat e Skapit dhe të gjykatës dhe që ligjëronin aty apoteoza për lalë Vjedhësin, tani duan ti zhdukin çdo lloj hapësire ligjore dhe kushtetuese.
U bëj thirrje. Një thirrje kam unë për avoketërit e tij, kur ne sulmonim nuk duhet të heshtnin, se nuk mbronin më Erionin që nuk duhet ta mbronit në atë kohë, por i dilni zot parimeve kushtetuese, i dilni zot kartës Europiane të Autonomisë Lokale.
I dilni zot asaj që quhet siguri ligjor pa të cilën nuk ekziston shtet ligjor. Ja pra çfarë ndodh. Sigurisht të gjitha e kanë shpjegimin në Auruba.
Se një njeri, një njeri që sposton qeverinë dhe vetë do saktësohet. Unë e kam akuzuar, edhe ky shkrimi nuk e hedh poshtë, përkundrazi po ta lexoni me vëmendje më shumë e aludon se ka marrë pjesë dhe vetë, por vetë kuptohet aty duke redaktuar, fshi e fshi, emri i parë që do të fshihej është emri i kryeministrit.
Por kjo nuk mund të mbyllet më.
Sot do fillojmë, nuk janë në garë atletike me orë dhe sekonda.
Daniela Maloku, ReportTv: Do të keni sot një mbledhje me aleatët. Një ditë më parë, Rama tha se opozita do të hyjë në zgjedhje e humbur dhe do dalë edhe më e humbur prej saj. Ju keni një parashikim?
Sali Berisha: Padiskutim do të ketë marrëveshje me aleatët. Do të takohem me të gjithë, me aleatët që jemi në koalicion, dhe me gjithë spektrin opozitar.
Unë kam parashikimin tim, farsat janë farsa dhe nuk janë zgjedhje.
Unë kësaj pyetje i dhashë përgjigje dje.
Unë thashë që ne nuk bojkotojmë, se ka dy filozofi.
Por thashë dhe e them, farsat janë farsa dhe nuk janë zgjedhje.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Ende pa u firmosur shkarkimi i Veliajt si kryetar bashkie, PS ka nisur fushatën në Tiranë duke vënë si drejtuese të saj, Belinda Ballukun. Keni një koment për këtë?
Sali Berisha: Të komentosh për Lubinë, t’ia heqim atë Balluku, ta quajmë Lubi Tuneli. Fakti që u detyrua t’i votojë pa debat, duke provokuar, një nga shkaqet, përveç vetes së tij, ishte Lubi Tuneli.
Por e garantoj Lubi Tunelin këtu para jush se fatin e Erionit do të ketë.
E garantoj Lubinë se atë gjyq që i bënë Erionit këshilltarët, atë gjyq do i bëjnë Lubisë punonjësit e vet. Nuk ka… ngrehina e tyre po rrokulliset dhe do rrokulliset.
Ajo përbën një njeri që nuk njeh asnjë standard, asnjë ligj, asnjë rregull.
Ajo natyrisht përfaqëson… se e kam pak të vështirë se është edhe grua dhe nuk do të flas gjëra që nuk më shkojnë për sjelljen time… por them hajdute si ajo, Shqipëria nuk ka pasur në 200 vite.
Të siguroj që në qoftë se hyn edhe në 100 vitet e fundit të perandorisë, edhe në 100 vitet e shtetit, nuk gjen dot një hajdute si ajo. E papërmbajtur.
Kjo është vetëm një përpëlitje e Edi Ramës. Le që ato njëherë e urrejnë për jetë dhe vdekje njëra-tjetrën. Po, po, po. E urrejnë, e di ti.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Kreu i SPAK Altin Dumani pas takimit në Departamentin Amerikan të Shtetit, ka zhvilluar takime dhe në Malin e Zi dhe Serbi, me fokus kartelet e drogës. A keni ju informacione apo indicie se, klanet malazeze apo serbe kanë përdorur portin e Durrësit si pikë kyçe për të kaluar lëndë narkotike dhe a janë pastruar këto para në ndërtim në Tiranë, apo në bregdet.
Sali Berisha: Të dhënat janë të hapura. Antimafia italiane solli dosjen Troplini, Elvis Doçi.
Dhe Altin Troplini nuk e arrestoi.
Jo vetëm që nuk e arrestoi Elvisin, por u dha Troplinëve, pas kësaj ngjarje, Edi Rama u dha pesë kulla dhe 12 ndërtime në tokë publike.
Sepse Altin Troplini ka asgjësuar ligjin antimafia të vendit. Nuk e zbaton.
Merr hotelin tek Shkëmbi i Kavajës. Kanë implikuar kompaninë prestigjioze. Edi Rama ka lidhur Açor-in me Elvis Doçin, me Troplinët.
Dosja e Troplineve thoshte se nga porti i Durrësit, droga që vinte, shpërndahej drejt Italisë dhe Gjermanisë në dhjetëra tonelata dhe qindra kuintalë.
Po, janë të gjitha në dosje.

