Berisha: E nderuat 22 marsin! Nuk ka paqe me Edi Ramën, beteja tjetër do jetë edhe më madhështore dhe më e fuqishme

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PROTESTËN KOMBËTARE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur në fund të protestës kombëtare të 22 Marsit, falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen, duke e cilësuar tubimin si një nga më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit në vitet e fundit. Ai u shpreh se, protesta shënoi një moment të rëndësishëm simbolik, pasi përkon me përvjetorin e përmbysjes së regjimit komunist, ndërsa e krahasoi situatën aktuale me një ‘diktaturë të re’. Berisha theksoi se qytetarët ‘e nderuan më shumë se kurrë këtë datë historike’, duke shtuar se kjo ishte vetëm një fazë e përballjes politike.

Kryedemokrati Sali Berisha i bëri thirrje Edi Ramës që të dorëhiqet sepse nuk ka rrugë tjetër. Sipas tij nuk mund të ketë ‘paqe’ me qeverinë aktuale, të cilën e akuzoi për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. ‘Kjo ishte një betejë e shkëlqyer dhe ju garantoj se tjetra do jetë edhe më e fuqishme. Për Edi Ramën nuk do ketë më asnjë strehë,’ u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha u ndal edhe te incidenti i raportuar gjatë protestës, duke e cilësuar atë si një akt që, sipas tij, ‘rrit vendosmërinë e qytetarëve për të vazhduar betejën paqësore’. Berisha paralajmëroi se aksionet opozitare do të vijojnë dhe se shumë shpejt do të njoftohet protesta e radhës, duke theksuar se qëllimi kryesor mbetet largimi i qeverisë aktuale nga pushteti.

Në përgjigje të interesit të mediave për formatin e protestës, Berisha u shpreh se Partia Demokratike do të vijojë të përshtasë strategjinë e saj, por theksoi se prioritet mbetet ‘mbrojtja e interesave jetike të qytetarëve’ dhe rrëzimi i qeverisë.

Kryetari i Partisë Demokratike falënderoi qytetarët e shumtë që iu bashkuan protestës dhe bëri thirrje për vijimin e mobilizimit: ‘Le të vazhdojmë këtë betejë deri në fitoren e plotë. Demokratët nuk mposhten kurrë.’

FJALA E PLOTE:

Një përshëndetje vëllazërore, një mirënjohje të pakufishme.

Me guximin, trimërinë, qëndresën tuaj nderuat më shumë se kurrë këtë datë historike të kombit shqiptar, përmbysjen e diktaturës komuniste 34 vite më parë.

Por njëkohësisht i dhatë edhe goditjen më të merituar diktaturës së sotme.

Kjo ishte një betejë e shkëlqyer dhe u garantoj se tjetra do jetë dhe më e shkëlqyer dhe se për Edi Ramën nuk do ketë më strofull, nuk do ketë më vrimë miu ku do futet.

Kryengritja paqësore e shqiptarëve do u japë atyre ndëshkimin që meriton.

Do ta çojë tek etërit e tij mizorë.

Keni qenë të shkëlqyer… nuk di domethënë se si e nderuat kaq shumë sot 22 marsin.

E tmerruat Edvin Kristaq Ramën.

Prandaj dhe ne le të zotohemi në këtë shesh se nuk ka paqe në këtë vend me ata të cilët kanë vjedhur dhe vjedhin si hijena pasuritë publike të shqiptarëve dhe pasurohen vetë.

Përdorin ligjet dhe mandatet e krimit për të mbrojtur vjedhjet e tyre.

Qëndresa jonë, ndëshkimi ynë do të bjerë mbi ta dhe ata do përfundojnë në Lanë.

Do përfundojnë në koshat e plehrave të historisë.

E patë vetë ju si e kishte rrethuar nga të katër anët me policë.

Po ka rrethim që na pengon ne? kurrë mo kurrë!

Prandaj Edi Rama jep dorëheqjen sa më shpejt.

Jep dorëheqjen se do të tërheqim ashtu siç s’ta pret mendja.

Ardit Hoxha, EuroNews: A mund të sqaroni pak incidentin që ndodhi me ju personalisht, çfarë ju hodhë, spraj, gaz lotësjellës?

Sali Berisha: Ajo që bëri Edi Rama ishte një akt i shëmtuar, por ajo vetëm sa rrit vendosmërinë e kryengritësve paqësore për ta hedhur sa më shpejt në Lanë atë dhe regjimin e tij.

Ne jemi në një betejë dhe në këtë betejë ne nuk kemi të ndaluar.

Sot ne fituam një betejë, sot ne zhvilluam betejën më të bukur në tërë ekzistencën tonë, por edhe më madhështore dhe e fuqishme do të jetë ajo vjen.

Ardit Hoxha, EuroNews: Kur…

Sali Berisha: Shumë shpejt do e njoftojmë. Nuk ka paqe me Edi Ramën. Me Edi Ramën ka vetëm betejë gjer në largimin e tij nga pushteti së bashku me hajdutët që e rrethojnë.

Ndaj dhe një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, ndaj të gjithë atyre qytetarë që u bënë zëri i Shqipërisë, zëri i kombit shqiptar me protestën e tyre.

Le të vazhdojmë ne këtë betejë gjer në fitoren tonë të plotë.

T’i shporrim këta kusarë që nuk kanë ligj, as moral.

Edhe njëherë, mirënjohje ndaj jush, të vazhdojmë betejën.

Fitorja është e jona.

Ishte një demonstratë e shkëlqyer.

Domethënë tejkaloi çdo lloj projekti. Tjetra do jetë edhe më madhështore. Më e shkëlqyer.

Nuk ka paqe më.

Për Edi Ramën ka vetëm atë që meriton dhe shumë shpejt.

Atëherë pra, mirënjohje ndaj jush dhe ndaj të gjithë atyre që u angazhuan në këtë betejë epike.

Demokratët nuk mposhten kurrë.

Daniela Maloku, ReportTv: A funksionon kjo lloj proteste, protesta marshim, apo mbase do të ishte më mirë që qytetarët të kishin dëgjuar dhe fjalimet tuaja.PD në broshurat që ka shpërndarë ka shkruar si arsye për të protestuar edhe rritje të çmimit të naftës. Sot nuk u dëgjua asnjë fjalim. A mos do ishte më mirë që të ktheheshim tek kjo lloj proteste.

Sali Berisha: Tani, PD është partia që ka marrë përsipër misionin për përmbysjen e këtij regjimi.

Në mënyrë absolute agjenda e saj do të shkojë gjithnjë duke u pasuruar dhe duke mbrojtur interesat jetike të qytetarëve shqiptare.

Por ajo që është imperative, ajo që është jetike largimi me urgjencë i Edi Ramës dhe bandës së tij nga pushteti.

Mirupafshim së shpejti tani në betejën tjetër.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale