Berisha: E enjtja është dita e shqiptarëve! Të mblidhen para parlamentit për t’i dhënë përgjigjen më të merituar bastionit të krimit, drogës dhe mafies

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN E KUVENDIT

EKSTRAKT

Gjatë seancës së sotme plenare, kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, akuzoi në foltoren e Kuvendit qeverinë dhe institucionet e sigurisë për lidhje me krimin dhe mbrojtjen e interesave mafioze.

Berisha e cilësoi parlamentin si një institucion që nuk mbron interesat e qytetarëve shqiptarë, por i shërben “narkoshtetit”. Ai deklaroi se Kuvendi “nuk meriton të qëndrojë i mbledhur asnjë orë, asnjë ditë”, duke akuzuar mazhorancën se mbron interesat e saj politike dhe personat e lidhur me krimin.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij Berisha ia kushtoi Shërbimit Informativ Shtetëror dhe sigurisë kombëtare. Ai akuzoi drejtimin e institucionit për përfshirje në një skemë kriminale dhe kritikoi mazhorancën për shmangien e një debati parlamentar mbi sigurinë e vendit dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.

Berisha akuzoi gjithashtu deputetët e mazhorancës, duke i akuzuar për lidhje me krimin dhe për mbrojtjen e qeverisë. Në fjalën e tij ai përmendi disa prej emrave më të njohur të botës kriminale, duke deklaruar se parlamenti është kthyer në “zëdhënës të grupeve më të egra mafioze të Europës”.

Kreu i PD-së vijoi me kritika ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se ka vendosur interesat e pushtetit dhe të grupeve kriminale mbi interesat e qytetarëve dhe të shtetit. Berisha deklaroi se mazhoranca po mbron qeverinë dhe zyrtarët e saj, ndërsa shmang përballjen me çështjet që lidhen me sigurinë kombëtare.

Në pjesën e fundit të fjalët së tij, Berisha kritikoi ashpër mazhorancën për mënyrën se si po trajton problemet e qytetarëve dhe e cilësoi qëndrimin e saj si “hipokrizi”. Duke iu referuar një episodi nga një novelë e Çehovit, ai akuzoi deputetët se janë shkëputur nga qytetarët dhe u bëri thirrje të përballen me reagimin e zgjedhësve.

Fjalimin e mbylli me një thirrje për mobilizim qytetar. “E enjtja është dita e qytetarëve! E enjtja është dita e shqiptarëve! Është dita e të rinjve!”, deklaroi Berisha, duke u bërë thirrje shqiptarëve të mblidhen në protestë ditën e enjte pranë Kuvendit.

“Për t’i dhënë përgjigjen më të merituar këtij institucioni, bastionit të krimit, të drogës dhe mafies shqiptare”, tha Berisha në përfundim të fjalës.

FJALA E PLOTË

Ky parlament nuk meriton të qëndrojë i mbledhur asnjë orë, asnjë ditë. Ky parlament është shndërruar në një shërbëtor të shpifur të narkoshtetit. Është shndërruar në një dhunues flagrant të interesave më jetike të qytetarëve shqiptarë.

Ky parlament është shndërruar në një institucion turpi që po i shërben në verbëri absolute narkoregjimit, narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, padrinos së Shqipërisë. Për çdo qytetar shqiptar, për çdo patriot shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij, çështja më themelore është çështja se si piramida e sigurisë së tyre u faktua totalisht piramidë e narkoshtetit, e krimit, e karteleve të drogës.

Dhe ju, në vend se të spostonit çdo gjë nga axhenda dhe të sillni këtu debatin për goditjen fatale, përfundimtare të shtetit shqiptar nga narkoshteti, asgjësimin përfundimtar të shtetit shqiptar nga narkoshteti i Edi Ramës, ju bëni sikur po derdhni lot krokodili. Për kë, mor? Për ata qytetarë që ju i urreni, për ata qytetarë që ju i përçmoni, për ata qytetarë që ju i vidhni nga mëngjesi gjer në darkë, për ata qytetarë të vjedhur e të mjeruar nga qeveritarët tuaj, të cilët ju i mbroni këtu për vjedhjet që kanë bërë. Nuk ka patur kurrë një parlament të shpërfytyruar si ky parlament. A e dini çfarë do të thotë apo jo?

Shefja e Shërbimit Informativ, anëtar i grupit të strukturuar kriminal! Për cilin grup thoni ju? Grupit kriminal më të rrezikshëm në Europë! Grupit që dispononte qindra milionë euro për llogaritë e Edi Ramës në AKSH, në kopshtin e tij privat. Grupit që kontrollonte internetin dhe komunikimin e mbarë vendit. Grupit që kontrollonte të gjitha sekretet shtetërore. Grupit që në një akt pabesie, në një akt dhunimi flagrant të konventave ndërkombëtare, me urdhër të padrinos vuri në kontroll misionet diplomatike. Vuri në kontroll delegacionet e huaja, duke kërcënuar në mënyrë të padiskutueshme sigurinë e tyre në Shqipëri.

Çfarë jeni ju more? Avoketër të akteve të tilla? Sepse vetë, një pjesë e juaja është anëtar bandash. Sepse vetë një pjesë e juaj ka porositur vrasje. Sepse vetë një… po, po, me dokumenta. Një pjesë e juaj ka bërë pazaret më të fëlliqura me kartelet e drogës. Dhe tani bëheni avoketër të Edi Ramës dhe Vlora Hysenit. Si more mund të cënoni në këtë mënyrë? Po çfarë kujtoni ju? A e dini ju që SHISH-i është një institucion dhe jo një person? A e dini ju që ai është aty… kjo… mund t’i vësh çdo epitet po s’po e prish gojën time… ka shkatërruar, ka ndërtuar organigramën më të rrezikshme për vendin. Dhe ju kujtoni se do shpëtoni në këtë mënyrë. Ju vini mbi interesat e shqiptarëve dhe sigurisë së tyre, mbi interesat e Shqipërisë, por dhe mbi interesat e Aleancës së Atlantikut të Veriut, e bashkëpunimit ndërkombëtar, interesat mafioze të një njeriu që s’ka ligj as moral dhe që sillet si padrino në këtë vend, dhe ju si skllevër të tij. Si ka mundësi more? Unë e kuptoj, lidhjet tuaja me krimin ju detyrojnë ju të mbani qëndrime të tilla. Si mund të shmangni ju një debat para shqiptarëve, në një kohë kur shefen e shërbimit të tyre informativ e rekrutojnë bandat, mafia, kartelet? Ku e gjeni ju këtë moral dhe këtë justifikim? E gjeni në faktin se ju jeni skllevër të padrinos.

Skllevër të padrinos! Ky parlament duhet të zhduket sa më parë. Jo s’përfaqëson, po ky shkelmon çdo orë interesat e shqiptarëve. Si mundet?

Pra, si mundet? Si mundet kjo kështu? A jeni shqiptarë ju? A nuk është Shërbimi Informativ Kombëtar një institucion i rëndësisë më të veçantë për sigurinë e shqiptarëve? Pra, dhe ju dëshmoni se s’keni asnjë interes shoqëror. Se nuk keni as interese kombëtare. Se nuk keni asnjë interes për këtë shtet dhe për këtë vend. Se jeni skllevër të pasurimit tuaj, të vjedhjeve tuaja dhe të lidhjeve tuaja me krimin. Se, o mor jo, po të mos ishin këto ju Edi Ramën e bënit, e kishit zhveshur lakuriq, ja kishit nxjerrë të gjitha.

Po problemi është se mbroni ato tuajat aty. Ndaj dhe nuk qëndrohet më këtu në parlament. Ky parlament nuk ka moral të ekzistojë. Ky parlament është zëdhënës i grupeve më të egra mafioze të Europës. Është zëdhënës i Nuredin Dumanit! Ku e keni atë… ku e keni ju, ma thoni pak? Zëdhënës i lindjeve të AKSHI-tt. Zëdhënës i Suel Çelës. Zëdhënës i Troplinëve. Zëdhënës i Bajrëve. I vrasësve serialë, i Altin Hajrëve. Zëdhënës i hajdutëve të miliardave si Edi Rama. E kuptoni apo jo? Shefja e Shërbimit Informativ Kombëtar, anëtare e atij grupi që ka kryer çdo lloj krimi, nga vrasjet, pengmarrjet, tek plaçkitja e qindra milionëve. Apo heshtni se edhe ju e keni pirë atë çorbë, e keni ngrënë atë çorbë. Ndaj dhe heshtni ju. Skllevër.

Si ka mundësi? Çfarë interesash keni ju? Anti-qytetare! Nuk lejoni ju, do mbroni nderin e zonjës Hyseni. Ku ka nder ajo mor! Faqezezë! Që pozicionin më të lartë të besimit e shkelmon. A nuk ju duket vetja se jeni më ulët se ajo vetë, duke u bërë avokatinë e saj? Po kur e bën ai, ju sigurisht ngushëlloheni, gjeni ngushëllim. Ai e bën, se ai tani është në një spiral, do ta shihni ju. Nuk del më. Jo nuk del nga ky spiral, ja u them unë ju. Mbrojeni! Po absolutisht bashkë me të do përfundoni secili prej jush. Po! Mbrojeni! Secili prej jush do ketë fatin e tij. Do ndani fatin e tij, ja u them unë.

Keni ndërtuar piramidën më të tmerrshme të krimit që ka Europa sot. Nuk ka një regjim tjetër si ky, që të jetë nga themelet e gjer në çati i bazuar në krimin, siç është ky regjim. Si mund ta shpjegoj këtë ndryshe? Vetëm kjo.

Ndaj dhe, hipokrizia se sot po diskutojmë për hallet e qytetarëve, më rikujton atë novelën e Çehovit.

Dy gjahtarë e vranë në pyll rojën, se po gjuanin shpezë. Shkuan e futën duart në xhepa, i gjetën një cironkë. Lëri, tha, se nuk dua t’i hamë se jemi në kreshmë. Kreshmë, apo kishin hall se e vranë? Kishin hallin e kreshmës pra, ai. Pra, edhe ju jeni katandisur. Këtu bëj një pyetje. Shkoni pak dhe pyesni njerëzit tuaj. A ndihen të turpëruar? Se nuk janë bashkëautorë me ju në vjedhje. Shkoni pyesni pak zgjedhësit tuaj. Ata u marrin me vezë, se s’duan t’jua shohin surratin. Kudo që shkoni nëpër rrugë, qytetarët vërsulen kundra jush. I meritoni të gjitha! E enjtja është dita e qytetarëve! E enjtja është dita e shqiptarëve! Është dita e të rinjve! Ndaj dhe u bëj thirrje shqiptarëve, kudo që janë e kudo që s’janë, të mblidhen të enjten tek ky parlament, për t’i dhënë përgjigjen më të merituar këtij institucioni bastion të krimit, të drogës dhe mafies shqiptare. Të padrinos dhe mafies shqiptare.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale