Berisha: E enjtja do të jetë një betejë e fortë parlamentare, duhet të jemi gati

FJALA E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR

Është një mbledhje pune, shumë e rëndësishme, për shkak të rendit të ditës tepër i veçantë. Janë buxheti i shtetit për të cilin deputetët e PD-së kanë përgatitur 23 amendamente, kanë thirrur dhe në interpelancë Edi Ramën.

Amendamentet e paraqitura përbëjnë natyrisht një përmbysje reale të planifikimit dhe shpërndarjes së buxhetit, nga një buxhet për tu vjedhur në një buxhet në shërbim të qytetarëve, nevojave të tyre, rrogave dhe pensioneve të tyre, më të ulëtat në rajon dhe me këtë buxhet bëhen edhe më të ulëta siç e paraqitën ata.

Në amendamentet e paraqitura janë përparësuar përveç rrogave dhe ponsioneve ku kërkohet 25% për pagat dhe pensionet me një rritje shumë të ndjeshme. Janë përparësuar buxheti për arsimin, i cili përsëri është diskriminuar.

Është përparësuar buxheti për shëndetësinë.

Janë përparësuar lëvizje dhe masa fiskale në favor të qytetarëve për të ulur përballimin e çmimeve të tmerrshme që ka sot.

Ka disa amendamente që ne i mbështesim plotësisht siç janë ulja e TVSH-së në 6% për ushqimet dhe energjinë elektrike. Barazimi i TVSH-së në produktet bujqësore. Heqja e aksizës së gazit, limiti i arkës, rimbursimi i të gjitha dëmeve të Covid për bizneset.

Ka një amendament për krijimin e fondit rezervë të KESH në mënyrë që dëmshpërblimi i të përmbytureve të mos jetë çështje mundësie, por detyrimi real dhe ligjor, ku KESH duhet të mbajë një fond rezervë prej 15 milionë eurosh, për të dëmshpërblyer të përmbytura në zonat ku janë vendosur digat.

Përmbytja e fundit siç është bërë e qartë, ishte kryekëput përmbytje e diktuar nga vjedhja qeveritare. Nëse ka patur një ndryshim të motit të paralajmëruar me saktësi të madhe, për hir të së vërtetës si nga Gjeoshkenca shqiptare edhe ato stacionet italiane, ka qenë ndryshimi i motit fundjavën e kaluar, me precizion, me intensitetin e tyre dhe me çdo gjë.

Por ato ndryshime moti, nuk bllokuan Edi Ramën dhe Ballukun të vazhdojnë vjedhjen me import energjie. Mbajtën të mbushur liqenin e Komanit dhe nuk prodhonin energji, hapnin portat në një masë të caktuar pa prodhuar energji.

Komani siç e dini është një liqen me kapacitet të kufizuar. Diapazoni mes kuotës minimale dhe maksimale është i vogël dhe do një përkujdesje të veçantë.

Ditët kur mund të prodhonin energji, këta blinin energji me një çmim 230 euro megavatin, në një kohë që sot e shesin me 79 euro megavatin.

Akti i tyre është kriminal dhe i papërgjegjshëm, pasi ligji i detyron se në çdo vendim që marrin për hapjet e portave, duhet të njoftojnë autoritetet vendore dhe ata marrin masa, njoftojnë popullatën, që të kenë parasysh atë që mund të ju vijë. Kjo nuk ka ndodhur.

Kanë hapur dy tunelet e Komanit, portat e Komanit dhe kanë hapur të gjitha tunelet dhe portat e Vaut të Dejës.

Kaq i madh, kaq i fuqishëm ka qenë vërshimi sa ka ngritur me themel urën e Bahçallëkut. Jo të këpusë vetëm hekurat, jo, ka marrë bazamentin e urës. Gjysma është zhdukur. Nuk kishin parë ndonjëherë banorët, dhe njeriu që i përmbyti ato ka 2 ditë që gënjen.

Në vend që të kërkojë ndjesë, në vend që të shkarkojë të gjithë zinxhrin përgjegjës për përmbytjen, nuk di çfarë flet. Nuk shkoi dot në Shkodër, tinëzisht shkoi në Obot. Kopjoi një pjesë të udhëtimit tim dhe u kthye siç shkoi.

Rama bën gjithçka që të mos dëmshpërblejë, por këtu do i sjellim. Do të shpërblejë qindarkë për qindarkë. Ne do i çojmë përpara ligjit. E përgëzoj zotin Spahia që i denoncoi, pavarësisht se ky e SPAK me vete, por padia mbetet.

Nuk shkonte dot në Shkodër, por shkonte në Sukth për të justifikuar Sakon për ballon e saj. Në kulmin e përmbytjeve, Sako bënte ballo për kryeministrin te Kodra e Kuajve.

E përgëzoj Mit’hat Hazbiun, qytetarin trim dhe guximtar, i cili i tha; çfarë vjen këtu në Sukth, këtu skemi. Kur kemi përmbytje ti nuk vjen, kur kemi nuk vjen. Shko në Shkodër, se atje ka përmbytje. Ky u soll me tërbim dhe përfundoi në spital ai. I bërtiste qytetarit: Burg, burg, burg.

Sikur të ishte i ati, apo Spiro Koleka në vend të tij.

Ndaj dhe ky amendament është shumë i rëndësishëm, sepse ligji shqiptar dhe çdo ligj i botës thotë, ai që përmbyt, ai të paguan.

Dëmshpërmblin për të përndjekur politik dhe kjo është e domosdoshme. Ky proces duhet të kishte përfunduar sipas të gjitha parashikimeve ligjore. Ky me një të rënë të lapsit përjashtoi 6 mijë shqiptarë, familje të të pushkatuarve për të përfitur dëshmpërblimin simbolik në këtë rast, sepse jeta nuk shpërblehet me asgjë. Ky për të justifikuar veprën e etërve të tij, i përjashtoi dhe ne do të insistojmë me të madhe.

Amendament tjetër shumë i rëndësishëm është anulimi i të gjitha pagesave të PPP-ve në shëndetësi, përveç hemodializës. Që të gjitha janë vepër e tmerrshme korruptive e Edi Ramës, Beqajt dhe kësaj zonjës që nuk kam çfarë emri ti vë, sepse është shumë problematike për menaxhimin që i bën sistemit.

Për pedagogët kërkohet rritje prej 30% e pagave. Ky mendovi se i shtypi, jo e vërteta është se universiteti, studentët po ziejnë dhe ne do të mbrojmë rritjen e rrogave të tyre dhe përsëri mbetemi larg Prishtinës.

Ne mbështesim kërkesën për dyfishimin e ndihmës ekonomike, detyrimisht.

Mbështesim kërkesën për votim elektronik në bashkinë e Durrësit dhe atë të Elbasanit. Një amendament që duhet ta përballojë buxheti.

Heqja e TVSH-së për inputet bujqësore, e mbështesim plotësisht.

Pra, në tërësi janë 23 amendamente, të cilat e transformojnë buxhetin nga një buxhet për t’u vjedhur nga qeveritarët, në një buxhet për të lehtësuar dhe ndihmuar qytetarët.

Është një transformim rrënjësor i buxhetit, ndaj dhe ju lutem që secili prej jush, dhe ju falënderoj për kontributin që keni dhënë me këto amendamente, punën me shumë përgjegjësi që keni bërë, dhe ne, do bëjmë çdo përpjekje që të mbrojmë këto amendamente jashtëzakonisht të rëndësishme për një fytyrë të re dhe organizim të ri të buxhetit të shtetit.

Beteja është e ashpër, hajdutët që vjedhin nga mëngjesi në darkë, nuk ndalen dhe nuk ngopen, e kanë mendjen vetëm të vjedhja dhe do të mbrojnë vjedhjet e tyre.

Çështje tjetër jashtëzakonisht e rëndësishme e rendit të ditës është afera mafioze, korruptive, më e madhe ndoshta jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe të Europës, porti i Durrësit.

Porti i Durrësit përbën aktin më madhor të krimit ekonomik, të një organizate të strukturuar kriminale, me të cilën shqiptarëve u plaçkitet pasuria numër 1 publike kombëtare e tyre. Përbën aktin mafioz në të cilën Edi Rama shkriu aksionet dhe me ish-kreun e opozitës, për ti bërë gjëmën shqiptarëve dhe pluralizmit politik. Përbën aktin dhe kur e them këtë, duhet të sqaroj shqiptarët, se kur mediat njoftuan se menaxheri i Emmar dhe ai i kompanisë familjare Basha, ishte i njëjti person, çfarë ndodhi. U them këtu atyre që mendojnë se po bëj politikë; nuk po bën politikë. E konsideroj këtë një nga zhvillimet më tragjike në historinë e një vendi, nuk po bëj politikë.

Ky menaxher doli e tha se, unë dhashë dorëheqjen nga kompania Basha. I pari që e besova se dha dorëheqjen isha unë. Por unë e gjithë ata që besuan se kjo ndodhi, gabuan. Se pikërisht kjo nuk kishte ndodhur, ishte një mashtrim, se 1 muaj më vonë ky dopjomenaxher u gjet se vazhdonte detyrën në kompaninë Basha.

Pra menaxheri nuk dha dorëheqjen nga Emmari, nuk deklaroi se unë do të dorëhiqem si menaxher i Emmar dhe do të qëndroj si menaxher i Bashës. Jo, ai tha unë po jap dorëheqjen nga Basha dhe pas 1 muaj deklaroi se nuk kishte dhënë dorëheqjen dhe vazhdonte në të dyja kompanitë.

Këtu ky përbën një akt shekspirian në kuptim e gllabërimit të kreut të opozitës me një aferë mafioze dhe është aspekti i tretë shumë i shëmtuar i marrëveshjes për Portin e Durrësit.

Por nuk janë vetëm këto.

Sot të nderuar deputetë, kompania Gjermane EMS Shiping&Tradind GmbH e referuar më tej si EMS i është drejtuar me një letër parlamentit shqiptar. Kompania ka një kontratë 35 vjeçare për kalatën lindore të Portit të Durrësit. Ka një detyrim investimi vetë mbi 15 mln euro. Kompania i drejtohet parlamentit thotë; ne kemi shqyrtuar projekt marrëveshjen kuadër së bashku me anekset dhe relacionin shpjegues të publikuar në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit. Projekt ligji dhe projekt marrëveshja kuadër bie ndesh me kontratën e koncensionit të EMS-së.

Kompania konstaton se qeveria apo binomi Rama-Balluku po mashtrojnë.

Sipas relacionit shpjegues, të projektligjit, aktiviteti i portit të Durrësit, as nuk do ndërpritet dhe as pengohet gjatë zhvillimit të projektit.

Kompania thotë se gjuha e relacionit, edhe pse e paqartë, nuk është në dijeni të një afati kohor brenda të cilit qeveria shqiptare është në gjendje të ndërtojë një port të ri.

Sipas kontratës, EMS thotë se ruan të drejtën që të marrë masa ligjore për përfundim të parakohshëm të kësaj kontrate, që mund t’u kushtojë shqiptarëve 200-300 milionë euro pa asnjë hezitim.

Shqiptarët do paguajnë haraçin, përveç 2 miliardë për portin e ri, do paguajnë edhe gjobat e tmerrshme.

Me portin janë vërsulur Rama-Balluku-Vengu për ta falimentuar sa më parë.

Me një akt të padëgjuar, porti është shndërruar në një institucion kredidhënës. I jep 5 milionë euro portit të Vlorës, i jep 4 milionë euro Albcontrolit.

Duan ta falimentojnë me çdo kusht.

Blihen makineri të reja, miliona e miliona euro, nuk përdoren.

Porti, falë investimeve shumë serioze që janë bërë, sot ka një kapacitet përpunues prej 8 milionë ton në vit.

Gjer tani, ai ka arritur në shifrën 4.8 milionë ton.

Tani çfarë ndodh?

Anijet do devijohen në Igumenicë, Selanik dhe në Tivar. Të gjithë këtë devijim, nuk e paguan njeriu që shëtit me avion me dhomë gjumi luksoze. Ai pasurohet me apartamentet që po shiten që në ajër, pa themel.

E paguajnë qytetarët e thjeshtë, e paguajnë në mallra dhe gjithçka që blejnë.

A mund të veprojë një njeri në këtë mënyrë? Vetëm ai që është verbuar, që nuk ka të ngopur në të vjedhur mund të veprojë kështu.

Prandaj ne, të gjitha këto çështje madhore për portin, duhet t’ia bëjmë të qartë shqiptarëve.

E ka vënë çështje të parë në rend dite, ne do qëndrojmë me forcën më të madhe të fjalës. Do përpiqen të na bllokojnë.

Nuk njohim bllokim ne më në parlament.

Se ai ka urrejtje patologjike për fjalën, për parlamentin, për opozitën sigurisht.

Ndaj edhe parashikohet një betejë parlamentare shumë e fortë, shumë e fuqishme.

Duhet, zotërinj deputetë, të mbrojmë me vendosmërinë më të madhe, interesat e qytetarëve shqiptarë, interesat e publikut te porti i Durrësit.

Ne kemi dorëzuar në Gjykatën Kushtetese padinë, por ne do ngremë komision hetimor parlamentar. Do përfshijmë edhe portin e Vlorës dhe Sarandës.

Ky faktikisht po i heq Shqipërisë, ato që ajo i ka pasur në shekuj.

Por kushdo që lexon, Durrësi është fillimi i rrugës Egnatias. I gjithë fluksi i asaj rruge kalonte nga Durrësi në Kostandinopojë dhe e kundërta dhe ky tani do ta shndërrojë në portin Rama-Alabar, marinën se u kanë mbetur jahtet, nuk kanë ku ti strehojnë jahtet e  tyre me çuçin dhe Velistat.

Përveç kësaj, është shkelja më flagrante e MSA. Janë tre nene që kërcënojnë Shqipërinë me bllokimin e negociatave.

Është një nga portet më strategjike të rajonit dhe ky e shndërron në portin e familjes së tij. Ky e trajton Shqipërinë si plaçkën e familjes së tij. Absolutisht.

Ndaj dhe nesër e kemi një ditë shumë të rëndësishme në parlament. Duhet të përgatitemi me të gjitha mundësitë tona që të mbrojmë interesin publik se kurrë ndonjëherë këto nuk janë imagjinuar se do të ndodhin. Çfarëdo që ka qenë Shqipëria, një marrëveshje plaçkitëse nuk është paraqitur ndonjëherë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale