DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA
Thelbi
Kryetari i PD është ndalur në deklaratën e sotme për media në ‘varrosjen’ që po i bën SPAK dy aferave më të rënda politko-ekonomike, çështjes Rama-McGonigal dhe inceneratorëve. Berisha denoncoi faktin se inceneratori i Tiranës u shpall nga Altin Dumani, shefi i SPAK, si një sipërmarrje që nuk i dihen pronarët. Ai theksoi se mosbllokimi i fondeve, me pretekstin e Dumanit se është pengesë arbitrazhi, është i pavend sepse çështja mund të çohet në gjykatë dhe çdo arbitrazh është i detyruar të marrë parasysh vendimin e gjykatave të vendit.
Sipas kryetarit të PD skandaloze ishte edhe deklarata e kreut të SPAK për aferën McGonigal. “Në një kohë kur drejtësia amerikane po i konfiskon atij të gjitha pronat dhe vazhdon dy procese: njëri prej të cilëve lidhet kryekëput me Shqipërinë. Kreu i akuzës speciale deklaroi dje se kjo është një çështje e shkuar”, tha ai.
Deklarata e plotë:
Mirëdita!
Jam sot para jush për t’iu deklaruar shqiptarëve se SKAP-i është një institucion kryekëput seksion i PS. Një mburojë e padepërtueshme e korrupsionit, vjedhjeve monstruoze të qeveritarëve shqiptarë. Të organizatës kriminale që organizohet nga Edi Rama.
Nuk kam patur asnjë, ua kam deklaruar shqiptarëve këtë në mënyrat më të përsëritura, natyrisht bazuar në fakte, në qendrime të pakundërshtueshme të këtij institucioni.
Por, këtë e konfirmoj në mënyrë përfundimtare. Deklarata e kreut të SKAP-it, Altin Dumani për dy nga çështjet më tronditëse, më themelore të korrupsionit në Shqipëri, për problemin e inceneratorëve dhe problemin me Uotërgejtin e shekullit të 21-të, problemin Rama-McGonigal.
Lidhur me problemin e inceneratorëve, tragjikomedia e kësaj afere është e pakufijshme.
Inceneratori i Tiranës, është një kontratë e cila iu kushton shqiptarëve 420 milionë euro, mbi bazën e firmave që janë vendosur në këtë kontratë. Inceneratori i Tiranës u shpall nga Altin Dumani, komisari politik i SKAP-it, si një sipërmarrje që nuk i dihen pronarët. Ky incenerator gllabëron çdo ditë si lubi qindra e mijëra euro të taksapaguesve shqiptarë nga një grup mafioz, i cili ka në krye Edi Ramën, Engjëll Agaçin, Erion Veliajn, dhe disa emra të tjerë.
Dy fjalë do t’i them z.komisar Dumanit se pretendimi juaj që nuk dihen pronarët, iu akuzon shumë rëndë ju dhe institucionin tuaj.
Së pari, le të marrim për të vërtetë atë që ju thoni, se nuk bllokoni dot fondet se nuk dihen pronarët. A mund t’ju thoni shqiptarëve: çfarë iu pengon ju zotëri, të dërgoni në gjykatë aferën, sepse ju paraqitët si pretekst pretendimin se janë arbitrazhet? Çdo arbitrazh është i detyruar të marrë parasysh vendimin e gjykatës së vendit.
Në afera të tjera është procedurë në këtë mënyrë, por ajo nuk ishte SKAP, ishte Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ju nuk e dërgoni dot në gjykatë, sepse jeni në kontrollin dhe në mbështetjen e plotë të asaj bande që vjedh shqiptarët.
Së dy, kontrata e Inceneratorit të Tiranës është e firmosur në shkeljen më flagrante të kodt civil të Shqipërisë. Nuk ka gjykatë që nuk rrëzon atë kontratë, për sa kohë në Shqipëri dhe kudo në botë, kodi civili është kushtetuta e kontratave. Ju nuk e bëni këtë, sepse ju jeni mburojë e qeveritarëve që kryejnë këtë vepër mafioze, këtë vjedhje të tmerrshme.
Unë sot këtu dua të shtroj disa pyetje për shqiptarët.
Kush është personi i cili shkelmoi strategjinë e hartuar me financimin e KE për trajtimin e mbetjeve për të cilin u shpenzuan 4 milionë euro, dhe e hodhën në kosh atë? Askush nuk mund ta bënte një gjë të tillë, përveç kryeministrit të Shqipërisë, i cili për krijimin e sipërmarrjes së djegësave, shkelmoi dhe hodhi në kosh strategjinë e trajtimit të mbetjeve, e trajtuar nga KE.
Cili autoritet mund të hidhte në kosh shkresat zyrtare të agjencisë publike të prokurimeve të firmosura nga drejtori, Edmond Ahmetaj, se kontrata me negociata të mbyllura është antiligjore, dhe se nuk ekziston në legjislacionin e Shqipërisë. Një akt të tillë kriminal ka kryer Edi Rama dhe Engjëll Agaçi. Askush tjetër nuk mund të bënte një shkelje të tillë, por edhe kjo mbrohet dhe injorohet nga SKAP-i i partisë.
Cili është personi që kaloi 17 procedura në 24 orë, në mënyrë të rrufeshme për Inceneratorin e Elbasanit. Arben Ahmetaj thotë që: ‘Unë nuk mund ta lëvizja qeverinë.’ E vërteta është që qeverinë mund ta lëvizë vetëm një njeri, dhe ky quhet Edi Rama.
Ndaj edhe Dumani nuk i gjen dot pronarët fundorë të Inceneratorit të Tiranës.
Kush e urdhëroi Lefter Kokën të firmosë kontrata qindra milionë euroshe, në një kohë kur në buxhetin e tij si Ministri Mjedisi, nuk kishte asnjë qindarkë. Kush ia dha këto garanci? Përveç kryeministrit të Shqipërisë, këto garanci nuk mund t’ja jepte asnjë njeri.
Kush e urdhëroi Lefter Kokën të firmosë kontratat me kompani për menaxhimin e mbetjeve, në një kohë kur ligji këtë atribut ua njeh qeverive vendore, dhe de facto, sot qarku i Elbasanit ka shpallë një tender tjetër për djegësin e Elbasanit, të gjitha qeveritë vendore të qarkut.
Kush vendosi në kontratë pikën e pamundësisë së ndërprerjes së kontratës? Kjo shkelje flagrante me ligjet në tëq gjithë botën. A nuk mjafton kjo pikë që të merren në ndjekje penale të gjithë ata që shkelmuan mbi interesat e vendit dhe vendosën këtë klauzolë në kontratën e djegësave.
Prokuroria e partisë është mburojë e këtyre shkeljeve të rënda ligjore. Pse Edi Rama miratoi bonusin me një vendim qeverie prej 8% për kompaninë fituese të Tiranës, në një kohë kur 3 nga 5 ministra e kanë refuzuar atë. Njëri prej tyre i deklaroi me shkrim, se kjo kompani nuk ekziston. E kujt ishte kompania? Edi Rama një veprim të tillë mund ta bënte vetëm për kompaninë e tij. Si ka mundësi që në të gjithë djegësat, në të gjitha proceset qarkullojnë të njëjtët emra?
A nuk përbën falsitet firma e Erion Veliajt në emër të qarkut, në një kohë kur qarku është institucion kushtetues dhe nuk përfaqësohet nga kryetari i Bashkisë së Tiranës? A nuk përbën falsifikim firma e Erion Veliajt në emër të Këshillit Bashkiak, në një kohë kur Parlamenti zyrtarisht dhe ligjërisht ka kryetarin e tij?
A nuk janë këto akte të rënda që dëshmojnë se afera është kryekëput Rama-Veliaj dhe Agaçio? A nuk ishte Erion Veliaj në janar të vitit 2022 që deklaronte se SKAP-in e kishte të vetin dhe do të ia ndërsente Federatës Shqiptare, apo cilitdo që t’i dilte kundër vullnetit?
Unë iu them shqiptarëve, vetëm dje, Thesari i Shtetit i ka paguar hajdutëve mafizoë me në krye Erion Veliajn dhe Edi Ramën për Inceneratorin e Tiranës 600 milionë lekë pagesa.
Zoti Dumani deklaroi se nuk dimë pronarët dhe na dalin të tjerë. Bankat nuk bëjnë kurrë transferta tek pronarë fals. Bankat verifikojnë para se të bëjnë transfertën, të gjithë përfituesit nga transferta. Ndaj është dhe ajo e famshmja: folloë the money. Por, në qoftë se Dumani dhe prokurorët e partisë ndjekin paret, atyre iu del Edi Rama, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi, dhe këtë ata s’mund ta bëjnë.
Të pretendosh se nuk dihen pronarët, do të thotë të injorosh me dhjetëra e dhjetëra denoncime kurajoze të mediave, të cilat për hir të së vërtetës kanë nxjerrë pronarët në të gjitha transferimet e aksioneve me guxim.
Para 4 muajsh u lirua një nga dëshmitarët kryesorë të djegësave, një shtetas italian, Langinoti, i cili tri ditë më parë plasi bombën. Dëshmoi se Erion Veliaj dhe jo vetëm ai, sollën në Shqipëri inceneratorin rrangall, hekurishte të çmontuar kundrejt pagesës nga qeveritarët vendorë të Konstancës në Rumani.
Për SKAP-in e partisë interesi publik nuk ekziston. Ata e kishin këtu dëshmitarin, por duket se lirimi i tij kishte të bënte pikërisht, me akuzat që ai mund të bënte drejt Erion Veliajt. U organizua një lirim i shpejt në mënyrë që ai të vazhdonte jetën e tij. AI duhet falënderuar për dëshminë që dha.
Preseci dhe Ali Abadi, një lidhje tjetër e Erion Veliajt. Preseci del një nga pronarët e djegësit të Tiranës. Dëshmitari nga Dubai deklaroi se paratë për djegësin e çmontuar i pagoi Ali Abadi, njeriu kryesor i Pasdaranit. Pra, siç e shihni me deklaratën e tij të djeshme kreu i SKAP-it dëshmoi se jo që nuk ka ndërmend të hetohet, por përkundrazi ky institucion më i kapuri në Europë është shndërruar në një mburojë të një organizate kriminale që në djegësa dhe afera të tjera, ka vjedhur dhe shpërdoruar qindra e qindra milionë euro.
Me këtë deklaratë shqiptarët mësuan se nuk ka asnjë shpresë që të dalë e vërteta mbi vjedhjen monztruoze qeveritare të Edi Ramës, Engjëll Agaçit të Erion Veliajt, Arben Ahmetajt në aferën e djegësave.
E rëndë shumë. Ishte deklarata e kreut të SKAP-it për aferën McGonigal, në një kohë kur drejtësia amerikane po i konfiskon atij të gjitha pronat dhe vazhdon dy procese: njëri prej të cilëve lidhet kryekëput me Shqipërinë. Kreu i akuzës speciale deklaroi dje se kjo është një çështje e shkuar.
Ia tha atij për të thënë këtë Edi Rama, apo guvernatorja Kim, të implikuar që të dy kokë e këmbë. I pari kokë e këmbë, dhe e dyta nuk merret vesh, unë këtë nuk e di. Po deklarata e tij se çështja McGonigal është aferë e shkuar, është deklaratë skandaloze. Jo një, por disa dëshmitarë kanë faktuar se këshilltari privat i Edi Ramës, Dorian Duçka, dhe miku i tij Agron Neza si gjobvënës të shpifur kanë kapur, kanë intimiduar, kanë kërkuar ryshfet dhe gjoba bizneseve shqiptare për t’u garantuar rikthimin e vizave. I kanë shantazhuar me blacklistim, por SKAP-i i partisë këto i quan të shkuara.
Gjykata e SHBA ka faktuar, dhe hetimi se Edi Rama i ka dërguar direkt informacion nga zyra e tij, tradhëtarit të kombit McGonigal për të hetuar kundër opozitës, në një puç antikushtetues ndaj opozitës. Gjykata amerikane ka faktuar se këshilltari privat i Edi Ramës ka dërguar dëshmitarë nga Europa për hetimin e ndërmarrë kundrejt McGonigal kundrejt pagesës së Edi Ramës.
Gjykata amerikane ka faktuar se informacionet shkuan direkt në zyrën e Edi Ramës, nëpërmjet Agron Nezës dhe Dorian Duçkës. Si mundet të deklarohet që kjo është një çështje e shkuar? Kjo deklaratë dëshmon se SKAP-i është një mburojë e aferave të qeverisë, dhe jo një institucion akuze. Çështja McGonigal është çështje që tronditi SHBA dhe mbarë botën.
Janë dy komisione të Kongresit Amerikan, përveç dy gjykatave. Njëra në Uashington, tjetra në Nju Jork që merren me trajtimin e kësaj çështjeje. Kurse institucioni i akuzës në Shqipëri, pavarësisht se qytetarët shqiptarë janë gjobitur nga gjobvënës të shpifur të ekipit Edi Rama-McGonigal.
Pavarësisht se është bërë një puç antikushtetues ndaj opozitës, e quan këtë një çështje të shkuar, çka do të thotë në gjuhë tjetër, çështje e arkivuar.
Duke denoncuar publikisht edhe njëherë SKAP-in si institucionin më të kapur në Shqipëri dhe në Europë garantoj shqiptarët se PD do të bëjë gjithçka për hetimin e plotë të këtyre dy aferave më tronditëse në historinë e vendit.
Me këtë rast, falënderoj me shumë mirënjohje mediat, të cilat me investigimet e tyre kanë qartësuar çdo aspekt, çdo lidhje të Edi Ramës, Engjëll Agaçit, Arben Ahmetajt, Erion Veliajt me aferën e inceneratorëve, vjedhjet monstruoze që iu bëhen parave të taksapaguesve shqiptarë. Falënderoj autoritetet e SHBA, të cilat bënë transparente implikimin dhe veprimtarinë e McGonigal në Shqipëri kundër opozitës shqiptare, dhe gjobvënien e tyre ndaj bizneseve në Shqipëri.
Garantoj se do bëjmë çdo gjë për zbardhjen përfundimtare të këtyre dy aferave. Faleminderit!