FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, është shprehur se Fredi Beleri, i cili u bë personazh nga 14 maji gjer sot i studiove televizive, u burgos në një kurth antidemokratik vetëm e vetëm se nuk pranoi të kandidojë për Edi Ramën.
Gjatë fjalës së tij, Sali Berisha u ndal te seanca në Kuvendin e Shqipërisë ku ishte i pranishëm drejtuesi i SPAK, Altin Dumani për të raportuar veprimtarinë e një viti të institucionit që drejton.
Kryedemokrati Sali Berisha në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se sistemi i drejtësisë në vendin tonë është ngritur në shërbim të partisë në pushtet. Berisha theksoi, se mbështetja që ndërkombëtarët i bëjnë këtij sistemi është mbrojtje që i bëni ju njërit prej atentateve më të mëdha në historinë e një vendi ndaj shtetit ligjor që u bë me reformën e drejtësisë.
Lideri i opozitës, Sali Berisha akuzoi ministrin e Brendshëm, Taulant Ballën se bën avokatin e kreut të SPAK, Altin Dumani sepse është i kapur duke porositur vrasje. ‘Tualet Balla bën avokatin e Dumanit se ka porositur vrasje! Mercenari amnistoi vjedhjen 300 mln euro të Beqajt’, theksoi Berisha gjatë protestës te ‘Rruga e Shpresës’.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka denoncuar kreun e SPAK, Altin Dumani se sillet si një armik i shqiptarëve, duke e paralajmëruar se nuk shpëton dot nga krimet që ka kryer. ‘Altin Dumani sillet si një armik i shqiptarëve, s’ka ndryshim Kushtetute që e shpëton nga krimet që ka kryer’, theksoi Berisha gjatë tubimit qytetar në mbështetje të tij që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.
Kryedemokrati Sali Berisha ka paralajmëruar se drejtësia e re është një rrezik jo vetëm për shqiptarët por edhe rajonin dhe Europën, pasi zbaton urdhrat e kryeministrit Edi Rama. ‘Drejtësia e re është rrezik jo vetëm për shqiptarët, por edhe për rajonin dhe Europën, sepse zbaton verbërisht urdhrat e Ramës’, theksoi Berisha në protestën te ‘Rruga e Shpresës’.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush për qëndresën, misionin, guximin tuaj në mbrojtje të kauzës së drejtë të shqiptarëve.
Të dashur miq!
Sot Fredi Beleri u nis për në Strasburg si dëshmitar i një procesi mafioz politik.
Por sot, ai që nuk ka fytyrë, Edi Rama, lakenjtë që e ndjekin atë, dolën para shqiptarëve dhe botës ata që janë, të pafytyrë, të pamoral, mafiozë dhe vetëm me interesa mafioze.
Fredi Beleri, i cili u bë personazh nga 14 maji gjer sot i studiove televizive, u burgos në një kurth antidemokratik vetëm e vetëm se nuk pranoi të kandidojë për Edi Ramën.
Nuk pranoi të bëhej Vangjel Tavo
E kuptoni ju, nuk pranoi sepse nuk donte të vidhte me Edi Ramën tokat dhe trojet e bashkëvendasve të tij.
Nuk pranoi se nuk donte të bëhej përfaqësues mafioz i Edi Ramës, Olsi Ramës, Olta Xhaçkës.
Me qëndrimin e tij, ai i bëri një shërbim demokracisë shqiptare.
Pavarësisht se kaloi një kalvar të vërtetë, por nuk u mposht, nuk u dorëzua.
Në fund, ai është një dëshmitar në tempullin e demokracisë në Parlamentin Europian, i fytyrës së vërtetë të narkoshtetit shqiptar.
I shtetit të mafies, i shtetit të drogës, i shtetit të bandave dhe kriminelëve në pushtet.
Miqtë e mi!
Sot boritë e mjeranëve dhe Zamanëve heshtën sepse morën në surrat atë që merituan.
Kjo ishte një goditje e rëndë për të gjithë ata që mbështesin burgosjet politike.
Kjo ishte një goditje e rëndë për të gjithë ata që besojnë patriotizmin e mafiozëve.
Atyre u them se mafia atdhe nuk ka.
Se mafia, komb nuk ka.
Se mafia, shpirt nuk ka.
Ndaj kërkojuni të falur shqiptarëve në qoftë se e keni bërë pa vetëdije.
Kurse në rast se e bëtë me vetëdije, mbajtët me vetëdije qëndrimin, jeni falë tek mafia.
Fajin e keni vetë!
Të dashur miq!
Sot ishte një ditë e veçantë në parlamentin shqiptar.
Deputetët e opozitës nxorën në dritën e diellit fytyrën e shëmtuar.
Nxorën në dritën e diellit krimin monstruoz ndaj shqiptarëve të Edi Ramës me drejtësinë e re.
Sot deputetët e opozitës ia thanë fjalën në fyt mercenarit Nuredin Dumani, Altin Dumani.
Sot ia nxorën edhe njëherë fytyrën avokatit të krimit monstruoz qeveritar para shqiptarëve.
Sot ishte gjyqi publik i asaj drejtësie, të cilën kërkojnë t’ua shesin si sukses qytetarëve shqiptarë, që kanë humbur drejtësinë me këtë reformë sorosiane.
Të asaj drejtësie të munguar për shqiptarët.
Sistem në të cilin çdo qytetar për të marrë një vendim gjykate për çështje civile, duhet të presë 14.6 vite.
Për çështje penale duhet të presë 10 vite.
Pra, rikthehet vetëgjyqësia, rikthehet mungesa e drejtësisë.
Të nderuar partnerë ndërkombëtarë, mbështetja që i bëni ju këtij sistemi është mbrojtje që i bëni ju njërit prej atentateve më të mëdha në historinë e një vendi ndaj shtetit ligjor që u bë me reformën e drejtësisë.
Ju përfaqësoni vendet e lira, vende për të cilat ne kemi respekt të madh.
Por na thoni pak, në cilin vend të planetit qytetari duhet të presë 14.6 vite për një vendim drejtësie?
Pse mbroni veprën tuaj të shëmtuar? Pse mbroni Edi Ramën që la qytetarët e vet pa drejtësi?
Çfarë mendoni ju, se Shqipëria dhe shqiptarët janë një vend ekstraplanetar, që mund t’u servirni si të doni?
Ky është një krim ndaj demokracisë shqiptare, i kryer nga Edi Rama, Xhorxh Soros, por edhe përfaqësues të tjerë.
Sot, Tualet Balla u ngrit dhe kërcënoi duke bërë avokatin e Dumanit.
Po a e dini ju pse o zotërinj?
Se Taulant Balla është njeriu me tre telefona të koduar.
Është bashkëbiseduesi më i shpeshtë i bandave në Shqipëri dhe Europë.
Është i akuzuar se ka porositur vrasje.
Rëndojnë mbi të dyshimet për vrasje. Të atyre që zbuluan se kishte porositur një vrasje tjetër.
Sonte, në këtë debat që u zhvillua, duhet t’u shtroj një pyetje shqiptarëve: si ndjeheni ju vetë kur Altin Zamani, Altin Mercenari i vë hekurat Ilir Beqës për 120 mijë euro shpërdorime dhe vjedhje të fondeve të BE dhe nuk ngre asnjë padi për 300 milionë euro të sterilizatorëve, të analizave, të laboratorëve?
A nuk ndjeheni ju se për këtë mercenar ju nuk jeni as qytetarë të dorës së dytë, por të dorës së fundit dhe jo tokësorë?
Sigurisht abuzimi me 120 mijë euro është i rëndë dhe duhet të ndëshkohet në mënyrë të merituar.
Por abuzimi me 300 milionë euro që amnistohet nga mercenar Dumani, Dumani meriton po atë burg që meriton Beqja që mbron.
Miqtë e mi!
Po ndalem në këtë rast se ky është turpi, faqja e zezë e Altin Dumanit.
Le të ndalemi pak, ju o lakej që i thurni lavde Dumanit.
Me të njëjtat tendera, Ilir Beqja dhe Mirela Kumbaro tenderojnë të dy të njëjtën procedurë, të njëjtën konferencë, të njëjtën drekë.
Por me një dallim, Mirela nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, paguan për këto shërbime 310 mijë euro.
Beqja paguan nga paratë e donatorëve 120 mijë euro.
Beqja arrestohet, Mirela lavdërohet.
Këto janë standardet e turpshme, të neveritshme të një njeriu që zbaton i marrë peng këmbë e kokë, urdhrat e padronit të tij Edi Rama.
Dhe kalon në çdo dalje publike, duke ditur se krimet e rënda që ka kryer, kërkon ‘më ndryshoni Kushtetutën që të më dyfishohet mandati’.
Ja, ia them unë këtu se nuk ka ndryshim Kushtetute që e shpëton nga krimet që ka kryer.
Altin Dumani sillet si një armik i shqiptarëve me Edi Ramën.
Domethënë në qoftë se ministri vjedh e shpërdoron 120 mijë euro të BE, arrestohet dhe burgoset.
Po kur vjedh qindra milionë të qytetarëve shqiptarë, kur në procedurë të sterilizimit, në kundërshtim me atë çka thotë, rrit çmimin e sterilizimit jo 10 apo 20, po fiks 83 herë, kjo nuk është krim sepse këtë ua bën shqiptarëve, të cilët Edi Rama i urren gjer në palcë.
Të cilët Edi Rama i urren gjer në palcë.
Zotërinj, përfaqësues ndërkombëtarë në Tiranë, para se të mbroni këtë mercenar, shtrojini vetes pyetjen, a mund të rritet 83 herë çmimi i sterilizimeve? A mund të përjashtohen çdo vit mbi 1 mijë të sëmurë nga operacionet, sepse spitalet nuk paguajnë dot?
Mos investoni nëse nuk jeni të implikuar.
Nëse nuk keni deklarata të shitura apo të blera, aty ku nuk duhet investuar.
Populli shqiptar kaloi një periudhë dramatike të historisë së tij, braktis këtë vend si në asnjë pushtim tjetër në histori.
Mos mbroni pushtuesin më të keq të shqiptarëve sepse komprometoni veten.
Mos harroni McGonigalin.
Mos harroni ambasadorë të tjerë si Alistair King-Smith etj.
Mos harroni ata që në kulmin e drogës dhe të kanabizimit, përgëzonin Saimir Tahirin për rezultate të shkëlqyera në luftën kundër kanabizimit dhe e dërgonin me Edi Ramën në Shtëpinë e Bardhë.
Shqiptarët kalojnë kohëra dramatike, por prapë janë komb i vjetër, janë komb që dinë t’i kapërcejnë vështirësitë, janë komb që dinë të fitojnë dhe do të fitojnë.
Do fitojnë sepse çdo ditë e më shumë ata binden të marrin fatin në duart e tyre.
Të marrin fatin e vendit të tyre në duart e tyre.
Sot pra i bënë autopsinë, deputetët e PD, kufomës së kalbur të drejtësisë së re, që kundërmon në Shqipëri dhe botë.
Që është rrezik jo vetëm për shqiptarët, por rrezik për rajonin dhe Europën, sepse zbaton verbërisht urdhrat e Edi Ramës.
A e dëgjuat o miq, se si tha, në janar do merrem me krimin elektoral.
Gënjeshtar i pafytyrë, njeri pa dinjitet.
Në janar do merret se i skadon mandati. Kërkon t’ia dyfishojnë.
Prandaj dhe shpresa e vetme jeni ju.
Shpresa e fundit jeni ju.
Edhe njëherë, betejë, betejë dhe vetëm betejë.
Rrofshi ju, fitore, fitore, fitore!