KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë të konferencës së tij me mediat, ka përshëndetur edhe njëherë protestën e djeshme kundër Edi Ramës në Londër. Sipas Berishës, ata qindra shqiptarë që protestuan, janë guerrilas të demokracisë, të cilët denoncuan vjedhësit, hajdutin kryesor të kombit si të tillë dhe suitën e tij.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se krimi i organizuar dhe narkoshteti, është duke bërë gjithçka që të rrëzojë legjitimitetin e regjistrimeve të telefonatave të kriptuar të SKY ECC dhe Encro Chat.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka kërkuar nga BE-ja një qëndrim të qartë dhe të ushtrojë presion në lidhje me regjistrimet e pajisjeve Sky ECC dhe Enchro Chat.
Berisha u shpreh se, edhe Altin Dumani i ka vënë në shërbim këto përgjime të kriptuara, duke i dalë në krah bandave dhe qeveritarëve të cilët dalin të regjistruar në këto programe.
Në konferencën me gazetarët, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka konfirmuar pranimin e padisë së bërë nga ai në Gjykatën e Strasburgut.
Sipas tij, gjykata i ka kaluar hallkat normale që ndiqen në këto raste dhe e ka trajtuar çështjen ‘Berisha’ si të rëndësishme, duke i dhënë edhe përparësi.
FJALA E PLOTE:
Mirëdita dhe përshëndetje gazetarëve të pranishëm në sallë dhe të gjithë qytetarëve që ndjekin këtë takim me shtypin.
Së pari dua të shpreh mirënjohje të pakufishme ndaj bashkëatdhetarëve tanë në Londër, të cilët me një kurajo dhe përgjegjësi të lartë qytetare, i dëshmuan Londrës, Britanisë së Madhe dhe mbarë kombit shqiptar se Edi Rama ishte jo vetëm i padëshirueshëm me suitën e tij elektorale në Londër, por ai u soll aty tipikisht si një narkodiktator.
Rojet dhe badigardët e tij ndërmorën aktet brutale të dhunshme, thyen kafka, plagosën, zvarritën demonstrues paqësorë vetëm e vetëm se ata me guxim kërkuan nga Edi Rama të largohej.
Denoncuan vjedhësit, hajdutin kryesor të kombit si të tillë dhe suitën e tij.
Unë përshëndes sot të gjitha ata qindra shqiptarë, ata dhjetëra e dhjetëra guerrilas të demokracisë që protestuan dje kundër narkodiktatorit Edi Rama.
I uroj të shpejtë Ilir Meshit dhe të gjithë demonstruesve paqësorë të lënduar nga banditë të paguar, badigardë, anëtarë të bandave kriminale që shoqëronin Edi Ramën në atë takim.
U bëj thirrje emigrantëve shqiptarë, të gjithë shqiptarëve jashtë vendit të ndëshkojnë Edi Ramën më votën e tyre.
Të demonstrojnë fuqishëm ndaj çdo paraqitje të tij elektorale.
Aktet e dhunshme ndaj atyre që ky i ka përzënë nga Shqipëria, përbënin një krim dy herë më të shëmtuar.
Një kryeministër me zero tolerancë ndaj kundërshtimit dhe kundërshtive është një narkodiktator i shëmtuar dhe meriton të kundërshtohet dhe vetëm të kundërshtohet.
Edhe njëherë, mirënjohjen më të madhe atyre që organizuan, atyre që morën pjesën dhe atyre që nga ajo sallë dëshmuan se Edi Rama ishte aty me banditë, kriminelë, njerëz pa kod dhe moral.
Për herë të parë, një kryeministër thyen kocka të kundërshtarëve politikë në sallë për faktin e vetëm se ata ia përplasën në fytyrë ato që meritonte.
Të dashur miq.
Unë jam këtu sot gjithashtu për të denoncuar në emër të PD me forcën më të madhe faktin se organizatat kriminale dhe narkoshteti së bashku po bëjnë gjithçka kundër legjitimitetit të regjistrimeve të telefonatave të kriptuar.
Ju drejtohem sot për të shprehur shqetësimin tim më të thelle në lidhje me përpjekjet për të vënë në pikëpyetje ligjshmërinë dhe efektivitetin e masave të përgjimit nga organet ligjzbatuese të vendeve partnere në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, veçanërisht në kontekstin e regjistrimeve me Sky ECC, Encrochat.
Përdorimi i të dhënave të përgjimit me telefonat e kriptuar ka rezultuar një faktor vendimtar në shumë vende të BE-së-përfshirë Gjermaninë, Francën, Belgjikën dhe Holandën-në luftën kundër krimit të organizuar.
Këto masa jo vetëm që kanë ndihmuar në zbardhjen e rrjeteve kriminale, por gjithashtu kanë parandaluar një numër të madh krimesh. Njohja e këtyre provave përputhet me rregullat ligjore në fuqi dhe shërben për mbrojtjen e shoqërive nga krimi.
Nga hetimet e serverave të bisedave dhe mesazheve me Sky ECC, Encrochat etj, ka rezultuar se gjuha shqipe është gjuha e dytë më e përdorur në këto biseda të kriptuara dhe se nga 60 mijë aparate telefonike të kriptuara që ishin në përdorim, 15 mijë kanë qenë në përdorim nga shqiptarët.
Nga këto 8 mijë janë përdorur brenda në Shqipëri nga anëtarë të grupeve dhe organizatave kriminale, por edhe nga zyrtarë të lartë dhe drejtues të Policisë së Shtetit, prokurorë, gjykatës të të gjitha niveleve, zyrtarë të lartë të administratës, ministra. Përqendrimi më i lartë i tyre prej 74 aparatesh është gjetur se ka qenë në ndërtesën e Këshillit të Ministrave dhe vetë kryeministri Edi Rama ka pasur në përdorim 2-3 prej tyre. Ai personalisht është akuzuar direkt nga partnerja e Charles McGonigal se bisedonin se bashku me Sky ECC.
Siç theksova me sipër, Sky ECC përdoret intensivisht në gjuhën shqipe dhe luan një rol qendror në rrjetet kriminale. Bisedat dhe mesazhet e regjistruara ne gjuhe shqipe të transkriptuara arrijnë në rreth pothuaj 1 milion faqe. Fakti që Tirana është një qendër kryesore për këto aktivitete-madje brenda ndërtesave qeveritare-thekson domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe masave të rrepta ne administrimin e tyre.
Prandaj Partia Demokratike ka kërkuar krijimin e një Truth Commission, Komisioni i të Vërtetës për të bërë transparencën e plotë të lidhjeve të politikës me krimin, që siç provojnë këto regjistrime, janë një sipërmarrje e përbashkët kriminale. Përkundrejt këtij qëndrimi, po bëhen përpjekja të papërmbajtura nga organizatat kriminale, qeveria dhe vetë prokuroria speciale për të minuar ligjshmërinë e këtyre dokumenteve të përgjimit në Shqipëri dhe t’i deligjitimojnë ato nëpërmjet Gjykate Kushtetuese.
Ndaj kësaj gjykate, organizatat kriminale kane vendosur shumë miliona euro, presione të mëdha po ushtrohen nga zyrtarë dhe qeveritarë që kanë përdorur telefonat e kodifikuar.
Së fundi, po në këtë linjë, vlerën e tyre ligjore e vuri në dyshim edhe kreu i prokurorisë speciale duke u shprehur se ka probleme midis legjislacionit francez (që i ka pranuar ato) dhe legjislacionit shqiptar, duke vetëkuptuar kështu paligjshmërinë e tyre në Shqipëri.
Kjo deklaratë e kryeprokurorit të prokurorisë speciale, Altin Dumani bëhet jo vetëm pasi gjykatat në Gjermani, Francë i kanë konsideruar dokumente ligjërisht të vlefshme, por edhe pasi Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i njohu ato si ligjërisht të vlefshme.
Shtoj këtu se vendimet e kësaj gjykate prevalojnë mbi sistemin e drejtësisë së Shqipërisë, në përputhje me firmosjen që i ka bërë Shqipëria Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Këto përpjekje rrezikojnë jo vetëm luftën kundër organizatave kriminale të organeve të zbatimit të ligjit, por vënë në pikëpyetje gjithashtu integritetin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Kjo është një mundësi për BE-në dhe shtetet e saj anëtare, përfshirë Gjermaninë, të mbajnë një qëndrim të qartë dhe të ushtrojnë presion ndaj autoriteteve shqiptare. Një veprim i përbashkët dhe vendimtar mund të sigurojë që këto masa të vazhdojnë të njihen ligjërisht dhe të jenë efektive ashtu si ç’ka vendosur së fundmi edhe GjNDNJ.
Mbrojtja e qytetarëve tanë nga krimi i organizuar duhet të jetë prioriteti kryesor dhe baza ligjore për përdorimin e masave të përgjimit nuk duhet në asnjë mënyrë të dobësohet nga bota e krimit.
Së fundmi, nuk mund ta mbyll këtë ekspoze para jush pa dënuar me forcën më të madhe vendosjen e masave kufizuese ndaj gazetarit guximtar Elton Qyno, i cili në një shërbim të madh ndaj vendit ka demaskuar me guximin më të madh lidhjet e Edi Ramës me krimin.
Rrëmbimi i tij nga Altin Dumani është një nga ngjarjet më dramatike në historinë e Shqipërisë.
Grabitja e telefonave të tij për të shpëtuar Edi Ramën nga dokumente që e kompromentojnë atë në mënyrën më serioze, duke filluar nga udhëtimi i tij në Aruba tek dhuratat gjysmë milionë euro, etj, etj, përbëjnë një akt kriminal të vërtetë në mbrojtje të Edi Ramës.
Kërkoj heqjen e menjëhershme të masave ndaj gazetarit Elton Qyno.
Sikundër i shpreh atij solidaritetin tim më të plotë dhe të PD.
Ata që vendosën këto masa, ata kërkojnë të mbyllin kanalet e transparencës së medieve.
Vendosja e masave njëkohësisht ndaj Elton Qynos, gazetarit guximtar dhe trim, me Artan Hoxhën, anëtar i damkosur i bandës së Bajrit të partisë, i paguar nga bandat, por i mbrojtur nga Altin Dumani, gjer së fundmi u detyrua të vendosë një masë arresti shtëpie, ndërkohë që informoi publikun se dokumente zyrtare faktojnë se Artan Hoxha ka shkelmuar detyrën e gazetarit dhe është bërë anëtar aktiv, i paguar i bandës Bajri-Gjoka të partisë.
Nuk kanë asnjë lidhje këta dy gazetarë me njëri-tjetrin, lidhja qëndron në poshtërsinë e Altin Dumanit, që kërkon t’i paraqesë të inkriminuar së bashku.
PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET:
Mariglen Kume, MCN: Ju denoncuat pak më herët se në Gjykatën Kushtetuese po ndërhyjnë bandat, por edhe interesat politike që të marrin një vendim për t’i shpallur si të paligjshme, jo si prova përgjimet e SKY/EÇ. Çfarë indicesh keni ju z. Berisha, në çfarë forme po ushtrohen këto presione ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese?
Dhe së dyti, Komisioni i së Vërtetës të cilin e keni artikuluar dy herë, është një kërkesë që do të bëhet brenda këtij sesioni parlamentar, brenda kësaj legjislature, apo pas zgjedhjeve të ardhshme?
Sali Berisha: Së pari për ndërhyrjet janë të qarta si kristali. Ndërhyrje kanë bërë bandat dhe flitet rëndom që në Gjykatën Kushtetuese vetëm nga një person, një bandë janë derdhur rreth 6 milionë euro.
Por përveç ndërhyrjeve të bandave, ndërhyrje po bëjnë qeveritarët të cilët në skuta takohen me gjykatësit, si Ulzi Manja, Agaçi e të tjerët etj., të cilët kërkojnë deligjitimimin e dokumentacionit që e njohur si legjitim Gjykata Ndërkombëtare e të drejtave të Njeriut.
Por ndërhyrje me regjistrime intime, po bën edhe Altin Dumani me organizatën e tij kriminale, sepse deklarata që ai bëri se kemi probleme mes legjislacionit francez dhe atij shqiptar, unë i them këtij mercenari se midis vendimeve të Gjykatës së Strasburgut dhe legjislacionit shqiptar nuk ekziston asnjë problem, sepse prevalon gjykata ndërkombëtare mbi gjykatën kombëtare, por ky nuk njeh kushtetutë. Është një bandit që nuk njeh ligj e kushtetutë.
Si mund të thotë ai kemi probleme, në një kohë që ka vendosur gjykata e Strasburgut. E dini çfarë do të thotë kjo apo jo; kemi probleme me konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo do të thotë mohim i neneve të Kushtetutës të cilat garantojnë, faktorin ndërkombëtar se e drejta ndërkombëtare prevalojnë mbi të drejtën kombëtare. Se marrëveshja ndërkombëtare prevalon mbi ligjet e vendit.
Por kur je peng siç është Dumani, me 3 apartamente me rrogë shteti, vetëkuptohet pastaj, lexon ato që të japin.
Dhe meqë jam këtu, dua të ju pyes unë si gazetar. Ju lutem, në një investigim gjeni një shqiptar të vetëm që të ketë blerë 3 apartamente me rrogë shteti. Unë ju garantoj se jo tre, por edhe 1 i vetëm me rrogë shteti nuk blihet, pa paguar kredi gjithë jetën.
Na thoni pak tani se, i lau duart tha nuk e kam marrë nga kisha. Atëherë i ra nga qielli, i ka marrë nga hajnat, ka larë para të pista. Kështu tha, ne na i kanë kontrolluar. Kujt i thua kontroll? Ka kontrolluar kunata e Belinda Ballukut, apo motra çfarë e ka atë Pamelën.
Kush të ka kontrolluar? Ish-bashkëshortja e ‘Hakmarrjes për Drejtësi’. Thuaju shqiptarëve si u bërë me 3 apartamente ti me rrogë shteti, jo më të madhe se 140 mijë lekë gjer në vitin 2016. E dini çdo të thotë apo jo, i kapur me presh ne dorë betohej te Dudushi se nuk ma ka dhënë kisha. Po punë se ta ka dhënë kisha, kush ta dha, të paktën kisha paratë i kishte të pastra.
Ndaj dhe nxirre pak atë llogari të plotë njeriu me tre apartamente që të mbajnë peng dhe të nxjerrin kundër vendimeve të Gjykatës së Strasburgut.
Komisioni i të Vërtetës është i domosdoshëm. Ky komision nënkupton një komision të përbërë nga përfaqëues të politikës, shoqërisë civile, medieve, por edhe përfaqësues ndërkombëtar. Sepse këto dokumente po përdoren për të marrë peng dhe keqshfrytëzuar sipas interesave të këtij apo atij prokurori, gjykatësi, apo qeveritari, persona të caktuar. Shembulli më tipik është Artan Hoxha, që unë e kam denoncuar disa herë me dokumente, i paguar nga banda ‘Bajri i partisë’. Pra është e domosdoshme që shqiptarët të dinë, të gjithë të vërtetën ku do të shohim, se shteti i Edi Ramës, dhe vetë Edi Rama me bandat janë një sipërmarrje e përbashkët kriminale, ashtu siç i vlerëson rezoluta e 108 partive politike të Internacionales Demokrate të Qendrës.
Është rruga më e domosdoshme për tu ndarë shoqëria shqiptare nga krimi, në të cilën ajo noton. Sigurisht që sot Edi Rama nuk e pranon komisionin se duhet të japë dorëheqjen i pari. Ai pranoni se ekziston. ‘Mund të ekzistoj edhe unë në ato biseda’, tha. Partnerja e McGonigal e ka akuzuar direkt se McGonigal fliste me Edi Ramën në SkyEc-c dhe fliste orë të tera, kohë të tëra.
Sali Berisha ka publikuar fotot e tij në aeroportin e Holandës, të cilat sipas analistëve korrespondojnë me udhëtimin e tij për në Auruba, takim tashmë që konfirmohet nga mediat franceze dhe të mëdha, midis shtetit dhe bandave, për të përcaktuar planin që po ndodh faktikisht, mbjelljen e kullave kudo dhe larjen e miliarda eurove të këtyre bandave.
Është televizioni i Belgjikës, ai i cili njoftoi se në një proces gjyqësor kapobandat citojnë direkt Edi Ramën, si njeriun me të cilin janë marrë vesh për favore, investime strategjike, apo kulla etj.
Pra siç e shifni, komisioni i të vërtetës ka një rëndësi jetike, vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë, për shpëtimin e shoqërisë shqiptare nga kthetrat e krimit në të cilat ndodhet sot.
Mariglen Kume, MCN: Dhe së dyti, Komisioni i së Vërtetës të cilin e keni artikuluar dy herë, është një kërkesë që do të bëhet brenda këtij sesioni parlamentar, brenda kësaj legjislature, apo pas zgjedhjeve të ardhshme?
Sali Berisha: Jo, ne do ta bëjmë gjatë kësaj legjislature, por edhe po nuk e pranuan ky mbetet një objektiv absolut i yni, kusht jetik për të ndarë krimin nga politika, para shqiptarëve në sy të shqiptarëve. Fatmirësisht ato 980 mijë faqe të ardhura me kamion nga Republika Franceze të cilat janë në duar të organizatës kriminale Skapi i partisë, mashtrues dhe manipulator të damkosur publikisht, ato ekzistojnë edhe në hard disk edhe ne softe në vendet partnere. Kështu që sado ti modifikojnë, fshijnë dhe bëjnë dumanërit me shokë në këto dokumente ato mbeten monumenti më i zi në historinë e shtetit shqiptar.
Dhe ky komision do krijohet.
Ardit Hoxha, EuroNeës: Për sa i përket protestës së ditës së nesërme, për dallim nga protestat e mëparshme kombëtare, apo protestat më të vogla që ka organizuar PD, ku ka pasur një kohë më të gjatë njoftimi, dy javë apo, me tepër, kjo protestë u njoftua shumë vonë dhe fill pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konfirmoi të gjitha procedurat dhe hapat që kishte ndjekur SPAK dhe që GJKKO ndaj jush. A është kjo protestë e nesërme një lloj përgjigjeje dhe një lloj reagimi i PD edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese ndaj jush ditën e enjte?
Sali Berisha: Ju mund të mendoni se unë prisja një vendim tjetër prej tyre? Jo, absolutisht. Kam një provë, një fakt këtu. Unë mora vesh dy javë më parë se Ulsiu me Damian Gjiknurin dhe një biznesmen, në një kafene tek Kodra e Diellit, Ulsiu e gëzoi Damianin duke i thënë se Rama na garanton se Berisha do mbetet në arrest, nuk hiqet arresti nga gjykata.
Në qoftë se unë kisha dyshimin më të vogël se gjykata do merrte një vendim tjetër, unë do i denoncoja këta. Por unë isha i sigurt se gjykata nuk mund të merrte vendim tjetër. Ajo është e kontrolluar dhe ata janë mjeranë sepse me aktin e tyre antikushtetues shkelmuan në mënyrë fatale Gjykatën Kushtetuese kur mohuan, nuk njohën të drejtën e një të pestës së deputetëve të parlamentit, e drejtë e sanksionuar në mënyrë të pakushtëzuar nga Kushtetuta, për t’u ankuar pranë kësaj gjykate, ajo gjykatë nuk e meriton më të ekzistojë.
Ajo gjykatë shumëzoi veten me zero, asgjësoi veten dhe i bëri rendit kushtetues dënimin më të madh në historinë 32-vjeçare të parlamentit.
Sepse ajo e drejtë e pakushtëzuar iu është dhënë 28 deputetëve, që në rast se shumica kryen akte antikushtetuese, antikombëtare, anti me radhë, dikush të ketë të drejtë, para se të ndërmarrë skenarë të tjerë, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për aktet e kryera.
Në verbëri të plotë, këta gjykatës skllevër, pa dinjitet, pa nder, pa moral ligjor, shkelmuan Kushtetutën dhe ia hoqën këtë të drejtë vetëm se në rastin konkret, ajo lidhej me Sali Berishën.
Besoj se e bëra të qartë. Ata shkelmuan një të drejtë jetike për vendin, jetike për rendin kushtetues.
Nuk legjitimuan atë që Kushtetuta e legjitimon pa kushte dhe në mënyrë taksative, vetëm se në atë rast, ajo lidhej me Sali Berishën. Nuk mund të prisja asnjë gjë tjetër nga të ashtuquajtur gjykatës që shkelmojnë në këtë mënyrë mbi veten e tyre, mbi gjykatën.
Osman Stafa, Neës24: Sa i takon protestës, çfarë pret PD nga protesta e nesërme e ciëlsuar mosbindje civile teksa do të bllokohen 5 kryqëzime rrugësh në kryeqytet, teksa ju këtë skenar e keni provuar duke bllokuar gjithashtu segmente rrugorë gjithashtu nëpër Shqipëri, ndërkohë kërkesa juaj për qeveri teknike as nuk konsiderohet nga PS deri më tani. A do të ndryshojë strategji PD për të arritur kërkesat e saj?
Sali Berisha: PD do vazhdojë me mosbindjen civile. Strategji tjetër është dhuna dhe forca. Por PD nuk është për një lëvizje guerile kundër diktaturës. Është për mosbindje civile.
Se diktatura dy rrugë ka, ose mosbindje civile ose luftë guerile.
Ne jemi përcaktuar qartë për mosbindje civile. Ne e vazhdojmë këtë me bindjen më të thellë se kjo diktaturë të ardhme nuk ka.
Një njeri që është marrë dikur me një diktaturë, e ka të qartë vështirësitë që qëndrojnë për rrëzimin e një diktature. Por sot, rrëzimi i narkodiktaturës së vetme në Europë bëhet çdo ditë e më e mundshme. Mos harroni një gjë, sa herë keni thënë me veten tuaj apo në studio se sa e izoluar është opozita shqiptare.
Dhe unë nuk them se e keni pasur gabim, jo.
Por ju e shihni me shpejtësi të rrufeshme kjo opozitë gjendet para një solidariteti të jashtëzakonshëm. Ju garantoj se kjo nuk ndodh për sytë e saj të bukur. As se është opozitë.
Por kjo ndodh për shkak të realitetit dramatik me të cilin lufton kjo opozitë.
Pra, po krijohet një ndërgjegje ndërkombëtare dhe do të krijohet gjithnjë e më e madhe kundër saj. Narkoshteti i vetëm dhe i pari në Europë nuk ka të ardhme ndaj dhe ne vazhdojmë besimplotë në kauzën e drejtë.
Ne e mbrojtëm këtë kauzë atëherë kur askush nuk na mbështeste. Po të vërtetën duhet ta mbrosh edhe në vetmi absolute.
Sot ne kemi një mbështetje që nuk e kemi pasur kurrë më parë dhe jam shumë mirënjohës.
Por ky është detyrim shumë i madh për në për të vazhduar këtë betejë me të gjithë potencialin tonë dhe të përmbushim misionin që kemi, përmbysjen e narkodiktaturës në Shqipëri.
Osman Stafa, Neës24: Partitë politike kanë vazhduar edhe ditën e stome konsultimet për sa i përket datës së zgjedhjeve. PD ka refuzuar të shkojë në këto takime për shkak se ka deklaruar kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi se data e zgjedhjeve është përcaktuar.
Në daljen publike ditën e sotme anëtarët e PS që patën takime me kreun e shtetit kanë deklaruar se data 11 maj është sugjerimi i tyre për t’i lënë kohë edhe votës së emigrantëve. Çfarë mendon PD për këtë?
Sali Berisha: PD është e sigurt që Haram Bego, e kam quajtur njëherë dhe nuk do ia heq më, do përcaktojë atë që i thotë Edi Rama. Por, në rast se ekspertët tanë e gjykojnë se për votën e shqiptarëve jashtë vendit, ne nuk kemi kundërshti për të gjetur kohën më të përshtatshme, por të garantoj se Haram Bego, për të zmuthuar lidhjen me Begon tjetër, njëri e vë Begaj, tjetri Bego, i ndryshojnë këta mbiemrat, por mbiemrat e tyre nuk janë puna ime, pra ai cakton vetëm datën që i thotë Edi Rama.
Nuk ka, mos bëhemi qesharakë.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Për sa i përket asaj që ndodhi dje në diasporë, po opozita oërveç mosbindjes civile, aksioneve në parlament, do t’i përgjigjet mazhorancës edhe ajo me takime në diasporë për të treguar forcën e saj mbështetëse?
Përveç protestave dhe aksionit tuaj brenda partisë politike, do të punohet në muajt dhe në javët në vijim sa i takon edhe listës së kandidatëve, pra duke iu referuar dhe primareve?
Sali Berisha: Po punohet njëkohësisht në të gjitha planet dhe është e hapur për cilindo që dëshiron të kandidojë, shqiptarët dhe brenda jashtë vendit që dëshirojnë të kandidojnë për PD-në.
PD ka filluar takimet dhe ka zhvilluar një seri takimesh dhe do vazhdojë me to jashtë vendit, me shqiptarë jashtë vendit, mbështetës, simpatizantë, anëtarë të PD.
Jemi shumë të kënaqur nga këto takime dhe do t’i intensifikojmë në të ardhmen.
***
Dua të informoj se sapo më njoftojnë se Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg e ka klasifikuar rastin ‘Berisha’ si leading, pra të rëndësishëm, dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të mjeteve të brendshme, për çka unë u jam shumë mirënjohës kësaj gjykate që është edhe garantë kryesore e të drejtave të njeriut.
Besoj se avoketërit e mi do paraqesin aty të gjithë vërtetat e sistemit politik, e shndërrimit të drejtësisë në një armë politike në Shqipëri.
Shpreh besimin tim të plotë në vlerësimet dhe gjykimet e kësaj organizate, garante e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, konventë që i bën qytetarët europianë më të lirë se kurrë në historinë e tyre.
Duke përfunduar, ftoj qytetarët shqiptarë edhe njëherë, nesër në ora 5, marshim në Tiranë, Tirana në duart e qytetarëve.
Nga të katër anët sirenat e ndryshimit, sirenat e fitores së opozitës po ushtojnë.
Këto sirena kërkojnë nga ne, qytetarët opozitarë, të meritojnë plotësisht këtë fitore me aksionin tonë, me veprimin tonë, me mosbindje civile.
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Fitore!