Berisha: Duan të burgosin Sali Berishën, pa asnjë provë. Partnerët denoncuan Vuçiçin, duke injoruar batërdinë e Ramës. Logon do ta mbrojmë dhëmb për dhëmb

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ka hedhur akuza ndaj partnerëve ndërkombëtar.  

Ai tha se partnerët kanë mbajtur qëndrime me dy standarde sa i përket zgjedhjeve në Serbi dhe atyre në Shqipëri. ‘Përshëndes qëndrimin që mbajtët ndaj zgjedhjeve në Serbi. Aleksandër Vuçiç është një kriminel lufte që vendin duhet ta ketë vetëm në Hagë. Zgjedhjet në Shqipëri ishin disa shkallë më të këqija se zgjedhjet në Serbi dhe në çdo vend tjetër, që janë parë ndonjëherë’, theksoi në fjalën e tij, kryedemokrati Sali Berisha.

Teksa akuzoi qeverinë dhe drejtësinë se duan ta burgosin, Sali Berisha u shpreh se në 3 vite hetime nuk kanë gjetur asnjë fakt, apo provë për këtë.

‘Tani duan dhe të burgosin Sali Berishën, por e vërteta është se për të bëtë këtë nuk kanë asnjë provë, asnjë fakt dhe nuk do kenë kurrë. Dhe për këtë ju rikujtoj se unë nuk jam as i akuzuar, jam thjesht një person nën hetim, për të cilin pas tre vitesh hetimi shterrues nuk kanë gjetur asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument kundër meje’, deklaroi kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Ndërkaq duke folur për gjyqin për logon e PD-së, kryetari Sali Berisha tha se kjo do të mbrohet dhëmb për dhëmb.  ‘Si mund të jemi ne Europa e Ballkanit me një opozitë të adresuar, logo të vjedhur, të drejta të mohuara, kryetar të arrestuar njësoj si në Rusinë e Putinit. Do të mbrojmë logon, do e mbrojmë shtëpinë tonë, dhëmb për dhëmb pa hezitim sepse nuk ka shqiptar sot që nuk e di se ajo logo është e jona’, theksoi në fjalën e tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTË

Këtë fjalë do ta nis duke thënë disa fjalë për të vërtetën.

Për të vërtetën si koncept, për të vërtetën si arma më e fuqishme e të gjitha armëve të njeriut.

Para pak ditësh, ndoqa në një intervistë themeluesin e kompanisë Amazon, Jeff Bezos, kur thoshte se e vërteta është parehatshme.

Por çfarë do të thotë kjo? Bezos thotë se 10 mijë vite më parë, po të shkoje në një fshat primitiv dhe të miqësoheshe, mbijetesën do e kishe të garantuar. Por po të flisje të vërtetën, do vriteshe në mënyrën më të dhunshme në mënyrë që e vërteta të mos dëgjohej më.

Kjo luftë ndaj të vërtetës është përsëritur në mënyrë ciklike. Shumë shekuj më parë, Zhan D’ark guxoi të thotë të vërtetën dhe e dogjën. Pak më vonë, Martin Luteri u tha të korruptuarve, boll vodhët dhe e ndëshkuan si të pafe.

Asokohe përsëri, Papa Kalvini dogji në turrën e druve Miguel Servetin pse ai përsëriti të vërteta shkencore për qarkullimin e gjakut. Papa thotë se e dogja se më konsideronte mua të neveritshëm.

Por të vijmë më afër kohës sonë, Mahatma Gandi guxoi të thotë të vërtetën dhe e burgosën për këtë. Lista është e gjatë. Nelson Mandela guxoi të thotë të vërtetën dhe e burgosën për 27 vite. Pjetër Arbnori guxoi të thotë të vërtetën dhe e burgosën për 28 vite.

Për fat të keq, ky qëndrim, ky dhunim ndaj të vërtetës vazhdon edhe në ditët e sotme. Sigurisht nuk është aq i përhapur, por vazhdon akoma.

Në Tunizi, lideri i opozitës është arrestuar. Në Ugandë kanë arrestuar liderin e opozitës. Rusia mban në burg liderin e opozitës.

Po pse? Se këta kanë folur të vërtetën.

Ky fenomen ndodh vetëm në vendet jodemokratike si Irani, Rusia, Bjellorusia dhe për fat të keq ky virus ka ardhur edhe në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s.

Nuk e kam fjalën këtu vetëm për kërkesën e fundit për arrestimin e Sali Berishës. Simptomat e kësaj sëmundje kanë kohë që janë shfaqur me kosto shumë të lartë për Shqipërinë.

Një i dënuar që sot është në burg, McGonigal, zyrtari ndër më të lartët i kundërzbulimit amerikan, korruptohet nga Edi Rama dhe shpall Sali Berishën non-grata, kur e vërteta ishte se nuk kishin asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument kundër meje.

Në sytë e të gjithë botës i vidhet vula PD-së, kur e vërteta është se shumica e demokratëve në dy palë zgjedhje dhe tre votëbesimi, kanë zgjedhur Sali Berishën si liderin e opozitës demokratike.

Nga tmerri që kanë prej tij, ndalohet emri i Sali Berishës në fletën e votimit. E vërteta është se koalicioni e kishte zgjedhur kryetar të tij.

Tani duan dhe të burgosin Sali Berishën, por e vërteta është se për të bëtë këtë nuk kanë asnjë provë, asnjë fakt dhe nuk do kenë kurrë.

Dhe për këtë ju rikujtoj se unë nuk jam as i akuzuar, jam thjesht një person nën hetim, për të cilin pas tre vitesh hetimi shterrues nuk kanë gjetur asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument kundër meje.

Me këtë rast shtoj se me akuzën që bëjnë se Jamarbër Malltezi, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD dhe dhëndri im, ka marrë në përputhje me çdo procedurë ligjore, pronë të trashëguar 410 metra tokë, nga 1 miliard e 577 milionë e 400 mijë metër tokë që kanë marrë të kthyer ose të kompensuar, mbi gjysmë milioni shqiptarë.

Me këtë akuzë faktojnë dhe provojnë dështimin e tyre total, të turpshëm dhe përfundimtar ndaj Sali Berishës.

Ndaj dhe sot këtu para jush, e vërteta më autorizon t’u them të gjithë atyre që akuzuan pa asnjë provë, fakt apo dokument për korrupsion Sali Berishën, para se të përsërisni këtë gënjeshtër, këtë akuzë për Sali Berishën, kontrolloni xhepat tuaj.

Unë jam Sali Berisha, me fuqinë e të vërtetës nuk mposhtem kurrë.

Pikërisht se nuk kanë prova, ky arrestim mund të realizohej vetëm nga një zinxhir shkeljesh ligjore, aktesh antikushtetuese, nga të gjitha institucionet që dolën zbuluar se marrin urdhër politik.

Por pse gjithë kjo luftë kundër Sali Berishës? Pse po ndodh ky agresion dyvjeçar ndaj opozitës? Pse ky regjim është i tmerruar kaq shumë nga opozita sa janë të gatshëm të shkatërrojnë pluralizmin, Kushtetutën, parlamentin, drejtësinë, vetëm e vetëm për të na luftuar ne?

Është e qartë, këto dy vite ne kemi prishur rehatinë, kemi tronditur gjer në palcë Edi Ramën, narkokraturën e tij sepse kemi treguar të vërtetën.

Opozita luftohet sepse kur qeveria u cian veshët qytetarëve se Shqipëria është Europa e Ballkanit, të kujton Sulltan Hamitin kur thoshte se shqiptarët janë otomanët e Europës.

Kjo është e vërtetë vetëm për Edi Ramën, parajsa. Për ministrat e tij, sojin e tij, zyrtarët makutë që pasurohen dhe vjedhin çdo natë dhe ditë. Kurse është krejt tjetër për qytetarët dhe veçanërisht për të rinjtë. Nga kjo parajsë kanë ikur 1.3 milionë shqiptarë në 9 vite.

Opozita luftohet sepse kur Skapi shpall fajtor për inceneratorët, për vjedhjen e shekullit dy drejtorë të bashkisë, ne u themi shqiptarëve prisni njëherë se në këtë aferë ka firmat edhe Erion Veliaj, edhe Edi Rama se këta janë hajdutët kryesorë.

Opozita luftohet se kur Skapi shpall fajtor Rrjepajn dhe Rrapajn për vjedhjen e dytë të shekullit, atë të inceneratorëve, ne u themi se në këtë aferë është i përfshirë direkt Ilir Beqaj dhe Edi Rama.

Opozita luftohet se kur Edi Rama bën si kloun para botës, ne i themi botës se ky kloun në fakt u mohon të drejtat themelore kushtetuese opozitës. Se ky kloun rrethon nga frika dhe mbush Kuvendin e shqiptarëve me gardën e tij të kuqe. Se ky kloun e voton buxhetin në 4 minuta. Se ky kloun në fakt është një diktator që pushtetin e rrëmben duke shndërruar krimin në votë dhe votën në krim. Se ky kloun nuk pranon votën e lirë.

Me këtë rast duhet të theksoj një moment për të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë.

Përshëndes qëndrimin që mbajtët ndaj zgjedhjeve në Serbi. Aleksandër Vuçiç është një kriminel lufte që vendin duhet ta ketë vetëm në Hagë. Aleksandër Vuçiç, për të shkelmuar votën e qytetarëve serbë, është i aftë të ndërmarrë çdo hap.

Por të nderuar partnerë, duke denoncuar Aleksandër Vuçiç dhe zgjedhjet e tij, dhe duke injoruar batërdinë zgjedhore të Pashiqit shqiptar, të argatit të Vuçiçit, ju nuk kontribuoni në paqen dhe stabilitetin e këtij rajoni.

Përkundrazi me këtë standard vetëm sa nxitet më tej nacionalizmi serb dhe konsolidohet regjimi i narkoshtetit në Shqipëri.

Zgjedhjet në Shqipëri ishin disa shkallë më të këqija se zgjedhjet në Serbi dhe në çdo vend tjetër, që janë parë ndonjëherë.

Opozita luftohet sepse është e fundit rrugë që u ka mbetur shqiptarëve që të mësojnë të vërtetën.

Prandaj unë edhe njëherë do i prish edhe njëherë rehatinë diktaturës duke thënë disa të vërteta që janë ulëritëse.

Opozita nuk është e dobët, por është e sulmuar nga qeveria e padrinos dhe de facto e përjashtuar prej parlamentit të tij.

E sulmuar nga gjykatat dhe prokuroria politike dhe institucionet e tjera të narkoshtetit.

E sulmuar edhe nga disa prej medieve më kryesore të vendit. Analistë dhe banalistë që pasurohen çdo ditë bashkë me pushtetarët.

E sulmuar nga organizatat e krimit dhe drogës, të lidhura me Edi Ramën dhe ministrat e tij, por që vendosin ku të duan dhe çfarë të duan në republikën e krimit.

E sulmuar nga korrupsioni transnacional. Më gjeni një opozitë në botë që do i rezistonte këtij lloj agresioni siç rezistuam ne.

Por ne rezistuam dhe rezistojmë. Ne nuk u dorëzuam dhe nuk dorëzohemi sepse ne kemi vetëm një armë, idealet tona dhe të vërtetën.

E vërteta është si dielli, drita e saj nuk shuhet kurrë. Ajo ekziston edhe kur ti apo ndonjë tjetër nuk e sheh atë.

Shqiptarët nuk janë të varfër, por janë të vjedhur. Të vjedhur me inceneratorët, me sterilizimin, me energjinë, me çmimet e rrugëve dhe punëve publike, nga taksat dhe çmimet më të larta në rajon, të vjedhur nga pagat e ngrira prej vitesh.

Shqipëria nuk është në ditët e saj më të mira siç thotë Edi Rama në fjalimin e tij të turpit.

Shqipëria është në ditët e saj më të këqija. Sepse ajo është narkoshteti i parë dhe i vetëm në kontinent. Sepse shteti ligjor dhe rendi kushtetuese janë zëvendësuar me kodin e mafias. Sepse për herë të parë në histori, ne jemi një komb në vdekje, një komb ku një e treta në 9 vite kanë ikur sikur të ishin në luftë.

Por jo, përsëri Shqipëria nuk është e mallkuar. Shqipëria është e tradhtuar. Qeveria ka tradhtuar shqiptarët. Drejtësia ka tradhtuar shqiptarët. Opozita fasadë si ajo Balla-Brava-Alibeaj kanë tradhtuar shqiptarët. Disa nga mediat e mëdha të vendit kanë tradhtuar shqiptarët.

Shqiptarëve u ka mbetur vetëm opozita e vërtetë. Vetëm ne jemi shpresa e vetme, prandaj luftohemi në çdo formë.

A ka njeri sot me mend në krye që mund të mohojë këtë? Askush.

Këto janë të vërteta që Edi Rama dhe pushtetarët e tij nuk duan që shqiptarët t’i dëgjojnë, prandaj po tentojnë të izolojnë Sali Berishën.

Gjatë këtyre dy muajve të fundit, kam pasur edhe fatin, të zhvilloj njërën nga betejat më efiçente kundër diktaturës së drogës, krimit dhe korrupsionit të gjithë jetës sime.

Narkoshteti, për të më goditur, zgjodhi kodin e mafies dhe unë së bashku me ju dhe deputetët e opozitës, i bëmë pluhur Edi Ramës, ëndrrën për kontrollin  e opozitës. E zhveshëm atë lakuriq para shqiptarëve.

Ne e detyruam Edi Ramën, në panik dhe tmerr, të urdhërojë 3 narkozyrtarët e tij, që duke shkelmuar ligjin, parlamentin dhe Kushtetutën, të vendosin sanksione antikushtetuese kundër meje.

Kurse unë, për të mbrojtur jo veten time, por gjykatat, prokurorinë, Kushtetutën dhe rendin demokratik, që de facto nuk ekziston, i refuzova ato.

Kjo sepse po t’i pranoja, diktatura, padrino i saj, mercenarët, narkoqeveritarët, narkozyrtarët, do brohorisin për fitoren, kurse ligji, e drejta, Kushtetuta, rendi demokratik i saj, do skuqeshin bashkë me ne nga turpi.

Më pas beteja u zhvendos në parlament, komisionet, aulën dhe Gjykatën Kushtetuese. Kjo ishte pjesa më dramatike, por natyrisht më tërheqësja dhe më e fuqishmja e kësaj beteje.

Aty nuk ishin më tre mercenarët Kraja-Millanai-Gjoka, por ishte Linda e parlamentit me gjithë shëmtinë e saj, komisionin Rama-Brava, vetë mbretin lakuriq që rrethohej nga 150 gardistë dhe 74 narkodeputetë, kishin 8 gjykatës të 6 milionë lekë rrogë, por kishin edhe dyshen Basha-Alibrava.

Pra, kësaj radhe ne u bëmë armiqve të egër të lirisë sonë një betejë në çdo skutë të tyre, në Skapin dhe gjykatat e partisë, në komisionet dhe aulën e parlamentit, në gjykatën e tyre antikushtetuese dhe nxorëm para shqiptarëve fytyrën e pushtetit të drogës, vjedhjes dhe krimeve.

Deputetët me këtë betejë arritën të asgjësojnë de facto narkoparlamentin e diktaturës dhe të zhveshin cullak para botës, Edi Ramën dhe larot e tij.

Pra, në këtë bejë pa kthim me diktaturën e krimit, drogës dhe korrupsionit, PD dhe deputetët e saj fituan.

Por kjo fitore erdhi sepse ata ishin të gjithë luftëtarë lirie. Ata ishin në një mision. Ky mision që na është përcaktuar nga fati ne demokratëve, na ngarkon një përgjegjësi pothuajse hyjnore për aq liria është sa njerëzore, po aq edhe hyjnore.

Varet fati i Shqipërisë nga ne. E kuptoni se ç’do të thotë kjo. Jemi shpresa e vetme e këtij kombi që ne trashëguam nga të parët.

Nga kjo përgjegjësi historike, ne marrim forcë për të vazhduar të pamposhtur misionin tonë.

Sot Edi Rama, Rilindja, Skapi, Sorosi dhe të gjithë armiqtë e demokracisë shqiptarë po fërkojnë duart duke pritur arrestimin e Sali Berishës. Ata thonë se ky është fundi i Sali Berishës, fundi i opozitës. Absurde!

Fundi i Sali Berishës ka që në vitin 1997 që e thonë. Madje janë të njëjtat persona që e thonë.

Përsëri gabuan, ne do fitojmë!

Sali Berisha nuk heq dorë kurrë nga mbrojtja e idealeve të lirisë, opozitarizmit, programit të PD.

Jo në shtëpi, në qeli apo në ndonjë ishull, por edhe në Hënë po të më çojnë, unë do gjej mënyrë për të bërë opozitë dhe do qëndroj për të vërtetën.

Pasioni im është pasioni i njeriut të lirë. Është i vetmi pasion që tek unë nuk njeh moshë, nuk njeh kufi.

Sot jam po kaq i motivuar dhe i vendosur sa kam qenë 33 vite më parë në luftën kundër diktaturës.

Ata që mendojnë se do shkatërrojnë opozitën, i kanë bërë llogaritë gabim sepse atë mjeranë shohin vetëm taktikat tona, por nuk kuptojnë strategjinë tonë.

Në çdo sulm që na kanë bërë, e vërteta te shqiptarët është bërë më e qartë.

Për 10 vite shqiptarët ishin në një lloj gjumi, në një narkozë të tmerrshme dhe të pafalshme, një narkozë e përgatitur nga Edi Rama, Xhorxh Soros, disa media të korruptuara dhe korrupsioni transnacional. Vetëm e vetëm që të grabisin pasurinë e shqiptarëve, ndërkohë që shqiptarët dëbohen nga tokat e tyre.

Por me burgosjen time, kjo perde mashtrimi bie përfundimisht.

E vërteta do dalë e zhveshur para shqiptarëve. E vërteta se Shqipëria është një vend ku nuk ka votë të lirë. E vërteta se parlamenti i Edi Ramës i ka mohuar të drejtën kushtetuese opozitës së zgjedhur nga 600 mijë shqiptarë. E vërteta se lideri i opozitës arrestohet pa prova, fakte duke shkelur Kushtetutën e vendit dhe Konventën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut.

Duke thënë këto, ky ndryshon Shqipëria nga Rusia e Putinit apo Venezuela e Maduros, Kuba e pasardhësit të Kastros apo vende të tjera ku janë vendosur diktatura?

Si mund të jemi ne Europa e Ballkanit? Ne më shumë ngjajmë me otomanët e Ballkanit me këto akte.

Si mund të jemi ne Europa e Ballkanit me një opozitë të adresuar, logo të vjedhur, të drejta të mohuara, kryetar të arrestuar njësoj si në Rusinë e Putinit.

Prandaj në këtë kuadër, arrestimi i Sali Berishës, të sigurt jeni ju, shënon fitoren e parë madhore të këtij dyvjeçari, të rikthimit të opozitës së vërtetë.

Kjo sepse shembëm mashtrimin e madh të Edi Ramës dhe u mësuam shqiptarëve të vërtetën. Sot Shqipëria është një diktaturë po aq sa Rusia, po aq sa Mianmari, sa Irani, Uganda, Mianmari, Venezuela.

Këtu ne mbyllim një fazë shumë të rëndësishme të çmontimit të diktaturës, ekspozimit të të vërtetës.

Tani nis një fazë krejt e re e aksionit opozitar. Shqiptarët e kuptojnë se kur të ikë me votë Putini e Maduro, atëherë do të ikë me votë Edi Rama.

Ne jemi parti e të vërtetave dhe jo parti e mashtrimit.

Pra, nëse Edi Rama nuk ikën me votë, çfarë duhet të bëjmë? Do zgjojmë luanin. Zgjimi i luanit është misioni i kësaj faze të re të aksionit opozitar.

Dhe kjo do realizohet vetëm me betejë pa kthim, mosbindje civile.

Kështu që o sot, o kurrë, kundër aleancës së qelbësirave, narkoqeveritarëve me në krye Edi Ramën që po u pi gjakun shqiptarëve.

O sot o kurrë të frymëzojmë shqiptarët me guximin dhe trimërinë tonë.

O sot o kurrë të jemi ne pishtar i të vërtetës.

O sot o kurrë të përmbushim misionin tonë të shpëtimit të Shqipërisë.

O sot o kurrë të zgjojmë luanin dhe të tregojmë të vërtetën e madhe se populli shqiptar është luani i këtij vendi dhe rilindësit e Edi Ramës janë hienat e këtij vendi.

Në këtë fazë të re të aksionit opozitar, vetëm dy fjalë do drejtojnë veprimet tona: Mobilizim dhe mosbindje.

Koha për t’u komunikuar shqiptarëve se jemi në diktaturë, mbaroi. Këtë betejë e fituam. Tani është koha e përballjes me diktaturën.

Gjithë vëmendja e shqiptarëve sot është te ne: A do jemi ne në lartësinë e misionit tonë të shenjtë? A do frymëzojmë ne shqiptarët me qëndresën tonë, me guximin tonë, me vendosmërinë tonë?

27 dhjetori është një datë për këtë dëshmi. Në këtë datë, gjykata e Edi Ramës, tenton ose vendos t’i japë vulën e PD, vulën tonë, vulën e 600 mijë demokratëve, një njeriu që tradhtoi për 10 vite me radhë besimin e popullit opozitar. Gjykata e Tiranës do i japë logon tonë një njeriu lëvozhgë që as kritiku ynë më paranojak nuk e mohon dot se ai është peng i Edi Ramës.

Me këtë vendim do tentojnë të hyjnë në shtëpitë tona, në shtëpinë tonë, në shtëpinë e 600 mijë demokratëve.

Do të mbrojmë logon, do e mbrojmë shtëpinë tonë, dhëmb për dhëmb pa hezitim sepse nuk ka shqiptar sot që nuk e di se ajo logo është e jona.

Kjo betejë do jetë vetëm për logon tonë por edhe për inspirimin e çdo shqiptari që të zgjojë luanin e tij dhe të përballet me diktaturën e Edi Ramës.

Prandaj o sot o kurrë bashkë për kauzën tonë të drejtë me të vërtetën në anën tonë.

Ne do të fitojmë, ne do të zgjojmë luanin, ne do të përmbysim regjimin e Edi Ramës, ne do të shpëtojmë Shqipërinë.

Gëzuar festat!

Zoti e bekoftë Shqipëri, flamurin dhe kombin shqiptar.

Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale