Berisha: Druaj shumë se, kështjella mund të jetë e Edi Ramës dhe jo e Ermal Beqirit. Protestat janë të ligjshme, kjo që bën Rama është një veprim sulltanesk që kërkon ta ketë Shqipërinë në pëllëmbë të dorës

FJALA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA NË SPAK

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në deklaratën e tij për mediat nga ambientet e SPAK, hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, drejtuesve të SPAK dhe reformës territoriale, ndërsa u ndal edhe te çështja e pasurive të Ermal Beqirit në Francë.  Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për hetimet në lidhje me pasuritë e Ermal Beqirit, Berisha ngriti dyshime se ato mund të lidhen me kryeministrin. ‘Hetimi duhet të jetë nëse kështjella është e Ermal Beqirit apo e Edi Ramës dhe Olsi Ramës. Ju e patë, kishte kështjellë, jahte dhe avion. Druaj shumë, megjithatë hetimet do ta tregojnë, se kështjella mund të jetë e Edi Ramës, pasi ai nuk mund të toleronte në rrethin e tij kështjellarë të tjerë përveç vetes’, deklaroi kreu i PD.

Në fillim të deklaratës, lideri i demokratëve Sali Berisha u ndaj te dosja ‘Aruba’, duke akuzuar Altin Dumanin se mban sekret emrat e organizatorëve kryesorë, që sipas tij, është prova më e qartë e lidhjeve mes qeverisë, trafikantëve dhe biznesit. Sipas Berishës, emrat e trafikantëve dhe biznesmenëve janë bërë publikë, ndërsa emrat e organizatorëve të takimit në Aruba mbahen të fshehtë nga Altin Dumani për të mbrojtur Edi Ramën. Ai akuzoi prokurorin e SPAK se po mbron qeverinë dhe e cilësoi atë si ‘Altin Aruba’.  

Lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se, sipas tij, po përdor shtatzëninë për të shmangur burgun. ‘Kjo është epidemi. Përdorin ligjin e shenjtë të fëmijërisë kundër ligjit penal. E dënoj me forcën më të madhe këtë praktikë’, u shpreh kreu i PD-së.

Duke komentuar ngjarjen me të shtënat pranë një jahti në jug të vendit, Berisha tha se episodi dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë. ‘Ishte një ngjarje që e paraqet Shqipërinë si banditistan. Pushuesit përballen me breshëri armësh në brigjet e Jonit. Ata janë banditë të qeverisë, ndihen mbi ligjin njësoj si qeveria’, deklaroi ai.

Sa i përket zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, kryetari i PD-së Sali Berisha bëri të qartë se Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në proces. ‘Pas asaj që ndodhi me Avokatin e Popullit, ne kemi ndërprerë çdo bashkëpunim për përzgjedhjen e emrave. Prokuroria e Përgjithshme sot është një institucion i zhveshur nga kompetencat kushtetuese’, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u pyet edhe për protestat që kanë nisur në mbarë vendin, kundër reformës së re territoriale që kërkon të bëjë Edi Rama.  ‘Janë protestat më të ligjshme. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të bashkive që Edi Rama kërkon t’i fshijë nga harta të ngrihen në protesta të pandërprera. Kjo që bën Edi Rama është një veprim sulltanesk i një njeriu që kërkon ta ketë Shqipërinë në pëllëmbë të dorës. Në vend të decentralizimit promovon centralizimin ekstrem’, deklaroi gjatë fjalës së tij, lideri i demokratëve, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE

Të dashur qytetarë dhe qytetare.

Ky është dokumenti që i lashë Altin Troplinit, duke i shtuar dhe një mbiemër turpi, Altin Aruba, Troplini, Gjoka, Hajri e të tjerë, e të tjerë.

Pse i shtohet Aruba? I shtohet Aruba sepse dosja Aruba është dëshmia më flagrante e bashkëveprimit, konglomeratit qeveri-trafikant-biznes.

Janë bërë publikë emrat e trafikantëve, janë bërë publikë emrat e biznesmenëve, mbahen sekret emrat e organizatorëve kryesorë të takimit të Arubës dhe këtë sekret e mban Altin Troplini për llogari të Edi Ramës.

Ndaj dhe sot vendosa që t’ia shtoj dhe një mbiemër për t’ia nxirë dhe më shumë emrin seç e ka të nxirë.

Altin Aruba, Troplini, Gjoka dhe Hajri, armikut të egër të pluralizmit politik dhe votës së lirë të shqiptarëve, bashkëpunëtorit të Arubës, Irenës me pesë mbiemra, vrasësit serial Hajri e të tjerë e të tjerë, drejtësia vonon por nuk harron.

Çfarë pashë aty? Ua njoftova dhe disa ditë më parë. Punime intensive, po ndërtonin një mini-maternitet. Dhe kishin sjellë aty, përveç të gjitha mjeteve që duhen për obstetrikën, edhe inkubatorë për bebet.

Kishin shkruar një listë me emra, për të zgjedhur emrin. Prit, prit se kjo është më interesante.

Po të lindë vajzë, do ta quajnë Skapica, ose Spakica.

Po të lindë djalë, Spakic. Spaku.

Me një fjalë, edhe lista e emrave është bërë gati aty për ato që do të quhen ‘bebe të SPAK-ut’. Por, kjo është sigurisht një tallje. Një tallje, por ka një anë më të paimagjinueshme. Se si ministrat, gjasme zyrtarët e qeverisë, përdorin edhe fëmijësinë, shenjtërinë e fëmijësisë, për të shpëtuar nga krimet për të cilat duhet të digjeshin në ferr për vjedhjet që kanë bërë.

Pra, në qoftë se kjo vazhdon këtë hesap, Shqipëria do të bëhet vendi më i turpëruar në botë. Sepse në këtë mënyrë turpërohet fëmijësia, më e shenjta.

Pyetje: Zoti Berisha, keni një rast konkret?

Sali Berisha: Po rast konkret, po nuk ishte Veliaj?

Pyetje: Kush tjetër?

Sali Berisha: Veliaj, po ajo u hap shtegu, flitet, flitet për disa. Flitet për disa, po unë nuk jam mjeku i tyre dhe nuk mund t’i bëj publike emrat e tyre, pse t’i flasim. Po flitet për disa ministre, ish-ministre a deputete, me radhë. Kjo flitet për epidemi. Epidemi.

Pyetje: Pra sipas jush po përdoret shtatzënia për të shpëtuar nga burgu?

Sali Berisha: Tërësisht. Përdorin, edhe një herë, ligjin e shenjtë të fëmijësisë dhe të natyrës, kundër ligjit të shoqërisë. Për t’iu kundërvënë ligjit, Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal. Kjo është qeveria e Edi Ramës. E dënoj me forcën më të madhe.

Pyetje: Zoti Berisha, ditën e sotme ka patur një reagim nga shoqatat e unioneve të gjyqtarëve të Republikës, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës në lidhje me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për interesat e tyre që nuk po zbatohen. Ata bëjnë apel dhe ftojnë gjithë institucionet në zbatimin e procesit, të vendimit. Përpara, çfarë mendoni ju, a duhet ta respektojnë?

Sali Berisha: Mendoj që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen si domosdoshmëri, si detyrim më madhor ligjor në funksionimin e shtetit ligjor.

Por vetë Gjykata është sjellë në mënyrën jo serioze ndaj vetes dhe Edi Rama e konsideron atë njëlloj si SPAK-un, një seksion të Partisë Socialiste.

Sigurisht që vendimet e Gjykatës Kushtetuese detyrimisht duhet të zbatohen. Ky është qëndrimi im.

Pyetje: Si i komentoni ju protestat e nisura në disa bashki që kundërshtojnë, si për shembull Poliçani e të tjera, që po kundërshtojnë propozimet për hartën e re?

Sali Berisha: Janë protestat më të ligjshme dhe unë nxis dhe inkurajoj dhe u bëj thirrje të gjitha bashkive të cilat me një të rënë të lapsit narkodiktatori kërkon t’i fshijë nga harta.

U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të ish-bashkive, të cilat ne i kemi rivendosur në hartë për rikthimin e tyre, të ndërmarrin një proces protestash të pandërprerë, të bashkohen me protestën rinore qytetare, gjer në suksesin e plotë të të drejtave të tyre, kërkesave të drejta.

Kjo që bën Edi Rama është një veprim sulltanesk i një njeriu që kërkon ta ketë Shqipërinë në pëllëmbë të dorës, i një njeriu i cili, i pangopur dhe i paetur me pushtet, në vend të decentralizimit promovon centralizimin ekstrem.

I një njeriu që përdori 2014-ën dhe vazhdon ta thellojë reformën si levën e Arkimedit për shpopullimin e Shqipërisë.

Ndaj dhe unë i përgëzoj ata, të gjithë qytetarët e këtyre bashkive që ai me gjakftohtësi kriminale u bie një kryq, nuk do të ekzistojnë, pavarësisht se kanë histori shekullore ekzistence e të tjerë me radhë.

Pyetje: Zoti Berisha, a keni marrë informacion çfarë ka ndodhur të premten mbrëma në një jaht nga ku u qëllua me armë zjarri dhe kush ishin këta persona?

Sali Berisha: Emrat e personave i bëri të ditur policia dhe unë nuk i njoh si emra, por policia i bëri të ditur, se unë e ndoqa atë si një ngjarje jashtëzakonisht të shëmtuar.

Si një ngjarje që paraqet Shqipërinë një banditistan.

Imagjinoni ju mrekullinë e ujërave të Jonit dhe njerëzit që vijnë aty për të pushuar, për të shijuar ato ujëra, përballë tyre kanë breshëritë e banditëve të Edi Ramës.

I sigurt të jeni ju që ata janë banditë të qeverisë, me lidhje me qeverinë, që ndjehen mbi ligjin njëlloj si qeveria.

Nuk ka akt më të shëmtuar, ishte tmerrësisht tronditëse për të gjithë pushuesit aty, por është lajmi më i keq që përcjell Shqipëria në të katër anët e dheut për turizmin.

Pyetje: Zoti Berisha, është mbyllur afati për Prokurorin e Përgjithshëm dhe janë përzgjedhur 5 emra, a do të bini dakord me socialistët për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm me konsensus?

Sali Berisha: Jo, ne nuk marrim pjesë në përzgjedhje emrash.

Pas aktit të tyre me Avokatin e Popullit, ne kemi ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi në përzgjedhjen e emrave. Por mund të them që Prokurori i Përgjithshëm sot është institucioni më i zhveshur nga çdo kompetencë dhe kur dëgjoj ndonjëherë raportin e tij, ai flet sikur është drejtori i statistikave të policisë.

Është një zhveshje e gabuar, e gabuar që i kanë bërë atij sepse ai është institucion kushtetues, është institucion kushtetues dhe ta lësh atë sa për disa statistika, kjo është një akt.

Mendoj se mund të rishqyrtohet si institucion për të korrigjuar disa gabime që janë bërë. Për shembull, këta këtu, këta hetojnë veten e tyre. Nuk ndodh në botë kështu.

Nuk ndodh në botë që një institucion për çështje penale, se hajde administrative po, por për çështje penale të hetojë veten e tij.

Atëherë është e domosdoshme që një institucion tjetër, natyrisht meqenëse këta janë institucion kushtetues, një institucion tjetër kushtetues të marrë një institucion tjetër kushtetues të marrë disa atribute në mënyrë që askush të mos ndjehet mbi ligjin.

E të tjera, por në këtë formë siç e kanë krasitë komplet Prokurorinë e Përgjithshme, ai institucion nuk ka një rol që duhet të ketë.

Pyetje: Keni ndonjë koment në lidhje me Ermal Beqirin që iu gjet pasuri  në Francë.

Sali Berisha: Tani hetimi duhet të jetë, kështjella është e Ermal Beqirit apo e Edi Ramës dhe Olsi Ramës?

Se ju e patë, ai kishte kështjellë, kishte jahte, kishte avion.

Pra, pasuritë e shqiptarëve, rrogat, pensionet e tyre të vjedhura dhe të shtruara në pasuri përrallore nga Ermal Beqiri.

Druaj shumë, megjithatë hetimet do ta tregojnë, se kështjella mund të jetë e Edi Ramës mbasi ai nuk mund të toleronte në rrethin e tij kështjellarë të tjerë përveç vetes së tij. Mundet.

Mirupafshim.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale