REPLIKË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një replike në parlament, i bëri thirrje qeverisë që të dërgojë në Prokurori dhe gjykatë Belinda Ballukun, duke theksuar se raporti i Komisionit të Jashtëm të PE-së damkos qeverinë për lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Berisha tha se raporti konfirmon ekzistencën e farsës elektorale, mungesën e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe shkelje të rënda të parimeve të shtetit të së drejtës. Ai e cilësoi këtë shkelmim të Kushtetutës dhe një praktikë që minon funksionimin e institucioneve.
Në replikën e tij, Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për konflikte interesi dhe për përfshirje në skandale korruptive, duke përmendur edhe çështje të lidhura me administrimin e institucioneve publike dhe investime strategjike.
Ai përsëriti thirrjen për hetime penale ndaj figurave të mazhorancës, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe reagim nga drejtësia.
REPLIKA E PLOTË
Përsëri, maskë dhe hipokrizi. Përsëri, mbrojtje e Lubisë. Jam këtu dhe njëherë t’ju bëj thirrje: dorëzoni Lubinë në Prokurori dhe gjykatë, sepse ky raport është absolutisht fund e krye, damkosës për farsën elektorale, damkosës për mbrojtjen e korrupsionit, damkosës për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ky moszbatim është shkelmim i Kushtetutës, flagrant, del jashtë imagjinatës. Damkosës për lidhjet e fuqishme me krimin. Damkosës për humbjen e rolit të parlamentit. Damkosës për investime strategjike, e morët vesh apo jo? Që kërkohet të anulohet amendamenti dhe ligji që keni bërë në 24-ën. Damkosës për konflikte interesi. Është marrë vesh botërisht se Edi Rama i ka falur vëllait të vet 38,000 m² tokë private. Se Edi Rama, në konflikt flagrant të interesit, ka shndërruar AKSHI-n në kopshtin e tij. Se Abi Bank mori lidhjen e Surrelit si anëtare bordi. Ju kujtohet apo jo kur kur flisja unë këtu?
Faleminderit!


